Revolucioni i kafshatës

0
33

Arben Rrozhani

Arben Rrozhani, 05.12.2009

Evropiani nuk mund ta fshehë krizën. Në Francë, një çift me të ardhura vjetore te 40 mijë euro në vit, pjesë e shtresës së mesme, ka arritur që në fund të çdo muaji, të përdorë deri në fund overdraftin e pagës në një bankë për të përballuar shpenzimet, duke u zhytur thellë e më thellë në borxhe dhe në halle.

Në Gjermani, sipas studimit të Institutit Gjerman për Kërkime Ekonomike në Berlin për shkak të krizës, të ardhurat e gjermanit të shtresës së mesme janë ulur në masën 10%.

Në Britaninë e Madhe, mësuesit dolën në grevë, duke u vënë drynin shkollave për herë të parë gjatë dy dhjetëvjeçarëve të fundit dhe ata kërkonin që pagat të rriteshin të paktën në masën 2.5%, ndërkohë që çmimi i ushqimit është rritur në masën 7%, ndërsa ai i naftës në masën 20% brenda një viti.

Në Spanjë, shtresa e mesme ka bërë ndryshime të mëdha në jetën e saj, duke hequr dorë nga produkte që kushtojnë shumë, e të cilat ia lejonin vetes të paktën një herë në javë si në rastin e peshkut.

Kriza në Itali ka përkufizim fjalinë e nëpunësit të thjeshtë:
“Shoh njerëzit në autobus apo në rrugë dhe ata më duken si të mundur. Jemi 40-vjeçarë dhe në kulmin e forcave dhe duhet të ishim luftarakë, por në fakt ndihemi të frustruar”. Dhe më afër, sllovenët dolën në rrugë pak ditë më parë për të kërkuar minimumin jetik, një rrogë jo poshtë 600 eurove, sepse kriza po u kërcënon nivelin e jetesës.

Janë sllovenët, ata që kanë të ardhura vjetore për kokë rreth 20 mijë euro në vit, që kanë qenë përherë kundër inkuadrimit në rajonin famëkeq ballkanik, duke u mburrur se janë më shumë popull gjermanik.

Po kriza e një shqiptari? Qeveria e drejtuar nga Sali Berisha thotë se nuk ka pasur dhe nuk ka krizë. Shumë e vërtetë, po të gjykosh se për cilët shqiptarë merakoset. Nuk ka pasur krizë dhe nuk do të ketë për disa breza për atë dhe familjen e tij, sepse është ndër familjet më të pasura të vendit më të varfër.

Nuk ka krizë për Argiten qe fiton 200 euro në orë, as për ministra të tipit Basha, një nga firmosësit e 1.3 miliardë dollarëve të udhës “patriotike” Durrës-Morinë; nuk ka krizë për ministra të tipit Mediu, që e ngriti perandorinë e tij miliardere mbi trafikun vrasës së armatimeve; nuk ka krizë për kryefamiljare të tipit Topalli, që ka shndërruar bastionin e saj elektoral në çiflig interesash dhe përfitimesh; nuk ka krizë për sekserë të tipit Fazlliç që në Shqipëri bëjnë paranë e kollajtë; nuk ka krizë për tellallët mediatikë të qeverisë që na e kanë ribërë Shqipërinë e gjorë “fanar ndriçues” në breg të Adriatikut.

E si mund të ketë krizë për kur vetëm njëri prej këtyre tellallëve falë shërbimeve pro-qeveritare në paçavuren që i thotë gazetë ka marrë 130 milionë euro financime për rrugë. Të tjerë lartojnë pallate dhe rregjistrojnë prona në bregdet. Sigurisht pra, që nuk ka krizë për lakenjtë e majmur mbi korrupsionin bashkëqeverisës.

Ky më lart është një ishull miliarderësh rrethuar nga deti i mjerimit dhe kriza shqiptare. Batica është afër dhe nuk është çudi që shumë shpejt ta përmbytë atë. Është kriza e defterëve, moda skllavëruese, dëshmi e skamjes dhe rrënimit total, nga buka e përditshme te mënyra se si po degjeneron biznesi i rregullt vendas në shënjestër të kryeministrit.

Defterët e gjithçkaje që duhet për të jetuar varfërisht i gjen në çdo skaj të vendit dhe mund t’i tregojë pa ngurrim çdo shitës i kërrusur nga borxhet në defterë. Biznese deri më parë të suksesshme që për mungesë likuiditetesh, po hedhin në rrugë me mijëra të punësuar, po marrin kredi për të paguar rrogat, po mbahen me thonj që të mos shpallin falimentin në një treg xhungël, ku fitojnë pandershmërisht klanet e qeverisë.

Për ta mbajtur të paprekur këtë ishull, qeveria është gati t’u hapë luftë civile shqiptarëve të skamur nga dita në ditë. Thjesht dhe me forcën e pushtetit abuziv, duke i kërcënuar me bukën e gojës, duke i marrë dhunshëm nga puna, siç ndodhi mbrëmë, me ata që heqin plehrat e Tiranës për t’i dërguar në komisariat dhe për t’i keqtrajtuar në emër të shtetit, duke përdorur veglat e pushtetit që mbahen me paratë e taksapaguesve për të shantazhuar të gjithë ata që nuk mendojnë si qeveritarët.

Pas një muaji do të jetë edhe më e zymtë. Arka e boshatisur e qeverisë, duhet mbushur me taksat, duke kaluar në biznes të madh ata që mezi kanë mbijetuar deri më sot. Nëse i besohet raporteve të agjencive flirtuese të OKB-së, si banka Botërore, të varfrit u shtuan edhe me 40 mijë kohët e fundit dhe janë ata që mezi arrijnë të kenë nga 2 dollarë në ditë. Dhe është kështu gjysma e popullsisë, e cila varet nga paratë e dërguara nga emigrantët dhe lëmoshat që jep buxheti i shtetit.

Tre vite më parë, kryepasunari i qeverisë hodhi në tregun populist idenë “skema e kafshatës”, një tallje mendereje me shtresat më të margjinalizuara që sot nuk po arrijnë as të marrin lëmoshën që jep qeveria, sepse…nuk ka lekë.

Një qytetar francez thotë: “Nëse në Francë nuk mund të përballosh më blerjen e bukës karakteristike, atëherë ky është tregues se je në telash financiar. Edhe Revolucioni Francez nisi me protestat për bukën”.

Një spanjolle çuditet pse nuk ka nisur ende revolucioni dhe një gjerman e quan një mur të madh përpara faktin se nuk arrin si më parë të bëjë pushime familjare në dy stinë. E çfarë duhet të bëjë qyqari shqiptar kur nesër ai shitësi të falimentojë dhe të mos ai japë mundësinë as të shkruajë emrin në defter për kafshatën e përditshme?