“Rinia aktive” letër Berishës: Re brenda me këmbët e tua

0
38

“Kuvendi Civil” ashtu si edhe forumi “Rinia Aktive” i kanë dërguar sot një letër të hapur kryeministrit Sali Berisha pas lirimit të katër aktivistëve që u arrestuan nga policia pasi vendosën postera ku lajmëronin vdekjen e shefit të mazhorancës Sali Berisha. Më poshtë letra e plotë.

Letër e hapur për zotin kryeministër
“Kuvendi Civil” ashtu si edhe forumi “Rinia Aktive (pjesë e “Kuvendit Civil”) mësoi nëpërmjet mediave se kryeministri Sali Berisha ka reaguar për arrestimin e drejtuesve dhe aktivistëve të saj teksa po vendosnin postera anti-qeveritare. Madje kryeministri i ka kërkuar policisë lirimin tonë, por me një distancë dy ditore!!!., duke dalë në konkluzionin se autorë nuk ishim ne, por Edi Rama!!!

Zoti kryeministër
Ashtu siç dhe e ke zakon politik, nxiton të marrësh përsipër meritat e mirësisë apo bamirësisë. Nxitove t’u thoje ndërkombëtarëve me një mesazh se ti nuk je kundër fjalës së lirë dhe shoqërisë civile dhe se mbron demokracinë. Por re brenda me këmbët e tua. Re brenda pa e kuptuar sepse në atë mesazh përfshive kundërshtarin tënd politik, Edi Rama. Dhe me këtë kërkon të fokusosh betejën tënde në një pikë të vetme, duke anashkaluar hallet e popullit.

Zoti kryeministër, ne kemi lidhje me zotin Rama, po aq sa kemi lidhje me ju.
Na bën përshtypje vetëm një fakt. Shkaku për reagimin tuaj për posterat tanë dhe ndërhyrjen për të na liruar. Zoti kryeministër, ne ju kërkonim në poster llogari për shkak të gjithë atyre bëmave fatkeqe dhe ju nuk reaguat as për minatorët dhe as për dhjetra çështje të tjera. Përse duhet të reagonit për një gjë kaq të vogël dhe që e quani jo personale. Është fyerje për popullin tënd të reagosh vetëm për çështje politike zoti kryeministër dhe të heshtësh për hallet e popullit që pretendon se të ka votuar. Por duket se përgjigja qëndron te fakti se populli nuk ju ka votuar, por ia keni zhvatur votën, përderisa silleni kështu me të.

Nuk na nxorrët ju nga qelitë zoti kryeministër, por frika juaj për të mos bëre më armik faktorin ndërkombëtar dhe emri juaj e i qëverisë të mos përfundonte përsëri në ato raporte të nxirra. Nuk na nxorrët ju, por një konflikt pozitiv polici-prokurori, pasi organi i akuzës nuk gjeti arsye për të na arrestuar. Dhe meqë ju i njihni ligjet, a nuk ju bën përshtypje se qëndrimi për më shumë se 30 orë në paraburgim do të thotë kapërcim për të shkuar në gjykatë dhe se diçka nuk ka funksionuar siç duhet në organin e policisë, pasi ishin në kundravajtje ligjore?

Ndaj mos u hidhni me hi syve të popullit dhe mos nxitoni të merrni merita para të huajve. Mos i jepni as merita kundërshtarit tuaj për këtë akt, sepse atë e bëri “Kuvendi Civil” në emër të qytetarëve të prekur nga keqpërdorimi, keqbërja dhe keqfunksionimi jo vetëm i ligjeve tuaja, por edhe i institucioneve që ju drejtoni dhe keni vendosur nën tunele.

Ju e kuptoni ashtu sikurse ne dhe gjithë populli, se këtu nuk bëhet fjalë për vdekje reale, por për braktisjen që i keni bërë Shqipërisë, për ato që ne kemi shkruar.
Po për sa kohë disa prej ndërkombëtarëve u ke vendosur sipas kokës festën, kjo do të të njihet vetëm si meritë politike, por jo si meritë njerëzore e qytetare. Ne e kuptojmë zoti kryeministër, se po të jetosh në një vend tejet të politizuar siç e keni kthyer ju dhe paraardhësit tuaj Shqipërinë, është njëlloj si të jetosh në një gropë të mbushur plotë me gjarpërinj.

Duke na mirëdëgjuar, shpresojmë dhe që të na drejtkuptoni.

Ju faleminderit
Kuvendi Civil