Rrethimi perëndimor para Presidentit të ri

0
63

Nga Mero Baze, 10 Shkurt 2012

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës po ngushtojnë rrethimin ndaj kryeministrit Berisha, para se ai të marrë vendimin e pritshëm për zgjedhjen e një presidenti kukull dhe marrjen nën kontroll të institucionit të prokurorisë, KLD-së dhe Shërbimit Informativ Kombëtar. Eduard Kukan dhe Hannes Swoboda, dy europarlamentarët që mbikëqyrin zhvillimet në Shqipëri, njëri i djathtë dhe tjetri i majtë, janë bashkuar në një qëndrim të përbashkët kundër mënyrës se si drejtësia në Shqipëri gjykoi çështjen Meta dhe kundër mënyrës se Berisha po përpiqet të shmangë përgjegjësitë për vrasjen e katër qytetarëve të pafajshëm më 21 Janar.

Të njëjtin shqetësim po përpiqen të shprehin Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes ambasadorit të SHBA në Tiranë, apo qëndrimeve zyrtare nga SHBA. Fokusimi i fortë i tyre tek fakti se drejtësia në Shqipëri ndëshkon vetëm medien kritike dhe opozitën dhe jo vrasjet e pushtetit apo aferat korruptive të tij, ka në sfond alarmin se pas zgjedhjes së presidentit të ri nga Berisha, këto tregues do përkeqësohen shumë më tepër.

Por a është e sigurt se Berisha do të bëhet i “dëgjueshëm” ndaj Perëndimit?

Në këto kushte as që bëhet fjalë. Edhe pse shihet qartë se për herë të parë kemi qëndrime të koordinuara ndërkombëtare kundër tij personalisht, efekti i tyre mund të jetë zero, biles i dëmshëm nëse nuk shoqërohet me një plan veprimi kundër Berishës. Nëse zyrtarët perëndimorë, të cilët akoma na konsiderojnë një vend normal dhe marrin ende seriozisht dëshirën e Berishës për të marrë ftesën e vendit kandidat për anëtar në BE, mendojnë se deklaratat e tyre mund të kenë ndikim mbi Berishën, gabojnë dyfish. E para fitojnë armiqësinë e Berishës, dhe e dyta, humbasin kontaktet dhe bashkëpunimin me qeverinë shqiptare duke na dëmtuar të gjithëve. Presioni mbi Berishën duhet të bëhet me plan konkret veprimi.

Kështu për çështjen e presidentit, me të cilën Berisha tenton të mbrohet me Kushtetutën, duhet të bëhet i qartë konflikti që Berisha ka me institucionin e Presidentit, KLD dhe më pas Prokurorinë, si një person që është i dyshuar për vrasje të katër demonstrueseve. Në çdo vend perëndimor një kryeministër që është nën këto dyshime, jep dorëheqje dhe i hap rrugë hetimit, kurse në Shqipëri Berisha kërkon të marrë dhe institucionet e tjera për të mbyllur hetimin. Në këtë pikë do të ishte normal një plan veprimi që ruan dhe Kushtetutën, dhe dëshirën fallco të Berishës për ta respektuar atë dhe standardet perëndimore. Berisha të japë dorëheqje nga kryeministër deri sa të gjykohet çështja e 21 Janarit, ku ai mund të dalë si autor vrasjesh dhe Presidenti le të zgjidhet sipas Kushtetutës, duke qenë qoftë dhe një figurë e PD-së, por pa Berishën kryeministër.

Ky është një plan veprimi që përputhet me logjikën se si Perëndimi i zgjidh këto konflikte në vendin e vet dhe duhet t’ia imponojë atë dhe qeverisë shqiptare. Biles kjo do ishte një zgjidhje e mirë dhe për rotacionin e mundshëm politik pas një viti, pasi në rast të një fitoreje të opozitës do kishim një president të djathtë që mund të balanconte institucionet. Kjo mendoj se është logjika që duhet t’i kundërvihet falsitetit të Berishës për të respektuar Kushtetutën, që i siguron atij imunitet për të mos u ndëshkuar një krim shtetëror mbi katër qytetarë. Dhe kur Perëndimi të flasë për këtë plan veprimi, duhet të jetë i qartë dhe i përditshëm në këtë qëndrim.

