Lindita Çela, 22.09.2010
Rrëfimi i vëllait të ministrit të Mbrojtjes së Kosovës që u ekzekutua në Tiranë 9 ditë pas Azem Hajdarit. Lidhja mes dy politikanëve, roli i UÇK-së dhe misteri i ndalimit nga policia vetëm pak minuta përpara ekzekutimit
TIRANË – Një buqetë më lule në pllakën e mermertë poshtë të cilës ndodhet varri i kolonel Ahmet Krasniqi, ministri i Mbrojtjes së Kosovës i ekzekutuar në mënyrë misterioze në Tiranë vetëm pak ditë pas vrasjes së Azem Hajdarit. Familjarët e tij janë gjendur dje në Tiranë për të kërkuar drejtësi dhe për të dëshmuar se ende nuk kanë harruar birin e tyre, janë mbledhur të gjithë në varrin e tij. Por kjo për vëllanë e tij, Bexhet Krasniqin nuk mjafton. Ka udhëtuar nga Gjermania drejt Tiranës për të kërkuar me forcë rihapjen e hetimeve. Ndërsa në një intervistë për gazetën “Shekulli”, Bexhet Krasniqi hedh pak dritë mbi ngjarjet që 12 vjet më parë tronditën kryeqytetit. Ekzekutimi Ministrit të Mbrojtjes së Kosovës do të ndodhte një javë pas atentatit të Lideri të Dhjetorit, Azem Hajdari. Për Bexhet Krasniqin ngjarjet janë të lidhura me njëra-tjetrën ku për të lufta për pushtet dhe përfitime duket se nuk ka kursyer edhe figura kaq të njohura si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë.
Z. Krasniqi deri më tani hetimet për zbardhjen e ngjarjes së ekzekutimit të ish ministrit të Mbrojtjes së Kosovës nuk kanë rezultuar të suksesshme. Dosja e kësaj ngjarje thuajse është arkivuar. Gjatë gjithë kësaj kohe, ju a jeni përpjekur sapo pak për të hedhur dritë mbi këtë ngjarje?
Sigurisht, megjithëse kemi pritur që drejtësia të thotë fjalën e saj. Përveçse kemi krijuar bindjen tonë se si dhe përse është vrarë vëllai im gjatë gjithë kësaj kohe kemi bërë përpjekje të vazhdueshme për të zbardhur plotësisht këtë ngjarje, ku 12 vjet më parë vëlla im është ekzekutuar këtu në Tiranë, pranë banesës së tij. Kemi bërë një farë presioni të vazhdueshëm tek organet kompetente të Kosovës dhe ato të Shqipërisë për të zbardhur ngjarjen. Premtimet kanë qenë të mëdha por deri më tani ka vetëm fjalë sepse ende nuk është zbardhur ngjarja e vrasjes së Ahmet Krasniqit. Por shpresoj që tani e tutje organet kompetente të Kosovës dhe ato të Shqipërisë të bashkëpunojmë për të zbardhur këtë ngjarje. Shpresojmë që ato do të jenë më seriozë në punën e tyre dhe të vendosur për të zbardhur këtë ngjarje.
Z. Bexhet a mund të më thoni, nëse jeni në dijeni, për çfarë motivi është ekzekutuar kolonel Ahmet Krasniqi?
Sot, pas 12 vjetësh të kësaj ngjarjeje ne kemi shumë dyshime. Dhe këto dyshime janë ngritur si rrjedhojë e hulumtimit që ne kemi bërë për të hedhur sado pak dritë mbi arsyet se përse u vra im vëlla ndërkohë që misioni i tij ishte vetëm çlirimi i Kosovës. Një nga dyshimet tona mbi motivin e vrasjes së Ahmetit ishte lufta për pushtet në Kosovë. Afër mënd që Ahmeti me punën dhe aktivitetin e tij ka penguar dikë tjetër dhe për këtë shkak im vëlla u shndërrua në një figurë që duhet të eliminohej. Dyshimi jonë është se Ahmet Krasniqi u vra për t’i hapur rrugën në karrierën politike këtyre personave apo një formacioni tjetër politik në Kosovë.
