Ridvan Bode nën akuzë për lobim antiligjor për një universitet privat

0
54


Një nëpunës i Ministrisë së Financave ka shpërndarë një e-mail në redaksitë e gazetave në lidhje me një skandal të ministrit Bode

Ministri i Financave Ritvan Bode akuzohet nga punonjës të Ministrisë së tij se po bën presion dhe po lobon hapur që nëpunësit e kësaj ministrie të marrin master të nivelit të dytë në një universitet privat. Sipas një e-maili që ka dërguar në redaksi një punonjës i këtij institucioni, thuhet se zoti Bode ka filluar një fushatë të paprecedentë presioni mbi punonjësit e kësaj ministrie që shumica e tyre të bëjnë master të nivelit të dytë, edhe pse ka shumë punonjës që e kanë një të tillë.

Punonjësi e konsideron zotin Bode “aksioner” de facto të Universitetit “Sevasti & Parashqevi Qiriazi”, edhe pse me letra sipas tij është një nga Drejtorët e rëndësishëm të Ministrisë së Financave.

“Me presionet që ka bërë ndaj punonjësve të ministrisë së Financave, punonjësve të tatimeve dhe të doganave, ka bërë që pothuajse të gjithë punonjësit të regjistrohen në master të nivelit të dytë pranë këtij universiteti, duke ju marrë nga 3000 euro për regjistrimin. Janë 600.000 euro që paguajnë rreth 200 punonjës të ministrisë së Financave, të tatimeve dhe doganave që janë regjistruar në këtë universitet dhe paguajnë paratë për një një mastër që e kanë, sepse bazuar në ligjin Nr.9741, datë 21.5.2007, “diplomat e studimeve universitare, që kanë zgjatur së paku 4 vite akademike (tetë semestra), të lëshuara para hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë ekuivalente me diplomën universitare “Master i shkencave” dhe “Master i arteve të bukura”,” thuhet në e-mail.

Ky universitet u jep një certifikate masteri që nuk ka asnjë vlerë sepse bazuar në ligj punonjësit e kanë bërë një master.

Pranë QKR gjendet dhe ekstrakti i këtij universiteti privat që tregon se një nga pronaret është djali i Ylber Bejzos, këshilltar i ministrit të Financave. Megjithatë, vetë pronari i këtij universiteti me paratë që merr nga “studentët” këtu, bën shkollë në Perëndim dhe jeton jashtë vendit.

Më poshtë keni stafin e Universitetit “Sevasti& Parashqevi Qiriazi”, që janë personalitete të ministrisë së Financave dhe tatimeve dhe që bëjnë presion mbi punonjësit që të paguajnë para për Ministrin e Financave.

1. Ylber Bejzo, Drejtor i Kontabilitetit në Min. Financave dhe këshilltar i Ministrit të Financave
2. Orgys Qirici, shef juridik në ministrinë e Financave
3. Florion Mima, ish zv/ministër i Financave dhe deputet i Kuvendit të Shqipërisë
4. Asllan Shera, Këshilltar i Ministrit të Financave
5. Enver Kalemi, Shef Sektori i Kontabiliteti në Ministrinë e Financave.
6. Sherefedin Shehu, ish zv/ministër i Financave.
7. Pjetër Ndreca, shef i auditit në ministri të financave
8. Elvi Fundo, këshilltar i Ministrit të Financave
9. Eduard Ypi, Drejtor i Përgjithshëm i Thesarit në Min. e Financave