Prapavija e lavdëruesve
Një italian, i quajtur Luka Volonte, dhe një anglez, i quajtur Simon Montefiore, të cilët para pak ditësh i pashë sa herë në televizionet e Tiranës, sidomos në televizionet që këndojnë këngën e qeverisë, ma përkujtuan profesorin e shkollës së mesme, njëkohësisht shkrimtar humorist dhe satirik, Tajar Hatipin. Tajar Hatipi ishte profesor në Shkollën Normale të Prishtinës dhe unë kisha pasur fatin të isha njëri prej shumë nxënësve të tij në këtë shkollë të mesme. Tajar Hatipi ishte elbasanas, kishte kryer Normalen e Elbasanit, gjatë Luftës së Dytë Botërore ishte dërguar si mësues në Kosovë dhe, mandej, kur ishin prishur marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë komuniste dhe Jugosllavisë komuniste, kishte mbetur në Prishtinë.
Tajar Hatipi ishte njëri nga ata profesorët të cilët nxënësit e tyre nuk i harrojnë kurrë. Ishte i veçantë me shumë çka. Megjithëse kishte mbaruar vetëm shkollën e mesme, por çfarë shkolle të mesme se – Normalen e lavdishme të Elbasanit, ai shkëlqente në mesin e profesorëve tanë të tjerë, të cilët kishin kryer fakultetet në kryeqendrat e disa republikave të Jugosllavisë.
Nuk duhej të dëgjoje shumë ligjërata të tij për t’u bindur se sa të gjera e se sa të gjithanshme ishin dijet e tij nga historia kombëtare dhe evropiane, nga letërsia, filozofia, logjika, muzika, që ishin lëndë që mësoheshin në Normalen e Prishtinës. Tajar Hatipi ishte profesor i metodikës dhe, çuditërisht, në orët e metodikës shquhej kultura e tij e përgjithshme për shkak të së cilës e çmonim aq shumë, gjuha e tij e bukur për shkak të së cilës e donim dhe sjellja e tij prindore ndaj nesh, me të cilën na kishte përvetësuar.
Profesor Tajar Hatipin nuk e harroj për shkak të këtyre dhuntive, por sot profesor Tajar Hatipin e kujtoj edhe për shkak të një fjalie që kishte shqiptuar gjatë ligjëratës, nuk e di sigurt se në çfarë konteksti kuptimor, diku në pranverën e vitit 1957. Me atë rast profesor Tajar Hatipi kishte thënë: “Kur italianët lavdëronin Shqipërinë ne e dinim se Shqipëria nuk i kishte punët mirë”. Kur në mendjen e tij e kishte krijuar këtë fjali, gjithsesi shumë treguese, nxënësi i dikurshëm i Normales së Elbasanit, ndoshta kishte pasur parasysh se lavdërimet italiane të Shqipërisë dhe të shqiptarëve më vonë kishin marrë fund me pushtimin italian të Shqipërisë.
Lavdërues i ftuar a i ardhur vetë?
Duke e shënuar këtë mendim të profesorit Tajar Hatipi, nuk dua të them se lavdërimet e sotme italiane, në të vërtetë lavdërimet e sotme të disa italianëve, mund të marrin fund si lavdërimet e dikurshme të italianëve për Shqipërinë e për shqiptarët. Jo. Ajo kohë ka kaluar. As Italia e fillimeve të shekullit njëzet e një nuk është më Italia e kohës së Musolinit, as Shqipëria e fillimeve të shekullit njëzet e një nuk është më Shqipëria e viteve tridhjetë të shekullit të kaluar.
Por, duke e shënuar këtë mendim të profesorit Tajar Hatipi dua të vë në dukje se pas lavdërimeve politike, si atëherë ashtu edhe sot, kur e kur fshihen interesa më të vogla a më të mëdha, më të veçanta a më të përgjithshme të lavdëruesve dhe ligësi më të vogla a më të mëdha të nikoqirëve të tyre politikë. Kjo vlen për lavdërimet politike që të bëjnë të huajt e kjo vlen edhe për lavdërimet politike që të bëjnë të tutë. Në lavdërimet politike gjithmonë e gjithkund ka sasi më të vogla a më të mëdha të dyfytyrësisë.
