Rezart Taçi, biznesmeni i Familjes Berisha sulmon drejtorin e gazetës Tema

0
33

Mero Baze, goditet nga Rezart Taçi

Nga Tema

Biznesmeni i Familjes Berisha, Rezart Taçi sulmoi mbrëmë vonë në një nga lokalet e Tiranës, drejtorin e gazetës Tema dhe drejtuesin e emisionit Faktori Plus, Mero Baze.

Baze ndodhej nën shoqërinë e drejtuesit të emisionit Zonë e Ndaluar, Andi Bushati në momentin kur është sulmuar nga Taçi dhe truprojat e tij. Taçi e ka goditur Bazen pasi ka lëshuar një lumë sharjesh ndaj tij.

Gazetarët e shumtë që kanë takuar Bazen pas ngjarjes së rëndë thonë se sulmi është një goditje ndaj fjalës së lirë. Policia ndërkohë ka nisur hetimet për këtë ngjarje pas padisë së depozituar.

* * *

Gazeta Tema ishte e para që nisi serinë e denoncimeve të forta ndaj biznesmenit Rezart Taçi. E vetme në betejën ndaj piramidës më të re që po ngrihej në Shqipëri nën ndikimin e Familjes Berisha, ajo denoncoi skandalin me tenderin për blerjen e kompanisë ARMO. Taçi arriti të marrë këtë kompani pa paguar asnjë lek, vetëm për shkak se pas tij qëndronte Argita Malltezi, që me studion e saj ligjore kishte përgatitur këtë vjedhje të hapur të shtetit.

Tema dhe Faktori Plus e ndoqën hap pas hapi ngritjen e një biznesmeni që po kapte shtetin, vetëm sepse pasi tij qëndronte Berisha. Ai arriti që të monopolizonte tregun e naftës, me një vendim antikushtetues të kryeministrit Berisha, por nuk u mjaftua me kaq. Taçi nisi të bëjë kontrabandë masive, krejt hapur dhe kush guxonte ta pengonte në rrugën e tij, haste në dhunë. Kështu ndodhi me disa doganierë në Vlorë që synuan të pengojnë një anije të tij të shkarkohet në port pa paguar taksa. Truprojat e tij dhunuan fizikisht ata që pengonin punën e tyre.

Kapja e Taçit ndaj shtetit vijoi për shumë kohë deri para pak kohësh kur tatimorët “u kujtuan” se duhet të bëjnë detyrën dhe të kërkojnë nga Taçi që të paguajë taksat.

Tatimorët i bllokuan atij aktivitetin, por në mënyrë krejt të pashembullt ai përdori policinë e shtetit kur tyre. Më pas me dhunë ai u fut në ambientet e bllokuara nga tatimorët. Kryeministri Sali Berisha, që flet për tolerancë zero ndaj krimit, korrupsionit dhe shkeljeve, nuk foli asnjë fjalë për këtë skandal të denjë për vende afrikane.

Por Taçi, tashmë që ka vënë poshtë shtetin, synon të trembë të vetmin zë që mund t’i kundërvihet fuqisë së tij kriminale.

Gazeta Tema garanton shqiptarët dhe lexuesit e saj se në misionin e saj nuk do të stepet nga askush, sado mbështetje politike të ketë.

* * *

Para disa ditësh Reporterët pa Kufij e renditën Shqipërinë të fundit në Europë përsa i përket lirisë së shtypit me përkeqësim të ndjeshëm në krahasim me vitin e kaluar.

Kryeministri u mburr se kjo nuk vinte për shkak të tij, edhe pse raporti e thoshte qartë që qeveria po bën presion selektiv ndaj medieve.

Rasti më i fundit i sulmit ndaj medieve, bërë nga një biznesmen bandit i qeverisë, sigurisht është frymëzuar në ambientet të larta të pushtetit ekzekutiv. E gjithë fryma e urrejtjes dhe përndjekjes që përçon kryeministri Sali Berisha tek vasalët e tij po dëshmon se liria e medias po vuan.

Në fillim të këtij viti, makina e botuesit të gazetës Tema u dogj, ndërsa policia kurrë nuk tentoi të zbardhë të vërtetën, por synoi ta mbulojë atë.

Në këto kushte, kur zërat mediatikë kundër kësaj qeverie janë të pakët, ne sërish jemi të vendosur në misionin tonë që këtë vend të mos e lëmë në mëshirën e banditëve.