Rikthimi i nevojës për azil politik nga Shqipëria

0
65


Nga Mero Baze, 17.12.2010

Në vëmendje të zonjës Cecilia Malmstrom, komisionere e Punëve të Brendshme në Bashkimin Evropian

Kam dëgjuar me vëmendje paralajmërimet e shumta që u janë bërë qytetarëve shqiptarë për të bërë kujdes pas procesit të liberalizimit të vizave, duke ua bërë të qartë mes të tjerash se ata nuk mund të aplikojnë për azil politik. Paralajmërimi juaj ka qenë parimor dhe bazuar në atë çfarë Shqipëria synon të bëhet bazuar në angazhime politike, dhe unë si gazetar dhe qytetar i këtij vendi e mirëkuptoj atë.

Por do të përshkruaj përmes rastit tim, degradimin e sistemit demokratik në këtë vend, duke të siguruar paraprakisht se nuk jam një kandidat për azilant politik, për shkak të vendimeve të mija personale. Por, duke qenë se jam pjesë e një sistemi që mund të prodhojë me mijëra të tillë në ditët në vazhdim, që ndeshen me padrejtësi të njëjta, jam i detyruar tu paralajmëroj për këtë.

Brenda një harku prej dhjetë ditësh jam njohur me dy vendime gjykatash kundrejt meje. I pari ka të bëjë me një gjyq ilegal, në Gjykatën e Apelit, ku një gjyqtare e kësaj gjykate më ka paditur në Apel, pasi kam fituar pafajësinë në shkallë të parë, pa më njoftuar, më ka bërë gjyq pa më njoftuar përmes tri kolegeve të saj dhe më pas ka çuar vendimin për tu ekzekutuar pa më njoftuar në Përmbarim, i cili ka ekzekutuar vendimin pa më njoftuar akoma dhe sot. Dhe bëhet fjalë për një dënim prej rreth 100 mijë dollarë.

Gjyqi është bërë në Gjykatën e Apelit në Tiranë, ku punon si gjyqtare vetë paditësja, dhe është drejtuar nga gjyqtari Gjin Gjoni, një simbol i gjyqtarëve që kanë bërë shërbime politike përmes gjyqësorit.

Gjyqi i dytë ka pas të bëjë me biznesmenin e akuzuar dikur si trafikant nga kryeministri Sali Berisha, dhe sot sponsor i gruas së tij, i cili më ka sulmuar në një lokal publik në prani të dy kolegëve të mi. Agresori u arrestua nga Gjykata e Tiranës pasi policia nuk denjoi ta ndalonte pas agresionit. Lajmi i agresionit të tij ka mbushur shtypin botëror për më shumë se një vit dhe është bërë objekt kritikash për lirinë e shtypit në Shqipëri, nga gjithë organizatat prestigjioze të medias si dhe qeveria e SHBA dhe Bashkimi Evropian.

Dy ditë më parë, një gjyqtar i quajtur Petrit Çomo, e shpalli atë të pafajshëm, duke u mbështetur tek dëshmia e një prej agresorëve, i cili paska thënë se dikush që ai nuk e njeh, kishte dëshmuar ndryshe.

Nuk dua të merrem personalisht me të dy këta gjyqtarë pasi i njoh të dy. I përkasin një gjenerate gjyqtarësh të emëruar me kurset e përshpejtuara të drejtësisë gjashtëmujore në vitet 90-të, të kësaj partie që sot është në pushtet. E përbashkëta e dy gjyqeve është se drejtësia nuk ka gjykuar fajësinë time apo të kundërshtarit tim, por më ka konsideruar parimisht “si armik të pushtetit” dhe për këtë ka favorizuar në të dy rastet në mënyrë ekstreme palën tjetër në gjyq.

Pra, në rastin e parë ka anuluar pafajësinë time dhe më ka dënuar ilegalisht me një dënim, që nëse bazohemi tek rroga im zyrtare e asaj kohe kur ka nisur ky proces, i bie rreth 15 vite punë vullnetare dënim. Kurse në rastin e dytë ka anuluar vetë veprimet e Gjykatës së Shkalës së Parë, e cila e pati arrestuar Rezart Taçin përkundër mosdëshirës së Policisë së Shtetit për ta kapur agresorin dhe e ka mbajtur atë në burg si agresor ndaj një gazetari për shkak të detyrës.

Por këto dy vendime nuk janë të vetmet. Kryeministri Berisha urdhëroi bllokimin me policë të redaksisë dhe shtypshkronjës së gazetës Tema në janar të vitit 2009 dhe ne u nxorëm andej forcërisht duke mbajtur peng ende aty brenda shtypshkronjën e gazetës, e cila me siguri është bërë për hekurishte. Gjykata ende nuk ka përfunduar procesin tonë gjyqësor për këtë padrejtësi, dhe nuk ka shanse të mbarojë për disa vite duke bërë një seancë gjyqësore në vit.