Lavdëruesi i parë, italiani Luka Volonte, që këto ditë pashë në televizionet e Tiranës, si e theksuan nikoqirët e tij, është kryetar i së djathtës në Këshillin e Evropës. Erdhi vetë apo e sollën nikoqirët në Shqipëri unë nuk mund ta di këtu, në Prishtinë, sado mund ta supozoj. Një italian trupmesatar, i rrastë, me fytyrë të zgjatur dhe dukshëm të gjerë në pjesën e poshtme. Dukej mirë.
Italiani Luka Volonte ishte në Shqipëri shpejt pas protestave të 21 janarit të këtij viti. M’u ngulit në kujtesë qëndrimi i tij, nuk e di sa orë a sa netë në Shqipëri, si për shkak të atyre që tha ashtu edhe për shkak të atyre që nuk tha. E ai, Luka Volonte, gjatë orëve a netëve që qëndroi në Shqipëri, tha fjalë lavdëruese për demokracinë gjoja funksionale shqiptare, për respektimin e Kushtetutës e të ligjit në Shqipëri, për përparimin e përgjithshëm të Shqipërisë, për meritat e veçanta të qeverisë së sotme shqiptare, sidomos të kryeministrit të saj, për heqjen e vizave, që do të lumturojnë shumë e shumë shqiptarë e për çkamos tjetër?
Por ai, Luka Volonte, gjatë orëve a netëve sa qëndroi në Shqipëri, nuk tha asnjë fjalë për faqen tjetër, të vërtetë të Shqipërisë sot: asnjë fjalë për zhytjen e Shqipërisë në borxhe, të cilat nuk do të arrijnë t’i paguajnë as fëmijtë e fëmijëve të brezit të sotëm, për papunësinë gjithnjë e më të shtuar, për të cilën nuk jepen të dhëna të sakta kurrë, për rënien e standardit jetësor të qytetarëve, për korrupsionin me të cilin Shqipëria, me Bosnjën, zë vendin e parë në Evropë, për saldimin frikësues të politikës, të korrupsionit, të krimit të organizuar dhe të tajkunëve, për shkeljen e përsëritur të Kushtetutës dhe, në përgjithësi, të ligjeve nga ana e Qeverisë, madje, edhe e Kuvendit, për shndërrimin e institucioneve të larta të arsimit, siç janë universitetet private, në institucione komerciale dhe të prodhimit të gjysmëdijes e të mosdijes në jetën kombëtare shqiptare, për marrëdhëniet korruptive-shantazhuese në jetën politike shqiptare, për sëmundjen e pashëruar njëzetvjeçare të kodeve zgjedhore e për një varg plagësh të tjera të shtetit e të shoqërisë shqiptare.
I ardhur a i ftuar në Tiranë shpejt pas protestës së 21 janarit, Luka Volonte e quajti të arsyeshme, dhe të dobishme për qeverinë shqiptare, që të dënojë protestat e dhunshme, por të mos thotë as një gjysmë fjale për vrasjen e katër protestuesve! Dhe, pikërisht heshtja e vrasjes së katër protestuesve, të cilët qëndronin jashtë perimetrit të ndërtesës së qeverisë, ishte provimi në të cilin u dëshmua qëllimi për të cilin kishte ardhur apo ishte sjellë Luka Volonte në Shqipëri.
Dhe, pikërisht heshtja e vrasjes së katër protestuesve ishte provimi politik dhe moral në të cilin u përmbysën politika dhe etika e Luka Volontes. Dhe, natyrisht, evropianizmi i shtirë i tij! A ka nevojë të thuhet se me politikën dhe me etikën që tregoi gjatë vizitës së tij të fundit në Tiranë, Luka Volonte nuk mund t’i kontribuojë demokracisë, as shtetit të së drejtës, as kulturës politike aq të mangët, as pavarësisë së gjyqësorit të kapur prej qeverisë, as rendit dhe as paqes në Shqipëri. Dhe, duke mos u kontribuar vlerave evropiane në këto institucione të Shqipërisë Luka Volonte sigurisht nuk ka se si t’i kontribuojë as Bashkimit Evropian si bashkim i popujve të barabartë të Evropës.
