Spartak Ngjela
Gjendja në Shqipëri është e rënduar dhe këtë tani e di gjithkush. Që nga vjeshta e vitit që kaloi e deri tani, ja cilat janë çështjet që janë grumbulluar dhe kanë krijuar një krizë shoqërore me rrënjë trefishe, e cila kërkon zgjidhje të shpejtë dhe profesionale: a) Manipulimi i zgjedhjeve të 28 qershorit 2009; kapje e këtij fakti nga opozita; bojkoti parlamentar i opozitës; një protestë gjigante në Tiranë për transparencën e zgjedhjeve dhe ndërkombëtarizimi i çështjes; përplasja në Parlament dhe rinisja e protestave e paralajmërimi i një proteste të madhe në Tiranë në datën 30 prill të këtij viti. b) Përmbytjet e mëdha thuajse në të gjithë Shqipërinë, por më të theksuara në Shkodër dhe Korçë; dëmet e mëdha në bujqësi dhe borxhi i madh shtetëror, që e bën të pamundur rimbursimin e dëmeve nga qeveria; ndonëse ajo premton për këtë. c) Rënie e madhe ekonomike, rritja e papunësisë dhe humbja e forcës së investimeve shtetërore; rënia e eksportit dhe i prurjeve të remitancave të emigracionit; ngadalësimi dhe rënia e tempit të aktivitetit bankar dhe frika e qytetarëve kundrejt tyre; mungesa e plotë e prodhimit dhe e investimit të kapitalit privat dhe ngritja e çmimeve si trend; dhe, më në fund, zhvleftësimi gradual i lekut, i cili është gjithashtu trend dhe do të vijojë, pa dyshim si rrjedhojë e mungesës së vijueshme për valutë të fortë në treg.
Pyetja që ngrihet në këtë rast është kjo: A ka mundësi që ta zgjidhë ose ta rindërtojë këtë gjendje qeveria aktuale?
Në fakt pikërisht këtu qëndron e gjithë çështja, sepse asnjë analist serioz, askush që di të mendojë disi në mënyrë sociale, nuk thotë dot se kjo qeveri mund ta shpëtojë këtë gjendje. Rënia do të vijojë, madje edhe më shpejt, sepse në fakt, krijuesja e kësaj gjendje është paaftësia absolute e qeverisë “Berisha” dhe kjo krizë me rrënjë trefishe në fakt potencon gradualisht vetveten përditë. Është një papërgjegjshmëri kundrejt disiplinës financiare, tregut dhe gjithçkaje që ka të bëjë me tregun, që e ka mbarsur kështu këtë gjendje; por po ashtu është paralizimi i saj në funksion të opinionit publik se të gjithë e dinë tani që Kryeministri Sali i ka manipuluar zgjedhjet. Kudo, në çdo vend të botës, ai që manipulon votat dhe është kapur duhet që këtë ngërç politik ta kalojë me një bum ekonomik. Kjo ka qenë loja për të gjithë ata që kanë marrë përsipër të bëjnë një grusht shteti, se në të kundërt do të ishin të falimentuar. Por mendjelehtësia dhe pasioni patologjik për pushtet i këtij Kryeministri, nuk e ka lejuar që të mendojë për këtë. Ai ka menduar me vrullin e tij të brendshëm patologjik se, le ta marr njëherë pushtetin (duke manipuluar zgjedhjet masivisht), se pastaj e di unë se çfarë do të bëj; sepse nuk është profesionist dhe ende nuk di se çfarë është qeverisja dhe përgjegjësia kundrejt shoqërisë (në fakt nuk ka kapacitet mendor për ta kuptuar këtë). Por, përballë tij, është vendosur aktivisht shumica e shqiptarëve që nuk e pranojnë; sepse shqiptarët tani, pasi mësuan dhe u bindën për manipulimin e zgjedhjeve të 28 qershorit, po ndiejnë edhe një varfëri ekstreme që po kalon shkallë-shkallë në mjerim dhe po kuptohet që nuk kanë se çfarë të presin më.
