Rilindja e Diktaturës

0
30

Nga Gilman Bakalli, 02 Dhjetor 2015

“Natura non facit saltum”. E përkthyer lirisht: natyra nuk bën kapërcime. Gjithçka nis gradualisht. Tinëzisht dhe pa u vënë re, kufijtë e asaj çka truri ynë e konsideron normale zhvendosen në mënyrë të vazhdueshme e të butë. Mirë që është kështu, sepse përndryshe do shkallonim nga dëshpërimi po të zgjoheshim një ditë dhe ta shihnim veten papritmas pleq, të zgjoheshim një ditë dhe ta shihnim veten papritmas banorë të një qyteti tërësisht të qëruar nga pemët a bari jeshil, të gdhiheshim krejt papritmas si qytetarë nën një diktaturë çnjerëzore.

Aspirantët për pushtet absolut e njohin mirë këtë mekanizëm psikologjik, i cili, në literaturën relevante quhet “shifting baselines”. Dhe e respektojnë fort mirë këtë parim. Si garant i jetëgjatësisë së pushtetit. Ne, që mendojmë se jemi qytetarë të lirë në një sistem demokratik, që mendojmë se diktaturën e kemi hedhur pas krahëve para çerek shekulli, që krenohemi me fotot e viktimave të diktaturës faqe botës me rastin e vizitës së Papës në Shqipëri, ne, që shumë nga ato që kanë vuajtur burgjeve dhe internimeve i kemi dëmshpërblyer, financiarisht në një proces të gjatë që zvarritet akoma, dhe honorifikisht me dekorata e çmime të ndryshme, nuk vëmë re se paralelisht me këtë proces kapardisjeje në Shqipëri ka filluar prej kohësh edhe rehabilitimi i diktaturës, fillimisht nën rrogoz dhe, pastaj dalëngadalë edhe publikisht.

Në vitet e para të tranzicionit, për Enver Hoxhën nuk flitej. Pak nga pak, figura të ndryshme publike, filluan të hidhnin, të shpërndara në kohë, tezat naive se “disa të mira i kishte ai regjim”, se “ndërtoi disa vepra publike”, se “zhduku analfabetizmin”. Në mënyrë sporadike, herë në ekrane prestigjioze televizive, e herë në emisione periferike, filloi të shfaqej e veja e diktatorit me ligjërimin perfid të bashkëshortes, e cila e ftonte publikun të shohë tek Enver Hoxha, përtej figurës së diktatorit gjakpirës, edhe një burrë e bashkëshort të mirë e të përkushtuar. Sapo qetësohej vala e zemërimit publik, veteranë me kasketa filluan të shfaqen nëpër cepa mitingjesh me portretin e diktatorit.

Ndërkohë, historianë të ndryshëm përpiqeshin të krijonin një narrativë të re për vlerësimin e figurës së diktatorit. Për ta qetësuar zemëratën publike shfaqej Edi Rama, i cili na siguronte se nuk bëhej fjalë kurrsesi për Rilindjen e Diktaturës. Fundja, ai, kryeministri ynë, nuk mund “të dërgonte policinë për t’ua arrestuar ëndërrat” veteranëve nostalgjikë, krenarë e të shëndetshëm, të cilët, të pashqetësuar nga askush shfrytëzonin çdo rast për të dalë hapur shesheve, me portretin e diktatorit lart. Tani sipari është hapur. Tani që shqiptarëve nuk ua vret më veshin narrativa “diktator-ishte-por-bëri-edhe-vepra-të-mira” atyre mund t’u shpalosej edhe një listë me emra ish-funksionarësh të lartë të regjimit komunist, të hetuesisë e të prokurorisë të dekoruar me rastin e 70-vjetorit të ardhjes në pushtet të komunistëve shqiptarë.

Tani, pas 25 vjetësh, kushtet psikologjike u konsideruan si të pjekura plotësisht, që shqiptarëve t’u bëhej publike një listë që ishte mbajtur larg syve të publikut shqiptar për një vit. Shpjegimet teknike se me këto dekorata përkujtimore Shqipëria i bashkohet një tradite europiane, e cila nderon luftëtarët e mbetur gjallë nga Lufta çalojnë logjikisht, sepse këto dekorata, në rastin konkret, nuk po u jepen ushtarëve që luftuan për një kauzë të caktuar, por po u jepen një kategorie ushtarësh, të cilët pasi fitoi kauza u kthyen në xhelatë të atyre idealistëve që kishin luftuar për një Shqipëri tjetër. Veteranët nostalgjikë të kategorisë A, të gjallë e të vdekur, kanë hipur në skenë dhe na përshëndesin me kasketat e tyre. Tani, nuk e di çfarë ka ngelur më pa bërë, që Rilindja e Diktaturës të quhet vepër e mbaruar. Mund të mos ndërtohet më kurrë, por lejen e ndërtimit të saj, kryeministri Rama e ka dhënë.

Tashmë, pas 25 vjetësh, më në fund, krejtësisht gradualisht, veteranët nostalgjikë të Enverit s’kanë pse të kenë më frikë se kryeministri Rama mund “t’u dërgojë policinë për t’ua arrestuar ëndrrat”. Sepse u ka bërë atë që as vetë s’e kishin ëndërruar ndonjëherë: i ka nderuar me një dekoratë përkujtimore, medemek në stilin europian. Kurse pjesa tjetër e shoqërisë s’ka pse shpreson më se zoti kryeministër do të ruajë të paprekura ëndërrat e atyre mijërave të vrarëve e internuarëve, që vdiqën me shpresën se koha e diktatorit s’do kthehet më kurrë.