Lorenc Vangjeli, 15.03.2011
Gati tre javë më parë, një modele izraelite, gjatë një seance fotografimi, u kafshua nga një gjarpër në gjoks. Fati i mirë i modeles dhe fati i keq i gjarpërit u bënë bashkë në mënyrë të pabesueshme duke prishur rradhën e rendin në zinxhirin e evolucionit dhe duke ndërruar vendin mes viktimës së parashkruar dhe agresorit natyral: silikoni me të cilin ajo kishte harkuar dhe zmadhuar gjoksin, helmoi gjarpërin, i cili ngordhi më pas.
Gati tre ditë më parë, në Këshillin e Ministrave, kryeministri Sali Berisha priti banorë të Gërdecit, më saktë, një nga ta dhe kryetarin e bashkisë së Vorës. Ju afroi mbështetje, para dhe mbi të gjitha, i garantoi për keqardhjen e tij të thellë dhe revoltën personale që procesi për tragjedinë është shtyrë pafund. Banorë të tjerë të Gërdecit protestuan sepse nuk u ndjenë të përfaqësuar nga bashkëkomunari i tyre në takim, jo sepse atyre nuk “ju qa” halli personalisht, por sepse ata, por jo drejtësia, shohin tek qeveria shqiptare shkakun e tragjedisë që ju shtoi numrin e të vdekurve në varreza dhe ndryshoi jetën të gjallëve që u kursyen nga vdekja. Edhe këtu, zinxhiri shkak – pasojë, krim – ndëshkim, gënjeshtër – e vërtetë, i votuar – votues, është kthyer kokëpërmbys.
Tre vjet më parë, fiks tre vjet më parë, Fatmir Mediu, ish-ministër i mbrojtjes, ishte një nga shumica dërmuese e shqiptarëve që nuk dinte dhe nuk kuptonte se çfarë kishte ndodhur në Gërdec. Me lehtësinë e një fëmije naiv që luan me zjarrin sepse i pëlqen ngjyra e flakëve, ai ishte një nga zyrtarët që kishte frymëzuar, inicuar dhe kontrolluar një proces që nga një anë do ta bënte të “kryente” detyrën – demontonte municionet e tepërta dhe nga ana tjetër, minimalisht u bënte një qokë atyre që pushtetin politik e trajtojnë si tokë qokash.
Në Tiranë, nuk do të shkaktonte shumë habi, nëse në këtë takim në kryeministri, do të merrte pjesë edhe vetë Mediu. Sepse ai më mirë se kushdo, tashmë e di se ku, si dhe pse ju ra çatia qindra shtëpive në portat e Tiranës, që zuri poshtë me zjarr, predha dhe barut, 26 viktima të pafajshme, fëmijë, gra dhe burra. Shumëkujt një gjë e tillë do t´i dukej normale në këtë tokë anormaliteti. Ka një mori arsyesh se pse është kështu dhe jo ndryshe. Eshtë kështu sepse sot në Tiranë nuk bën më habi pse vidhet vota – fjala vjen – por habia shqyen sytë se pse nuk ruhet vota.
Sikur në javën e dytë të majit, të demonstrohet qartë se qeveria ka futur duart në kutitë e votimit, me të gjitha gjasat nuk do të shihet ajo si fajtore. Për Berishën do të thonë se është i zoti dhe vjedh dhe të gjithë do t´i sulen Ramës duke i thënë pse të vodhën përsëri. Ndodh kështu sepse morali në këtë shoqëri të drejtuar pamoralshëm, është kthyer kokëpërmbys. I aftë është ai që vjedh, ai që dhunon, ai që vret, budalla është kush kapet dhe pranon. I paaftë është ai që vidhet, dhunohet dhe vritet, viktimë është ai që nuk mund të mbrohet.
Tre vjet më pas, Fatmir Mediu është qytetar i lirë dhe i pafajshëm i Tiranës. Eshtë kryetar partie, është deputet, është madje, dhe ministër. Si i tillë, ka edhe imunitet. Kështu thotë kushtetuta që e konsideron atë të pafajshëm sa kohë që një vendim i formës së prerë nga gjykata nuk ka vendosur ndryshe.
Problemi është se Mediu nuk ka shkelur në gjykatë.
