Rivrasja e votës

0
28

Arben Rrozhani

Arben Rrozhani, 21.01.2010

Nëse do ta rivrasësh një viktimë krimi, sipas kriminalistikës, nuk duhet shumë për të bërë. Madje, nuk duhet bërë asgjë, veç një hetimi që e mbyll përfundimisht dosjen hetimore, pa gjetur autorët dhe duke lënë fajtor vetëm viktimën që ishte në vendin në krimit.

Kështu edhe me krimin elektoral të radhës, të kryer nga PD-ja e drejtuar nga Berisha, e cila si në 26 maj 1996 bëri në 28 qershor 2008 të njëjtën skemë krimi dhe viktimë ishte vota e shqiptarëve, të cilët sërish votuan për të rrëzuar Berishën, por ai e deformoi votën e tyre dhe me dhunën e kartonëve të blerë në Kuvend, është ende në pushtet. Dhe për të mos e lëshuar pushtetin është gati të bëjë gjithçka, madje edhe të dëgjojë këshillat e ndërkombëtarëve.

Një ditë pas apelit të bërë në raportin e fundit të KE-së dhe pas ftesës së opozitës për dialog, PD u përgjigj dje e gatshme për një tryezë dialogu që do të ketë si temë hetimin e zgjedhjeve, të bëjë një hetim të plotë dhe të ndershëm të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit nëpërmjet një Komisioni të posaçëm parlamentar, ku me bujari PD-ja është e gatshme t’i japë kryetarin dhe shumicën e anëtarëve.

Me këtë gatishmëri, PD-ja del e “larë” para ndërmjetësve virtualë ndërkombëtarë dhe në mesin e shqiptarëve të lodhur nga kriza politike duket sikur ia lë topin në derë PS-së.

Po çfarë do të thotë një komision hetimor parlamentar në historinë e parlamentarizmit, këto vitet e fundit? Do të thotë të bësh sikur të hetosh, të bësh nga dy raporte, sipas bipartizanit të komisionit, ku të mos ketë asnjë fajtor dhe të fituarit e vetëm dalin deputetët, si anëtarë komisioni që marrin para shtesë, sipas rregulloresh së Kuvendit.

Për të alurstruar nuk duhet shumë mund. Mund ta nisësh që në vitin 1997, kur u ngrit komisioni hetimor për trazirat e marsit ’97 dhe dy Spartakët (Braho dhe Ngjela) përkatësisht të PS-së dhe të së djathtës, pas një viti nxorën secili nga një raport, ku akuzonin njëri-tjetrin dhe ku nuk doli asnjë fajtor që kishte çuar vendin në buzë të greminës, më rreth 4000 të vrarë e të plagosur, shkatërrim total të shtetit dhe pasurisë publike, që kishte rrëmbyer nga xhepat e shqiptarëve 1.2 miliardë dollarë kursime të futur në skemat piramidale.

Por, nuk po shkojmë aq thellë në histori, kur kemi komisionet hetimore parlamentare të legjislaturës së parafundit, asaj XVII, e cila ngriti dhe shpërbëu komisione hetimore parlamentare pa fund dhe pa asnjë rezultat.

Sigurisht, shumica e komisioneve u ngritën me yryshin e partisë në pushtet, PD-ja, e cila që në marrjen e pushtetit nisi luftën ndaj “armiqve”. Siç ishte ish-prokurori i Përgjithshëm Theodhori Sollaku, i cili ishte zgjedhur po nga PD në vitin 2002 për të qenë numri një i akuzës.

Por, ai kishte dalë kundër Berishës dhe në 2 maj 2006, ngriti komisionin, caktoi objektin, përbërjen dhe afatin e veprimtarisë së deputetëve të udhëzuar për nisjen e procedurës së shkarkimit nga detyra të prokurorit të përgjithshëm.

Raporti i PD-së ishte i zi, por nuk arriti ta shkarkojë Sollakun, por kjo nuk do ta pengonte që të bënte të njëjtën situatë groteske një vit më pas dhe të cilin falë blerjes së votave, do ta hiqnin përfundimisht.

Në 4 maj 2006, Kuvendi vendosi për ngritjen e Komisionit Hetimor parlamentar për hetimin e tregut monopol të telefonisë celulare.

Pas katër viteve ende nuk duhet nëse janë zbatuar rekomandimet e dhëna, a është zbatuar legjislacioni financiar dhe rregullator në fushën e telefonisë celulare nga ana e operatorëve të licencuar për këtë shërbim.

Dihet vetëm se shqiptarët vijojnë t’i paguajnë sërish shtrenjtë shërbimet e telefonisë së lëvizshme, kur përtej kufijve çmimet dhe shërbimi janë shumë të lira. Po në maj 2006, me nxitjen e PS-së, u ngrit komisioni hetimor për hetimin e shkarkimeve në administratën publike.

Komisioni mbaroi punë në gusht, por PD-ja as që i përfilli përfundimet dhe rekomandimet dhe vijoi me çimentimin e administratës publike me militantë partie. Kështu edhe me Komisionin Hetimor për procedurat e kontratës së privatizimit të Albtelekomit në tetor 2007, të komisionit hetimor për zbatimin e ligjit të koncesioneve dhe për TEC-in e Vlorës, që tashmë është një çiban i papunë në bregdetin e Vlorës.

Komisioni hetimor nuk arriti as të prekë një fije të skandalit më të madh financiar të viteve të fundit, tenderimin e rrugës Durrës-Morinë, që është dosja më e madhe dhe më skandaloze e një investim kolosal që po zhbëhet ende pa u bërë, sepse e vetmja punë e pjekur që është bërë, ishte pakti korruptiv.

Historia tragjikomike e komisioneve hetimore parlamentare në Kuvendin e dominuar nga PD-ja, në legjislaturën e shkuar, mbyllet turpshëm me vendimin e 23 prillit 2009 për ngritjen e Komisionit hetimor për dhënien e lejeve të ndërtimit në Bashkinë e Tiranës, i frymëzuar dhe kryesuar nga PD-ja.

Një show neveritës që vijonte përkrah fushatës elektorale, me të cilën PD-ja kërkonte të nxinte imazhin e PS-së dhe për të ngritur lart imazhin e saj si vrasëse vote, mision që kërkon ta përsërisë sërish me hetimin, pa autorë të masakrës së 28 qershorit 2009.