Riza Lahi – Muzg mbi Bunë (skicë), dhe E vërteta ime (poezi – Al, En)

0
39

MUZG MBI BUNË
Riza Lahi

…Përpirës tani po avitet muzgu rrëzë madhështisë së frikshme të kalasë. Kalaja sikur afrohet pranë e më pranë me kalimin e minutave. Afrohet me përmasa vigane për të na zënë brenda, po të dëshirojë, si një re.
Muzgu, i zbehur nga dashuria, po përkëdhelë kërrelat e kaltra të Bunës, ndërsa ajo nuk e ka mendjen; ajo po mërmërin duke perënduar sytë, jare Shkodrane…
Kushedi se ç’ka parë brigjeve të veta gjatë vajzërisë së përjetëshme kjo Bunë…! Është e vetmja që di të ruajë intimitete shpirtërash; nuk ia tregon askujt, vetëm Rozafës, askujt tjetër më.

Buna po shkon anës këmbëve tona e bollshme, e qetë. Ajo di të marrë me të mirë ëmbëlsisht sy njerëzish të dërrmuar nga streset… Ke dëshirë këto minuta vetëm të vështrosh ujërat… Vetëm të heshtësh.

Fërshëllima shumë e lehtë e ujërave, ngjan si një korale ëngjëjsh. Sigurisht që engjëjt kanë zërin e tyre. Ky zë duhet të ngjajë shumë me mërmërimën e ujërave të Bunës nëpër muzg.
…Buna ecën tërë hire, ojna-onja, si një nuse faqeplotë Shkodrane e veshur me rrobet e dasmës, që sapo i ka nxjerrë nga arka e saj e vajzërisë; si një nuse që po zbret që nga shkallët e ballkonit, si duke zbritur një anije me vela…

…Buna nuk po ka dëshirë të mbulohet me perçen osmane të natës dhe mërmërin duke kënduar me vete: “Kur ka hypë Jonuzi në lundër”. Vërtetë nuk e dëgjoni se si këndon tani ajo duke dalë nga shtëpia e vajzërisë, liqeni? Buna do të këndojë deri në mëngjes në gjerdekun e vet; atje ku nuk guxon të futet askush. Në oborr, atë e ruan si një vjehërr e sertë dhe e armatosur – Rozafa.
Ju betohem që nuk ka më të bukur në botë, sesa të bësh not shpinë mbi Bunë duke parë herë Kalanë e herë shpendët e shelgjet që derdhen përmbi ty…

– – – – – – – – – – – – – – – – – – –

Koment dhe info nga autori lidhur me impresionet dhe reagimet nga lexuesit

“Muzg mbi Bunë” ka magjepsur disa njerëz, por komentin më prekës deri tash ma ka dërguar Shpresa Bilalli. Dëshiroj që ta keni mikeshë edhe ju, të gjithë, siç e kam unë, qëkur më shkruajti – ishte nje emër i panjohur nga Prishtina – “Zoti shkrimtar! Mos shkruani për tema që nuk i njihni! Pash Zotin, nëse e besoni Zotin! Shpresa Bilalli, Prishtinë”.
Ky koment shtangës, dhe i vetmi i kësaj natyre, më pati ardhur pas rreth 50 komenteve pozitive për tregimin “4 vajza nga Prishtina”.

Ja komenti që më është dukur më i bukuri deri tash për “Muzg mbi Bunë”: “O zot! Derisa e lexoja, më dukej sikur unë jam mu aty, pranë Bunës ,duke vështru ujin që rrjedhë! Sa e bukur…”
Për ata që nuk e kanë lexuar, edhe për të gjithë, përfshirë edhe Shpresën, po jua dërgoj dhe një herë; këtë radhë më të plotë se varianti që ua kam nisur dhe për të cilin folëm më sipër…

– – – – – – – – – – – – – – – – – – –

E VËRTETA IME *
Riza Lahi

Pashë në pasqyrë
një qafë, një gjoks muskuloz
vetulla të mbërthyera vrasësi
mbi sy melankolikë,
si të një dashnori që i dhimbset të këputë një lule
i pakrehur, këmishë zbërthyer,
si një kapedan deti.

Një qënie e natës
e misterëshmë si nata
rënë nga qielli
këtu!
para pasqyrës së banjos sime….

Unë kam shkruar tër natën!

Unë po i dhimbsem natës dhe ajo
duke më ngacmuar me syrin e hënës
lehtë
ëmbël
ngadalë
pa u ndjerë
gjoja si pa vënë re
po ma zbulon
dhe më fton të vë buzët
te cica e saj
lëbardhja e aurorës

Info: Kjo poezi është botuar në almanakun e Kongresit të Poetëve të botës, Larisa 2011; atje duket e ka marrë revista në Indi.

(Versioni në anglisht)

MY VERITY
By Riza Lahi

I looked on mirror a muscular neck and breast,
two enchained eyebrows like of a killer
two melancholic eyes
like of a lover – teenager who
feels pain to cut a flowr,
blowzy with unbuttoned
shirt like of sea captain
Was a night’s creature
mysterious, like the night
coming down from the sky
in front of my bathroom’s mirror…
I have written all the night!
The night…
The night is feeling on me
dolour; she
teasing with the moon’s eye
lightly
sweetly
slowly
quietly
seeming not being mentioned
is discovering her chest
inviting me
to place
my lips
on her nipple
– whiteness of aurora.

© Copyright Author (Published in Kafla Intercontinental – Jan-April 2013)