Rreth vëllimit “NJË PËLLËMBË JETË” të Tonin Nikollit

0
55

Nga Zhaneta Lazri

Pas pesë librave të pritur ngrohtë nga lexuesi, poeti Tonin Nikolli vjen përsëri mes nesh me përmbledhjen e re poetike, të titulluar “Një pëllëmbë jetë”. Një titull kurioz, mbi kopertinën me ca koordinata gjithashtu kurioze, që të ftojnë menjëherë të shfletosh faqet e librit për të njohur se çfarë fshihet, çfarë ndiehet e çfarë shpaloset në këtë pëllëmbë jetë. Jemi mësuar që jetën ta matim me orë, ditë, vite…Ç’ thotë ky, si u matka jeta me pëllëmbë? Por poeti prandaj është poet, se ka masat e tij, hapësirat, koordinatat e dimensionet e tij, që nuk janë privilegj i gjithkujt. Poeti shtrin dorën me atë pëllëmbën e madhe e të fortë prej malësori, mbërthen një copëz jetë e duket sikur të thotë: “Bujrum, mirësevjen në dhomëzat e shpirtit, këtu ku shtrohen ndjenjat e të dehin muzat. Eja, do të të shëtis në çdo qoshe e do të t’i hap të gjitha dyert. Do të të bëj të kuptosh, që ndonjëherë një jetë njëqind vjeçare mund të jetë shterpë dhe boshe si një shishe plastike e harruar valëve, ndërsa në një pëllëmbë vend, në një pëllëmbë jetë mund të gjesh emocione sa për dhjetë jetë!”

I ndërtuar me tre ndarje, si ato apartamentet e vogla e intime me dy dhoma e kuzhinë, autori të drejton fillimisht tek “dhoma e ndenjes” e titulluar jo më kot “Kredo” dhe fillon menjëherë me ty një bisedë intime. Me vargjet e shtatë poezive, ai të tregon në mënyre konçize dhe natyrisht edhe në mënyrë artistike, biografinë e tij, të njeh me familjen e tij, të tregon edhe sa vite ka mbi supe. E këtë ta thotë si me te qeshur, si një gjë a gjëzë, e cila në fillim të bën të buzëqeshësh me vargjet “pesë herë njëmbëdhjetën” (për të rrëfyer që është 55 vjeç), pastaj të krijon përfytyrimin e një shqiponje në fluturim me vazhdimin “simetri perfekte,/ndarë në dy pëllëmbë jetë” e më në fund të bën të mendosh, ndërsa ai mediton: “Unë në dy shekuj,/ në dy troje,/ në dy gjuhë…”

Poeti të prezantohet, të thotë emrin (madje e lakon atë), bën kronikën e jetës së tij, pa u kursyer në krenarinë për origjinen e vet, të njeh me familjen, lëshohet në krahët e mallit e të nostalgjisë për ata që janë larg e për ata që s’janë më. Emocioni i thellë zë vend në çdo germë të shtatë vargjeve kushtuar të atit, në poezinë “Prej qiellit”, ku me pak penelata të shpejta, si një piktor që kërkon të portretizojë dhembjen, hedh në poezi atë gërvishtje që të lënë për jetë humbjet e mëdha. “Prej qiellit te grisur nga dhembja,/ pareshtur,/ bie shi… Një çerekshekulli,/ mbush paprerë,/ liqenin e mallit tonë,/ për ty.” Kaq.

Kaq mjafton që të të bëjë pjesëtar në atë dhembje, që s’e ka mbushur e s’mund ta mbushë liqenin e mallit. Por s’ka nevojë për shumë fjalë e psherëtima kur bëhet fjalë për burra. Gjithçka ndërron kur zemra digjet nga malli për nënën, për dadën Tone. Atëherë poeti bëhet delikat, i dhembshur, i butë, si një fëmijë, që s’ka turp të struket në gjoksin e nënës e të qajë. Ai flet me të, e përqafon me vargje dhe ankohet: “Me lot në sy më zuri e vona,” përsëri larg teje, në anën tjetër”… Motivi i mallit dhe i mërgimit nuk mund të ndahen nga njëri-tjetri. Me ta bashkohet edhe një lloj ndjenje faji e ankthi, nga që në një ditë speciale, s’mund të jetë pranë asaj, “të vetmes, që s’mund të jetë dy”. Ja si shkruan poeti në strofën gjithë dendësi figurash letrare dhe emocionesh të forta: “E ndiej veten një ikës të mbrapshtë,/ larg të vetmes gjë, që s’mund të jetë dy,/ Një lule të munguar në sytë e lagtë,/ vizatoj përmallshëm e ta nis ty.”