Lavdërimet e historianit anglez
Lavdëruesi i dytë, anglez, që këto ditë pashë në televizionet e Tiranës, sidomos, në televizionet që këndojnë këngën e qeverisë, siç e thashë, quhej Simon Montefiore. Ky historian, publicist e shkrimtar, nuk e mora plotësisht vesh se çka ishte më tepër, ishte në Tiranë me rastin e botimit të pesë librave të tij, ndër të cilat edhe të monografisë mbi Josif Visarionoviç Stalinin, i njohur edhe me nofkën Koba. Ishte ky një intelektual dukshëm i gjatë, shumë më i gjatë se italiani Luka Volonte, fytyra e menduar e të cilit nuk të linte përshtypjen e njeriut shumë optimist, por gjuha e të cilit ishte për së tepërmi optimiste, madje, lavdëruese.
Megjithëse historian e shkrimtar që po trajtohet në radhë të parë si historian, domethënë si studiues shkencor, Simon Montefiore e quajti të arsyeshme të prekë ndonjë temë për të cilën nuk dukej se ishte drejt i informuar dhe të bëjë ndonjë vlerësim që kush mund ta dijë nëse beson vetë në të. Kështu, fjala vjen, historiani e shkrimtari, Simon Montefiore, e quajti të arsyeshme, mund të jetë edhe të dobishme, për qeverinë shqiptare dhe për vetveten, të shquajë rolin e kryeministrit të sotëm të Shqipërisë, Sali Berisha, në politikën shqiptare qysh herët, si tha ai, Simon Montefiore, qysh prej vitit 1989.
“Unë do të dëshiroja t’i kthehesha periudhës 20 vjet më parë, në 89-n, në 90-n, në 91-tën e 92-tën, kur ju ishit në krye të gjithë lëvizjeve demokratike. Në atë kohë ju ndiqnim ju, ju simpatizonim ju, ju përkrahnim ju, prandaj edhe sot, 20 vjet më vonë, unë jam vërtet shumë i lumtur, dhe krenar që ndodhem këtu krahas jush…” Mund të jetë se historiani e shkrimtari Simon Montefiore nuk e dinte, sepse nuk iu kishin dhënë të dhëna të besueshme, se kryeministri i sotëm i Shqipërisë, Sali Berisha, në vitin 1989 e 1990 ishte veprimtar shumë i zellshëm, njohësit dhe bashkëpartiakët e tij e thonë, veprimtar fundamentalist i Partisë së Punës së Shqipërisë, që çmohej shumë prej titullarëve të lartë të nomenklaturës shqiptare, në të cilën bënte pjesë edhe vetë.
Si historian, publicist e shkrimtar Simon Montefiore do të duhej, para se të bënte gjykime dhe vlerësime të tilla lavdëruese për një zyrtar të lartë, të mesëm a të vogël shqiptar, të kishte mësuar prej burimesh të sigurta se çfarë të dhënash ishin të përmbajtura në jetëshkrimin e tij politik dhe, ashtu, të mos shqiptonte mendime të pasigurta dhe të mos bënte vlerësime paushalle. Sikur t’i kishte mësuar këto të dhëna me kohë mund të jetë se historiani dhe shkrimtari Simon Montefiore nuk ishte marrë aspak me rolin e Sali Berishës në politikën shqiptare as sot, as dje.
Për më tepër, po të ishte i vendosur që para medieve shqiptare të fliste si historian, domethënë si studiues shkencor, ai, Montefiore, nuk e kishte hapur fare temën e titulluar Sali Berisha edhe pse ai, Sali Berisha, ishte bërë shoqërues i tij dhe i rrinte ngjitur si të ishte përkthyes a asistent i tij! Mund të thuhet kështu për arsye se, si historian, domethënë si studiues shkencor, ai do të duhej të dinte se historiani, domethënë studiuesi shkencor, është i obliguar shkencërisht, intelektualisht dhe moralisht, ta thotë të vërtetën. Dhe, vetëm të vërtetën.