Një mënyrë tjetër e presionit mbi të është krijimi i një fryme politike në vend për distancën e Berishës ndaj Perëndimit. Zyrtarët perëndimorë duhet ta bëjnë të qartë se Berisha është në konflikt me rekomandimet e tyre dhe duhet ta theksojnë këtë qartazi publikisht. Kjo është dhe mënyra më e mirë për të nxitur disidencë dhe kundërshti brenda PD-sa ndaj tij. Fuqia e Berishës për të mbajtur në vathë njerëzit e tij, është se ata e shikojnë atë si garant të pushtetit. Kur ta shikojnë si garant të humbjes, shumë prej tyre kanë për ta braktisur më shpejt se sa mendojmë ne.

Nxitja e debatit brenda PD-së, pa përmendur emra të përveçëm, është jetike dhe mund të bëhet vetëm nga një qëndrim i qartë perëndimor kundër akteve politike të Sali Berishës. Ajo që ai po bën tani është thjesht një teatër. Ka kuptuar tërbimin amerikan kundër tij dhe nxjerr Lulëzim Bashën të bëj si pro- amerikan. Ka kuptuar tërbimin evropian kundër tij dhe gjen miq të vet për të dërguar Topallin të bëj si pro-evropiane.

Vetë me një duzinë hajdutësh dhe pastrues paresh ndërkombëtarë shkon tek një feudal në Azerbajxhan për t’i shitur pasuritë e fundit nëntokësore të Shqipërisë dhe për të konsoliduar regjimin e tij përmes pareve të pista. Perëndimi nuk duhet të gënjehet nga ngjyrat fallco që Berisha prodhon brenda PD-së për të verbuar qartësinë e shikimit të tyre. Në këto kushte në atë parti dhe atë koalicion nuk ndodh asgjë kundër Berishës pasi ata shpresojnë se Berisha me manovrat e tij të pista do tu rijapë pushtetin. Vetëm nëse kjo shpresë u bëhet e largët nga një qëndrim i qartë dhe i prerë ndërkombëtar kundër Berishës, mund të ringjallet një debat brenda shumicës që mund të shpëtojë dhe zhbllokojë demokracinë në Shqipëri.

Deklaratat e djeshme të Kryetarit të Delegacionit për Evropën Juglindore në Parlamentin Evropian, Eduard Kukan, janë shumë domethënëse dhe duket se bashkë me qëndrimet e zotit Swoboda përbëjnë një qëndrim cilësor ndërkombëtar kundër Sali Berishës. Por askush të mos besojë se Berisha mund të jetë i shqetësuar nga mos marrja e ftesës për në BE apo nga dështimi i këtij procesi. Ai realisht është objektivi i fshehtë i Berishës. Atij i duhet kjo Shqipëri që është, me kriminalitet në rritje, ku të gjithë të jenë të pasigurt, me gazetarë të superdënuar, që askush të mos flasë, me opozitë të penalizuar dhe të përçarë, që askush të mos i rezistojë dhe me këtë nivel varfërie që askush të mos kërkojë më shumë se një copë bukë për të mbijetuar. Çdo Shqipëri tjetër e lirë, e pasur, konkurrente dhe demokratike, është një Shqipëri që nuk e pranon Sali Berishën.

Ndaj Sali Berisha nuk duhet kërcënuar me izolim të Shqipërisë, duke u bërë dëm shqiptarëve, por me izolim të pushtetit të tij për të krijuar një diferencë të fortë elektorale në vend kundër tij, diferencë të cilën ai nuk do ta kalojë dot me manipulim. Rrethimi i Perëndimit po ngushtohet para zgjedhjes së presidentit, dhe kjo na bën të kuptojmë se Perëndimi nuk ia beson dot më institucionet e Shqipërisë Sali Berishës. Që shqiptarëve tu ringjallet besimi tek fuqia e tyre për të hequr nga pushteti Berishën, duhet që gjuha e Perëndimit të jetë një përdorimëshe kundër Berishës. Vetëm kundër tij.