Roli i brezave në histori

0
49

Shinasi A. Rama

Shinasi A. Rama, 26.10.2009

Më shumë se disa shkrime që kanë tërhequr vëmendjen e publikut, përkujtimi i 20 vjetorit të rënies së Murit të Berlinit, si dhe momenti i 55 vjetorit të çlirimit të shtetit shqiptar janë dy momente që duhet të na shtyjnë të reflektojmë pa pasione e me kujdes mbi të shkuarën të vështirë si dhe mbi rolin që kanë luajtur brezat e mëparshëm në historinë tonë.

Si duhet ta trajtojmë brezin e atyre që hyjnë,politike gjatë Luftës së Dytë Botërore e që vazhduan të jenë aktive edhe mbas përmbysjes se sistemit parti-shtet? Si duhet ta trajtojmë kontributin e tyre? A luajtën një rol pozitiv apo negativ? Si duhet t’i vigjilenca e sjelljen e tyre si gjatë Luftës, ashtu edhe më pas?

Nuk e teproj më thanë se duke i përgjithësuar gjërat, dikush shkruan më shumë urrejtje e dikush më shumë nostalgji për ato tre breza qe jetuan gjatë asaj periudhe 60-vjeçare. Natyrisht, që nuk ka vend për atë shumicën e heshtur që as nuk flet e as nuk ndihet. Por, kush nuk flet, numërohet për i vdekur e nuk njihet.

Duke i lanë pasionet mënjanë, ka ardhur koha t’i vëmë gjërat në vend dhe gjithkush duhet të jetë i drejtë. Njeriu është i drejtë kur e thotë të vërtetën e kur nuk pranon që opinionet e bindjet e tjetërkujt t’i shes si të vërteta. Kjo lloj sjelljeje e bën të vërtetën skllavin e politikës së momentit dhe të interesave të dikujt si dhe e merr një popull në qafë sepse ia shet gënjeshtrën për realitet.

E vërteta nuk ia bën qejfin kujt, dhe nuk ka se si të mos ia bëjë qejfin kujt. Shkurt, ne si popull do të vihemi në rruge të mbarë vetëm kur ta pranojmë të vërtetën e hidhur e pa hezitim. Ne do të kuptojmë kush jemi e pse jemi këto që jemi kur të vendosim që nuk do të ndjekim atë që është e pranueshme dhe e leverdisshme në një moment të caktuar.

Një hap i parë është të pranojmë se historia e të gjithëve dhe e secilit prej nesh si njerëz dhe si shqiptarë është shumë komplekse. Historia e prindërve tanë është edhe më shumë komplekse, sepse momentet që ata i jetuan ishin shumë të veçanta dhe të papërsëritshme.

Ata që e kuptojnë kompleksitetin e asaj kohe janë shumë më përpara atyre që mendojnë se historia është bardh e zi; problemi është se ato q janë gati të shprehen për këtë janë fare pak. Më mirë t’i themi, të përballemi me të vërtetën kërkon kurajo e kjo është virtyti ma i çmueshëm publik.

Si shembull, po marr veten, familjen time e më mirë më e ngushtë në rrethin, e një serie momentesh, me rëndësi në jetën e babait tim, gjendjen e tij e momentet kritike qe ia ka përjetuar gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Im’atë, asokohe një nxënës në Jetimoren e Tiranës, është përjashtuar nga shkolla e është dënuar sepse në demonstratën e 28 Nëntorit 1939, ai e vetëm ai, e ngriti dhe e mbajti flamurin shqiptar në një demonstratë në Tiranë që askush nuk e kujton sot.

Ai ka qenë nxënës i Myftar Vokshit, një patriot i madh shqiptar, por edhe i Uan Filipit, Pavli Margaritit e Anastas Plasarit; ai ka qenë në Grupin e Zjarrit, por e ka njohur Enver Hoxhën personalisht qysh në vitin 1939; është shkëputur nga Grupi i Zjarrit dhe ka qenë ndër ata që e kanë ruajtur shtëpinë kur është themeluar Partia Komuniste si dhe njëri ndër ata anëtarët e parë të asaj partie dhe në Qarkorin e Rinisë Komuniste të Tiranës.

