Prec Zogaj, 12.07.2010
Me rezolutën e fundit, Parlamenti Europian ringriti edhe njëherë në këmbë shpresën e rrëzuar për hetimin e zgjedhjeve shqiptare të 28 qershorit.
Si në asnjë dokument tjetër të mëparshëm të institucioneve europiane, rezoluta jep, sugjeron dhe propozon kuadrin e një marrëveshjeje të ndershme, që do të mundësonte transparencën e famshme të kutive të votimit. Një komision me shumicë opozitare, që drejtohet nga opozita dhe që heton materialet zgjedhore- këtë thotë Parlamenti Europian.
Këtë kërkon që prej një viti opozita shqiptare, me të gjitha format dhe mjetet e luftës politike demokratike, duke përfshirë bojkotin e Kuvendit, protestat popullore, nismat parlamentare, grevën e urisë, dialogun me lidershipin e shumicës.
Edhe më parë, në instanca të tjera, formula e zgjidhjes së krizës shqiptare është vërvitur në këto terma, por pa i zhvilluar dhe pa i përmbledhur në një dokument të votuar. Rezoluta e fundit e shpreh më qartë se herë të tjera formulën e hetimit.
Rëndësia e saj rritet për shkak të peshës që ka Parlamenti Europian, si parlament i zgjedhur, në krahasim me Këshillin e Europës apo me forumet politike që janë shprehur gjer me sot me shkrim për krizën tonë. Rezoluta e vë pikën mbi “i” kur ngulmon te nevoja e hetimit të zgjedhjeve të kaluara.
Kjo është shumë e rëndësishme në kontekstin e dështimit të freskët të Strasburgut, si përpjekje e ndërmjetësuesve Daul dhe Shulz për të shtyrë Berishën dhe Ramën drejt një marrëveshjeje.
Ashtu siç u tregua në Tiranë nga Daul , qe krijuar përshtypja se Strasburgu nuk e kishte hallin te shkaku i krizës, por te mjetet që po përdorte opozita e Shqipërisë në luftën e saj. Kjo ishte dëshpëruese, por ishte edhe një ogur i keq për krizën e pazgjidhur. Për fat, rezoluta e Parlamentit i nxori edhe njëherë nga “harrimi” hetimin e materialeve zgjedhore.
Dhe s’mund të ndodhte ndryshe: pa hetim, s’ka zgjidhje të krizës. Hetimi pa materialin zgjedhor është si mulliri pa ujë.
Duke thënë disa fjalë të mira për rezolutën, ne e dimë se nuk është rasti për të kënduar ndonjë fitore. Jemi djegur në të kaluarën e afërt dhe të largët me rezoluta që kanë ngelur në letër. Tani pakkush beson, pa i parë me sy rezultatet.
Fakti që qeveria dhe opozita e përshëndetën njëlloj, si përherë, si ta kishte porositur secila sipas shijeve të veta, tregon se kjo rezolutë nuk dallon nga të tjerat përsa i takon frazave sferike, që janë transheja më e mirë për mendjen dinake.
Asgjë e re nën këtë diell vere! Megjithatë, duan, s’duan, palët politike do të duhet që në një të ardhme të afërt t’i lenë mënjanë fjalët dhe të përballen me veprime dhe qëndrime konkrete në lidhje me kërkesat konkrete të rezolutës së miratuar.
Si do të realizohet hetimi i zgjedhjeve ashtu siç e kërkon Parlamenti Europian? Cila është rruga e re që do të ndiqet, pas dështimit që ka njohur kjo nisëm në Kuvend në prill të këtij viti? Në prononcimin e tij për rezolutën, Berisha ka qenë më i hapur se disa javë më parë në lidhje me hetimin e materialeve zgjedhore.
Ai e ka mësuar publikun të gjejë gjithnjë një yckël për të mos e bërë atë që i kërkohet atij dhe vendit të tij për transparencën. Kjo shaka nuk mund të përsëritet me sukses pa fund. Si rregull, i takon qeverisë të jetë nismëtarja e implementimit të rezolutës së Parlamentit Europian. Publiku po pret, edhe pse ka pak gjasa që kjo të ndodhë. Janë shumë arsye.
Vetë kriza e ka djegur njëherë zellin e qeverisë për të ngritur një komision hetimor pa opozitën. Nga ana tjetër, nuk është e sigurt se Berisha vazhdon ta ketë në qendër të vëmendjes çështjen e kutive, ndërkohë që ekonomia po e tradhton në shumë drejtime qeverinë e tij. Në këto kushte, Berisha do të vazhdojë të jetë i disponueshëm me fjalë, duke nxjerrë vazhdimisht pengesa, në pritje të vizave dhe ndonjë mrekullie tjetër.
Nëse qeveria mendon se mund të vazhdojë me shtyrje kohe, opozita nuk ka arsye të presë qeverinë. Kriza ekonomike mund të mos i japë kohë as opozitës nesër pasnesër për veprime të tjera, prandaj është pikërisht tani momenti për të marrë nismën dhe për të paraqitur në Kuvend një projektvendim të ri në bazë të rezolutës së Parlamentit Europian, ku të përcaktohet edhe objekti i hetimit.
Nisma mund të mos funksionalizohet këtë sesion për shkak të mbylljes së Kuvendit pas pak ditësh, por ajo mund të paraqitet që tani për t’u shqyrtuar në shtator. I njëjti projektvendim mund të sqarojë se çfarë quhen materiale zgjedhore në kuptimin e gjuhës shqipe dhe Kodit Zgjedhor.
A do të konsiderohet nisma e re e opozitës nga shumica? Kjo betejë e re zhvillohet në sytë e një jurie politike me të gjerë dhe më të lartë se ajo që na ka vëzhguar deri me sot. Diçka mund të arrihet, sado që dora në zjarr nuk vihet. Por pavarësisht nga kjo, opozita e ka të detyrueshme të lëvizë në këtë pistë.
E thërret rezoluta e Parlamentit Europian. E thërret kauza e saj, mbështetësit e saj, ata që kanë protestuar dje e që do te protestojnë sërish nesër pasnesër kur të shohin se opozita e vendit nuk po ia del as kur paraqet në Kuvendin e Shqipërisë vizionin e Parlamentit Europian për hetimin e zgjedhjeve.
Kjo nismë është e rëndësishme edhe për të prapësuar akuzat që i bëhen opozitës dhe lidershipit të saj nga drejtime të ndryshme, sikur ata ndihen të shpaguar me çfarë kanë arritur gjatë një viti, se nuk duan më të hetojnë, por të mbajnë këtë gjendje.
“Carpen diem” (kape ditën), është një frazë e famshme e Horacit romak, që shpreh një filozofi të caktuar të sjelljes në jetë. Konteksti ka qenë dhe mbetet i gjerë, i ndryshueshëm. Por fraza mund të përdoret për të nënvizuar rëndësinë e momentit për opozitën e sotme. “Carpen diem” për rezolutën e PE-së.