Problemi është se është bërë e pamundura që Mediu të mos përfundonte në gjykatë.
Problemi është se imuniteti e bëri Mediun të paprekshëm nga drejtësia. Njëlloj si silikoni në gjoksin e bëshëm të izraelites që nuk lejoi helmin e gjarpërit t´i depërtojë në trup.
Ka edhe një problem tjetër dhe ai lidhet jo vetëm me fatkeqët e Gërdecit që po ju dhunohet kujtimi i të vdekurve të tyre, ai lidhet jo vetëm me të vdekurit e Gërdecit që ikën për shkak të krimit të të tjerëve dhe nuk u “ngushëlluan” me ndëshkim. Ky është një problem që mban peng gjithë shoqërinë shqiptare. Ky problem ka të bëjë drejtësinë e munguar. Dosja e Mediut në Gjykatën e Lartë u tërhoq në shtator 2009 sepse mbas zgjedhjeve të 28 qershorit 2009, republikani i Republikës së Shqipërisë, rifitoi një mandat të ri deputeti dhe një “imunitet” të ri. Eshtë e pakuptueshme që gati dy vjet më pas, prokuroria nuk bën ndërhyrjen e saj minimale: përsëritjen e kërkesës së saj për imunitetin e Mediut, në mënyrë që ministri i mjedisit, pafajësinë e pretenduar, ta fitojë në dyert e gjykatës dhe jo nga sqetulla e procedurës ku po qëndron fshehur që prej tre vjetësh.
“Të bëhet drejtësia, pa të përmbyset bota”, i mësojnë juristët e rinj që në semestrin e parë, të vitit të parë të jurisprudencës. Bota e vogël shqiptare është përmbysur shpesh herë pikërisht sepse ka munguar drejtësia. Dhe nëse javën që shkoi, një valë arrestesh për kontrabandën e naftës tronditi vendin, çdo qytetar është ndjerë edhe i vjedhur, edhe i grabitur, edhe i tallur. Eshtë ndjerë edhe i helmuar nga tymi mbytës i makinave. Do të jetë i tallur dhe helmuar nëse e gjithë historia do të shfryhet në ndëshkimin e disa fakirëve që drejtonin autobotët e naftës, do të jenë të tallur e të helmuar të gjithë qytetarët edhe nëse do të ndëshkohen disa nga bosët që shumëfishuan milionat e eurove.
Do të jenë të tallur e të helmuar sa kohë nuk shpjegohet gjithë ky zinxhir krimi që nuk mbyllet me të arrestuarit dhe nuk ndëshkohen të gjitha hallkat e të njëjtit zinxhir. Si në rastin e Diverolit të fishekëve kinezë, këtij profeti të së keqes që paralajmëronte dikur: gjithçka ka vajtur shumë larg e lart. Kafshët kanë dalë nga kontrolli. Në fakt, pushteti kontrollohet kafshërisht. Pushteti është fotografia që tentohet të shitet si realitet.
Gjarpëri i modeles izraelite që fotografohej me zvarranikun i nguli dhëmbët aty ku është mësuar t´i ngulë sytë njerëzia. Për fatin e tij të keq dhe për fatin e mirë të modeles u vetëhelmua nga silikoni i gjoksit të saj. Shoqëria shqiptare nuk është gjoks izraeliteje. Edhe pse e kanë mbushur me silikon lumturie dhe i kanë mpirë nervin që e bën të dallojë viktimën nga xhelati, të vërtetën nga gënjeshtra, krimin nga dëmshpërblimi. Sepse sot shqiptarët janë “romë” në vendin e tyre dhe vetë romët, trajtohen siç trajtonin hebrenjtë nazistët.
Nazistët kishin bindjen e verbër se ishin në të drejtën të tyre edhe kur vrisnin, edhe kur digjnin, edhe kur shkelnin me zjarr të drejtën elementare të tjetrit për jetë në këmbim të pushtetit. Kështu, sot në Tiranë, ca jetojnë si patricët romakë në Romë, shumë të tjerë trajtohen si “romë” periferie: i duan shumë në letra, kurse në të vërtetë i vrasin edhe në mes të Bulevardit si në 21 janar. Për hir të pushtetit, në emër të pushtetit, që habitet se pse ky popull “idiot” nuk është i lumtur!