I përjashtuar në vitin 1943, pa iu thanë haptazi, se pati një karrierë zyrtare si officer e kuadër gjatë e mbas Luftës, por e përjashtuan edhe një herë nga partia në vitin 1947 duke e çuar ushtar të thjeshtë në Durrës, por duke e pranuar (pa bërë lutje) në vitin 1948 mbas prishjes së Enver Hoxhës me Titon dhe duke e veshur edhe një herë oficer me një gardë më të ulët se sa kishte dale prej Luftës së Dytë Botërore.

E megjithatë, në burgun e Tiranës, ku ka qenë i dënuar në vitin 1941 e 1942, jetën atij ia ka shpëtuar Ismail Agë Petrela, që gjithashtu ishte i dënuar, sepse ishte mik i familjes e jo i Koci Xoxes, me të cilin ka ndarë një qeli dhe me të cilin ka ikur nga i njëjti tunel, si edhe i cili, kur ishte në pushtet, ia hoqi gradat dhe e nisi ushtar të thjeshtë; emri im është lënë me amanet prej Shinasi bej Toptanit (i biri i Abdi bej Toptanit, e i vëllai i Ihsan Toptanit) një mik tjetër i familjes që u vra në derën e shtëpisë nga italianët në Korrik të vitit 1943, por që askush sot nuk e numëron për Dëshmor të Atdheut dhe, im atë, edhe pse oficer, e respektoi këtë amanet (unë kam lindur në vitin 1959); dhe mbi të gjitha, kur është arrestuar në dimrin e vitit 1943-1944, ai që ia ka shpëtuar jetën ka qenë Major Llesh Marashi që në sytë e kapitenit SS Hausding ia ka futë një shpullë dhe e ka nisur në shtëpi, duke i thënë Hausding-ut se ky asht familje e mirë e nuk merret me këto punë. Dikush tjetër vdiq, sepse ai tjetri nuk pati kënd me e shpëtuar; ky i shkreti u shpall hero më vonë.

Po ashtu, kur shokët e vet, që e sundonin shtetin shqiptar në atë kohë, e dënuan në vitin 1945, ata e hodhën në një qeli me Preng Calin. Preng Cali ishte deshtë t’i vrisnin, sepse im atë kishte qenë komunist.

E megjithatë, Preng Cali, një mik i vjetër familjes që kishte punuar për ne, ia shpëtoi jetën prej shokëve të vet të luftës që kishin pritur që im atë do të vdiste aty dhe ato do t’i lanin duart si Ponz Pilati në një situate tjetër.

Un që i di këto ndodhi prej tim eti e i kam vërtetuar prej të tjerëve, nuk mundem më ta pranoj se bota ka qenë e është bardh e zi.

Tashti, pyetja që unë, duke ia drejtuar vetes është se pse unë duhet ta shikoj mami, ashtu siç do dikush sot në politikën shqiptare? Për mua, si studiues, Lufta e Dytë Botërorë ka qenë një tragjedi mbarëshqiptare. Për mua, si njeri, ka kenë një tragjedi e madhe familjare. Ajo çka ka ndodhur është plotësisht e papajtueshme me dogmën që të gjitha palët e parisë së sotme të Tiranës kërkojnë me më e imponuesve të të gjithëve.

Jeta nuk është e nuk mundet të jetë bardh e zi. Historia mund të shkruhet prej atyre që zgjedhin se si me i përshkruar ndodhitë, por dhe e vërteta duhet të dale e duhet thënë me ndershmëri sepse atëherë e vetëm atëherë, kemi për ta gjetur shpëtimin nga e keqja dhe që na pushtoi dhe që nuk na lënë as t’i shikojmë mundësitë që kemi përpara.

Kjo është zgjidhja që të gjithë kaq shumë po e kërkojmë, e qe kaq shumë e dëshirojmë, e që duhet të luftojmë që ta gjejmë.

Kur të kuptojmë vetveten, kur të kujtojmë realisht të vërtetën dhe një pjesë e madhe e saj, është ajo që ndodhi gjatë Luftës së Dytë Botërore, sepse atje e ka zanafillën e keqja jonë e madhe, atëherë e vetëm atëherë kemi për ta kuptuar edhe se cilët jemi e se cilën rrugë do të na duhet për të marrë për të mbërritur atje ku duhet për të qenë e për t’u bërë njerëz që ëndërrojmë të gjithë.