Ribërja e historisë dhe “harresat” e kryeministrit

1
74

Shekulli, 08.09.2012

Sylë Gosturani

Njerëzit që i bashkojnë idetë, domosdo edhe veprimet i koordinojnë. Kështu po ndodh sot në Shqipëri. Mbreti i shqiptarëve “lartmadhëria e tij” Zogu i Parë po vendoset në ballë të historisë. Kush e kërkon këtë? Kush po e bënë këtë? Pse po bëhet kjo? Para se t’u përgjigjem këtyre pyetjeve e shumë të tjerave, u duhet sjellë në kujtesë gjithë lexuesve, gjithë atyre që dëgjojnë se cili ka qenë në të vërtetë Ahmet Zogu. Historinë e bën populli. Në rrugën historiformuese, popujve u kanë prirë guximtarët, trimat, njerëzit largpamës, njerëzit e sakrificave, njerëzit që kanë vënë mbi gjithçka lirinë, pavarësinë e mirëqenien e atij populli e të atij vendi.

Këta njerëz, populli i ka njohur, i ka veçuar nga të tjerët, ua ka besuar fatet e drejtimit, u ka shkuar pas dhe gjithmonë i ka mbrojtur si domosdoshmëri e arritjes së fitores në luftë apo në paqe. Si gjithë popujve të tjerë, edhe popullit shqiptarë në gjithë gjatësinë e rrugëformimit historik i kanë prirë burra të shquar, të cilët me bëmat e tyre kanë mbetur simbol, e si të tillë, historia ata i ka veçuar me gjitha ato cilësitë e vyera që kanë treguar. Sot po flitet shumë për rishikim e ribërje të historisë. Sot po kërkohet që gjithçka të shihet e të vlerësohet në këndvështrimin politik që po jetojmë, duke e quajtur kohën, sistemin që po jetojmë si më të arrirët, si më favoritët, për një qartësim më të “saktë”, më të “plotë” e më “real” të ngjarjeve historike, të datave historike e në veçanti të protagonistëve historikë. Natyrshwm lind pyetja.

A janë kushtet në të cilat po jetojmë objektive, të sinqerta e filtruese për t’i bërë rishikim historisë së popullit tonë? Lava e madhe antikomuniste që ka vërshuar në mbarimin e shekullit XX e fillimin e shekullit XXI do të përvëlojë gjithçka gjysmëshekullore të këtij vendi e këtij populli. Sot në prizmin e luftës antikomuniste nxirren në pah nacionalistë, kolaboracionistë, ballistë e legalistë, që gjithçka kombëtare ia kanë nënshtruar bishës më të egër njerëzore, fashizmit. Sot kur korrupsioni ka mbërthyer shtetin, gjithë intelektualët në arsim, shëndetësi, drejtësi e veçanërisht ata të institucioneve akademiko-shkencore, çka pritet, veçse një antitezë shumë domethënëse. Mohim i gjithçkaje, mbivlerësim i asgjëje. Kjo antitezë nxjerr fushës se në kushtet politiko-ekonomike që po jetojmë nuk mund të bëhet asnjë saktësim objektiv, asnjë studim as përcaktim historiko-shkencor në dobi të çështjes së atdheut e të çështjes së historisë së tij.

Kryeministri i vendit në prag të 100-vjetorit të shpalljes së pavarësisë është në hall të madh të ribërjes së historisë, të rivlerësimit të shumë figurave me qëllimin e vetëm, që viteve post komuniste, gjatë të cilave me sondazhe e metoda ekstreme antidemokratike ka mundur të predominojë në skenën politike. Duke u orvatur që periudhën postkomuniste ta përcaktojë si rilindje të re, si shpëtimtare të vendit e të popullit, zbulon pak e nga pak politikën e tij të përvijimit të vetvetes si një nga personalitetet me përmasa politiko-historike, që domosdoshmëria e rrethana të caktuara e sollën në krye të vendit e të popullit që të bëjë reforma të mëdha transformuese. Kryeministri ynë i nderuar, duke dhënë leksione për pavarësinë nuk përmend asnjëherë premisat që çuan në arritjen e asaj dite të madhe.

Ai me dashje a pa dashje u shmanget atyre ngjarjeve të mëdha, që tronditën Perandorinë Osmane e fuqitë perëndimore, të cilat me qëllime dashakeqëse, Shqipërinë deshën ta fshijnë nga harta evropiane, që tokat e saj t’u shpërndaheshin si shpërblim fuqive sllave, italiane e greke. Kryeministri harron apo nuk do të vërë në pah vlerat e komiteteve kombëtare të ngritura në çdo kënd , brenda e jashtë Shqipërisë, veçanërisht atë të Stambollit që drejtohej nga rilindësi i madh Avdyl Frashëri. Kryeministri nuk cilëson ngjarjen më të rëndësishme, që ngriti në këmbë një popull të tërë në një luftë të paparë deri atëherë kundër osmanëve e pushtuesve serbo-malazezë, Lidhjen e Prizrenit e krerët e sajë, që e organizuan atë. Kryeministri harron apo s’do t’i përmendë luftërat e viteve 1910 e 1912 në veri të Shqipërisë të udhëhequra nga Bajram Curri e patriotë të tjerë.

