Rriten dhe rriten dhe… nuk shihen

0
67

Nga Preç Zogaj

Gjëagjëza për mirëqenien në kohën e komunizmit- c’është një gjë që rritet e rritet e nuk shihet?- mund të përdoret fare mirë në këtë periudhë për investimet, sidomos për ato të huaja. Rriten dhe rriten si në përralla, kryesisht atje ku nuk jemi. Unë jo! Unë jo! Unë jo! i përgjigjen pyetjes “ a i keni parë” ata që kanë me shumë nevojë për këto investime: të papunët. Tek- tuk ndonjëri ka parë dicka apo ka përfituar dicka. Por përfitimi edhe në ketë sferë është një llotari-fjala vjen një në njëmijë- gjë që nuk i përgjigjet kërkund shifrave të larta të investimeve që reklamojnë zyrat qeveritare dhe proqeveritare të shpëndara andej këndej si njëqind krëhët e perëndisë Uishnu.

Investimet e huaja për vitin 2010 janë mbi një milard euro, njoftonte disa ditë më parë një zyrë shqipfolëse e OKB-së në Tiranë. Njoftimi i zuri në befasi publikun e gjerë dhe vetë qeverinë. Për të mos rregjistruar një prani prej budallai në atë myzhde pa lidhje me realitetin shqiptar, por edhe i trembur se mos ato investime ishin bërë vertetë kushedi ku e kushedi si, zevendësministri i ekonomisë bëri një deklaratë të hollë, nga ato “kinezet”, që edhe qeverinë ta mburrte, edhe të papunët e vendit të mos i lëndonte shumë.

Tha se këto investime kaq të mirëpritura nuk kishin krijuar impaktin e pritshëm në fushën e punësimit, por e ardhmja do të ishte më e mirë. Me fjalë të tjera, një milard eurot e investuara gjatë vitit 2010, sipas zyrës së OKB-së nuk kanë krijuar vende të reja pune, ndërkohë që investimet e reja nga viti 2011 e në vazhdim do ta ndreqin edhe këtë anomali! Pra do të kemi edhe investime që prodhojnë punë dhe punësim! Duket si estradë, me dallimin se këto gjëra të bëjnë për të qarë me shumë se për të qeshur. Ku janë invetuar këto një miliard euro? Në teknologjinë e robotëve?

Minimalisht, zyra përkatëse e OKB-së, në respekt të popullit shqiptar, duhej ta shoqëronte njoftimin bombë me një listë të objekteve dhe fushave ku janë investuar këto para dhe njeherësh me një listë të kompanive apo individëve që kanë investuar. Këto të dhëna janë të domosdoshme jo vetëm për të kompletuar informimin si një normë etike dhe e drejtë qytetare, por edhe për të kuptuar joshjet e resurve dhe tendencat e ekonomisë sonë në këtë periudhë të vështirë. Plasja e shifrës “njëmilard” pa këtë informacion të lë shijen e një genjeshtre propagandistike dhe burokratike që nuk mbështetet në investime të realizuara, por në kontrata në letër. Në rastin më të mirë.

I pari dhe i fundit qeveritar që doli, pas nëj hezitimi të shkurtër, nga habia e njoftimit të zyrës së OKB-së ishte kryeministri Berisha. Vonesa e tij e pazakonte për të hedhur fishekzjarre duhet t’i ketë mërzitur pak ata të zyrës së OKB-së, por shpejt u kuptua se kryeministri thjesht kishte një shifër akoma më të lartë se një miliard euro. Ndërkaq, përvec fjalëve të përgjithshme, që mëtonin si gjithnjë të skiconin një parajsë shqiptare në lidhje me investimet e huaja, Berisha gjithashtu nuk sqaroj asgjë se ku dhe kush kishte investuar.

Si të ishte fjala për investitorë-ufo! Duhej ta bënte dhe ta bëjë ketë, sëpaku për hir të gjithë atyre njerëzve, kryesisht të papunë, që torturohen dyfish tek marrin vesh se në vendin e tyre të vogël investimet e huaja vërshuakan lumë, kurse për ata fatkeqë gjithcka mbetet ende mollë e ndaluar. Sëpaku të mësojnë se disa nga sëra e tyre kanë përfituar. Një ngushëllim i vogël, por gjithsesi ngushëllim. Shkrimtari rus Gogol ka një tregim për efektin shkatërrimtar, deri në halucinant, që krijojnë tek dy të uritur në një ishull të braktisur copat e një gazete të hedhur ku ishte botuar deri në hollësi kronika e një darke madhështore.

