— nga Arben Çokaj
– ese –
Rozafa është zanafilla e një qyteti të lashtë e legjendar. Gjithçka fillon me një legjendë, gjithçka vazhdon si në legjendë. Rozafa ishte aty, para se Krishti të lindte, ajo është aty edhe sot.
Për ata që e njohin legjendën e Rozafës, e kanë të qartë se në muret e saj prehet një trup i gjallë nëne.
Gruaja ‘Rozafë’ lutet që t’ia lënë njërin gji jashtë, për të ushqyer me qumësht djalin e saj të vogël. Me trupin e saj, Rozafa i dha jetë një fëmije, me sinqeritetin dhe vetë-flijimin e saj, ajo i dha jetë një qyteti. Mbi të u ngrit një kala, tre vëllezërit e legjendës gjetën mirëkuptim mbi murosjen e kësaj gruaje. Si gjithmonë, dikush flijohet që diçka më e madhe të jetojë. Dhe Shkodra jetoi në shekuj mbi flijimin legjendar.
Vetë historia njerëzore, në turbulencën e saj nën-ndërgjegjësore, ka provuar paarsyen e vet paradoksale:
Shikoni emisionin e mrekullueshëm dokumentar mbi kalanë Rozafa, të përgatitur nga Nadir Murra.
Diçka e shenjtë jepet, diçka e shenjtë fitohet! Jeta është e shenjtë. Dhe brezat që vijnë, gëzojnë mbi atë që u shua. Rozafa, kjo grua naive, mund të kishte vdekur si të gjitha të tjerat – e harruar, por ajo vdiq, pa e ditur as vetë, për të jetuar si legjendë. Ky paradoks i arsyes njerëzore na çon tek një fillim: Plaku orakull, u tregon vëllezërve se duhet të murosin njërën nga gratë, që muri të qëndrojë.
A mos ndoshta ky mësim filozofik i orakullit, kjo simbolikë unike e veprimit, don të thotë, se kur ti humbet diçka të shtrenjtë, fillon dhe e vlerëson atë, që ti ndërton mbi këtë humbje?… Dhe kjo ndodh krejt natyrshëm në kohën e Rozafës, gruas që u muros për të dhënë jetë. Ajo u muros se thoshte orakulli, u martirizua për hir të zakonit, dhe kjo përbën forcën filozofike të vetë legjendës: flijimin si domosdoshmëri të padiskutueshme.
Por a janë të gatshëm vallë, të gjithë njerëzit të flijojnë? Jo, por në të vërtetë, po! Secili nga ne humbet diçka, dikush më shumë, dikush më pak, pa dëshirën tonë, pa vetëdijen tonë. Kjo ndodh po aq natyrshëm, sa ç’ndodhi me Rozafën. Por humbjet tona janë të vogla, individuale, ndërkohë që humbja e Rozafës u bë për hir të interesave globalë: ndërtimit të një muri mbrojtës për qytetin e Shkodrës.
Gjekë Marinaj
RRËFIMI I ROZAFËS
Nën iluzionin
se një grua vlen më pak se një burrë,
Më murosën mua.Nën idenë
se u ushqye me gjakun tim,
Kalaja gjeti forca të mbahet në këmbë.Nën sikletin
se mund të thirrej dëshmitar,
Drini vazhdoi udhën.Nën emblemën
e vet-sakrificës njerëzore,
Më kthyen në legjendë.Nën pretekstin
se të gjithë patën të drejtë,
Edhe unë murosa brenda vetes fjalën “vrasje”.
Për më tepër, lexoni: Rozafa e Shkodrës
Një legjendë, një ese koncentrat zanafille dhe jete të pambarimtë. “Rozafa ishte aty, para se Krishti të lindte, ajo është aty edhe sot”, fillon ese-në autori, Arben Çokaj. “Ishte” dhe “është”, por a do të jetë? Mjeti që operon është konceptual, është “bisturi” i vështrimit dialektik të gjërave, ndaj dhe përgjigjia është dhënë.