Pra, duhet t’i themi kryeministrit tonë “shumë largpamës” se për atë ditë të shënuar të 28 Nëntorit u bënë shumë sakrifica, u shpenzua mund e u derdh gjak. Kryeministri ynë “i nderuar” ka mbetur me Ahmet Zogun për bishti. Ahmet Zogu s’ka asnjë lidhje me shpalljen e pavarësisë. Ahmet Zogu s’ka asnjë vlerë me ruajtjen e integritetit tërësor territorial të Shqipërisë. Nuk ka ku të vejë më poshtë se sa të krahasosh Ahmet Zogun me Ismail Qemalin e figura të tjera patriotike, që gjatë gjithë jetës së tyre, jetën e gjithçka patën e vunë në dispozicion të pavarësisë së atdheut e zhvillimit të tij. Historia jonë, si gjitha historitë e popujve të tjerë, figurat i ka vlerësuar në tërë kompleksitetin e tyre. Një figurë mbetet pozitive në histori, kur ajo çështjen e atdheut për asnjë moment e në asnjë situatë nuk e ka bërë kompromis me askënd.

Ahmet Zogu është pjesë e historisë sepse ka qëndruar në poste të ndryshme qeverisëse, që nga ministër i Brendshëm e deri mbret i parë i shqiptarëve. Periudha afër 20-vjeçare e predominimit të tij në skenën politike shqiptare është e pasqyruar në historinë e popullit tonë. Ajo periudhë është karakterizuar nga një errësirë e prapambetje e theksuar ekonomike, kulturore e arsimore si në asnjë vend tjetër . Kjo është vërtetësi e jetuar dhe e vuajtur nga paraardhësit tanë. Mbi 90% e njerëzve ishin analfabetë. Sëmundjet bënin kërdinë duke marrë për çdo vit dhjetëra e qindra jetë njerëzish, veçanërisht të porsalindur e adoleshentët. Xhandarët e Ahmet Zogut pa nivel kulturor e arsimor, shumica analfabetë, nuk dinin tjetër gjë veçse të arrestonin e të rrihnin njerëz. Taksat e rënda, që nuk përballoheshin nga shtresat e varfra, mblidheshin me forcë duke përdorur masakrimin e persekutimin.

Taksat e mbledhura nga populli, asnjë grosh nuk përdorej për investime, prandaj ai regjim mbahet mend si regjimi i një ure mbi lumin Mat, e cila sot nga kujdesi i regjimit, që i ngjanë atij të Zogollit, po shkatërrohet për skrap ashtu siç shkoi për skrap gjithçka, që ky popull ndërtoi për 45 vjet. Taksat e mbledhura nga njerëzimi fukara, Ahmet Zogu i përdorte për të mbushur xhepat e tij, për të paguar oborrtarët, për të paguar mbështetësit krahinarë si dhe për përmbushjen e epsheve të tij. Ahmet Zogu vetëm për dëfrimet e tij në Austri ka shpenzuar aq para për një muaj aq sa ka qenë buxheti shtetëror një vjeçar për arsimin. Ngritja e shtatores së Ahmet Zogut në Tiranë do të thotë të pranosh si antikombëtar Luigj Gurakuqin, Avni Rrustemin, Hasan Prishtinën, Riza Cerovën, Bajram Currin e të tjerë e të tjerë patriotë që Ahmet Zogu i eliminoi.

Të renditësh Ahmet Zogun në figurat e shquara të kombit do të thotë të pajtohesh me kundërrevolucionin e dhjetorit 1924, që e solli atë në pushtet me ndihmën e mercenarëve ruso-serbë, duke u dhënë këtyre të fundit si shpërblim pjesë të tokave shqiptare. T‘i thuash Ahmet Zogut patriot do të thotë t’i quash vepër heroike veprimet e 1939-s, kur me 7 prill të atij viti “mbreti i gjithë shqiptarëve”, pasi vodhi arin e Shqipërisë bashkë me gruan e tij Geraldinë, djalin, që sapo i kishte lindur, bashkë me një suitë tjetër kusarësh, iku duke lënë një vend e një popull në dhëmbët e një bishe të tërbuar, që historia nuk e kishte njohur asnjë herë më parë. Sot një demagogji e pashoqe po qarkullon.

