Ri-hapja e çështjes Azem Hajdari frigon kryeministrin Berisha

0
41


Nga Marjan Gryka

President i Shoqatës “Azem Hajdari”

Shkrimi ka si objekt mos rihapjen e çështjes “Azem Hajdari”, megjithëse zoti Berisha dhe PD e kishin premtuar se do ta bënin një gjë të tillë kur të merrnin pushtetin…

2 prilli është dita e demonstratës së madhe në Shkodër, ku qindra mijra qytetarë të Shkodrës dhe nga shumë krahina përreth u çuan kundër kastës së vjetër të udhëheqjes komuniste duke demonstruar dhe denoncuar manipulimet në zgjedhjet e para pluraliste në Shqipëri.

At’herë klika komuniste që po rrëzohej përdori të gjitha mundësitë që ju dhanë me qëllim që ta ndalonte një demonstratë të tillë, duke arritur deri aty sa të vrasë edhe 4 të rinj shkodranë.

Për ironi të fatit një gjë e tillë u ripërsërit me të gjitha vetitë e një skenari të njëjtë në Tiranë, kur përsëri klika e fundit diktatoriale në Evropë, ajo e Sali Berishës dhe Lulëzim Bashës, vrau katër të rinj, të cilët ashtu si në 2 prill në Shkodër para 19 vjetësh edhe më 21 Janar, kërkuan drejtësi në mundësinë dhe të drejtën e votës së tyre.

I them këto për të vetmen arsye që të kujtoj se në Shkodër at’herë ishte Azem Hajdari ai që në të shumtën e ngjarjes organizoi mitingun e madh popullor kundër regjimit të shpifur dhe të pa dëshirueshëm të Ramiz Alisë dhe ‘Biroistëve’ burokratë që e kishin mbytë vendin për 40 vjet me radhë.

Unë që e njoh nga afër Azemin dhe që kam punuar shumë afër tij, jam i bindur se edhe ai sot po të ishte gjallë, do të ishte në ballë të demonstratave, kundër Berishës, pavarësisht se ky i fundit ishte shok “armësh” i tij, që nga Dhjetori historik.

Pra, desha të kujtoj Azem Hajdarin, që shteti dhe miqtë e tij të Dhjetorit e kanë lënë jo thjeshtë në harresë, por kanë përdorur dhe po përdorin të gjitha mjetet për ta denigruar dhe pse jo edhe për ta injoruar figurën e tij prej kolosi të demokracisë në Shqipëri.

Para së gjithash, më vjen keq që zonja e nderuar F. Hajdari sot merret me çështje të tilla si “Delijorgji”… Kjo zonjë, që kam ngrënë bukë nga duart e saj dhe që i ka jetuar e vuajtur gjërat, bashkë me fëmijët e saj, nuk po kërkon më rihapjen e çështjes së vrasjes së bashkëshortit të saj.

Nuk e di ndoshta ajo si juriste e ka të qartë dhe ka arritur në ndonjë përfundim se nga kush dhe si u vra Azem Hajdari, por do të ishte më mirë që t’ia bënte këtë të qartë edhe publikut të gjerë, dashamirës të ish burrit të saj të nderuar. Ndaj me këtë rast i bëj thirrje zonjës së nderuar dhe të respektuar Hajdari të këmbëngulë që kjo çështje jo vetëm të hapet, por t’i shkohet deri në fund asaj.

Por më duket se Berisha për t’i hedhur pluhurin e harresës, gjithë atyre gjërave, që sipas tij nuk i interesojnë më sot, përdor lloj- lloj mënyrash, një nga të cilat është “specialiteti” i tij është edhe konkretisht shikoj sot zotin Artan Broci, vëllanë e dëshmorit të 2 Prillit Arben Broci, duke u marrë me çështjen e z.Fazlliç e kompani. Si i tillë ai nuk ka kohë të ngrejë zërin për të rihapur hetimet për 2 prillin !!!!.

Por siç shihet asgjë nuk mund të ndodhë sa të jetë Berisha në pushtet, pasi ai duket se e ka moto të tij mashtrimin para se të marrë votën.

Kryeministri i tanishëm kishte premtuar se do të bënte të pamundurën sa të vinte në pushtet për rihapjen e zbardhjen e çështjes së ish deputetit z. Azem Hajdari.

Por të njëjtën gjë kishte premtuar në vitin 1992 kur do të hapte gjoja hetimet për ngjarjen e 2 prillit.

