Rezoluta: Probleme me politikën, zgjedhjet, reformat, korrupsionin dhe median

0
58

Pamje nga Parlamenti Evropian

Arta Tozaj, Bruksel

Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Nikolaos Chuntis, ka përpiluar një projektrezolutë mbi ecurinë e vendit drejt Bashkimit Europian. Që në fillim të dokumentit shprehet keqardhja për krizën politike dhe institucionale që pas zgjedhjeve të fundit. Duke u bazuar në vlerësimin e OSBE/ODIHR se zgjedhjet përmbushën pjesën më të madhe të standardeve, drafti tërheq vëmendjen për parregullsitë e vërejtura, “në veçanti për transparencën e procesit, presionin dhe trembjen e votuesve, regjistrimin e zgjedhësve dhe mbi monitorimin e numërimit të votave”, duke i bërë thirrje të gjitha partive politike që përmes një dialogu konstruktiv të eliminojnë të gjitha këto probleme përpara zgjedhjeve lokale të vitit 2011.

Për autorët e parregullsive nënvizohet nevoja urgjente e ndëshkimit efikas. Projektrezoluta e Parlamentit Europian thekson se reformat politike, ekonomike dhe sociale kanë nevojë për konsensus ndërparlamentar. E në lidhje me reformat, vlerësimet nuk duken optimiste. Për ekonominë, Shqipëria sipas dokumentit, “karakterizohet nga rritje e ulët ekonomike, me informalitet të stërmadh, çfarë çon në të ardhura të ulëta nga taksat dhe në një treg të parregullt pune. Kjo, për pasojë, nxit pasiguri në punësim dhe dëmton në mënyrë thelbësore të drejtat e punëtorëve”.

Në gjyqësor, i cili çmohet si kusht paraprak për integrimin, përpjekjet cilësohen fillestare. Dokumenti nënvizon se “me rëndësi madhore për shtetin ligjor është garantimi i sistemit gjyqësor të paanshëm, transparent, efikas, të pavarur nga kontrolli dhe presionet e qeverisë”. Ndërkohë që përsëritet thirrja për pavarësinë e institucioneve kushtetuese. Për administratën, përforcimi i së cilës përbën një tjetër kusht thelbësor, drafti vlerëson se autoritetet shqiptare duhet t’i japin fund praktikave të punësimit të stafeve të përkohshme në kundërshtim me ligjin dhe t’i kushtojë vëmendje rrezikut të emërimeve politike me procedura jotransparente. Qeverisë shqiptare i kërkohet po ashtu të respektojë plotësisht të drejtat e sindikatave, të mos bllokohen aktivitetet e tyre dhe të mos kufizohen grevat e shërbimit civil.

Nga autoritetet vendase kërkohet dhe garantimi i lirisë së medias nga “politika, përfshi këtu dhe atë nga ekzekutivi, apo çfarëdolloj ndërhyrjeje tjetër”, siç thuhet në dokument. Bëhet thirrje për transparencë ndaj financimit dhe pronësisë së medias, vendosjen e të drejtave të punës për gazetarët, për t’u mundësuar atyre që të punojnë me objektivitet e të pavarur. Sipas raportuesit për Shqipërinë në PE, Chuntis, korrupsioni mbetet problem mbizotërues në vend me të gjitha hapat e ndërmarrë nga qeveria. Bëhet thirrje për më shumë përpjekje në luftën kundër krimit të organizuar, pastrimin e parave, trafikun e drogës e qenieve njerëzore.

Shqetësim serioz përbën dhuna në familje dhe trafiku i grave dhe fëmijëve për shfrytëzim seksual e punë të detyruar. Dy pikat më pozitive të projektrezolutës janë thirrja e Parlamentit Europian për liberalizimin e shpejtë të vizave, si dhe vlerësimi i raporteve të Shqipërisë me fqinjët në rajon. Projektrezoluta me 25 paragrafë do të diskutohet fillimisht në Komitetin e Jashtëm, ku pas ndryshimeve që do të mund të kërkojnë grupimet e ndryshme politike, do të kalojë për votim në seancë plenare të Parlamentit Europian.