Roli i të krishterëve në “pranverën arabe”

0
29

Intervistë me ambasadorin irakian pranë Selisë së Shenjtë (Vatikan) z. Habeeb Mohammed Hadi Ali Al-Sadr )

Kriza ekonomike botërore dhe pasojat që ka sjellë në vende si Italia dhe Greqia, e ka larguar disi vëmendjen e opinionit publik nga “pranvera arabe”, pra nga kryengritjet e njëpasnjëshme të vendeve të Afrikës Veriore, që përmbysën pushtete e sollën në krye të këtyre popullsive njerëz, që kanë premtuar t’i çojnë drejt demokracisë. Në disa prej vendeve, si në Siri për shembull, gjendja akoma është e nderë e revoltat përfundojnë me viktima. Pyetëm ambasadorin irakian pranë Selisë së Shenjtë, Habib Mohamed Hadi Ali Al Sadr:Në këtë situatë, cili është roli i të krishterëve, sidomos në Lindjen e Mesme?

Z. Habib Mohamed Hadi Ali Al Sadr:
Të krishterët arabë janë pjesë përbërëse e indit shoqëror, prandaj ndjejnë mbi supe pasojat që bien mbi gjithë shoqërinë, në të mirë e në të keq. Përsa i përket frikës për revoltat në vendet e tyre, duhet t’i kuptojmë mirë shkaqet. Mjafton të mendojmë se një nga pasojat e prostestave është vendosja e të krishterëve para vendimeve të vështira, si për shembull: të qëndrojnë përkrah një regjimi totalitar, nga i cili kanë vuajtur shumë, ose të përballojnë një fat të panjohur, me ardhjen në pushtet të ndonjë force ekstremiste e radikale, që zhduk edhe atë liri të kufizuar, siguruar më parë nga qeveritë ekzistuese. Skenari më i pasigurtë është ai i shoqërisë arabe, të përçarë mbi tema si ndryshimet, krerët e lëvizjes, identiteti i manifestuesve dhe këndvështrimi i tyre. Natyrisht, në këtë rast, nuk është e qartë se ç’do të ndodhë më vonë. Por frika vjen edhe nga mungesa e një alternative të vlefshme. Kjo e fundit duhet të jetë në gjendje ta mbajë qeverinë dhe të përballojë qëndrimet ndërkombëtare për protestat. Një gjendje e tillë u jep mundësi njerëzve të dyshimtë t’i shfrytëzojnë protestat për qëllime aspak të mira. Në radhën e parë të kësaj armate janë fondamentalistët, të cilët luajnë me ndjeshmërinë fetare të njerëzve dhe i ndryshojnë vazhdimisht kartat mbi tryezë. Ata nuk e kanë braktisur akoma idenë e çmendur për t’i vrarë të gjithë të krishterët, për të shkatërruar kishat e për të terrorizuar të pafajshmit. Është e qartë se, pa këto ndërlikime, të krishterët arabë janë njerëz të lirë, që jetojnë si gjithë të tjerët. Në fillim të shekullit të kaluar, ata kanë qenë zemra e revoltave arabe për pavarësinë dhe teoricienët e mendimit kombëtar arab.

Pyetje: Gjatë viteve të fundit, të krishterët e Lindjes së Mesme kanë pasur shumë probleme. Provë për këtë është emigracioni masiv nga vendet e tyre. Cilat janë perspektivat aktualisht? Dikush përvijon një të ardhme edhe më të vështirë…

Z. Habib Mohamed Hadi Ali Al Sadr: Nuk janë vetëm të krishterët, që kanë vuajtur e kanë emigruar. Miliona arabë të çdo feje dhe etnie janë shpërndarë nëpër botë në kërkim të lirisë, të dinjitetit e të një pune të ndershme. Problemi është se të krishterët përfaqësojnë një pakicë të popullsisë, prandaj llogaritë e pakicave nuk janë njësoj me ato të shumicës. Pakësimi i numrit të tyre sjell edhe kufizimin e rolit e të veprimtarisë së të krishterëve, të cilët dikur ishin shumë të gjallë e të rëndësishëm, në një zonë konsideruar djep historik i krishterimit dhe i feve monoteiste. Në këtë dritë duhet ta shohim frikën e të krishterëve! Nuk duhet përjashtuar mundësia që revoltat arabe të sjellin konflikte të brendshme dhe ndarjen në fraksione fetare, sidomos në shoqëritë shumëetnike. Në shumicën e rasteve, paguan pjesa më e dobët, e cila nuk ka as forcën, as dinakërinë për të përfituar. Por kjo nuk duhet ta justifikojë emigrimin në vende të tjera, pasi emigracioni është rrezik i madh për ekzistencën dhe për të ardhmen e të krishterëve. Edhe Ati i Shenjtë u ka bërë disa herë thirrje të jenë të patundur në fe e ta ndajnë peshën e ngjarjeve të fundit me vëllezërit e tyre, derisa Zoti të krijojë kushtet për ndryshimin e gjendjes.

Pyete: Shumë mendojnë se regjimet diktatoriale nuk mund të shndërrohen pa dhunë në demokraci. Atëherë si mund të qeveriset kjo revoltë, që në dukje, fillon nga poshtë, duke pasur parasysh se të krishterët janë mbartës të paqes, të dialogut e të tolerancës e nuk mund të pajtohen me dhunën?

Z. Habib Mohamed Hadi Ali Al Sadr: Duke u nisur nga kultura e tyre tolerante, sot, të krishterëve arabë u kërkohet të marrin pjesë në gjetjen e ideve për reformat, të ndihmojnë qeveritë lokale të dialogojnë me nënshtetasit, të jenë pjesë aktive në zgjidhjen e konflikteve, të sjellin shpresë e pajtim. Vetëm kështu mund t’i bindin palët të nënshkruajnë idealisht një pakt shoqëror ndërmjet Islamit dhe Krishterimit, për të respektuar të drejtat e secilit e për të vendosur barazinë edhe para kutive të votimit. Në këtë mënyrë do të sigurohet ndryshimi paqësor i pushtetit. Vetëm ky lloj pakti shoqëror do t’i ndalojë atentatorët t’i çojnë deri në fund komplotet e tyre dhe do t’u kursejë popujve arabë shkatërrime, gjakderdhje e shpërngulje të mëtejshme nga atdheu.

(Marre nga RV)
Dergoi Paul Tedeschini