Të gjithë shqiptarët kujtojnë atë ditë të 14 shtatorit, kur Berisha dhe gjithë lakejtë e tij u vunë mbas shtratit që mbante Azem Hajdarin dhe po thërriste se ‘Nano dhe Gjinushi janë ata që e kanë vrarë liderin e demokracisë’. Koha tregon se në as një moment nuk u vërtetua kjo dhe kurrë as vetë Z. Sali Berisha nuk u ingranua në një hetim të tillë.

Përkundrazi, kryeministri, ish0 shefi i opozitës në atë kohe, si për “çudi” të të gjithëve nuk mori pjesë fare në procesin hetimor dhe gjyqësor për vrasjen e Azem Hajdarit, por akuzonte kryeprokurorët, herë Arben Rakipin e herë Dhori Sallakun dhe sot “laviren e bulevardit” Znj. Ina Rama (kjo e thënë nga zoti Berisha), ish Silvia Konti!!!!

Sot Berisha ka në gjirin e tij pikërisht Neritan Cekën, atë që kur gëzonte postin e ish Ministrit të Brendshëm, i bëri atentat 7 here Azem Hajdarit (si në ngjarja e Milotit, etj).

Sot mbas 13 vjetësh mendoj se ka ardhur koha t’i themi gjërat troç dhe pa as më të voglin ngurrim e komplikacion….

Unë paraprakisht dua të bëj me dije të gjithë opinionin publik dhe sigurisht në mënyrë të veçantë zotin Sali Berisha se do të paraqes në kohën më të afërt 4 video filmime me fjalime, biseda dhe fakte. Aty do të tregohet qartë se Z. Sali Berisha nuk ka dashur kurrë ta zbardhë vrasjen e Azem Hajdarit, gjë e cila ndodh për shumë arsye, por arsyen e vërtetë dhe me domethënëse të këtij mbulimi e di vetëm Kryeministri aktual.

Mendoj se krahas arsyeve teknike si:

1- Azem Hajdari ishte një pengesë e madhe në rrugën për konsolidimin e diktaturës berishiane në Shqipëri.

2- Zbardhja e të vërtetës do të çonte në zbardhjen e implikimit të vetë udhëheqjes së atëhershme të PD në atë vrasje.

3- Zbulimi i së vërtetës do të çonte në bankën e të akuzuarve, shumë persona, që sot po i bëjnë temena dhe po e mbështesin në qëllimet e tij anti- demokratike dhe anti- vlerash kryetarin e PD dhe kryeministrin Berisha.

…Ka edhe arsye politike që e “detyrojnë” Berishën ta fshijë nga memoria Azem Hajdarin.

Të tilla arsye janë:

1- Vetë Azemi ishte një i djathtë tipik i pazëvendësueshëm dhe nuk pajtohej me arnimet karrieriste që bënte Berisha vetëm për të marrë votën dhe nuk zbatonte asnjë premtim ndaj elektoratit. Pra, një rehabilitim i figurës së Azemit, do të nxirrte zbuluar busullën me të cilën drejtohet sot PD dhe vendi ynë në tërësi.

2- Shembujt janë në mendjen e njerëzve të thjeshtë pasi vetë Azemi ishte në ballë të shumë demonstrimeve anti- Berishë që atëherë, deri sa u bë njësh me grevën e urisë së minatorëve në 1996 dhe me Sindikatat e Pavarura për të rrëzuar qeverinë e PD- ku Berisha e përjashtoj Azemin nga PD-ja, e shkarkoi nga funksioni i Kryetarit të Komisionit të Rendit e SHIK-ut dhe Azemi u deklarua deputet i pavarur dhe me plot sulme te egra e survejime nga i ndjeri Z. Bashkim Gazidede, derisa arriti kulmin dhe forcat e rendit ndërhyjnë në një takim me sindikatat në Korçë për të na arrestuar, situata degjeneroi deri aty sa ne dhe vetë Azemi kaluam në përleshje fizike, urdhri ish dhënë nga lart nga vete ish Presidenti i Republikës së Shqipërisë të asaj kohe.

3- Azem Hajdari përbënte vlerë të madhe në PD, dhe sot ato që ai predikonte atëherë janë fshirë dhe janë zëvendësuar me mendësi social-fashiste, që nuk kanë asgjë të përbashkët me idealet e Dhjetorit të madh.

Bëra një panorame të shkurtër ngjarjesh për ta bërë lidhjen e qartë me veprimet e sotme denigruese të Berishës dhe pushtetit të tij. Piramida e ish diktatorit Hoxha, dikur me të drejtë u emërtua me emrin e te ndjerit z. Pjetër Arbnori. Sot Berisha kërkon që para saj (pasi të bëhet Parlamenti i Ri) dhe të vendosë bustin e Azem Hajdarit, pra me kolosin e vuajtjeve të diktaturës z. Pjetër Arbnori dhe me nderin e kombit z.Azem Hajdari, Berisha kërkon të nëpërkëmbë figurat e këtyre heronjve që kanë lënë gjurmë në historinë e demokracisë shqiptare dhe t’i krahasojë me një tender parlamenti që të mbushë arkën e tij.