E po të fliste si historian i vërtetë, domethënë si studiues shkencor, për çështje politike dhe për një zyrtar politik ai do të duhej t’i thoshte të vërtetat dhe vetëm të vërtetat për kryeministrin e sotëm të Shqipërisë, Sali Berisha. Para së gjithash historiani Simon Montefiore, në sajë të dhënave që do të kishte mësuar për jetëshkrimin politik të kryeministrit të sotëm të Shqipërisë, do të duhej t’i bënte vetes pyetjen: a i ka takuar kryeministri i sotëm i Shqipërisë, Sali Berisha, makinerisë shtypëse, ndëshkuese, të komunizmit në kohën e diktaturës?
Dhe, si historian çka është, ai do të duhej ta dinte se sekretarët e partisë, sekretarët e organizatave themelore të partive komuniste në vendet komuniste, në mënyrë të veçantë sekretarët e organizatave themelore në universitetet shtetërore, siç ishte Universiteti Shtetëror i Shqipërisë në Tiranë, që mund të ishin kandidatë për anëtar të Komitetit Qendror të Partisë, siç ishte kandidat kryeministri i sotëm i Shqipërisë, Sali Berisha, pashmangshëm ishin vidha të forta në makinerinë shtypëse, ndëshkuese, të diktaturës komuniste.
Dhe, në qoftë se kjo përgjigje e vetmja përgjigje objektive, e drejtë, shkencore, e ndershme, do të duhej ta bënte historianin Simon Montefiore, të cilit po i përuroheshin pesë vepra, sidomos monografia për Josif Visarionoviç Stalinin, Kobën e tmerrshëm, që mbasi, si mysafir s’e donte rasti ta thoshte të vërtetën, atëherë së paku të mos e prekte fare temën e titulluar Sali Berisha. Dhe, ashtu po të sillej si historian ai, Simon Montefiore, nuk do t’ia jepte rastin Sali Berishës që të përpiqej ta lante e ta lyente të kaluarën e vet staliniste.
Në atë rast po ashtu, ai, Simon Montefiore, nuk do t’ia krijonte rastin obligues kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, që t’ia kthente lavdërimet me lavdërime, me të cilat, për mendjen e një studiuesi shkencor, ai kryeministri, Sali Berisha, duke folur për diktatorin në thelb po lakuriqonte politikisht e moralisht edhe vetveten: “Zot Montefiore, Shqipëria është një vend i vogël, shqiptarët janë një komb i vogël, por ju garantoj juve se në ndjenjë e në thellësi askurrkund veprat tuaja nuk vlerësohen më shumë sesa tek shqiptarët, të cilët kishin për 45 vjet Stalinin e klonuar tek Enver Hoxha. Diktator që imitoi në mënyrën më autentike egërsinë dhe barbarinë e Stalinit ndaj popullit të tij, Hoxha ka një specifikë tjetër…
Dhunimi që i bëri lirive fetare ishte dhunimi më ekstrem i Stalinit shqiptar ndaj qytetarëve të këtij vendi”. Duke e garantuar historianin dhe shkrimtarin anglez, Simon Montefiore, se librat e tij askund në botë nuk vlerësohen më shumë sesa tek shqiptarët, sepse ai, kryeministri i Shqipërisë, e di çka është shkruar e çka shkruhet për veprat e Simon Montefiores në të gjitha meridianet, kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka harruar se shumica e të pranishmëve në atë përurim që e njohin historinë e re të Shqipërisë, që i njohin zhvillimet dhe njerëzit në Shqipëri si në kohën e diktaturës komuniste ashtu edhe në kohën e autoritarizmit paskomunist mund t’i thonë: more shoku Sali!
