Nga Adem Harxhi
Ditën kur revista “TIME” shpalli “Protestuesin” si personazhin e vitit 2011, pyeta një studente të Universitetit të New York-ut, për të më shpjeguar diçka më shumë për protestën “Ocupy Wall Street”. Ajo dhe shumë shokë e profesorë të saj e përkrahin këtë protestë, sepse, siç më tha ajo, kërkesa e protestës është të vendosë drejtësinë sociale që mungon. Madje, më tha ajo, një profesori i tyre e kishte cilësuar protestën “Ocupy Wall Street” si “Revolucioni po Vjen”.
Shpjegimet e saj m’u dukën me interes, ndaj i përmblodha për t’i ndarë me ju.
Në të gjithë botën, kombet dhe njerëzit po zgjohen. Ata kërkojnë që qeveritë t’i dëgjojnë kërkesat e tyre, të njohin dhimbjet e tyre dhe të zgjidhin problemet e tyre. Ky shpërthim popullor nuk është vetëm për ushqimin, për vlerën e shkollimit dhe për çmimet e banimit, ai është më shumë një kërkesë e fortë për drejtësi sociale. Në ditët që jetojmë, padrejtësia sociale ka arritur kulmin. Mjafton të themi se një përqindje fare e vogël e popullsisë zotëron nëntëdhjetë e nëntë për qind të pasurive kombëtare. Ja pse mijëra djem e vajza marshuan së fundmi drejt Wall Street-it dhe bllokuan të gjitha hyrjet për në New York Stock Exchenge. Protesta “Ocupy Wall Street” është luftë për drejtësi sociale.
Drejtësia sociale, kudo në botë, ka mbetur akoma një dëshirë iluzore. Kur kaq shumë sektorë të shoqërisë janë prekur nga inflacioni, nga papunësia dhe rritja e kostos së edukimit, të drejtat e një personi, janë bërë padrejtësi për një person tjetër. Duket sikur çdo zgjidhje që është bërë e bëhet, synon të përjetësojë padrejtësinë sociale. Kjo padyshim, shkakton deziluzionim të përgjithshëm, që patjetër do të çojë në demonstrata, në violencë dhe mosreshtje civile.
Ndërkaq, zgjidhja e kërkesës për drejtësi sociale duhet të përfshijë të gjitha shtresat sociale, pa përjashtuar asnjë. “Pranvera e Kombeve” e 2011-s, provoi se bota ka ndryshuar rrënjësisht. Njerëzimi është bërë një entitet i vetëm global dhe si i tillë, ai kërkon që të njihet çdo pjesë e tij, të njihet se kombet dhe individët janë njësoj të vlefshëm në të drejtat e tyre. Kombet nuk e lejojnë më okupimin dhe popujt nuk e tolerojnë më shtypjen ose padrejtësinë sociale.
Le ta krahasojmë njerëzimin me trupin e njeriut, të përbërë nga disa organe me funksione të ndryshme. Asnjë organ nuk është i tepërt. Çdo organ kontribuon me çfarë i duhet trupit dhe merr prej trupit gjithçka që i duhet atij.
Në të njëjtën mënyrë, zgjidhja e shqetësimeve në të gjitha vendet duhet të përfshijë të gjitha pjesët e shoqërisë dhe të arrihet përgjegjësia reciproke. Në të gjitha negociatat e zyrtarëve dhe qeveritarëve me protestuesit duhet të zotërojë “bashkëbisedimi i mençur”. Negociatat duhet të bazohen në premisën që kërkesat e të gjitha pjesëve të shoqërisë të konsiderohen të barabarta dhe ndaj tyre të sillemi me respekt. Çdo pjesë e shoqërisë duhet t’i shikojë kërkesat e pjesës tjetër me kujdes dhe mirë.
Në këto bisedime nuk duhet të ketë “djem të mirë dhe “djem të këqij”. Duhet kuptuar se populli është një, por janë hallet që i ndajnë nga njëri-tjetri. Për këtë arsye, të gjithë duhet të përpiqen që të arrijnë zgjidhjet e pranueshme dhe dinjitoze për gjithkënd. Tani është koha që të harrohet plotësimi i interesave individuale të disave, por të plotësohen interesat e përbashkëta. Është koha që të ndjehet përgjegjësi reciproke. Të pasurit duhet të mendojnë si t’i ndihmojnë të varfrit dhe të varfrit duhet të shikojnë si të punojnë bashkë me të pasurit për përfitim të të gjithëve. Ky koncept duhet të futet në praktikën e gjithë shoqërisë.
