Rrëfimi i gazetarit: Kompania turke po vjedh arin e Mirditës

0
56

Aleksandër Ndoja, korrespondenti i Mirditës, pak ditë më parë ka denoncuar një skandal që sipas tij është për të vënë “kujën”.

Ndoja dëshmon se disa punonjës shqiptarë të një kompanie turke  e kanë kontaktuar pak ditë më parë duke i dhënë tre kampionë  mineralesh me përmbajtje të lartë floriri.

Ndoja shprehet i bindur se kompania turke që punon në atë zonë, ndërsa ka hapur tunele për ndërtimin e hidrocentraleve, gjatë punimeve në tunele ka siguruar dhe mineral me përqindje të lartë floriri, të cilin po e nxjerr ilegalisht jashtë Shqipërisë.

“Më sollën tre kampionë të tillë, aktualisht kam vetëm një në posedim pasi dy të tjerë i kam çuar në ekspertë për t’i analizuar dhe shkencërisht. Ndërkohë siç edhe mund ta dini, këtu në Mirditë ka shumë ekspertë të bakrit dhe të floririt që menjëherë sa e kanë parë kampionin, kanë thënë se bëhet fjalë  për flori madje me një përqindje tepër të lartë”, shprehet ai për gazetën “Dita” teksa thekson se këto kampionë peshojnë rreth 400 gramë.

Sipas tij, kompania “Aydiner Insaat” ka qenë e implikuar edhe më parë në skema të tilla.

“Ka disa muaj, nuk ka shumë kohë, por kompania në fjalë edhe disa vite më parë ka qenë e implikuar në skema të tilla të shfrytëzimit të punimeve publike në këtë zonë me qëllim të vërtetë nxjerrjen e paligjshme të floririt”.

Sipas Ndojës, kjo kompani ka qenë e angazhuar edhe në ndërtimin e aksit Rrëshen– Kalimash.

“Kjo kompani diku tek 4-5 vite më parë madje ndërsa ishte hapur një tunel, njoftoi bllokimin e tunelit si pasojë e një rreziku që u kanosej punëtorëve nga një shkarje në tunel, por të dhënat që vinin nga punëtorët shqiptarë flisnin se ky bllokim ishte i qëllimshëm pasi kompania kishte konstatuar prezencë të mineraleve të çmuara gjatë gërmimeve dhe natën këto minerale ngarkoheshin dhe niseshin për në Durrës,” denoncon gazetari.