Po pse duhet kaq shume kohe pritje? Pse nuk e vendosin bustin e Azemit sot tek parlamenti i vjetër, aty ku ai me shumë shokë demokratë të ndershëm, i bënë luftë ballë përballë mbetjeve të regjimit komunist, me trimëri dhe vendosmëri?

Pse nuk vendoset busti pikërisht aty ku ai u vra? Ose aty ku Shoqata “Azem Hajdari” e ka propozuar prej kohësh, në Qytetin Studenti!

Por cili është qëllimi Z. Berisha për këto që bën ndaj Azemit.

Mendoj se qëllimi kryesor është denigrimi dhe injorimi total i figurës së tij, duke marrë hak për atë që simbas tij i ka bërë Azemi dikur kur ishin shokë armësh në luftën kundër diktaturës.

Dikur edhe mund të kishte skeptik në radhët e së djathtës për ndonjë veprim të Azem Hajdarit, i cili e cilësonte Berishën si njeri autoritar dhe pse jo diktator në shumë raste.

Unë personalisht zotëroj disa kaseta kur zoti Hajdari, në takimet me sindikatat, ka folur hapur për Sali Berishën, duke e quajtur karrierist dhe i pa denjë për të çuar përpara kauzën e së djathtës së vërtetë shqiptare. Këto kaseta nuk janë bërë publike, por siç duket ka ardhë koha që ato t’i paraqiten opinionit publik shqiptar.

Koha vërtetoi që Azemi kishte shumë të drejtë pasi sot duket se në ç’gjendje është katandisur Partia Demokratike.

Thirrjet dhe çjerrjet e Berishës se Lulëzim Basha është ndër njerëzit më kryesor të Partisë Demokratike, një njeri që nuk ka dhënë asnjë dite kontribut në PD dhe nuk ka ditur kurrë se nga i bie selia e PD, sot figura kryesore e makinacioneve të mbrapshta dhe te pabesa të Berishës, tregojnë se pikërisht janë njerëz si z.Basha që nuk kanë asnjë lidhje me PD, që sot janë bërë të dobishëm për Berishën, por kurrsesi nuk i shërbejnë PD. Akuzat që opozita dhe populli opozitar (edhe ai i djathtë i vërtetë) i bën sot Bashës, si vjedhës dhe shpërdorues te postit, deri edhe vrasës (kam parasysh 21 Janarin), tregojnë se interesat e familjes Berishiane janë të lidhura me njerëz të tillë që për pak kohë në politik kompromentuan gjithë vijën dhe drejtimin e PD, duke e katandisur në një parti oborri dhe aspak kolegjiale dhe udhëheqëse për të djathtën shqiptare.

Partia Demokratike e Berishës sot ka në gjirin e saj Imamër gjeneralë të ’97-ës apo Cekat, etj, të cilët kanë një histori komplotuese ndaj aspiratave të PD, por edhe ndaj udhëheqjes së saj. Kur ishte në vitin 1997 Ministër i Brendshëm Neritan Ceka, unë jam dëshmitar që ishin plot 7 atentate që u bënë ndaj Azemit. Po kujtoj këtu edhe atentatin që iu bë Azem Hajdarit në Milot. Këto akuza i ka bërë vetë të qarta Azemi kur ishte gjallë.

Bashkë me Imamin dhe një sërë I-sha nga PD dhe aleatët e saj, si reformatori i madh Pollo, sepse natën kur u vra Azemi ishte në PD! Kur e nuhatën se shtetin po e merrte rrokullima dhe gremina, iu kundërvunë edhe me pushkë Berishës dhe Azem Hajdarit!

Por karrierizmi i Berishës sot dhe pushteti i vjedhur nuk i bëjnë përshtypje për këto, dhe Cekën edhe Imamin i ka si ekzemplarë kryesor të PD-së së tij (por jo të masës së madhe demokrate të djathtë që shpreson akoma tek PD).

Sot Berisha të majtën e quan armike të kombit, në një kohë që e vërteta është se e majta është kundërshtare e së djathtës, por aspak armike në demokraci.

Populli helmohet përditë me këto konstatime të rrejshme, duke i thënë se armiku i tij është Edi Rama apo Partia Socialiste, ku sot për sot armiku numër një në Shqipëri është skamja dhe varfëria.

