Rreziku i shtetit privat

0
55

Nga: AFRIM KRASNIQI

Duke ndjekur akuzat dhe kundërakuzat midis numrit dy te qeverise dhe ish-ministrit te ekonomise gjithashtu numri dy i partisë së zv/kryeministrit dy janë mendimet që të vijnë në mendje. E para, duket sikur kemi të bëjmë me një rikthim të mbledhjes së famshme të KPD socialiste më 2001, ku palët politike përfshirë edhe emrat e mësipërm, akuzonin njëri tjetrin për vepra kriminale dhe korrupsion. Mendimi i dytë lidhet me shtetin dhe seriozitetin e tij. Kur shikon e dëgjon çfarë thuhet mes tyre bën ndjen frikë nga shteti i tij, ndjen zhgënjim tek qeverisja dhe pasiguri për të ardhmen e tij, të familjes dhe të vendit.

Nëse mendimi i parë ka të bëjë me sjelljen tipike të politikës shqiptare (sjellje provincial, hakmarrëse, tribale, pa moral dhe pa asnjë ndjenjë vetpërgjegjësie e vetkontrolli), mendimi i tyre sjell trishtim dhe na bën të pyesim veten: a e meritojnë shqiptarët një politikë / politikanë në të tillë? A është demokraci kjo që shohim? A kemi arritur në 20 vjet një pjekuri politike për të ditur të ndahemi nga e keqja? A kemi shtet demokratik, ai funksionon ai, a duhet ta besojmë atë dhe së fundi, cilët janë kufijtë midis shtetit të të gjithëve dhe shtetit privat të një dyzine politikësh pa moral, të gatshëm të bëjnë gjithcka për të marrë ose për të ruajtur pushtetin personal?

Qeveria (zv/kryeministri) na tha se një ish ministër (aktualisht deputet) është përfaqësues i grupeve kriminale, bën shantazh në emër të këtyre grupeve, është korruptiv, abuziv, kërcënim për shtetin e demokracinë. Ish ministri aktualisht deputet na tha se qeveria është e korruptuar, krerë të policisë janë organizatë trafiku, ministrat kanë fshehur pasurinë e abuzojnë me postet, se për gjithçka ka informuar kryeministrin, se asgjë nuk ka ndyshuar, dhe se vetë ai, ka përdorur postin publik (ministrinë) për të shlyer nderet elektorale ndaj të gjithë atyre që e kanë ndjekur e votuar më 2009.

Mesazhi i tij ishte publik: kush voton për mua, unë di ta shpërblej! Të njëjtin mesazh dha edhe kreu i qeverisë ditë më parë në Klan, kur mbrojti me fanatizëm biznesin e dyshimtë të një prej emrave më të përfolur në të gjitha aferat e viteve të fundit në Shqipëri. Policia e shtetit shkel statutin ligjor, del në media si palë politike për të mbrojtur një emër të akuzuar, jo vetë simbolet e policisë; ministria e financave del në media për të mbrojtur biznesin e kasave të një prej aksionerëve politiko-financiar të “Skënderbeut”; ministria e bujqësisë del në media për të mbrojtur pronarët e emëruar të TEC-ve; bashkia Tiranë del në media për të mbrojtur palë në bizneset private në pjesë të ndryshme të qytetit; vetë parlamenti përdor foltoren dhe simbolet e institucionit kryesor kushtetues për të “larë hesapet” me këdo që mendon në mënyrë kritike kundër titullarëve të institucionit ose mazhorancës; mediat publike të financuara nga taksat tona përdoren rregullisht për të hartuar fletë-rrufe kundër kritikëve të qeverisë dhe vetë qeveria, përdor cdo instrument të saj për të akuzuar apriori çdo kritik të saj.

Psh., qeveria ditën e parë me nxitim tha se protestën e kasave e organizoi PS, ditën e dytë hyri në bisedime dhe bëri marrëveshje me protestuesit, ditën e tretë tha se ka nisur hetim mbi abuzimet dhe se protestuesit kanë të drejtë dhe ditën e katërt tha se paratë e kasave të rimbursohen nga taksat e bashksië, jo të qeverisë. Mjaftojnë këto katër qëndrime brenda 100 orëve të fundit për të kuptuar se në cfarë niveli është përgjegjësia politike e administrative e mazhorancës.

Shteti është pasuri e qytetarëve. Ai ka ekzistuar prej 100 vjetësh dhe me siguri do të ekzistojnë edhe për shumë shekuj të tjerë, edhe atëherë kur në librat e historisë të ilustrojmë bëmat e sotme politike si pjesë të dobësive të shtetit dhe sistemit qeverisës në Shqipëri. Kushtetuta njeh parimin e ndarjes e balancës së pushteteve; krijon organe veprimi, kontrolli dhe gjykimi, parashikon qeverisje mbi vullnetin e qytetarëve, kurse ajo që ne sot shohim është një kopje e keqe e shtetit që duam dhe që parasheh kushtetuta.

Ne shohim një mentalitet të gjerë politik që e konsideron shtetin një pronë private, të cilin mund ta blesh, mund ta shesësh, mund ta injorosh, mund ta fyesh, mund ta braktisësh, mund të abuzosh. Ne shohim politikanë që kur janë rivalë politikë denigrojnë dhe shpesh arrestojnë njëri tjetrin, por kur interesat e pushtetit i bëjnë bashkë na vetshpallën shpëtimtarë të vendit e misionarë të integrimit. Kjo specie politike e formuar në sistemin e vjetër dhe e deformuar në tranzicion, ka kurajon të na imponohet në media e publik si “patriotë”, njerëz që gjithçka e bëjnë për Shqipërinë, për vendin, për integrimin, kur në fakt prej tyre dhe sojeve të tyre, Shqipëria po humb shans pas shansi për tu bërë shteti europian që aspiruam në dhjetor 1990.

Çfarë duhet të bëjmë? Si qytetarë ne kemi në dorë të flasim, të mbajmë shënim, të refuzojmë bashkimin me turmën abuzuese dhe në ditën tonë kushtetuese, dita e votimit, të mendohemi mirë për votën, edhe kur nuk jemi të bindur nëse ajo numërohet. Si shoqëri duhet të dalim nga amnizia kolektive, të dimë të mbrojmë të drejtat, mos t’u lëmë rast klasës abuzuese për t’i kujtuar gabimet dhe përgjëgjësitë, të krijojmë mekanizma të reja përfaqësimi dhe t’u dëshmojmë të zhgënjyerve se ky vend ka zëra, moral e virtyte që nuk janë shitur, nuk janë përbaltur dhe që ngjallin shpresë. Si shtet na mbetet të shpresojmë se prokuroria publike (ajo që hap dosje pa fund për kronika abuzuese në TV për presion ndaj ndonjë gazetari, apo për dyshime korrupsioni në konsultimet me maturantët) të flasë, të veprojë, të tregojë të vertatat siç i kërkon kushtetuta, si institucion mbrojtës i interesave të publikut dhe të shtetit.

KPD rozë më 2001 u mbyll në mënyrë të turpshme: ata që u akuzuan më shumë u bënë ministra, ai që akuzoi më shumë u bë kryeministër. KPD blu e vitit 2010 duhet me çdo kusht të ketë një fund të ndryshëm, nëse ende pretentohet se sistemi i sotëm qeverisës nuk është i njëjtë me modelin qeverisës të F. Nanos, për rrezimin e të cilit demokratët erdhën në pushtet.