Rrahje me karrigen e… gjykatëses (!) Vehbiu analizon pse shoqërinë shqiptare e ka kapur për fyti një ‘incubus prej psikopati’

0
55

ResPublica.al, 20 shtator 2012

Dy incidente brenda ambienteve të gjykatave kanë ndodhur në 48 orët e fundit duke shënuar një tjetër shkallëzim të dhunës, në një drejtim të panjohur më parë. Pas një ngjarje të ndodhur në gjykatën e Elbasanit, ku një avokat është kapur me grushta me një gjykatës, sot kryetari i Bashkisë së Kukësit ka goditur (brenda në zyrën e gjykatëses!) me karrige personin që e paditi.

Shkruan MAPO:

“Sipas policisë Kreu i Bashkisë Kukës, Hasan Halilaj goditi me karrike paditësin Muhamet Dalaci. Ngjarja ndodhi në zyrën e gjyqtares Rezarta Balliu. Gjatë seancës gjyqësore Kreu i Bashkisë së Kukësit pasi ka dëgjuar akuzat e paditësit është acaruar dhe e ka goditur me karrige në fytyre, duke i shkaktuar plagë. Dalaci është çuar menjëherë në spital për të marrë mjekimin e nevojshëm dhe më pas ka bërë denoncimin. Muhamet Dalaci ka paditur Bashkinë Kukës, Ministrinë e Arsimit dhe Ministrinë e Financave për mbrojtje të pronësisë intelektuale…”

Duke shkruar për valën e dhunës dhe krimit që ka përfshirë këto kohë Shqipërinë, Ardian Vehbiu në blogun e tij “Peizazhe të Fjalës”, thotë se kjo situatë nuk shpjegohet dot vetëm me impulsivitetin vrastar të psikopatit dhe se e gjithë kjo trysni e së keqes duhet analizuar thellë. “E gjithë kjo trysni e së keqes, drejtpërdrejt e ushqyer nga rendi ekzistues që shpërblen maskarallëkun dhe e përqesh virtytin, manifestohet pastaj në dhunën ndaj Tjetrit… ” – shkruan Vehbiu dhe shton:
“..Shqipërinë këto muaj e ka përfshirë një valë krimi si kurrë ndonjëherë tjetër

Ka një diçka të keqe këtu, një incubus që e ka kapur shoqërinë shqiptare për fyti, diçka që nuk shpjegohet dot vetëm me impulsivitetin vrastar të psikopatit; dhe që lidhet sa me pamundësinë e komuniteteve për t’u vetorganizuar në normalitet, aq edhe me krizën e etikës, në kontekstin e shthurjes së hierarkive brenda familjes. Mass mediat i ofrojnë madje imponojnë, ndërkohë, modele vlerash dhe rolesh nga më shokueset një publiku të mësuar të mbijetojë vetëm nëpërmjet konformimit. Nga ana tjetër, njerëzit nuk kanë më frikë – as nga autoriteti, as nga shteti, as nga prindi; dhe kur mungon frika, mangësitë etike dalin në plan të parë” (por ruajtësit e rendit kanë frikë nga kriminelët)… – A.N.