Dhe për këtë bëhet fjalë?
Konkretisht unë nuk di të them për kë person apo forcë politike im vëlla ishte bërë pengesë. Ne kemi vetëm dyshime por janë organet kompetente ato që duhet të zbardhin ngjarje e ekzekutimi të Ahmet Krasniqit ku përveç autorëve të zbulohet dhe motivet se përse u vra im vëlla.
Z. Krasniqi, vrasja e kolonelit ndodhi një javë pas ekzekutimit të liderit të dhjetorit Azem Hajdari. Për mendimin tuaj a ka ndonjë lidhje midis këtyre dy ngjarjeve?
Po. Megjithëse mund të duken si ngjarje të veçuara qoftë dhe për shkak se viktimat janë dy persona që nuk jetojnë në një shtet, ekziston një lidhje me këtyre dy ngjarjeve që pritet të zbardhet.
Dhe sipas jush lidhja ekziston tek njerëzit që kanë marrë pjesë në vrasjet e këtyre dy burrave të njohur të skenës politike në të dy vendet?
Ne besojmë, nisur nga ajo që dimë, se lidhja ndërmjet dy ngjarjeve është tek urdhërdhënësit për ekzekutimin e Azem Hajdarit dhe Ahmet Krasniqit. Sipas mendimit tonë këto persona ose kanë qenë të njëjtë ose kanë qenë shumë të afër me njeri-tjetrin.
Z. Bexhet, pak më parë ju thatë se kolonel Krasniqi është vrarë për t’i hapur rrugën një lideri tjetër politik për të ardhur në pushtet në Kosovë, ndërsa Hajdari nuk kishte probleme të tilla. Atëherë si mund të jenë të njëjtët persona të interesuar për organizuar ekzekutimin e dy njerëzve kaq të ndryshëm?
Mos harrojmë se kur ka ndodhur ngjarja në Shqipëri kanë qenë disa fraksione të cilat dilnin në emrin e UÇK-së apo dhe nën emrin e Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës. Ahmetit ka bërë përpjeke të vazhdueshme për të bashkuar dy palët dhe vazhdimisht ka thënë se ishte koha për të vepruar për bashkimin e të dy krahëve. Por mesa duket për këtë duhej të paguhej një çmim dhe për fat të keq rezultoi jeta e tij. Megjithatë unë mendoj se kjo çështje i përket drejtësisë, e cila duhet të zbulojë të vërtetën e këtyre ngjarjeve që aso kohe tronditën Tiranën.
Zyrtarisht, policia shqiptare ende nuk ka një të dyshuar mbi ekzekutimin e vëllait tuaj…
Organet e asaj kohe në Shqipëri jo vetëm që nuk kanë hetuar për zbardhjen e ngjarjes por edhe u kanë mundësuar autorëve të gjitha lehtësirat për vrasjen e tim vëllai.
Jeni i bindur për këtë? Mbi ç’fakte e ngrini këtë akuzë?
Jam shumë i bindur. Unë nuk di të them se në çfarë niveli ka qenë përfshirja e organeve drejtuese në këtë ngjarje por nuk është e rastësishme që natën e atentatit të organizuar ndaj tim vëllai, një patrullë policie e qarkullimit rrugor ka ndaluar eskortën e Ahmet Krasniqit dhe pse ai ishte emëruar nga qeveria e përkohshme Ministër i Mbrojtjes së Kosovës. Për të vijuar rrugën është lejuar vetëm makina e tim vëllai ku në prag të shtëpisë ku jetonte i ishte ngritur dhe prita për ta ekzekutuar. Dhe unë jam i bindur nëse bashkë me tim vëlla do të ishte dhe makina tjetër shoqëruese ajo ngjarje nuk do të ndodhte atë natë.