Përfytyroni një familje të madhe dhe në harmoni. Gjithkush në familje ka nevojat e tij. Gjyshi kërkon ilaçet, babait i duhet një kostum që të shkojë në punë. Nëna ka kërkesat e saj për kozmetikët dhe vëllai i madh në vjeshtë do të fillojë universitetin. Kjo familje u mblodh e gjitha bashkë, si në mbrëmjen e vitit të ri, por pa gjeldeti. Ata bisedojnë për të ardhurat e tyre, diskutojnë për prioritetet, ndajnë nevojat, grinden pak dhe qeshin shumë. Dhe më në fund ata dinë çfarë është e domosdoshme dhe çfarë jo. Ata dinë kush do të marrë atë që i duhet tani dhe kush do ta marrë më vonë. Por për sa kohë ata të gjithë janë bashkë si një unitet, ata të gjithë bien dakord të presin, sepse para së gjithash, ata janë një familje.
Në këtë kuptim, sot, globalizmi dhe rritja e nivelit të ndërvarjes reciproke, e kanë kthyer njerëzimin në një familje gjigante dhe njerëzit duhet të mësojmë të bashkëpunojnë në këtë mënyrë. Të gjithë duhet të mendojnë sesi të jenë pjesë e kësaj familjes së madhe, që është gjithnjë më mirë se të jenë të veçuar, natyrisht, kur familja vepron vërtet si një unitet i gjallë e i shëndetshëm.
Qeveritë në të gjitha vendet, përpiqen të rritin deficitin dhe borxhet. Ato nuk kanë shumë resurse për t’u vërtitur. Por, pa asnjë dyshim, ka aq resurse sa të gjithë të bëjnë një jetë të respektuar. Që të arrihet kjo, duhet të njihen nevojat e njëri-tjetrit. Vetëm kështu “familja e madhe” do të bëhet mënyra më e mirë për të arritur drejtësinë sociale.
Dihet se jo të gjitha kërkesat do të arrihen menjëherë. Por po të diskutohen nevojat hapur, të bashkohen forcat dhe të punohet për të zgjidhur të gjitha problemet, shoqëria do të jetë e aftë të vendosë se cili problem është më urgjent dhe cilin duhet ta lejë për më vonë. Ideja nuk është të shkatërrohet sistemi, por të axhustohet ai. Vetëm kështu, ai i jep popullit atë që duhet dhe nuk do t’u japë grupeve të caktuara që ushtrojnë presion, atë që ata duan.
Kujdesi duhet të fillojë për familjen. Duhet të jemi shembull praktik për të treguar se e kuptojmë konceptin e përgjegjësisë reciproke në familje. Pas familjes vjen kujdesi për komunitetet lokale, për vendin dhe për gjithë botën.
Thuhet se Mbreti Arthur kishte një tavolinë të rrumbullakët, në të cilën ai dhe luftëtarët e tij mblidheshin. Ashtu siç e tregon edhe emri, tavolina nuk kishte krye, për të treguar se gjithkush që ulet në atë tavolinë kishte status të barabartë. Në të njëjtën mënyrë, shteti dhe qytetarët e tij duhet të kuptojnë se mënyra për të zgjidhur problemet sociale, është të diskutohen problemet e të gjithëve, në kohën kur të gjithë ulen së bashku në një tavolinë të rrumbullakët (metaforikisht, në qoftë se jo fizikisht).
Duhet kuptuar se të gjithë janë reciprokisht të përgjegjshëm për njëri-tjetrin dhe se janë të ndërvarur nga njëri-tjetri si në një familje. Problemet që janë kudo, në çdo cep të vendit, nuk janë shkaqet, ato janë vetëm shenjat e problemit të vërtetë. Shkaqet e problemit janë mungesa e solidaritetit, mungesa e kujdesit dhe mungesa e përgjegjësisë reciproke për njëri-tjetrin.
Është me rëndësi të madhe që të gjithë të ulen në një tavolinë të rrumbullakët dhe të zgjidhin problemet një nga një. Kur ta kenë bërë këtë, gradualisht, do të ndërtojnë një komunitet dhe shoqëri që qeveriset me përgjegjësi reciproke. Sapo të arrihet përgjegjësia reciproke, vështirësitë financiare brenda së cilës shoqëritë janë tani, do të përmirësohen ngadalë dhe do të arrihet drejtësia sociale.
New York, 14 Nëntor 2011