Demagogë e injorantë të paskrupullt, vrasjen e burrave të shquar nga Ahmet Zogu përpiqen ta quajnë e ta justifikojnë si luftë për pushtet, gjë që është gënjeshtër. Ajo nuk ishte luftë për pushtet, por një luftë për jetë a vdekje e një populli të tërë nën drejtimin e atyre burrave, kundër një regjimi kriminel e gjakpirës, që mbahej në këmbë me dhunë e përdhunë. Është e pafalshme, që sot në këtë 100-vjetor të mënjanohen, duke i hijezuar burrat e shquar të kombit: Luigj Gurakuqi, Avni Rrustemi, Bajram Curri, Riza Cerova e Hasan Prishtina, të cilët kurrë në jetën e tyre nuk e kanë baltosur figurën e tyre me asnjë qëndrim ndaj popullit e atdheut të vet. Ata burra u përpoqën ta forconin pavarësinë e të ruanin tërësinë tokësore shqiptare.

Asnjërin nuk mund ta veçosh nga tjetri, por Luigj Gurakuqi është simbol i mençurisë, i urtësisë, i atdhetarisë, i besës, i trimërisë, i virtyteve më të larta të një burri shteti. Luigj Gurakuqi është një personalitet i rrallë, me të cilin historia e bëri fatlum popullin shqiptar e Shqipërinë. Historia është shkencë. Ajo nuk merret vetëm me përshkrimin e ngjarjeve, por edhe me vlerësimin e tyre. Ajo vërtet përshkruan këtë apo atë luftë, këtë apo atë ngjarje, këtë apo atë kryengritje, këtë apo atë fitore, këtë apo atë humbje, por edhe bën vlerësimin e shkaqeve e pasojave. Kur historia përshkruan gjithçka e konkludon për gjithçka, duke u bazuar në ligjet e zhvillimit të shoqërisë njerëzore, ajo mund të quhet dhe fenolftaleinë për çdo mjedis.

Historia ka quajtur patriotë e atdhetarë gjithë ata që në jetëgjatësinë e tyre nuk i kanë lëvizur pozicionet si kallajxhiu, sa në legen, sa në tepsi e sa në sahan. Vërtet në shpalljen e pavarësisë kanë marrë pjesë shumë burra nga mbarë trevat e Shqipërisë. Ata për atë kohë e për ato veprime janë nderuar e respektuar si patriotë, por atdheu nuk e ka me fushata. Ai kërkon që të jesh gjithnjë e në çdo situatë i vendosur. Lufta nacionalçlirimtare ka qenë e mbetet treguesi kryesor për përcaktimin e figurave pro e kundër atdheut. Kurrsesi e në asnjë mënyrë, historia nuk mund të quajë pozitiv apo negativ një personazh. Personazhet historike vërtet janë komplekse, por analizat e karakterit bëjnë bilancin e nxjerrin konkluzionin.

Nuk mund të quhet pozitiv një personazh që ka marrë pjesë në shpalljen e pavarësisë, por gjatë luftës antifashiste nacionalçlirimtare është bashkuar më fashizmin. Vetëm personazhet e penduar, të cilët në momente të caktuara historike me aktet e tyre heroike i kanë sjellë popullit e atdheut suksesin, mund të rehabilitohen e të renditen mes figurave të shquara. Mit’hat Fashëri, Rexhep Mitrovica, Mustafa Kruja, Xhafer Deva e shumë të tjerë, që u bashkuan me fashizmin duke i dhënë mundësi atij të vrasë, të masakrojë, të arrestojë e të internojë dhjetëra, qindra e mijëra djem, vajza, burra, gra, partizanë e patriotë. Të tillë njerëz janë plehra dhe cilido historian, publicist apo politikan që i glorifikon këto figura, duke u atribuuar vlera patriotike e atdhetare, është dritëshkurtër e nihilist.

1 COMMENT

  1. Ty te lumte o Sule Gosturani,per sa shkruan dhe si shkruan. Shqiptareve ju duhet ndergjegjesim atdhetar ne kohen qe jetojme. Mjaft me llafollogji dhe drejt ne veprime konkrete; se pari te provojme dhe nje here voten e lire te parakoheshme, per te gjetur rugen e mrodhesise. Shembujt nuk na kane munguar per pune te mira duke vene me shpatulla pas murit drejtuesit e prapte te ketij vensi. Shikoni fotografine e me siperme ne kete shkrim dhe nxirni konkluzionin: cmund te presish nga Ai me shoket e tij.
    O sot o KURRE te ngadhnjojme FLAMURE.
    Lidhie e dyte e PRIZRENIT na THERRET.
    Guri Naimit D

Comments are closed.