Z. Bexhet, atë çfarë ju keni mësuar mbi këtë ngjarje a e keni dëshmuar në organet e drejtësisë shqiptare?
Unë kam kontaktuar organet që janë marrë me hetimin e kësaj ngjarje dhe kam biseduar gjerë e gjatë. Ato që kemi ditur ne si familje kemi dhënë të gjithë informacionet e duhura.
Z. Bexhet a keni ndonjë koment për faktin që ende kjo ngjarje vazhdon të mbetet e pa zbardhur?
Policia ka premtuar se do të bëjë gjithçka që është në dorën e tyre për të zbuluar se kush janë vrasësit e tim vëllai. Kanë premtuar se do të bëjnë gjithçka që është në dorën e tyre. Por hetimet e tyre nuk janë përqendruar jashtë Shqipërisë sepse që atje duhet nisur për të zbardhur këtë ngjarje. Sot njerëzit që kanë marrë pjesë ose janë në dijeni të ekzekutimit të tim vëllai kanë mbërritur në diasporë, ndaj që këtu duhet nisur.
Kjo do të thotë se ju i njihni autorët e vrasjes së kolonel Ahmet Krasniqi?
Jo nuk i njoh autorët apo urdhëruesit e këtij atentati. Por ka njerëz që dinë shumë për këtë ngjarje dhe për të zbardhur të vërtetën duhet që grupi i hetimit të kontaktojë me këto persona. Disa prej tyre janë në prag të vdekjes dhe nëse nuk merren tani deklaratat e tyre mbi këtë ngjarje, në një kohë tjetër do të jetë shumë vonë. Ndaj ne kemi insistuar në hapjen e hetimeve të kësaj ngjarje sepse besojmë se ekzistojnë jo vetëm provat por dhe persona të gjallë që kanë dijeni të plotë se përse u vra Ahmet Krasniqi,
Pra ju po thoni se deri më tani kjo ngjarje ka mbetur pa u zbardhur qëllimisht?
Nuk e di. Por ne kemi dyshimet tona. Më thënë më saktë, jo se nuk kanë dashur por nuk janë angazhuar për të zbardhur këtë ngjarje për të qenë në nivelin e lartësisë së tyre për të kryer këtë detyrë.
Ceremonia përkujtimore u organizuar dje në varrezat e Sharrës. Ushtarakët e FARK betohen nën Flamurin e Dardanisë
Ish ushtarakët e FARK-ut, të afërt të të ndjerit Ahmet Krasniqi janë mbledhur dje për të përkujtuar 12 vjetorin e ekzekutimit të ministrit të Mbrojtjes së Kosovës. Më shumë se sa një ceremoni përkujtimore e përmortshme, ajo që ngjau në varrezat e Sharrës ishte me një ceremoni solemne ushtarake ku një kolonel u nderua siç e duan rregullat. Nuk kishte të shtëna topi por djelmosha të fuqishëm në hap ushtarak iu drejtuan vendit ku prehen eshtrat e Ahmet Krasniqit. Në duar mbanin flamurin e Dardanisë. E të rreshtuar pas tyre vinin të afërm të të ndjerit ku dhimbja i kishte zënë vendin nderit ushtarak. Ende dhe sot, pas 12 vjetësh ata kërkojnë të dinë autorët e vrasjes mafioze të 21 shtatorit 1998. E ndërsa të afër të kolonelit të ekzekutuar të Tiranë i kanë kthyer sytë nga drejtësia, ish ushtarët e tij betohen se kurrë nuk do të gëzojnë ditë paqeje pa zbardhur të vërtetën e ekzekutimit të Ahmet Krasniqit.