Mos me këto fjalë që po thua t’i pa dashje po akuzon inteligjencien shqiptare dhe vetveten për rolin jashtëzakonisht të madh që i keni dhënë shndërrimit të bashkëkombësit tuaj, Enver Hoxha, në klon të Stalinit? A e pyet veten ti, more shok, se çka bëje, si silleshe, çka thoshe, me kë shoqëroheshe, pse bëje çmos të futeshe në shtëpinë e Enver Hoxhës në kohën kur ai, që tani quan kloni i Stalinit po imitonte “në mënyrë më autentike egërsinë dhe barbarinë e Stalinit, ndaj popullit të tij”?
Përse, more shok, i propozoje për mërgim studentët që shprehnin pakënaqësinë më të vogël me barbarinë tënde staliniste si sekretar partie? Përse ti, more shok, i ngrije në qiell veprat letrare, shkencore, publicistike, muzikore, filmat, pikturat, skulpturat në të cilat madhërohej diktatori, në të cilat madhërohej lufta e klasave? Përse aq shumë e duartrokitje propagandën e gënjeshtërt kundër SHBA-ve, Evropës Perëndimore, arteve dhe shkencës moderne?!
Ti, more shok, po nënçmon opinionin shqiptar, lexuesit shqiptarë, dëgjuesit shqiptarë, shikuesit shqiptarë, të televizioneve të pavarura a pjesërisht të pavarura, që e dinë mirë cili është jetëshkrimi yt politik në kohën e diktaturës, të cilët e dinë mirë dhe po flasin e po shkruajnë për ditë, cili është roli yt në kthimin e shoqërisë pluraliste shqiptare në shoqëri vrazhdë të përçarë sot, të cilët e dinë se sa dhe se si inxhenieringu i djeshëm stalinist gjen zbatimin në autoritarizmin tënd të sotëm, në të vërtetë se sa dhe se si inxhenieringu i djeshëm stalinist tani e njëzet vjet në mënyrë të sofistikuar a të pasofistikuar zbatohet në regjimin tënd autoritar. Ti, more shok, po harron se studiues perëndimorë, më të njohur se lavdëruesi Simon Montefiore, ka kohë që shkruajnë për trashëgiminë e diktaturës në regjimin tënd të sotëm.
Lavdërime të dhuruara a të blera
Mund të thuhet edhe shumë çka për paraqitjet politike të dy personazheve të këtij shkrimi: të anëtarit të Këshillit të Evropës, italianit Luka Volonte dhe të historianit e të shkrimtarit anglez, Simon Montefiore. Duke e përshkruar paraqitjen e tyre politike në Tiranë pas protestës së 21 janarit, në të vërtetë para zgjedhjeve (politike) vendore të 8 majit, unë desha të them, ndërkaq, se si kudo në botë , ashtu edhe në Evropën tonë të dashur, në vlerat e së cilës betohemi ditë e natë, pavarësisht pse ato, siç shkruajnë studiues evropianë, mjerisht, kur dhe ku po zvetënohen gjithnjë e më dukshëm, jetojnë njerëz të ndryshëm, jetojnë edhe politikanë e intelektualë të shquar, por edhe politikanë e intelektualë, që shiten lehtë dhe blihen lirë.
Kur them kështu – se në Evropën tonë të adhuruar, përpos të tjerësh, jetojnë edhe politikanë e intelektualë, që shiten lehtë e blihen lirë, unë nuk desha të them se politikani italian, Luka Volonte dhe intelektuali anglez, Simon Montefiore, janë politikanë e intelektualë që shiten lehtë dhe blihen lirë, prandaj as se janë shitur lehtë dhe janë blerë lirë prej qeverisë shqiptare, të kryeministruar prej Sali Berishës. Jo.
Mos e thëntë i Madhi Zot! Unë vetëm desha të them se paraqitjet e tyre politike në Tiranë pas vrasjes së katër protestuesve – katër bijve të dikujt, katër vëllezërve të dikujt, katër bashkëshortëve të dikujt, katër etërve të dikujt, me plumbat e gardistëve, me 21 janar dhe, njëkohësisht, para zgjedhjeve (politike) vendore të 8 majit, nuk ishin paraqitje objektive, të ndershme, të denja as për një politikan të Këshillit të Evropës as për një intelektual me profesion historian dhe shkrimtar të Mbretërisë së Bashkuar.
