…me një dëshirë, me një qëllim: aferat seksuale kanë errësuar shumë biografi politikanësh, por sjellja e Dominique Strauss-Kahnit tejkalon çdo vijë të kuqe. Shefi i Fondit Monetar Ndërkombëtar, ekonomist me nam, i cili llogaritej se në zgjedhjet e ardhshme presidenciale në Francë do ta mposhtte Nicolas Sarkozynë, gjendet në burg në New York. Arsyeja: veprime kriminale seksuale! Gjithë hataja supozohet të ketë ndodhur në një suitë në hotelin “Sofitel” afër Times Square
Nga Enver Robelli, robelli@bluewin.ch
“Pse nuk ka skandale seksuale në Qeverinë e Kosovës”, pyeti një ngucakeq një ditë në një kafehane të Prishtinës – dhe me shpejtësi e dha vetë përgjigjen: “Po si mund të ketë kur të gjithë janë dajë e kushërinj, teze e mbesa!” Thuhet se në çdo konstatim të tepërt ka diçka të vërtetë. S’është larg mendjes që nepotizmi shpesh mund të jetë pengesë e natyrshme për afera seksuale në Qeverinë e Kosovës, jo vetëm në këtë të tanishmen, por edhe në kabinetet e mëhershme. Nga ana tjetër, në kafehanet e kryekasabasë jo rrallë ndodh të jesh dëshmitar i pavullnetshëm i ngacmimit të neveritshëm seksual, kur, ta zëmë, befas shfaqet, me gjithë enturazhën e tij të armatosur, një ministër i një resori bajagi të rëndësishëm, zë vend mes bashkëmendimtarëve që merren me kurdisje tenderësh, dhe pasi porosit diçka për të gllabëruar, befas vëren në tavolinën tjetër një moderatore televizive, së cilës i vërsulet me fjalë nga më të ndryshimet, mes tyre edhe duke i bërë një ofertë pothuaj të hapur: “Me pasë ardhë te na n’Ministri t’i kishmi ble një palë farmerka të tjera, jo kësi të çkyera, qysh i paske veshë…”. – Për fat të mirë, rrjedhën tjetër të bisedës nuk qemë të dënuar ta dëgjonim, sepse kamerieri ishte i mençur dhe e zmadhoi zërin e muzikës.
Cullak në suitë
Në krahasim me rrëshqitjen e Dominique Strauss-Kahnit sjellja e ministrit kosovar duket vetëm qesharake. Shefi i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), ndërkaq, të shtunën u bë pjesë e historisë së qullët me një skandal, i cili shkaktoi tërmet jo vetëm në mediat amerikane dhe evropiane: rreth orës 13:00 në suitën e tij hyri një pastruese e hotelit – për të kryer punët e rëndomta, siç janë rregullimi i shtratit, mbushja e minibarit me pije nga më të ndryshmet, pastrimi i dhomës, ndërrimi i peshqirëve. Për habinë e pastrueses, e cila nga policia e New York-ut përshkruhet si një femër 32-vjeçare, prej banjës doli një burrë me flokë të thinjura, pak i majmë – dhe krejt cullak. Ky burrë azgan u përpoq ta dhunojë pastruesen; në pakon e dëshirave të tij hynte edhe seksi oral. Pas refuzimit me këmbëngulje gruaja arriti të ikë nga dhoma dhe menjëherë njoftoi kolegët e saj. Ata, pastaj, alarmuan policinë, por zyrtarët s’e gjetën Strauss-Kahnin në dhomë; ai kishte ikur me shpejtësi, duke harruar në suitë telefonin e tij celular dhe gjësende të tjera personale. Strauss-Kahn me gjasë ishte i vetëdijshëm për budallallëkun e tij dhe ia mbathi drejt aeroportit. Policia e arrestoi në avion, pak çaste para se fluturakja të nisej drejt Evropës. Thuhet se Strauss-Kahn nuk kishte rezistuar, vetëm kishte pyetur: “Për çka bëhet fjalë?!” Në Berlin ai këtë javë duhej të takohej me kancelaren gjermane Angela Merkel dhe me politikanë të tjerë në Bruksel, me të cilët do të diskutonte hapat e ardhshëm për shpëtimin e Kontinentit të Vjetër nga kriza financiare. Tani shefi i Fondit Monetar Ndërkombëtar duhet të ballafaqohet me drejtësinë. Mediat franceze po përpiqen ta mbrojnë, duke njoftuar se ai mund të ketë rënë në një kurth. Nga ana tjetër, ka qenë e ditur se ekonomisti me nam kishte problem me frenimin e epsheve seksuale. Në vitin 2008, u bë publike afera e tij me ekonomisten hungareze Piroshka Nagy. Strauss-Kahn u kërkoi falje punëtorëve të FMN-së, Këshilli i Fondit e akuzoi për sjellje të gabueshme, por prapë e mbështeti qëndrimin e tij në post. Që nga atëherë Strauss-Kahn u bë i popullarizuar për shkak të rolit të tij stabilizues në krizën e rëndë financiare që përfshiu botën. Në Francë socialistët mendonin seriozisht që anëtarin e tyre ta kandidonin në zgjedhjet presidenciale që do të mbahen pranverën e ardhshme. Në anketa Strauss-Kahn dilte para presidentit të tanishëm Nicolas Sarkozy. Pas skandalit në suitën e hotelit “Sofitel”, rrethanat e të cilit ende nuk janë tamam të qarta, Strauss-Kahn zor se mund të jetë kandidat për postin më të lartë të Republikës franceze. Në spektrin ekstra të majtë të Partisë Socialiste në Francë, shefi i FMN-së nuk shihej me sy të mirë, sidomos për shkak të jetës së tij luksoze: një pallat pushimesh në Marrakesh të Marokut, një shtëpi në lagjen “Georgetown” në Uashington dhe një banesë në “Place des Vosges” në Paris, rrogë mujore prej 30 mijë eurosh neto. Strauss-Kahn është i martuar për herë të tretë me gazetaren Anne Sinclair, mbesë dhe trashëgimtare e vetme e tregtarit të veprave artistike Paul Rosenberg nga New Yorku. Në një pikturë të famshme të Picassos shihen nëna dhe gjyshja e Anne Sinclair (“Madame Rosenberg et sa fille”).