Ceremonia
Të ardhur nga vise të ndryshme të Kosovës, Gjermanisë apo dhe shtete fqinjë, ish- ushtarakë, oficerë e të afërm të Ahmet Krasniqit janë mbledhur dje në Tiranë. Ceremonia mortore ka filluar në orën 13:00 ku nën ritmin ushtarak rreth 100 burra të mbledhur kanë nderuar komandantin e tyre, i cili u vra ende pa nisur lufta në Kosovë. Flamuri i Dardanisë, i njëjtë me atë që mbante Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rrugova, dhe buqetat me lule mbi varrin e të ndjerit ishte ajo çka i parapriu betimit të ish- ushtarakëve, tashmë civilë. Ndërsa Ismet Ibishti, një bashkëluftëtar i Ahmet Krasniqit, do të rikujtonte për të pranishmit në ceremoni jo vetëm punën heroike të kolonelit për çlirimin e Kosovës por edhe qarqet e errëta të cilat ekzekutuan ish-ministrin e Kosovës. Kaq ka mjaftuar që djemtë të betohen e ndërsa gratë të vajtonin fatin e zi të kolonelit.
Familjarët e Krasniqit kanë kërkuar dje zyrtarisht rihapjen e hetimeve ndaj bashkëpuntorët e tij janë betuar se do të bëjnë gjithçka për të zbardhur të vërtetën se kush dhe përse u ekzekutua në mbrëmjen e 21 shtatorit Ahmet Krasniqi. Ky ishte misioni i atyre burrave të mbledhur në varrezat e Sharrës. Ish- ushtarakët e Brigadës “Mërgimi” e kanë “riorganizuar” FARK-un, dhe kanë themeluar Shoqatën e Veteranëve të Luftës të cilët kanë qenë pjesëtarë të FARK-ut, në të cilën ushtri sipas të dhënave bënin pjesë më se 3000 ish-ushtarë, që në mënyrë aktive kanë marrë pjesë në luftën e Kosovës 1998-1999. Shoqata e Veteranëve të Luftës së Pjesëtarëve të FARK-ut respekton institucionet dhe i mbështet ato, dhe se për komandant nderi do të vazhdojë të respektohet ish- presidenti i ndjerë i Kosovës, Dr.Ibrahim Rugova, të cilin bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës në vitet 1998-1999 FARK-u e njihte për komandant suprem. Ndaj dhe dje mbi varrin e heroit të Kosovës kanë hedhur Flamurin e Dardanisë, i cili rrethonte edhe qafën e Presidentit Rugova.
Vrasja enigmë e Ministrit të Mbrojtjes të Kosovës, Ahmet Krasniqi në vitin 1998, akoma pa autorë
Dosja Krasniqi rikthehet në duart e policisë
Kanë kaluar 12 vjet nga dita e vrasjes së ministrit të Mbrojtjes së Kosovës, Ahmet Krasniqi, dhe ende asnjë autor apo i dyshuar për këtë vrasje misterioze. Burimet zyrtare pranë Ministrisë së Brendshme bëjnë të ditur për gazetën, se “edhe pas 12 viteve ende nuk ka një të dyshuar për këtë vrasje”. Duke shtuar se “dosja ndodhet në polici për hetime të mëtejshme, por, është shumë e vështirë të zbulohet ndonjë detaj i ri për këtë vrasje, pasi, si prova të vetme materiale janë vetëm disa gëzhoja të pistoletës së prodhimit Jugosllav “Zastava” të gjetura në vendngjarje natën e vrasjes”-thanë burimet. Ndërkohë, burime nga Prokuroria e Përgjithshme konfirmojnë se dosja “Krasniqi” është pezulluar dhe i është deleguar për gjetjen e provave policisë.
