Nga Lavdosh Ferruni, 9 Gusht 2012
(Pjesa e parë)
NATO nuk mund të lejojë një pushtim ushtarak të një vendi anëtar të saj, si Shqipëria. Por NATO nuk ka ç’t’i bëjë pushtimit të Shqipërisë nga plehrat, për më tepër kur kjo bëhet me kolaboracionistët e qeverisë së sotme. Pushtimi i plehrave është i egër, shkatërrimtar i jetës së njerëzve, i çdo krijese të gjallë, degradues i mjedisit, poshtërim i dinjitetit dhe imazhit të vendit, diskriminim dhe çdo të keqe që ka një pushtim me përjashtim të mungesës së çizmes së ushtarit dhe tankut.
Në Han të Hotit dergjen me mijëra ton skrap të importit, që mund të jenë dhe me radioaktivitet, siç ndodh shpesh me importet e skrapit. Sipas një deklarimi të drejtorit të Kurum, 2 vjet më parë, thuajse çdo ditë ka hyrë një tren me hekurishte në Shqipëri i ardhur nga Novi Sad, qyteti ky i Serbisë më shumë i bombarduar nga NATO dhe me ndotje të madhe në mjedis prej bombardimit (skrap i ndotur gjithashtu). Në Shupenzë pritet të zbarkojnë qindra kamionë me plastika nga Maqedonia. Në Devoll kolaboracionistët po bëjnë gati letrat për të hyrë 12 mijë ton plastika nëpërmjet Greqisë dhe nën administrimin e kompanisë turke. Mijëra ton të tjerë pritet të vijnë në Kavajë e Berat. Në Vlorën e turizmit, qarku po bën gati kontratën për të ngritur një djegës plehrash, i cili do kërkoj për djegie mijëra e mijëra ton plehra të tjera, që do vijnë me të gjitha gjasat nga Italia. Në korrik kolaboracionistët nënshkruan që nga bota të vijnë 30,000 ton alumin e të shkrihet në Shqipëri, që pastaj kallëpet e gatshme të shkojnë andej nga erdhën e këtu të mbetet ndotja e tmerrshme e aluminit.
Është gati nënshkrimi i 30 mijë ton makina skrap nga vende të ndryshme deri nga Spanja e Malta për tu bluar në Durrës.
Dhe më 1 gusht (vini re datën e fillim pushimeve masive) të këtij viti jubileut të madh, kryekolaboracionisti firmosi ardhjen brenda vitit të 600.000 ton hekurishte, por tani jo vetëm nga Novi Sad e Bullgaria, siç ishte vendosur në prag Krishtlindjeve të vitit të kaluar (vini re përsëri pragfestën), por nga 175 vende të botës. Kjo sasi e stërmadhe hekuri do zbarkojë e digjet në Elbasanin e vuajtur e viktimizuar keqazi këto 40 vjet. Për këtë turku i Kurum-it, prej kështjellës së rimarrë të metalurgjikut, prej të cilit nuk u çlirua dot për së dyti Shqipëria, po e pushton atë. Së fundmi Kurum ka bërë të veten dhe 120.000 m2 në zemër të Portit të Durrësit, por ankohet se anijet që ai do të përpunojë me skrap janë shumë të mëdha e porti duhet thelluar. Ka kërkuar dhe një HEC që të jetë i tij. Strategjia e deklaruar e KURUM është rritja dhe ekspansioni në Shqipëri.
A ndihet era e pushtimit apo është tashmë pushtuar Shqipëria?
Le të ngelemi tek Kurumi për të kuptuar se termi i përdorur si pushtim nuk është thjesht një metaforë.