“Pompa e pikëllimit”
Publiku francez tradicionalisht është i durueshëm sa u përket eskapadave erotike të politikanëve. Por, Strauss-Kahn s’mund të llogarisë në mirëkuptim nëse konfirmohen dyshimet e ngritura kundër tij. Këtu bëhet fjalë për dhunë. Në të kaluarën francezët kanë shikuar anash përballë aferave seksuale të sunduesve. Mbreti Henrik IV hyri në histori si eracak i epshit, ndërsa Luigji i XIV mbante një lloj haremi në oborrin e tij dhe ky ishte pothuaj sekret publik. Për aferën e Luigjit XV me Madame de Pampadour tashmë janë shkruar edhe disa libra. Edhe pas varrosjes së Monarkisë dhe shpalljes së Republikës seksi nëpër pallatet e politikanëve të Parisit ishte i pashmangshëm. Presidenti Félix Faure vdiq në vitin 1899, në pallatin Élysée, nga sulmi në tru, derisa bënte seks oral në Sallonin e Kaltër me Marguerite Steinheil. Faure e kishte takuar dashnoren e tij mes dy mbledhjeve; Steinheil u quajt nga gojëkëqijtë “La Pompe Funèbre” (pompa e pikëllimit), që ishte aludim në “Le Pompes funèbres”, siç quhej ndërmarrja funerale. Për François Miterrandin dihej pak a shumë publikisht se kishte një familje të dytë dhe një vajzë jashtëmartesore. Për Valéry Giscard d’Estaing thuhet se shpesh dilte natën nga pallati presidencial, madje njëherë, derisa po kthehej herët në selinë e tij, e kishte goditur me veturë një kamion me qumësht; bashkë me presidentin në veturë ishte edhe një femër. Legjendare është edhe përgjigjja e gruas së Jacques Chiracut, kur një natë një zyrtar kishte kërkuar të fliste me të në telefon. “Ku ta di unë ku është burri im”, ishte përgjigjur zonja e parë. Presidenti i tanishëm Nicolas Sarkozy shpesh e ka tërhequr vëmendjen e publikut me Carla Brunin, të cilën, siç shkruan një gazete gjermane, ia prezantonte publikut si “trofe gjahu”.
Orgji në pallat
Nuk janë vetëm politikanët francezë gjuetarë të ushkurit. Presidenti amerikan Bill Clinton pranoi në gusht të vitit 1998 se kishte mbajtur një “lidhje të pahijshme” me praktikanten Monica Lewinsky. Kryeministri italian prej vitesh gjendet në qendër të raporteve mediale për shkak të disa aferave seksuale. Prokuroria e akuzon për favorizim të prostitucionit me të mitura dhe keqpërdorim të postit. Berlusconi fajësohet se në vilat e tij ka organizuar disa të ashtuquajtura “Bunga-Bunga-Party”, që duket se është sinonim për orgji seksuale, mes tjerash edhe me marokenen e mitur Karima el-Mahrug. Presidenti i Izraelit, Moshe Kacav, u detyrua të jepte dorëheqje në qershor 2007, për shkak të një skandali seksual. Në dhjetor të vitit të kaluar ai u dënua me shtatë vjet burg për shkak të dy dhunimeve, të një bashkëpunëtoreje dhe për ngacmim seksual të dy zyrtareve të tjera gjatë kohës sa ishte ministër i turizmit dhe president. Presidenti i Afrikës Jugore, Jacob Zuma, u lirua nga akuza e dhunimit të një gruaje të infektuar me virusin HIV. Kryetari i Zimbabvesë, Canaan Banana, u dënua në maj të vitit 2000, me një vit burg për shkak të sodomisë dhe delikteve të tjera seksuale. (Sodomi domethënë akt seksual me shtazë). Në fakt, në rastin e Bananas bëhej fjalë për akte homoseksuale, por pasardhësi i tij në post Robert Mugabe e kishte klasifikuar homoseksualitetin si krim, duke e trajtuar atë ngjashëm me sodominë. Me akuza mbi homoseksualitet ballafaqohet edhe ish-zëvendëskryeministri i Malajzisë, Anvar Ibrahim. Procesi kundër tij është duke u zhvilluar.