“Kjo dosje asnjëherë nuk është mbyllur dhe se vazhdon të jetë ende në pritje të fakteve apo provave të reja që mund të ndihmojnë në zbardhjen e saj”-thanë burimet nga akuza. Mësohet se pas vrasjes së Ahmet Krasniqit prokuroria nuk ka mundur të gjejë në dosje asnjë provë bindëse për të identifikuar autorët e dyshuar. “Gjatë këtyre tetë viteve janë kryer shumë veprime procedurale, hetimore dhe operative,por, në asnjë rast nuk është arritur që kjo vrasje të zbardhej”. Sipas hetuesve të kohës, kjo vrasje është cilësuar si një krim i mirorganizuar dhe i kryer nga profesionistë, të cilët kanë ditur të mos lënë asnjë gjurmë që mund të sillte identifikimin e mundshëm të tyre në vendin e ngjarjes.
Ndër procesverbalet e pakta që ndodhen brenda dosjes, është edhe e vetmja provë e gjetur në vendngjarje, që janë disa gëzhoja, të cilët kanë rezultuar se janë qitur nga një pistoletë e llojit “Zastava”. Vrasja e mbrëmjes së 21-shtatorit të vitit 1998, ka mbetur ende pa të dyshuar edhe përkundër alibive të shumta që në këtë vrasje janë të përfshirë si urdhërdhënës disa personalitete të jetës politike të asaj kohe që vazhdojnë edhe sot aktivitetin e tyre politik. Por, gjatë atyre ditëve të vrasjes shtypi i kohës përmendi disa motive të vrasjes, duke përfshirë edhe implikimin e Shërbimit Informativ Kombëtar të asaj kohe e deri te konkurrenca për trafikun e armëve nëpërmjet Shqipërisë me Kosovën. Atentati i vrasjes së ish-ministrit Krasniqi ka ndodhur vetëm një javë pas vrasjes së ish-deputetit të Partisë Demokratike, Azem Hajdari dhe sulmit ndaj Kryeministrisë. Por, pavarësisht versioneve të shumta, ekzekutimi i Ahmet Krasniqit mbeti dhe vazhdon të jetë një vrasje pa autor dhe pa motive zyrtare.
Lidhja misterioze mes dy vrasjeve në Tiranë, konflikti UÇK-FARK si dhe trafiku i armëve i Haklajve
Hajdari-Krasniqi dhe trafiku i armëve me Kosovën
Një vit përpara se NATO- të zbarkonte zyrtarisht në Kosovë, tensioni ishte rritur ndjeshëm. Një pjesë e madhe e banorëve të Kosovës ishin lodhur nga politika e avashtë e presidentit Rugova dhe qeverisë së tij në mërgim dhe po i bashkoheshin një grupimi të ri të quajtur Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK). Paralel me të ishte edhe grupi ushtarak i qeverisë në mërgim, i quajtur FARK. Edhe pse asnjë herë nuk është pranuar zyrtarisht, pjesa më e madhe e armëve shqiptare të rrëmbyera nga depot në vitin 1997 po shkonin në mënyrë të organizuar drejt Kosovës për të armatosur UÇK-në. Dhe kjo pjesë e trafikut në Shqipëri drejtohej kryesisht nga familja Haklaj. Bëhet fjalë për të njëjtët persona që drejtonin gjithçka në zonën e Tropojës dhe që organizuan dhe kryen vrasjen e Azem Hajdarit.
Nga ana tjetër, Ahmet Krasniqi dhe përkrahësit e tij të FARK, ndodheshin në Tiranë pikërisht për të mbledhur sa më shumë armë dhe për të stërvitur disa nga njerëzit që në të ardhmen do të bëheshin kuadrot drejtuese të ushtrisë. Midis FARK dhe UÇK, jo vetëm që nuk kishte marrëdhënie të mira, por deri diku ato mund të quheshin edhe në luftë me njëri-tjetrin.
