Romani atipik i kilianes Isabele Allende

0
39

Isabele Allende nuk beson tek fati. Protagonistet e librave të saj janë gra të përgjegjëshme që luftojnë kundër fateve të mbrapshta me kurajo dhe këmbëngulje dhe që e zgjedhin jetën e vet në autonomi të plotë. Kjo ndodh edhe tek Fletorja e Majës, romani i saj më i fundit, historia e një vajze amerikane të ditëve tona që edhe pse 19 vjeçare ndodhet në duart e shpërndarësve të drogës dhe agjentëve federalë, lë pas shpine përvojat e hershme dhe brutale të konsumuara mes alkolit dhe drogës dhe ikën nga Kalifornia, për të gjetur strehë në Kili, në një ishull magjepsës të arqipelagut Chiloe’, vendlindja e gjyshes nga babai. Një vend fillestar dhe mik ku mund të gjesh rrënjët e tua dhe kalimin e domosdoshëm për të parë drejt së ardhmes.

Aty Maja mëson të çmojë natyrën, thjeshtësinë e ekzistencës së përditëshme dhe të zbulojë vlerat familjare. Vajza merr me vete një fletore që ia dhuroi gjyshja para se të nisej, ku shkruan gjithçka që i ndodh në ishull : e tashmja alternohet me jetën e saj që kaloi në Las Vegas dhe me vitet e degradimit dhe të braktisjes që e kishin rrëzuar në një pus të errët. Maja është një vajzë e fortë dhe Allende që beson tek liria personale si një element i pazëvendësueshëm i formimit të vetvetes, e tregon duke i marrë nga realiteti i nipërve adoleshentë dhe si gjithmonë, arrin të gërshetojë me mjeshtëri zgjedhjet e protagonistes me ngjarjet dhe veprimet e personazheve të tjerë.

Në fund, ankorimi në një epilog që merr formën e shpengimit dhe që vlerëson guximin dhe forcën. Fletorja e Majës është një libër i ndryshëm nga të tjerët, por si pjesa më e madhe e romaneve të shkrimtares kiliane, flet për dashurinë, miqësinë, guximin dhe emocionet, si dhe mundësinë që të ndodhë ajo që është e pamundur. Dhe nëse do të ishte e nevojshme, kjo është e disata provë e pafundësisë së talentit të Izabelës dhe sesa di që të mbërrijë në zemrën e lexuesve të saj.

Historia e Majës është përsëri një histori gruaje. Të gjitha të tilla, përse?

Ky roman është i ndryshëm nga të tjerët, është bashkëkohor dhe zhvillohet i gjithi në vitin 2009. Është historia e një adoleshenti amerikan, një vajze të papjekur që ende nuk është grua, edhe pse është 19 vjeçe. Dëshiroja të shkruaja për adoleshentët, sepse në familjen tonë janë gjashtë të tillë, pjesa më e madhe e nipërve janë nga 14-20 vjeç. Dy prej mbesave kanë qënë burim frymëzimi për të shkruar Majën : Andrea që është një lexuese e shkëlqyer, së cilës i pëlqen të shkruajë dhe e që mban ditar që kur ishte fëmijë. Nikola është rebele, e pacipë dhe shumë sportive.

Të dyja janë të ndjeshme, të lidhura me familjen, janë zemërmira, si Maja. Për fat të mirë asnjëra prej tyre nuk ka patur përvojat e tmerrshme që ka patur Maja me drogën dhe nuk u është dashur të jetojnë në rrugë. Si gjyshe e di se nuk mund t’i mbroj mbesat e mia nga të gjitha rreziqet e jetës, Janë tepër të ekspozuara me krimet e rrugës, drogën dhe alkolin që ndodhen kudo, me pornografinë e internetit, me dhunën në filmat dhe tv dhe shumë të tjera. Mund të lutem që të bëhen të pjekura pa trauma.

Ju keni shkruar shumë romane, i lidh një temë e përbashkët, një fill i kuq?

Janë të shumta temat që shfaqen në librat e mi : idetë fikse për drejtësinë dhe për lirinë personale, gratë e forta, prindër që janë larg, dashuri pasionale, solidaritet mes grave, dhuna, vdekja dhe dashuria, çështjet sociale dhe politike. Kam shkruar libra të gjinive të ndryshme : memorie, romane historikë, tregimtari për fëmijë dhe tregime. Tek Fletorja e Majës eksperimentova me strukturën e romanit policor, duke ndjekur gjurmët e burrit tim Gordon që shkroi pesë romane policorë.

Në shumë prej librave të mi protagonisti kryesor është një grua e fortë që lufton kundër të gjitha vështirësive për të farkëtuar fatin e vet, e ndihmojnë personazhe të tjerë përgjatë rrugës dhe në fund, mbizotëron një lloj drejtësie organike. Një profesor i letërsisë në Universitetin e Virgjinias, shkroi një artikull ku thuhet se librat e mi nuk i përkasin bumit të letërsisë latino-amerikane, sepse në historitë e mia ka gjithmonë dashuri dhe shpëtim, ndërsa shumë shkrimtarë të bumit kanë një vision ekzistencialist dhe fatalist për jetën.

Realizmi intim apo magji të pashpjegueshme, sa ka prej tyre tek librat tuaj?

Dikush e ka përcaktuar stilin tim si realizëm feminist! Unë nuk jam e zonja ta përcaktoj stilin tim, shkruaj siç jetoj, duke ndjekur idetë e mia, bindjet e mia dhe përvojat e mia. Jam e hapur ndaj mistereve të jetës, besoj se i njohim shumë pak dhe se nuk jemi të kontrolluar, jeta thjesht ndodh kështu. E pranoj se gjithçka është e mundur dhe kjo bindja ime e pasuron jetën dhe shkrimin tim. Nuk jam fetare dhe nuk besoj tek supersticionet, por kam një praktikë shpirtërore që më ndihmon të qëndroj në kontakt me shpirtin tim. E kaloj pjesën më të madhe të jetës duke shkruar, në heshtje dhe vetmi, si një murg dhe kam shumë kohë dhe heshtje që të meditoj dhe kujtoj. Nuk i shoh fantazmat, por e ndiej praninë e shpirtërave pozitivë që më bëjnë shoqëri, gjyshërit, vajzën timë Paula dhe shumë të tjerë.

Përgatiti Arjan Th. Kallço