Parlamenti e di mirë se në Shqipëri mjedisi po shkatërrohet me ritme të shpejta dita- ditës dhe kontribuues të mëdhenj të kësaj ndotje janë disa investitorë të huaj, që importojnë ndotje në Shqipëri për të rritur fitimet e tyre. Ja si shprehet Gjana, që drejton komisionin që mbulon dhe mjedisin në një takim të këtij komisioni me kompaninë Kurum: “Unë kam bindjen se një pjesë e madhe e kompanive të huaja e synojnë Shqipërinë për klimën e investimeve që është krijuar, por ndonjëherë edhe për hapësirat dhe për lehtësirat që gjejnë duke mos zbatuar kriteret që lidhen me mjedisin. Mjedisi sot është një çështje e kushtueshme, për të cilin bëhen debate shumë të mëdha. Shqipëria ende nuk ka kapacitetet e duhura, logjistikën e duhur, ekspertizën e duhur, laboratorët e duhur dhe kërkesën e duhur për të mbrojtur ambientin”.
Qeveria mund të dijë dhe më shumë për krimin mjedisor në Shqipëri. P.sh Ministria e Mjedisit i di rezultatet tmerronjëse të analizave të tokës në zonën e Elbasanit, ku vazhdon Kurum-i të rrisë ndotjen aty dhe kështu krimin mjedisor: Studimi i Ryan Perroy, profesor–asistent në departamentin e Gjeografisë dhe Shkencës së Tokës në Universitetin e Wisconsin (http://news.uwlax.edu/professors-research-exposes-environmental-problem-in-albania/) nga analizat e tokës brenda metalurgjikut e përreth tij tregon për “nivele ekstremisht të larta” të ndotjes në radhë të parë të kromit, nikelit, plumbit, nivele qindra dhe mijëra herë më të larta se rekomandimet e U.S. EPA (Agjencia e Mbrojtjes së Mjedisit në SHBA). Perroy thotë se ndotja mund potencialisht të përhapet tek njerëzit e kafshët përmes pluhurit të ajrit si dhe bimëve të ndotura dhe kafshëve që ata hanë.
Publiku di deri diku se çfare ka ndodhur e ndodh me mjedisin dhe shëndetin e popullsisë në Elbasan. Por nuk mund të mos risjellim në vëmendje të tij një ngjarje tronditëse të ndodhur në këtë zonë në valën e fushatës zgjedhore të vitit 2009, e të sfumuar prej saj: “Gruaja 22-vjeçare nga fshati Shijon i komunës Bradashesh pranë ish-Kombinatit Metalurgjik në Elbasan ka pësuar gjendje shoku në maternitetin kryesor të Tiranës, pasi ka mësuar se fëmija që ajo pas pak javësh pret të sjellë në jetë, do të lindë pa kokë. (Tiranë, 18 qershor NOA)”. Jo vetëm për faktin se lajmi u eklipsua prej fushatës, por edhe sa lajme të tilla të deformimeve të rënda gjenetike sidomos në kafshë në zonën e Elbasanit janë evidentuar me dhjetëra, në mos me qindra.
Prefekti Shefqet Deliallisi vitin e kaluar kërkoi marrjen e masave ndëshkimore për Kurum, si ndotësin kryesor. Elbasani prej vitesh renditet ndër qytetet më të ndotura në Shqipëri. Instituti i Shëndetit Publik në Elbasan ka bërë një studim, nga ku ka rezultuar se shifrat e personave të prekur nga kanceri dhe sëmundjet e mushkërive janë tepër të larta. Specialistët shprehen se shkaktari kryesor i shfaqjes së këtyre sëmundjeve është smogu, ndërkohë që ish-Metalurgjiku vazhdon të mbetet ndotësi kryesor.
Përveç ish-Metalurgjikut, shkaktarë të ndotjes së mjedisit në Elbasan janë mbetjet e skrapit dhe mbeturinat urbane. Kështu, depozitimi i mbetjeve të skrapit pranë ujërave të lumit Shkumbin vijon të mbetet një problem shumë serioz për qytetin.
Jo më vonë se në numrin e fundit të revistës Klan, ish kombinati metalurgjik etiketohet si “gërdalla kancerogjone kineze”, të cilit sot veçse mund t’i ndërrohet epiteti i fundit nga kineze në turke.
(VIJON)