Në këtë gjendje, e gjitha e ngarkuar psikologjikisht, por edhe e sqaruar politikisht nga opozita e bashkuar; nuk pritet gjë tjetër veçse përkeqësim i mëtejshëm i gjendjes në një krah dhe krijimi i protestave masive në krahun tjetër. E gjitha kjo, jo vetëm që e vështirëson jetën e kësaj qeverie, por e bën të pamundur rezistencën e saj. Të gjithë janë të predispozuar që të kërkojnë ndryshimin e gjendjes dhe të gjithë e dinë që kjo qeveri nuk e bën dot këtë. Atëherë, çfarë u mbetet shqiptarëve për të shpresuar? Vetëm rrëzimi i kësaj qeverie të paligjshme, sepse asnjë lloj tjetër arsyeje nuk është e mjaftueshme për të pasur shpresë. Kudo në botë, kur njerëzit janë të bindur se një qeveri nuk mund t’i nxjerrë dot nga kriza, kanë vetëm një shpresë: rrotacionin politik. Në vendet demokratike ky rrotacion kërkohet, madje nga vetë qeveritë që e ndiejnë veten të pazonjën për të qeverisur; kurse në një vend tiranik si Shqipëria, kuptohet se gjithçka vjen prej presionit popullor nga poshtë. E atëherë, si do të vijë ky presion popullor nga poshtë?
Natyrshëm duhet thënë se, opozita këtë herë duhet të tregohet e përgjegjshme dhe nuk duhet të bjerë pre e manipulimit anësor që i bën presioni i dhjetëfishtë i Kryeministrit Sali. Gjithashtu, ajo shumë shpejt duhet t’i paraqesë opinionit publik shqiptar dhe institucioneve e politikës ndërkombëtare zgjidhjen e saj profesionale për ndalimin e menjëhershëm të rënies dhe, pastaj, daljen nga kjo gjendje e rëndë që ka shkaktuar kriza aktuale me rrënjë trefishe. Karakteri intencional i një lëvizje politike është garancia e suksesit të saj. Dhe për këtë rast, qëllimi nuk është më vetëm transparenca e zgjedhjeve, por edhe rrëzimi i qeverisë, por, pasi të kesh shpjeguar më parë saktësisht programin antikrizë që ke.
Në fakt, nëse do ta shihnim situatën e krijuar me një arsye të pastër, sigurisht që do të konkludonim se, një qeveri e cila nuk pranon të bëjë transparente zgjedhjet me të cilat ka marrë pushtetin, ndonëse e di se mund të përplaset me protesta të mëdha, sigurisht që është e rrëzuar. Ajo nuk mund të qëndrojë, sepse psikologjikisht u ka dhënë njerëzve motivin për ta rrëzuar, ngaqë ata e dinë se u ka manipuluar votat dhe po i drejton në një udhë pa krye, e cila i tremb me mjerimin. Ne ende nuk jemi në gjendje të kuptojmë se votat janë të qytetarëve shqiptarë dhe jo të partive politike, e aq më pak të një grupi deputetësh thuajse anonimë, që janë votuar në grup e jo individualisht. Shqiptarët duan të dinë sesi janë numëruar votat e tyre dhe këtë gjë ata kanë të drejtë ta realizojnë me çdo mjet, nëse nuk u lejohen format institucionale të kësaj transparence. Dhe kur kjo kërkesë është masive, pengesa e saj është antikushtetutshmëri, se ka ndaluar që të funksionojë një e drejtë themelore e shoqërisë. Pikërisht për këtë, duke qenë – edhe e paligjshme dhe, edhe e pazonja që të nxjerrë shoqërinë nga kriza ekonomike, – në këto momente qeveria aktuale ka falimentuar. Por si mund të qëndrojë? Patjetër me dhunë. Por a ka shenja që kjo qeveri mund të përdorë dhunën? E vetmja shenjë reale që ka dhënë deri tani ka qenë ajo që ka dashur që shërbimin inteligjent ta kthente në një mjet antiligjor shtypës, njëlloj si policitë sekrete të diktaturave të shekullit të njëzetë. Por kjo nuk i eci. Natyrshëm mund të themi në këtë rast se, i gjithë synimi i Kryeministrit Sali për të shtënë në mënyrë tiranike Shërbimin Inteligjent (SHIK-un) ka qenë një luftë e gjatë që ai ka parashikuar për nënshtrimin e shqiptarëve me një mjet terrori disi të fshehur; njëlloj sikundër bëri në vitet nëntëdhjetë. Ishte i detyruar për këtë, por nuk e bëri dot se, pikërisht në këtë pikë, ra në ndeshje me interesat amerikane, përkatësisht të CIA-s, e cila ka një kontratë solide me shërbimin shqiptar në funksion të luftës kundër terrorizmit dhe nuk e ka lënë atë që të jetë një instrument tiranik. Për arsye të drejtpërdrejta të luftës kundër terrorit, në këtë rast, Shqipëria shpëtoi nga një gjëmë e re e luftës së saj me një polici sekrete xhahile, si ajo e Gazidedes, e cila emrin kishte të Gaziut, se në fakt drejtohej nga mendja e sëmurë e këtij Kryeministri, që atëherë ishte transformuar në një President banal, që duke mos ditur asgjë, luftonte me këdo për ca qëllime që sigurisht do t’i zbardhë koha; shumë shpejt, besoj.
