Nga Baton Haxhiu, 18 Shtator 2013
Gruevski, kryeministri i Maqedonisë dhe Mon Kërliu, një biznesmen nga Maqedonia, janë personazhet e rrëfimit për miellin dhe grurin
Dy rrëfime dhe poshtërimi i një populli, natyrisht shqiptarët janë të poshtëruarit, kanë vulën e dy njerëzve që krijuan atmosferën e radhës së gjatë të pritjes në kufirin me Maqedoninë. Personazhet e parë janë familjarë. Daja me nipin, ose kryeministri i Maqedonisë Gruevski dhe Sasha Mihalkov, shefi i Shërbimit të Sigurisë së Maqedonisë, mbajnë peshën e fajit për tensionin e krijuar me Kosovën. Doza e arrogancës ka një prapavijë.
Jo pse e duan shtetin e tyre aq shumë dhe bëjnë gjithçka për t’i ruajtur prodhimet bujqësore, ose janë të veshur më nacionalizëm maqedonas, e vërteta është se janë të dy që kanë krijuar feudin e ri në këtë shekull, që quhet Maqedoni. Ky shtet mban vetëm emrin e tij dhe formën e shtetit të shekullit 21, brenda kufijve të saj funksionon me logjikën monopoliste, autokracisë dhe kontrollit të gjithçkaje. Nuk dallon shumë nga disa shtete islame me fuqinë e diktaturës asadiane. Dallimi i vetëm është se ky shtet me Gruevskin kryeministër shtrihet në bazën e Evropës me logjikën dhe frymën feudale.
Rrëfimi i Parë
Kombinati bujqësor “Pellagonia” dhe “Zhitopolog” nga Tetova i kishin mbushur hambarët plot. Dy kompanitë që kanë monopolin e grurit dhe miellit në Maqedoni kanë një pronar fiktiv. Quhet Jordan Kamcev, një biznesmen që ka blerë gjithçka në emër të dy fytyrave kryesore të Maqedonisë që janë kryesoret në këtë biznes – Nikolla Gruevski, kryeministër i Maqedonisë dhe Aleksandër (Sasha) Mihalkov, shefi i Shërbimit të Sigurisë së Maqedonisë mbajnë peshën e fajit dhe poshtërimit për embargo të miellit dhe të grurit. Historia e kësaj sage, të miellit dhe grurit, ka një rrëfim të gjatë dhe është krejt i lidhur me monopolin e një emri, Jordan Kancev dhe vjen në Kosovë për tre vjet me radhë. Këtë herë ishte e veshur me arrogancë të pushtetit, bllokimin e rrugëve me kamionë, dhe me dozën e fortë të dy njerëzve më të pushtetshëm në Maqedoni.
Kombinati Bujqësor “Pellagonia” në bazë të hipotekës ka qenë pjesë e “Stopanska Bankës” së Manastirit. Biznesmeni i njohur dhe miku i dy feudalëve bën transaksione të tilla me ndihmën e pushtetit, ku bankën e tyre e përdorin për të ndërtuar procesin e stimulimit të shtetit për bujqësinë,natyrisht, me taksat e qytetarëve të Maqedonisë, bëhet pronar edhe i kombinatit bujqësor “Pellagonia” dhe i “Zhitopologut “të Tetovës.
Kështu, pronarët, me blerjen e aseteve kryesore krijojnë monopolin dhe vendosin çmimin e lartë prej 23 centësh për një kilogram. Ky çmim mbetet shumë i lartë për mullinjtë privatë në Maqedoni. Mullisët kërkojnë çmime tjera në rajon duke anashkaluar firmat e pushtetit dhe gjejnë çmime shumë më të ulëta. Kërkojnë në Kosovë dhe Serbi. Kur fillojnë të vijnë kamionët e parë, vjen reagimi i pushtetit. Krijon bllokadën. Dhe e ndërton atmosferën e mbrojtjes së Maqedonisë nga sulmet e shqiptarëve të Kosovës. “Pushtimi” që vinte nga Kosova dhe Serbia mbrohet me gjuhën e nacionalizmit primitiv që nis me mesazhet e zv/kryeministrit në adresë të Mimozës.
Historia e këtij rrëfimi përfundon më datën kur zyrtarisht përfundonte afati i domosdoshëm i mbylljes së kohës së përcaktuar nga CEFTA, 15 shtator. Dhe siç ndodh zakonisht me pushtetet që simulojnë paqe dhe qetësi, kohën e përcaktuar të përfundimit të një bllokade, e shndërrojnë në fitore politike. Në të dyja anët e kufirit kremtohet fitorja e marrëveshjes. Ministri shqiptar i Maqedonisë i kërkon falje shqiptarëve në të dyja anët e kufirit, kurse zv/kryeministri maqedonas del para kamerave dhe thotë se Maqedonia është e panënshtruar dhe se shteti që udhëheq Gruevski ka Dinjitet! Një histori hajnash që e përdorin nacionalizmin për të rrënuar dinjitetin e qytetarit të pafajshëm.
Rrëfimi i dytë
Mon Kërliu, ish-pronar i Silosit në Xërxë të Rahovecit, ishte personazh i dytë. Një rrugë e dikurshme e kishte dërguar në Vojvodinë për të marrë grurë. Duke qenë pjesë e logjikës së këtij biznesi ai hyri në betejën me Jordanin. E Jordani e bëri bllokadën. Gruevski dhe Sasha e bënë rrëfimin e brendshëm për rrezikun që vjen nga Kosova. E Kosova dhe qytetarët e saj nuk e kishin idenë e kësaj pune.
Ky është rrëfimi ballkanik i një njeriu që ka ndërtuar shtetin feudal dhe një shteti që s’ka kuptuar asgjë nga rrëfimi i nacionalizmit të veshur me biznes. Në këtë rrëfim mungojnë ministrat shqiptarë që përveç karriges së mëngjesit në zyrë, kuptojnë shumë pak nga ajo që bëjnë Gruevski dhe Sasha. Mimoza është vetëm një pikë dinjiteti në këtë rrëfim. Ajo ka ndërtuar rrëfimin e parimit dhe rregullës kurse të tjerët e kanë rrëfimin e eurove dhe hajnisë.