Nga një anë është shumë e habitshme që qeveria “nuk e zhvillon”, por e lë pezull një njoftim që e ka në favor, sic është ky për një milliard a një miliard e gjysëm euro investime të huaja në harkun e një viti të ëvshtirë, kur të ardhurat dhe investimet e buxhetit të shtetit kanë njohur vetëm rënie dhe po ashtu kanë njohur rënie edhe treguesit e nivelit ekonomik të familjes shqiptare. Në parantezë, një miliard euro investime të huaja nuk do të ishin një shifër impresionuese për një vend me anëtarësim të freskët në NATO. Dy milard euro do të ishte vetëm investimi në portin e ri të Shengjinit, po të ishte ndjekur e po të ndiqet me vendosmëri dhe largapamësi një plan rigoroz për ndërtimin e tij me koncension.

Gjithsesi, në kontekstin e krizës ekonomike botërore, shifra një milard është e madhe dhe promovuese për shendetin e ekonomisë shqiptare. Cila janë pra arsyet që as zyra e OKB-së, as kryeministri dhe as një organizatë biznesi nuk i bën me dije publikut të gjerë se ku janë bërë këto investime, cfarë efekti konkret kanë patur në zhvillimin e vendit, e tjerë? Një arsye mund të jetë shifra e fryrë. Ballafaqimi i shifrës një miliard me realitetin e objekteve të investuara do të nxirrte në pah spekullimin.

Objektet nuk mund të shpiken sic shpiken shifrat. Në këto kushte qeverisë dhe zyrave që punojnë për të zbukuruar imazhin e saj u duket më e leverdishme të plasin një shifër të fryrë të cilën ta besojë kush të dojëm, se sa të rrezikojnë tu plasë tollumbacja në duar. Një arsye e dytë mund të këtë lidhje me faktin se këto investime nuk e bëjnë krenare qeverinë dhe mund të hapin një seri pikpyetjesh të reja nëse “zbërthehen”. Mund të jenë investime të dështuara tregëtare apo koncensionare, të realizuara nga shoqëri dhe individë që qeveria nuk ka shumë nder t’i ekspozojë.

Një arsye e tretë: mund të jenë investime jo dhe aq të huaja, por që qeveria ka dëshirë ti paraqesë si të huaja, sic janë përshembull investimet e AMC-së, Vodafon-it, Albtelekomit apo edhe CEZ-it të privatizuar. Investimet e brëndshme të këtyre kompanive konsiderohen tashmë investime shqiptare, investime vendase pasi, vec të tjerash, ato investojnë një pjesë të fitimeve që vjelin nga populli shqiptar. Minarja në thes nuk futet, thotë populli. Lë ta tregojë qeveria minaren e investimeve, që ta duatrokasim po të jetë bindëse.

Kam përshtypjen se nuk e tregon dot, por do të vijojë ta mbajë komunikimin në planin e rrumbullakosjes së paverefikueshme të gjërave. Edhe pse e ka të qartë se shqiptarët nuk janë idiotë që të besojme se cfarë fluturon hahet! Nuk ka kohë për mashtrime dhe vetmashtrime në fushën e investimeve.

Problemi i madh me të cilin përballet vendi është dështimi , stopimi dhe ngadalësimi i investimeve të huaja në raport me pritshmërinë pas anëtarësimit në NATO. Padyshim, kriza botërore ka rolin e vet në këtë kundërzhvillim, por kriza nuk mund të jetë një alibi për të mbuluar mungesën e vizionit, korrupsionin dhe paaftësinë si faktorë madhorë që pengojnë investimet prodhuese dhe ato në infrastrukturë. Vetëm në Vlorë dhe Lezhë janë nënshkruar gjatë viteve 2008-2009 investime që shkojnë deri në katër milliard euro investime në zona industriale, në porte, në parqë energjitike, fabrika të materialeve të ndërtimit e tjerë.

Nga gjithë kjo masë e madhe investimesh në letër nuk gjen më shumë se një lugë kafeje investimesh të realizuara në terren. Qeveria duhet ti mbështesë kompanitë për të kapërcyer vështirësitë. Qeveria duhet të jetë shumë e hapur për kompanitë që ofrohen për të ndërtuar rrugë dhe porte të ndryshme me paratë e tyre. Punësimi dhe mirëqënia janë një interes publik dhe kombëtar, para të cilëve propaganda nuk ka asnjë vlerë. Më mirë investime që realizohen e “ nuk rriten” se sa investime që “rriten” e nuk shihen.