Pse do të jenë masive protestat dhe pse pritet që protesta e Tiranës më 30 prill do të jetë shumë e madhe?
Kjo do të ndodhë, sepse kjo rrënjë trefishe e krizës nuk është veçse shprehja e hapur e një fenomeni të vetëm: qeverisje e degraduar e Shqipërisë. Po të shohësh me vëmendje të gjitha aspektet e krizës aktuale, e gjithë kjo rrënjë trefishe që po e paralizon shoqërinë, s’është tjetër veçse rrjedhojë e mosqeverisjes. Edhe manipulimi i zgjedhjeve, pasojë e mosqeverisjes është, sepse një qeveri që ka ditur të punojë, sigurisht që ka të drejtë t’i fitojë zgjedhjet. Por, përse duhej të votonin shqiptarët për Kryeministrin Sali: për qytetarinë e tij të lartë? për moralitetin e tij të lartë? Për aftësinë e tij të jashtëzakonshme? Për sensin e tij popullor apo, për kapacitetin e tij profesional në funksion të shtetit? Ai, pa dyshim që nuk ka asnjë nga këto, prandaj patjetër që do të tentonte të manipulonte zgjedhjet. Por, pasi i manipuloi ato, u kap, u demaskua dhe në të njëjtën kohë, ashtu si edhe gjatë katër vjetëve, ecën mes skandaleve dhe në një hulli antizhvillim. Ka pjell mjerim dhe ka krijuar një ndjenjë padurimi, neverie dhe urrejtjeje kundrejt tij në opinionin publik shqiptar; te të gjithë shqiptarët, kudo që janë. Atëherë, patjetër që nuk mund të pritet gjë tjetër, veçse një protestë masive që do t’i japë fund gjithçkaje të ligë që lidhet me këtë Kryeministër në Shqipëri. Në fakt, ky është një mendim i konsoliduar tani në pjesën dërmuese të shqiptarëve, që në fakt përbëjnë një masë kompakte opozitare, e cila mund të shihet si një përqendrim i gjerë pakënaqësie, padurimi dhe mospranimi absolut, që i kundërvihen një Kryeministri, i cili tani nuk ka më asnjë vlerë shoqërore.
E gjithë kjo tablo pakënaqësie, duke u përqendruar tek ajo pikë e prekshme mospranimi që është Kryeministri Sali, patjetër që aktualisht ka krijuar një shpresë të motivuar për opinionin publik. Nëse shoqëria që ka rënë në një krizë ekonomike, politike e prandaj edhe morale, e konsideron drejtuesin absolut të saj si burimin e të këqijave që e kanë pllakosur, menjëherë, duke mos e pranuar, krijon edhe një anë tjetër të këtij ekuacioni me mendimin se: eliminimi i këtij burimi të së keqes prezente, sjell shpresën se gjendja do të ndryshojë. Pikërisht këtu, te kjo shpresë që ka shoqëria, se për të dalë nga kjo gjendje e rëndë që e tremb me ngarkesën e mjerimit, duhet të rrëzohet burimi i kësaj të keqeje, e gjen veten arsyetimi se në Shqipëri do të presim një protestë masive, e cila do t’i vendoset kësaj qeverie si presion nga poshtë. Dhe natyrshëm pastaj mund të mbërrijmë në konkluzionin se, vetë opozita politike, pikërisht këtë ka kapur kur ka vendosur një datë të caktuar për të bërë një protestë masive në kryeqytet. Tani, i gjithë populli opozitar, për arsyet që shprehëm, brenda mundësisë psikologjike që ka për të gjetur një shpresë si rrugëdalje nga një krizë mjerimi me rrënjë trefishe, patjetër që do të dalë në rrugë për të protestuar kundër qeverisë deri në rrëzimin e saj, sepse ky rrëzim i jep shpresë. Qeveria aktuale dhe Kryeministri Sali e ka të pamundur që t’i bindë për të kundërtën sot shqiptarët: domethënë se drejtimi i tij jep shpresë për ndryshimin e gjendjes. Në një vend ku të gjithë janë të bindur se po vuajnë paaftësinë e një Kryeministri absolut, nuk ka rrugë tjetër përveç asaj që t’i gjendet vendi këtij Kryeministri.