Kjo delikatesë, dashuri e respekt, derdhet pa kursim jo vetëm në vargjet kushtuar nënës, por në çdo poezi të Toninit kushtuar gjinisë femërore. Ndër to, zë një vend të veçantë poezia “Rritje”, kushtuar bashkëshortes dhe që fare mirë mund të titullohej edhe “mirënjohje” ose “falënderim”. Me fjalë e vargje, që çdo bashkëshorte do të dëshironte t’i dëgjonte prej shokut të jetës, poeti i drejtohet asaj me të cilën ndjehet “mish e thua”: “Nuk e di në jam një lis/ dhe ti degë në trupin tim…/apo ti, e lartë, je pishë,/ për mua hije e gjelbërim…/ Nuk e di në je një det,/unë notar në valën tënde…/apo unë një qiell pa re,/ ku ti fluturon me ëndje.” Ndokush do të thotë që këtu s’ka ndonjë gjë të jashtëzakonshme dhe se dashurisë i janë kushtuar mijëra e mijëra perla poetike. Është e vërtetë, por ato perla kane qenë dhurata për të dashurat. Pa mendoni, sa e cilët jane ata, që iu kushtojne vargje të dhembshura grave të tyre? Janë pak, shumë pak. Ndaj duke dalë pak nga tema, dëshiroj t’i bej Toninit komplimente e ta përgëzoj në emër të gjitha grave e sidomos në emër të bashkëshorteve të poetëve e shkrimtarëve. Bravo, Tonin!

Por le të vazhdojmë udhëtimin në kthinat e shpirtit poetik, në të cilat Tonini na ka marrë përdore me vëllimin e tij. Ai na drejton në një “sallë” më të hapur dhe, ndërsa hedh hapat, ti dallon shkëndija që feksin aty-këtu. Pyet dhe poeti të përgjigjet: Janë “Gjurmë në pluhur”. Këtu, biseda bëhet më serioze, më e thellë. Temat shtrihen në ato probleme që preokupojnë qytetarin e ndershëm, njeriun e mirë, të shqetësuar për rrokullimat që merr herë pas here jeta politike e shoqërore. Janë motive për të cilat mund të bisedosh orë e orë të tëra me mikun apo familjarin, por që është aq e vështirë t’i veshësh me petkun e poezisë, nga që në vetvete janë tmerrësisht prozaike dhe larg së bukurës.

Por Tonini ia del mbanë me sukses kësaj ndërmarrjeje, gjë që tregon për nivelin dhe pjekurinë artistike, për guximin poetik dhe dëshirën për ta thënë fjalën e vet edhe në tema të rëndësishme bashkëkohore. Në momente dëshpërimi, ai “shkund qiellin” dhe shikon që “U këput një yll/ shqeu faqen e kaltër…/ prerja e thellë,/ pikoi lotë të zjarrtë…” (“Dëshpërim”), por pastaj e ngre zërin kundër gënjeshtarëve e mashtruesve pa skrupull, ngrihet kundër gjithë shëmtisë së botës dhe bërtet: “Më thoni,/ në emër të kujt,/ quhem… NJERI?” (“Në emër të kujt?). Ai shqetësohet për këtë botë kaotike, gjithë konflikte, ku njerëzit janë ndarë e stërndarë dhe ku “Veç një gjë kanë të përbashkët,/ ZOTIN,/ Që i ndan…llahtarshëm.” (“Pa titull”), ndien neveri për njerëz me “sy të pabesë,/ të hanë duke qeshur”, (“Portret i…”), ose shpreh zhgënjimin në poezinë “Bimë…elektorale”, ku thotë me mërzi, por edhe me zemërim: “Presim një ditë…/ një muaj,/ një vit,/ katër vjet…/Lumturohemi/ deri në vjeshtë…/ Kur, pa kokrra,/ bien gjethtë”.

Syrit të tij nuk mund t’i shpëtojë as vuajtja e atyre që ndodhen në shkallën më të ulët të shoqërisë, të padukshmit, të heshturit. Figura e lypësit, si në motivet migjeniane, shfaqet herë pas here si hije në vargjet e Toninit, gati si simbol i akuzuesit-popull, ndaj njëmijë padrejtësive. I pafuqishëm për të ndërruar rrjedhën e jetës e të historisë, poeti ul kokën dhe duket sikur kërkon të mbajë mbi supet e tij, peshën e fajeve të shoqërisë, si Atlasi, që mbante kupën e qiellit. Të trondisin vargjet e tij: “Trak-trak../ Ndonjë monedhë e rrallë,/ në tasin pranë këmbëve të tua,/ godet ndërgjegjen time…”

Përballë tërmeteve të mëdha e të vogla të botës, ndarjeve, padrejtësive, hipokrizisë, varfërisë e të tjera si këto, poeti duket që vuan e kërkon me dëshpërim të bëjë diçka, të paktën për të lehtësuar dhembjen, dhembjen e tij, dhembjen e botës së plagosur. Pasi pohon që “Ne jemi hamejtë e dëshpërimit,/ që prodhuam më shumë lot se grurë”, (“Hamejtë e dëshpërimit”), poeti thotë në një poezi tjetër: “Kërkoj një fill,/ të qep dhembjen,/ në shpirtin e shqyer…/ Një fill,/ curril loti,/ të njom plagën…” Por, “Dhembjen,/ asgjë s’e qep.” (“Shpirti i shqyer”).

