Rikthehet tmerri i 21 janarit. Fjalët e fundit të Bardhosh Myrtajt

0
47

Lindita Çela, 12.04.2011

Ende pa u tharë lotët e grave, vdekja është rikthyer kobshëm në familjen Myrtaj në Kreshpan të Fierit. Djali më i vogël i shtëpisë, Bardhoshi, është gjendur i vdekur mesditën e djeshme, në një kodër larg shtëpisë. Rrethanat flasin për një vetëvrasje, fjala përfundimtare ndoshta do të dojë edhe disa ditë.

Ata që e njohin thonë se që kur i ati, Faiku është ekzekutuar përpara Kryeministrisë nga Garda e Republikës në 21 janar në Tiranë, Bardhoshi nuk ka qenë më ai i pari. Fjalët i ka patur të pakta.

Morti
Trupi i pajetë i 22-vjeçarit dergjej dje deri vonë në morgun e qytetit të Fierit. Në shtëpinë e tij në Kreshpan është e pamundur të përballosh dhimbjen. Fqinjët dhe fis i pakët i janë gjendur afër nënës së tij, kuja e së cilës dëgjohet prej së largu.

Të afërmit, me të dëgjuar lajmin e zi, e kanë mbajtur frymën aty. Askush nuk di të thotë shumë. Dinë vetëm që Bardhoshi u gjend i vrarë në një kodër, që vendasit e identifikojnë me termin “te antena”.

Në një pikë në majë të kodrës, (larg nga banesa rreth 30 minuta, nëse e bën me këmbë) Bardhosh Myrtaj është gjendur nga vëllai Renatoja i mbuluar nga gjaku me një plumb në kokë. Plumbi në anën e djathtë të kokës, ka shpërfytyruar fytyrën e re të 22-vjeçarit. Banorët e Kreshpanit e kujtojnë si djalë tejet të lidhur me familjen dhe të sjellshëm me të gjithë.

Pas 21 janarit, djaloshi ka ndryshuar shumë. Nuk dilte më në fshat, bisedonte gjithnjë më pak, nuk fliste gjatë. “Rrinte gjithmonë vetëm, por askujt nuk i shkonte ndërmend që do të ndodhte një gjë e tillë”, – na thotë një banor pranë shtëpisë së Myrtajve në Kreshpan.

Komunikimet e fundit
Me vëllanë Renaton dhe dajën ka pasur komunikimet e fundit të jetës së tij. “Kujdes nënën, shtëpinë dhe atë çfarë na ka lënë babai. Unë po iki!” Këto kanë qenë fjalët e pakta që Bardhoshi i ka thënë të vëllait rreth orës 12 të ditës së djeshme. Para se vëllai të kuptonte gjë, ka mbyllur telefonin, sipas versionit që jep policia, ka zbritur në qendër të fshatit, ka blerë një paketë cigare dhe ka marrë i vetëm rrugën për “te antenat” me një motor të vogël.

Për disa orë të tëra, shoqëri të vetme ka patur cigaret. Një telefonatë ka marrë edhe daja i tij. I ka lënë amanet të vëllain, Renaton. “Dajo mos e lër Renin vetëm. Hajde më vonë merr motorin, e ke tek antenat”, – mësohet të ketë qenë teksti i telefonatës.

Vdekja ka ndodhur rreth orës 12 e 30 minuta të ditës së djeshme. Kuja në familjen Myrtaj është e papërballueshme. E pamundur të bësh në një ambient të tillë gazetarin…

Policia: Është vetëvrarë nga depresioni
Vetëvrasje në kushtet e depresionit. Kjo është mënyra si e ka klasifikuar ngjarjen policia e Fierit. Sipas policisë, nga hetimet paraprake dhe nga ekpsertiza mjeko-ligjore rezulton se Bardhosh Myrtaj është vetëvrarë. Në vendin e ngjarjes policia ka sekuestruar një pistoletë tip “beretë”, më të cilën mendohet se 22-vjeçari ka qëlluar vetën në anën e djathtë të kokës.

Versioni është mbështetur në dëshmitë e dhëna në polici nga të afërmit e viktimës. Babai i Bardhoshit, Faik Myrtaj, 50 vjeç, u ekzekutua nga Garda e Republikës, më 21 janar 2011, gjatë një demonstrate antiqeveritare së bashku me të edhe Hekuran Deda, Ziver Veizi dhe Aleks Nikaj.

Babai u vra në demonstratën antiqeveritare
Faik Myrtaj ishte personi i tretë i identifikuar nga viktimat e demonstratës së 21 janarit. Vrasja e Myrtajt ndodhi vetëm pak minuta pas vrasjes së Ziver Veizit dhe Hekuran Dedës. “Vrasja e Myrtajt është bërë nga një plumb i vetëm, i cili e ka goditur në shpatullën e djathtë duke përshkruar hyrjen me një pjerrtësi të vogël. Edhe plumbi që ka qëlluar Myrtajn është i kalibrit 9 mm”, – është deklaruar nga ekspertët e policisë.

Për vrasjet e 21 janarit, procesi vazhdon me tendencën për të gjykuar e dënuar vetëm një gardist, që u filmua duke vrarë. Të tjerët i kanë bërë bisht hetimeve dhe gjykimit, mes një klime të egër represioni qeveritar, shoqëruar me fyerje të rënda verbale ndaj pjesëmarrësve në demonstratë dhe organeve të hetimit, ku spikatin termat lavire bulevardi, kokëpalarë etj.

Dy mesazhet e fundit në “Facebook”
Bardhosh Myrtaj ka qenë në “Facebook” për herë të fundit rreth orës 09:30 paradite, rreth 3 orë para se ai të ndahej nga jeta. Gjëja e fundit që ka shkruar në statusin e tij është: “nese s’e ke zgjedhur rrugën tënde at`here zgjidh me te miren se une fitova lloftarin

Mesazhi ngjan paksa apokaliptik, nëse e marrim seriozisht. Është e paqartë, nëse fjala “Lloftarin” është nje gabim shtypi apo një përpjekje për ta ngatërruar atë me llahtarinë. Sidoqoftë, tri orë pas këtij mesazhi, ai është gjendur i vrarë në një kodër afër fshatit të tij.

Mesazhi i parafundit në Facebook, i shkruar mbrëmjen para ngjarjes së tmerrshme thotë: “Çdo gjë është e mirë në këtë botë, por kur humbet të ngushtohen rrugët”.
Nëse kemi të bëjmë me një vetëvrasje klasike nga depresioni, ky është rasti i dytë që familjarë të viktimave të tragjedive të shkaktuara nga politikat e qeverisjes vrasin veten.

Para këtij, babai i një fëmije të vrarë në Gërdec u gjend i vdekur, pasi ishte alkoolizuar prej pijes, nga e cila nuk ndahej pas shpërthimit.