E para, them kështu për arsye se i pari, italiani, Luka Volonte, zyrtar i Këshillit të Evropës, u paraqit duke i mbajtur krahun një partie që është në pushtet, duke harruar ashtu se Shqipëria përjeton sot një krizë të thellë të përgjithshme, në radhë të parë politike, shkaktari kryesor i së cilës është pikërisht nikoqiri i tij, kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha. Dhe, ashtu, italiani Luka Volonte, u fundos në nivelin e një propagandisti, që është nivel të cilit zyrtarët evropianë doemos i shmangen për shkak se janë të zgjedhur a të emëruar për të zbatuar një politikë objektive gjithevropiane.
E dyta, them kështu për arsye se i dyti, anglezi Simon Montefiore, foli edhe siç nuk do të duhej të fliste një intelektual kritik, objektiv, që i sheh çështjet, dukuritë, njerëzit, politikanët ashtu siç janë: tha të pavërteta për rolin politik të kryeministrit të sotëm të Shqipërisë, Sali Berisha, duke e shpallur, madje, prijësin e “gjithë lëvizjeve demokratike” në gjithë Evropën komuniste, domethënëë prijës të “gjithë lëvizjeve demokratike” evropiane edhe atëherë kur Sali Berisha ishte sekretar i organizatës themelore të Partisë së Punës së Shqipërisë në Universitetin Shtetëror të Shqipërisë në Tiranë, kur ishte kandidat për anëtar të Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, kur bënte çmos të futej në shtëpinë e Enver Hoxhës, të cilin tani e quan kloni i Stalinit, kur me zë shumë të lartë këndonte këngën e madhërimit të komunizmit stalinist e të urrejtjes ndaj “imperializmit amerikan”.
Dhe, kështu, historiani dhe shkrimtari, Simon Montefiore, i thuri lavde dhe i këndoi këngë, si ta kishte çiftelinë në dorë, njeriut në jetëshkrimin politik të të cilit, si sekretar organizate në Partinë e Punës, si kryetar njëzetvjeçar i PD-së, si kryetar i Shqipërisë dhe si kryeministër i Shqipërisë janë: propaganda përplot rrena, ndëshkime të të tjerëve, kërcënime, shkelje të Kushtetutës e të ligjeve, politika e konfliktit, janë vëllavrasjet e vitit 1997, grushtet i vitit 1998, tragjedia e Gërdecit, vrasja e katër protestuesve më 21 janar 2011, aferat korruptive të zëvendësve të tij dhe të ministrave të qeverisë së tij. E të tjera. E të tjera.
Dhe, kështu, historiani dhe shkrimtari, Simon Montefiore, prej nivelit të intelektualit u përmbys në nivelin e propagandistit të një regjimi autoritar dhe të një kryeministri autoritar, por pa autoritetin e “klonit të Stalinit” të cilit aq përulshëm, aq devotshëm, i kishte shërbyer, madje si komisar politik. Ishte kjo një përmbysje intelektuale dhe politike fatkeqe së cilës intelektualët e vërtetë evropianë gjithmonë i janë ruajtur.
Por, zyrtari i Këshillit të Evropës, Luka Volonte, dhe historiani e shkrimtari i Mbretërisë së Bashkuar, Simon Montefiore, nuk janë politikani dhe intelektuali i parë as nuk do të jenë zyrtari dhe intelektuali i fundit evropian që sillen në Shqipëri për të kryer role të anshme, të gabuara, të padrejta, të padenja politike dhe intelektuale si të përshkruarat këtu. Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, në vazhdimësi i qet përpara gënjeshtra popullit të vet! Pse, atëherë, të mos i mashtrojë dhe të mos i përdorë edhe ata?!
/gazetashqiptare/