Pista e parë hetimore e policisë për vrasjen e Krasniqit ishte pikërisht trafiku i armëve dhe UÇK-ja. Ishte po i njëjti trafik armësh që në një farë mënyre shfaqej edhe tek vrasja e Azem Hajdarit. Ishte po i njëjti trafik që solli burgosjen e vëllait të Fatmir hakljave dhe sekuestrimin e një kamioni plot me armë. Në mënyrë jo zyrtare, hetuesit e kohës kanë pohuar se pikërisht ky trafik armësh ishte arsyeja e vrasjes së Krasniqit por që kishte ndikuar edhe tek vrasja e Azem Hajdarit. Ministri kosovar furnizonte me Armë FARK-un, Haklajt UÇK-në, ndërsa Azem Hajdari, në atë kohë kryetar i komisionit parlamentar të rendit dhe zigurisë, kishte nisur të fliste shpesh për këto trafiqe. Një nga pjesëmarrësit në vrasjen e Azem Hajdarit, Ismet Haxhia, ka pohuar: Një nga motivet e dy vrasjeve ishte frika e humbjes së statusit lider në trafikun e armëve me Kosovën, trafik që organizohej e kontrollohej nga kreu i Shërbimit Informativ Kombëtar dhe klani i tij kriminal, pas së cilës vjen vrasja e Ahmet Krasniqit dhe e Azem Hajdarit, i cili denoncoi publikisht këtë krim dhe organizatorët e tij, kriminelë të veshur me pushtet”.
Kush ishte Ahmet Krasniqi
Ishte bir i familjes së njohur patriotike Zhilivoda, nga babai i tij Hajrizi i cili vdes nga torturat e burgut serbosllav. Vitet 1964-1969 e gjejnë atë si nxënës të shkollës së mesme teknike në Prishtinë, ku meqë i interesonte shumë arti i mirëfilltë ushtarak e luftarak, Ahmet Krasniqi përcaktohet për Akademinë Ushtarake, të cilin e dërgojnë për studime në Beograd. Jeta e tij profesionale prej udhëheqësit ushtarak nëpër kazermat e Kroacisë.
Përkundër viteve të shumta të kaluara me shërbim profesional jashtë Kosovës, Ahmet Krasniqi nuk i harroi për asnjë çast vuajtjet e familjes së tij dhe të popullit shqiptar nga regjimi komunisto-diktatorial serbosllav. Me shpërbërjen e ish-Jugosllavisë, sidomos gjatë luftës serbo-kroate, Ahmet Krasniqi shfrytëzon lidhjet e tij me eprorët shqiptarë që ishin në Kroaci, duke i koordinuar aktivitetet politiko-ushtarake në kuadër të qeverisë së Republikës së Kosovës. Këtu edhe fillon karriera e tij ushtarake nën emblemën e Republikës së Kosovës, ndërsa kulminacionin e veprimtarisë së tij e arrin në kohën kur dhuna dhe terrori serb mbi popullatën shqiptare filloi të marrë përmasa të padurueshme.
Ai merret me krijimin e strategjisë së luftës kundër forcave serbosllave. Në bazë të një marrëveshje ndërmjet faktorëve të ndryshëm shqiptar, e quajtur, Oslo, Ahmet Krasniqit formoi Pjesën e Shtabit të Përgjithshëm të FARK-ut në Tiranë. Ajo Marrëveshje mundësoi hapjen e Qendrave Stërvitore në Babinë, Viçidol, Papaj, që lidheshin me rrugën Durrës-Tiranë-Tropojë, dhe në Kolsh dhe Kalimash që lidheshin me rrugën Durrës-Tiranë-Kukës. Vetëm në bazë të asaj Marrëveshje ka mundur të bëhet trajnimi dhe përgatitja e kuadrit ushtarak dhe të ushtarëve për hyrjen e tyre në Kosovë, me formacione ushtarake të gatshme për të kryer detyra operative kundër ushtrisë serbo-jugosllave. Ishin njësitë operative të UÇK-së, Brigadat 134, 131 dhe 133 që hynë në Kosovë nën komandën e ushtarakut madhor Tahir Zemës vetëm një muaj pas arritjes së Marrëveshjes së Oslos.