Është interesante të vëresh se pothuajse të gjitha këto poezi, janë të mbushura me figura letrare të gjetura, befasuese e shumë herë origjinale, por ato janë hedhur mes vargjeve me kaq natyrshmëri, sa të krijohet ideja sikur poeti nuk lodhet, nuk mundohet për t’i “qëndisur” poezitë e tij. Natyrisht, është e kundërta. Veç një punë e kujdesshme dhe e mundimshme arrin të kurorëzohet me kënaqësinë e krijimit të poezive të tilla, spontane e të thjeshta në dukje, por të thella e mjeshtërore në realitet. Në këtë cikël, pothuajse të gjitha krijimet janë shkruar me një varg të thyer, të shkathët, pa shumë fjalë, pa zgjatje. Nuk mund të jetë rastësi. Kjo formë gjithë nerv poetik është shprehje e shqetësimit të poetit dhe iu përshtatet mrekullisht ideve dhe figurave, që vrapojnë në vargje.

Pas këtij cikli, që i ngjan një ujëvare të zhurmshme e të rrëmbyeshme, poezia e Toninit shtrohet si një lumë me një shtrat të gjerë, gjithnjë gurgullues, por me pak të bujshëm. Janë “Rimat e shpirtit”, pjesa e tretë e vëllimit poetik, me 45 poezitë e ndiera e meditative, kushtuar kryesisht dashurisë dhe natyrës. Duket sikur poeti është ndalur një çast në këtë vrapim frenetik të jetës, ka kthyer kokën prapa dhe iu është kthyer kujtimeve. Pothuajse të gjitha poezitë e “Rimave të shpirtit” janë shkruar në kohën e shkuar dhe poeti i ka mbështjellë me një tis malli e dhembshurie. Se kujtimet janë gjithnjë të dashura, sidomos kur bëhet fjalë për kujtime dashurie. Në vargjet e tij, vajza e dashur gati-gati hyjnizohet, idealizohet, duket si vajzë ënderrash, e gatuar me pluhur të florinjtë yjesh. Dhe poeti i pëshpërit: “Do të doja të isha qiell,/ Ti, një trup qiellor i rrallë,/ Natës të më jepje dritë,/ ditës të pikoje mall”.

(“Do të doja”). Janë vargje që të mallëngjejnë e të emocionojnë, ashtu si dhe ato tek poezia tjeter, ku thotë: “Nuk e di, Madonës iu fala,/ apo imazhit tënd të rrallë.” (“Ti nuk përgjigjesh”). Tonini, një herë i hap zemrën vajzës që do, duke i thënë “Kam filluar të flas gjuhën e yjeve të tu,/ të shkruaj qiellit me alfabetin tënd”, e herë të tjera ndiehet “një breg i gërryer…/përkëdhelur prej valëve të tua”. Më pas të befason me vargjet, ku imazhin e së dashurës e sheh “varur cepave të një ylli” apo ku “loti shuan xixat mbi gurë zalli”. Për të, e dashura është qielli, ajri, jeta dhe kur ajo mungon apo është larg, poeti ndjehet bosh, ndjehet i çorientuar dhe e derdh mallin në poezi, duke thënë: “Shpirti im, kur mungon ti,/ është qiell pa yll polar”.

Do të duheshin shumë faqe për të analizuar gjithë poezitë, detajet dhe figurat e poezive të këtij vëllimi poetik, por pa u zgjatur në hollësira, mund të them me bindje, se libri “Një pëllëmbë jetë” është një sukses i autorit dhe një dhuratë e këndshme për lexuesin. Poezitë e tij, si nga përmbajtja ashtu edhe nga forma, na shpalosin figurën e një poeti tashmë të kompletuar e kërkues në lëmimin e vargut e të fjalës, të kujdesshëm në zgjedhjen e motiveve, rimave, ritmeve dhe figurave letrare, të guximshëm në përdorimin e llojeve të ndryshme të poezisë. Poet me diapazon të gjerë, me shpirt përherë të shqetësuar e përherë në krahët e frymëzimit, Tonini duket sikur nuk e kërkon poezinë. Është poezia, ajo që e kërkon Toninin, duke iu lutur që të bëhet përcjellës i saj për në zemrat e lexuesve, mision, që ai e ka përmbushur më së miri me këtë vëllim, duke na bërë të shpresojmë për krijime akoma më të arrira për të ardhmen.