Duke përfshirë në dënim të faktuar rreth 478 mijë euro, sa ç’ishte plani i investimeve në kontratën 20 vjeçare të bërë me emfiteozë, duke përfshirë më pas gjobat mbi kompaninë e gazetës dhe shtypshkronjës, duke përfshirë gjobat e gjykatës si gazetarë dhe nga ana tjetër faljen e agresorëve ndaj meje, në një farë mënyre pushteti ka bërë një ekzekutim politik përmes gjyqësorit ndaj një kritiku të tij. Janë linçuar njerëz të familjes sime duke u hequr nga puna me porosi personale të kryeministrit, dhe ata që merrnin dhe zbatonin urdhrin më dërgonin mesazhe pafuqie ndaj porosive të “Atij”.

Mua nuk më interesojnë fare thashethemet për shpërblimet që kanë marrë gjyqtarët e përdorur në këtë operacion të pistë. As më intereson fare nëse gjyqtari ka marrë aq shumë lek nga agresori im sa t’i mjaftojnë deri sa të dalë në pension, apo tjetri ka marrë garanci financiare dhe politike. Unë nuk jam i interesuar fare nëse Ministri i Drejtësisë e përdor dorën e shëndoshë që i punon akoma, që të kapë telefonin vetëm për tu telefonuar gjykatësve kundër meje, apo nëse djali i kryeministrit bën pazare deri për eliminime fizike kundër meje.

Unë di të them që sistemi ka degraduar në stadin kur përdoret automatikisht kundër “armikut të pushtetit” dhe ky nuk është më rrezik për mua, por për çdo njeri që ka vendosur të jetojë në këtë vend. Për fatin tim sistemi ka prodhuar aq shumë dënime ndaj meje, sa do të më duheshin disa jetë të punoja si “djalë i kryeministrit” për të bërë aq pare sa t’i paguaja.

Problemi është se një degradim i tillë i sistemit, i cili vihet me vetëdije në shërbim të pushtetit kundër armikut të vet, krijon një situatë më të rrezikshme se në diktaturë, ku sistemi e kishte për detyrë të mbronte pushtetin. Diferenca mes një regjimi të korruptuar që mposht përmes korrupsionit, parasë dhe inkriminimit pushtetet e tjera, dhe një diktature të pastër siç ishte ajo komuniste ku institucionet e kishin detyrë t’i shërbenin, qëndron në faktin së në sistemin tonë të korruptuar, e vetmja liri që prodhohet është liria për t’i shërbyer pushtetit, kurse në diktaturë e vetmja liri që prodhohej rrezikonte pushtetin.

E them këtë me dëshpërim kur shikoj se media është dorëzuar tërësisht në dorë të këtij sistemi, ku gazetarët e pakët të këtij vend janë bërë pjesë e sistemit të mirëpaguar për të mos folur kundër pushtetit, dhe kur institucionet politike e shtetërore, siç janë partitë politike të pozitës dhe opozitës, e deri tek Presidenti i Republikës, e shikojnë këtë fenomen më shumë si klientelizëm apo raporte personale me viktimat e këtij sistemi, se sa si alarm për të ardhmen e kësaj shoqërie.

E përsëris se e kam kaluar fazën ku mund të jem i shqetësuar për fatin tim personal si viktimë e këtij sistemi dhe i refuzoj ofertat për tu larguar nga ky vend si i persekutuar politik. Nuk më kanë munguar kurrë vizat, as mua, dhe as familjes sime, për të ikur nga ky vend për 20 vite, por nuk më ka shkuar kurrë ne mendje ta bëj këtë.

Por kam frikë se nëse Perëndimi nuk merr seriozisht degradimin e këtij vendi dhe sidomos rënien e institucioneve, që nga gjyqësori, media dhe deri tek ndarja e pushteteve mes institucioneve politike, kam frikë se shumë shqiptarë, me mijëra që unë nuk i njoh, por marr me mend fatin e tyre ndaj arbitraritetit të këtij sistemi, do ta përdorin shansin e lëvizjes së lirë për të ikur nga ky vend. Thirrjet e Perëndimit se nuk do të pranohen azilantë politikë nga Shqipëria, do të bien në vesh të shurdhër të qytetarëve nëse nuk merret seriozisht thellësia në të cilën ka degraduar sistemi i demokracisë në këtë vend.

Në një vend ku gjyqësori është vegël e verbër e pushtetit, ku media është një dordolec me sy që nuk shikojnë dhe veshë që nuk dëgjojnë padrejtësitë e pushtetit, ku institucionet politike janë të mbytura nga korrupsioni, nepotizmi dhe klientelizmi me krimin e organizuar, ku qytetarët kanë të drejtë vetëm të votojnë, por jo dhe ta shkojnë ku shkon vota e tyre, do të jetë e pamundur t’i mbani qytetarët e këtij vendi me dhunë dhe tu mohoni atyre lirinë për të shpëtuar prej tij.

Unë shpresoj që Perëndimi ta marrë më seriozisht mungesën e lirisë në këtë vend, për të shpëtuar nga pasojat e saj në Evropë. Është kosto më e lirë për të gjithë të jetojmë të lirë këtu, dhe jo të kërkojmë shpëtim në Perëndim duke ja lënë Shqipërinë, një çiflig familjes në pushtet.