Të djathtët sot janë shumë të indinjuar nga mënyra se si po trajtohen me stade klienteliste dhe miqësira, pa pasur parasysh as një gjë nga ato që hoqën për 45 vjet në komunizëm.

Zgjedhjet që po afrohen janë zgjedhje që edhe njëherë nuk do ta tregojnë të vërtetën e votës në Shqipëri, pasi vetë Berisha dhe kasta e tij po përpiqen që tani edhe këtë herë t’i vjedhin.

Edi Rama në Tiranë ka fituar gjithmonë! Pra, Tirana ta ka dhënë përgjigjen ty vite me radhë, pavarësisht se jemi plot veriorë në Tiranë! Poooooooooooor Tirana është e tiranasve, dhe do fitojë edhe këtë radhë, jo se ka program dhe është burrë i mirë, por janë të djathtët ata që do ta votojnë, si kundërpeshë e zullumeve të tua të herëpashershme ndaj kësaj shtrese të ndjeshme dhe të brishtë të shoqërisë shqiptare. Gjithmonë kuptohet nëse do këtë zgjedhje me 8 maj sepse ti nxjerr gërdecë të tjerë, 21 janarë të reja. Pra piramida e vetme në këtë vend që duhet të shembet je ti, e jo piramida që mban emrin e z. Pjetër Arbnori.

– Pse, sot 6 vjet që je në pushtet, nuk ke marrë as nismën më elementare, që çështja “Hajdari” të ridalë në skenë, fillimisht për hetime të mëtejshme dhe më pas për një gjyq të drejtë ndaj atyre që e kanë bërë këtë krim??

– A do të vazhdosh ta ofendosh akoma më shumë emrin e Azem Hajdarit me makinacionet e tuja politike duke bashkëpunuar me ata që vetë i akuzove për vrasjen e tij?

Hapet apo jo çështja Hajdari, të jetë i sigurt kryeministri, se një ditë edhe ai do të japë llogari, të paktën se si e trajtoi këtë vrasje, që me të drejtë është quajtur nga shtypi i huaj si “vrasja e shekullit”.

Si përfundim po i drejtohem direkt Sali Berishës duke përmbledhur të gjitha ato që thashë:

– Kush e vrau Azem Hajdarin zoti kryeministër, ish shok i tij?

– Pse nuk pranove dhe nuk shkove në gjyqin për të zbardhur ato që dije (siç i the disa minuta mbas vrasjes?)

– A vazhdon të mendosh sot, apo i merr pas ato që the se Fatos Nano dhe Skender Gjinushi fshiheshin mbas dorës gjakatare që vrau Azem Hajdarin?

– Pse nuk e vendose kurrë bustin e Azem Hajdarit në një vend që atij i takon, si para parlamentit apo aty ku ai u vra?

– Sa do t’ju dëmtonte, ose jo, juve dhe bashkëpunëtorëve të tu zbardhja e së vërtetës së madhe?

***

Unë si kryetar i shoqatës ‘Azem Hajdari’ me plot gojën sot ju akuzoj si bashkëpunëtor në këtë vrasje, pasi vetëm ashtu mund të shpjegohen veprimet e tua për ta përdorur vrasjen e tij si kapital politik dhe për ta rihedhur në skenë kur ty të duhet ky kapital dhe jo për ta nderuar atë. Shembull është edhe ajo që përgatisni të bëni duke dashur të vendosni bustin e tij para parlamentit të ri që do të ndërtoni, në vendin e piramidës që i kishit venë emrin e të nderuarit Pjetër Arbnori.

Nuk du t’ju kujtoj dhe rikujtoj , por ju bëj thirrje sot më shumë se kurrë që të përdorni gjithë autoritetin tuaj ligjor, dhe pse jo edhe moral (po ju ka mbetur), për rihapjen e çështjes “Hajdari”.

Vetëm në këtë mënyrë ju do të tregoni se keni dëshirën të jeni pjesë e zbulimit të së vërtetës.

Ndryshe do të vazhdoni t’i bëni dashamirësit e Azemit dhe gjithë të djathtët e vërtetë që të besojnë se ju keni gishtin dhe dorën tuaj të paktën në mbulimin e së vërtetës për vrasjen e këtij kolosi të demokracisë shqiptare.

Në pritje të veprimeve tuaja konkrete shoqata ‘Azem Hajdari’ do të vazhdojë të kërkojë zbardhjen e së vërtetës ligjërisht, pasi tashmë gojarisht dhe praktikisht të gjithë e kanë të qartë se kush e vrau Azemin dhe kujt nuk i intereson zbardhja e së vërtetës!