“Rozafa është aty”. Legjenda e flijoi, por nuk e vdiq Rozafën, nuk i mohoi detyrën supreme të jetës, të rrise fëmijën që lindi. Në kontekstin e fabulës, Legjenda e Rozafës është unikale. Më kot rreken të bëjnë analogji. Më e ngjashme është ajo kroate. Por atje, tre vellezërit, e murosen si ndëshkim, jo si sakrificë të motrën. Edhe ajo kish një fëmijë, dhe djalin-fëmijë e lidhën në brirët e demit të egër, e masakruan.
Tjetër. Sado solemne që të organizoheshin ritet e flijimit të njerëzve, apo bijve të mbretërve, në thelb, ishin tragjike. Legjenda e Rozafës është magjike. Ajo i jep jetë jetës edhe shpirtërisht, edhe fizikisht (me gjirin), edhe e flijuar. Vetëm një popull me një kulturë tejet të veçantë ka arritur të lërë trashëgim një legjendë të tillë. Fakti është se mungojnë studimet, por edhe kundërshtimet ndaj studiuesve të huaj, që e trajtojnë legjenden e Rozafës, me ngjashmëritë e vendeve të lindjes, apo me vjershat e serbëve.
Një miku im ka formuluar një opinion të tillë: Shkodranët e shohin nënën me dy palë sy. Me një palë sy shohin nënën e tyre, me palën tjetër të syve, e shohin si një kult hyjnor, si diçka që s’është e tyre, por më shumë sesa e tyre. E pranoj. Mbase janë nën pushtetin e magjisë të legjendës, që ata, vetë e krijuan. “Gjithçka fillon si një legjendë, gjithçka vazhdon si në një legjendë…”, thotë z. Arben Çokaj, dhe na jep një sentencë për jetën në vazhdimësi.
Çfarë kërkon të thuash Arben?
Ti thua “vazhdon”, unë them JO.
Atë e flijuan, nuk u flijua.
Ti thua: “Diçka e shenjtë jepet, diçka e shenjtë fitohet! Jeta është e shenjtë.”
Une them: Shkodra ka dhënë dhe Shkodra nuk ka marrë. Paradoks?
Jo, krejtësisht normale.
Në tren shumë veta kanë hypur: disa me biletë të klasit të parë, disa me biletë, të klasit dytë, disa pa biletë. (Bëhet fjalë kur u nis treni i Demokracisë).
Disa jane akomoduar sipas biletave, disa janë në këmbë, dhe disa të shtrirë barkaz në vagonin e mallrave.
Të gjithë të burgosur të ëndrrave, por ata qe me bejne me teper pershtypje a e di se kush jane? Te burgosurit e rrethanave, nostalgjiket e se kaluares qe mezi presin rastin te zbresin nga treni, edhe pse bileten jua kanë paguar.
Shkodra? E ka paguar bileten e saj me gjak dhe duhet te kishte nje bilete te klasit te pare, por… ne menyre paradoksale, sipas meje, e kane perplasur ne vagonin e mallrave edhe pse ajo eshte e burgosur e endrrave, nuk e di akoma se çfare duhet te beje.
Shkodra as ka humbur, as ka fituar, dhe nuk eshte ky problemi, problemi eshte kunder kujt ndeshesh.
A nuk jemi valle deshmitare se si çdo dite njerezit shesin shpirtin e tyre per para, lavdi, pozite, famë, pushtet…
Ti thua, legjenda thotë: “Plaku orakull, u tregon vëllezërve se duhet të murosin njërën nga gratë, që muri të qëndrojë.”
Une them: Jane magjistaret ata qe krijojne Bishat e se keqes, nese do te luftosh Bishen duhet te gjesh dhe te mundesh magjistaret.
Gjeja me e veshtire sot eshte te respektosh kundershtaret.
Vella eshte ai person qe e kupton te kaluaren tende, beson ne te ardhmen tende dhe te pranon ashtu siç je.
Ne jemi qe te gjithe te vetem pa vella.
Pershendetje Arben!
Comments are closed.