Rotacion paqësor pushteti. Fjala e dytë është fjala kyç…

0
55

Nga Eduard Zaloshnja, 6 Gusht 2012

Mbrëmë bëra për herë të parë një lundrim të gjatë e të ngeshëm nëpër komentet e lexuesve të blogjeve dhe faqeve të internetit të gazetave shqiptare. Dhe mbresën më të fortë gjatë atij lundrimi ma la dendësia e komenteve që shprehnin dëshirën për ta zgjidhur me gjak çështjen e pushtetit në Shqipëri. Dhe e pranoj se më frikësoi ajo dendësi.

Kam përshtypjen se komentues të tillë përfaqësojnë vetëm pakicat “e zhurmshme” të secilit kamp politik – shumicat e “heshtura”, të cilat nuk komentojnë në blogje e faqe interneti gazetash, nuk besoj se kanë të njëjtën dëshirë . Por, sidoqoftë, të shqetëson fakti që kaq shumë shqiptarë kërkojnë vëllavrasjen!

Pas lundrimit në botën e internautëve, duke medituar për këto gjëra, mendja më shkoi në prillin e largët të vitit 1991, kur takova për herë të parë një nga dajat e mij, i cili ishte arratisur drejt Amerikës që në vitin 1944. Takimi me dajën tim të arratisur ndodhi fill pasi isha mbushur me zemërim nga fitorja e Partisë së Punës në zgjedhjet e 31 marsit (sipas meje, me vota fiktive emigrantësh e me marifete të tjera të pista) dhe nga vrasja në Shkodër e 4 demonstruesve demokratë (njërin prej tyre, Arben Brocin, e kisha njohur personalisht gjatë lëvizjes studentore të dhjetorit 1990).

Duke e ditur që im ungj kishte qenë komandat i një çete balliste (i portretizuar në mënyrë tejet të deformuar në filmin “I teti në bronz”), që kishte qenë zv.kryeredaktor i gazetës balliste “Flamuri” dhe që ishte dënuar me vdekje në mungesë nga pushteti komunist, mendoja se, kur të ndaja me të zemërimin tim dhe t’i thosha se Partia e Punës mund të përmbysej vetëm me dhunë, do të më mirëkuptonte. Por, kur ia shpreha zëmërimin dhe i tregova për zgjidhjen që kisha në mendje, u zhgënjeva nga përgjigjia e tij.

“Nip i dashur,” më tha, “ti nuk e ke jetuar kohën pas prishjes së Marrëveshjes së Mukjes, kur vëllai u vra me vëllanë në Shqipëri. Po ta kishe jetuar, do të mundoheshe ta përmbaje zemërimin tënd”.

Dhe më tej, im ungj më tregoi sesi im atë (shok i tij i fëmijërisë), Margarita e Kristaq Tutulani, Ramiz Alia, tezja ime, e të rinj të tjerë komunistë mblidheshin në katin e parë të shtëpisë së tim gjyshi, në katin e dytë të së cilës mblidheshin ballistë të shquar si Abaz Ermenji, Hasan Dosti, Xhevat Kallajxhi (kryeredaktor i gazetës “Flamuri”) etj. “Por pas prishjes së Marrëveshjes së Mukjes në fund të verës së vitit 1943,” tha daja im, “njerëzit e katit të parë u bënë armiq për vdekje të njerëzve të katit të dytë. Dhe mijëra shqiptarë vdiqën si rezultat.”

Ai hamendësoi në retrospektivë se Shqipëria do të kishte qenë një vend goxha më i begatë, në qoftë se ajo gjë e tmerrshme nuk do të kishte ndodhur dhe, më tej, më dha këtë këshillë për të ardhmen: “Mjaft gjak kanë derdhur shqiptarët mes vetit deri më sot, biri im; synoni rotacionin paqësor të pushtetit, sado i vështirë t’u duket ai!”

Në atë kohë, i revoltuar me mënyrën sesi regjimi mundohej ta mbante pushtetin, edhe pse urrehej nga shumica e shqiptarëve, e kisha të vështirë ta gëlltisja këtë këshillë të tim ungji. Por pas dy rotacioneve traumatike të pushtetit në Shqipëri (1992 dhe 1997), u binda për urtësinë e asaj këshille.

Duke u kthyer tek përkrahësit e sotëm të opozitës që komentojnë ashpër në botën virtuale të blogjeve dhe faqeve të internetit të gazetave shqiptare (ose edhe në botën reale të kafeneve), po ua ritrasmetoj këshillën që më dha im ungj para 21 vjetëve, të perifrazuar për kushtet e sotme. Ndoshta mund t’u vlejë…

“Sado të zemëruar të jeni me pushtetin e Berishës, vlen të kujtoni se rotacionet traumatike të pushtetit në 100 vjetët e fundit i kanë shkaktuar Shqipërisë gjakderdhje, humbje ekonomike, dhe dëm të madh në imazh. Për këtë, duhet t’i jepni një shans ndërrimit të pushtetit me votë në zgjedhjet e 2013-ës! Ndoshta organizimi më i mirë i opozitës, kontrolli më i rreptë i zgjedhjeve nga komuniteti ndërkombëtar, dhe ruajtja më e mirë e votës nga komisionerët vendas, do të krijojnë kushtet për atë që ju aq shumë e dëshironi – futjen e Berishës në klubin e pensionistëve politikë, të themeluar nga Ramiz Alia dhe Fatos Nano.”

Ndërkohë, përkrahësit e mazhorancës aktuale duhet të kujtojnë se kundërshtarët e tyre ua dorëzuan pushtetin 7 vjet më parë, nëpërmjet rotacionit të vetëm të realizuar me zgjedhje në kushte normale në 100 vjet të shtetit shqiptar. Në qoftë se do të duhet që edhe ata ta dorëzojnë pushtetin me zgjedhje normale, ky nuk do të jetë fundi i botës. Mbajtja e pushtetit me çdo kusht, eventualisht, prodhon, si kundërveprim, edhe një tentativë të marrjes së pushtetit me çdo kusht. Dhe kjo do të sillte përsëri vëllavrasje mes shqiptarësh. Ashtu siç ndodhi pas prishjes së Marrëveshjes së Mukjes…

http://respublica.al/opinion/2012/08/06/rotacion-paqesor-pushteti-fjala-e-dyte-eshte-fjala-kyc