TemA, 27 Dhjetor 2012
Ju që jeni habitur kur keni dëgjuar nga kryeministri Sali Berisha se Shqipëria dhe Gjermania janë vendet me ekonominë më të fortë në Europë, bëhuni gati për një tjetër bombë: kryeministri Sali Berisha ka deklaruar sot në parlament dhe dje në një konferencë për shtyp se Shqipëria është vendi i katërt në botë për mirëqenie.
Ju që nuk keni bukë për të ngrënë apo që merrni ushqime me lista, mos u qani më.
Kryeministri Sali Berisha me shumë gjasë do e përdorë këtë deklaratë të tijën deri në fushatë zgjedhore.
Nëse nuk e keni besuar se vendi ynë është si Zvicra e Zelanda e Re për mirëqenie, atëherë nuk e jetoni realitetin.
Kryeministri ka cituar një raport të Boston Consulting Group, të quajtur SEDA, ku flitet për superlativa për shëndetësinë në Shqipëri, arsimin, mjedisin, ekonominë, etj.
Berisha, ndërsa prezantoi raportin, tha se nuk është euforik.
“Gjatë këtyre viteve, në mënyrë të përsëritur, duke iu përmbajtur të vërtetave, kam deklaruar para shqiptarëve se nuk ka qëllim më madhor sesa shndërrimi i pasurive të vendit në mirësi për ta, në mirëqenie për ta. Shpesh jam akuzuar se po përdor nota euforike, se po shprehem me eufori për këtë apo atë zhvillim. Kurrë nuk e kam bërë këtë. Çdo gjë që kam deklaruar e kam bërë duke iu përmbajtur të vërtetës, të vërtetës ashtu sic ka qenë. Jam përballur, jo pak, me individë apo grupe të cilat kanë bërë kanë bërë njeriun që ka sy por nuk shikon, që ka vesh por nuk dëgjon. Kjo për arsye të ndryshme,” tha Berisha.
“Koeficenti i SEDA-s është kthimi i rritjes ekonomike në mirëqenie. Ky koeficient tregon sesa mirë një vend ka konvertuar rritjen e te ardhurave të tij në mirëqenie. (vlerësimi me 1 tregon se vendi ka performuar njësoj me mesataren botërore; më i madh se 1 tregon se vendi ka nivel jetese më të lartë se sa pritej duke pasur parasysh PBB e tij për frymë; më pak se 1 tregon se vendi ka nivel jetese më të ulët se cfare pritej duke pasur parasysh PBB e tij/per fryme). Shqiperia në këtë koeficent renditet në një nga 4 vendet e para në botë dhe ky koeficent për Shqipërinë ishte 1.35,” vijoi Berisha.







