REZOLUTA E PE: TË HAPEN KUTITË

0
37

Andrea Stefani

Andrea Stefani, 13.07.2010

Kryeministri Berisha po bën gjithçka që të kapërcejë krizën politike duke mos lejuar hapjen e kutive të votimit, gjë që sa më shumë kohë kalon, përforcon dyshimin mbi vjedhjen e zgjedhjeve të 28 qershorit. Mbështetje e fuqishme e Berishës në këtë strategji penguese për transparencën e plotë të zgjedhjeve në Shqipëri, janë bërë një numër parlamentarësh konservatorë të partive popullore.

Pasi kanë promovuar deri në absurd tezën kundërthënëse se transparenca duhet bërë vetëm në përputhje me Kushtetutën, tani së fundi, sapo kanë tentuar t’i krijojnë Kryeministrit mundësinë që ta pengojë transparencën duke kërkuar, këtë herë, që ajo të bëhet vetëm në përputhje me rezolutën e Parlamentit Europian (PE). Ende pa u publikuar teksti i rezolutës, mbështetësit e qeverisë nisën të propagandojnë se ajo nuk lejon hapjen e kutive të votimit, por vetëm kutitë e materialeve zgjedhore. Pse? Sepse në rezolutën e PE thuhet shkoqur që një komision parlamentar hetimor, i kryesuar nga opozita, duhet të hetojë zgjedhjet parlamentare të vitit 2009 duke pasur mandat të hetojë edhe materialin zgjedhor (elektoral material).

Sipas mbrojtësve të pozicionit qeveritar kundër transparencës, termi “material zgjedhor” përjashton hapjen e kutive të votave. Madje, Kastriot Islami, në një artikull të tij, këmbënguljen e opozitës për një transparencë që synon edhe kutitë e votave, e quajti keqinterpretim të rezolutës së PE. Në fakt ashtu është. Veç jo nga ana e opozitës, por nga vetë Islami dhe të gjithë ata që duan ta kthejnë transparencën në një farsë që jo vetëm nuk e denoncon, por e maskon vjedhjen e votës.

* * *

Islami, dhe para tij edhe deputetë të mazhorancës, kanë “argumentuar” se neni 178/6 i Kodit Zgjedhor e qartëson përfundimisht problemin, duke ndarë kutitë e materialeve zgjedhore nga kutitë e votimit. Në fakt nuk rezulton fare ashtu. Neni bën fjalë për ruajtjen e dokumentacionit pas përfundimit të zgjedhjeve. Gjithçka, në këtë nen, cilësohet si “dokumentacion” dhe në të përfshihen, ndër të tjera, edhe “të gjitha kutitë e vulosura të votimit me procesverbalet e votimit, vulën e komisionit, fletët e votimit të përdorura në zgjedhje, si edhe fletët e votimit të papërdorura”.

Nuk shihet askund ndonjë diferencim i dokumentacionit në “material zgjedhor” dhe pjesën tjetër që nuk përfshihet në këtë kategori. Por në një nen tjetër të Kodit Zgjedhor flitet më troç për “materialet zgjedhore” që mbrojtësit e qeverisë nuk e përmendin, ndonëse duan ta pengojnë transparencën duke u bazuar pikërisht te “magjia” e termit “materiale zgjedhore”.

Është fjala për nenin 138 që udhëzon se si duhet bërë “këqyrja e materialit zgjedhor”. Termi është i njëjtë me atë të përdorur në rezolutën e PE. Dhe mësojmë se “për nevojat e hetimit administrativ KQZ… këqyr dokumentacionin dhe materialin zgjedhor që ndodhet në kutinë e materialeve zgjedhore dhe/ose kutitë e votimit e fletët e votimit, si dhe çdo dokumentacion apo material tjetër zgjedhor”. Pra këqyr materialin zgjedhor që ndodhet në kutinë e materialeve zgjedhore dhe/ose në kutitë e votimit. Ritheksojmë se Kodi bën fjalë për “material” zgjedhor që ndodhet jo vetëm në kutinë e materialeve zgjedhore, por edhe në kutitë e votimit.

Duket se ky ka qenë edhe shqetësimi i Berishës, që e detyroi deri edhe zv.presidentin e PE, Libor Roucek, që tamam si një kopje “europiane” e deputetëve automatë të shumicës në Kuvendin e Shqipërisë, të kërkojë në përputhje me vullnetin e Berishës që në rezolutën e PE hetimi i “të gjitha materialeve zgjedhore” të ndryshohet në hetim të “materialit zgjedhor”. Episodi tregon vetëm se Roucek ka marrë instruksione shumë të sakta nga lobi berishist, por korrigjimi që Roucek i bëri rezolutës nuk duket se e shpëton Berishën. Përkundrazi, ia ka vështirësuar kundërshtimin me sukses të transparencës. Dhe ja sepse:

* * *

Në nenin 114 të Kodit Zgjedhor bëhet fjalë përsëri për “kutitë e votimit” dhe për “kutitë e materialeve të votimit” (jo për kuti të materialeve zgjedhore), po nuk thuhet kurrkund se “kutitë e votimit” nuk përfshihen në kategorinë “material zgjedhor”. Avokatët e qeverisë, qëllimisht, citojnë në mënyrë të shkëputur dhe jashtë kontekstit të Kodit vetëm një nen të tij, atë 178/6. Por po ta marrësh Kodin Zgjedhor në tërësinë e tij organike, ai flet ndryshe nga “islamët”. Për shembull, Kapitulli IV i Kodit bën fjalë për “dorëzimin e materialeve zgjedhore”.

Dhe kur lexon nenet e këtij kapitulli kupton se në “materiale zgjedhore” përfshihen “kutitë e votimit me fletët e votimit” dhe “kutitë me materialet e votimit”. Sipas këtij kategorizimi që u bën dokumenteve Kodi Zgjedhor, rezoluta e sapomiratuar e PE, krejt në kundërshtim me ato që thonë mbrojtësit e qeverisë dhe Kastriot Islami, jo vetëm që nuk e pengon hapjen e kutive të votimit, por e bën atë të domosdoshme. Sepse ato kategorizohen si “material zgjedhor”.

Si një Shaljok i politikës, Berisha u përpoq të përdorë miqtë e tij konservatorë për ta shndërruar rezolutën e PE në një “senet” vështirë të kapërcyeshëm nga opozita. Por gjërat duket se po i kthehen kundër. Po si Shaljoku Berisha do kuptojë shumë shpejt se ka nënshkruar një “bond” që i kthehet si bumerang. Ai mund të refuzojë hapjen e kutive të votimit, por këtë duhet ta bëjë jo në dhunim të Kodit Zgjedhor. Gjë që është e pamundur, sepse ndërsa rezoluta e PE kërkon hetimin e “materialit zgjedhor”, Kodi i klasifikon pikërisht kutitë e votimit si “material zgjedhor”.

Berisha gjendet në pozicionin e Shaljokut, që me kontratë kishte të drejtë të merrte një pond mish nga gjoksi i tregtarit Antonio, por pa derdhur një pikë gjak. Dhe ashtu si Shaljoku nuk mund të priste një copë mish nga gjoksi i tregtarit pa derdhur një pikë gjak, ashtu edhe Berisha nuk mund të ndalojë hapjen e kutive të votave pa dhunuar Kodin Zgjedhor. E gjithë dredhia e Berishës ishte, që në bashkëpunim me miqtë e tij konservatorë, ta vinte opozitën shqiptare përballë dhe në konflikt me rezolutën e Parlamentit Europian. Por duket ka rënë vetë brenda kurthit që kish përgatitur për të tjerët.