Revolucioni i çadrave

0
52


Nga Enton Palushi

Christopher Hitchens është një analist britanik, i cilësuar si një nga pesë intelektualët publikë më të njohur në botë. Në një shkrim të botuar para pak ditësh në revistën “Slate”, ai shkruan se turpi i nxori egjiptianët në rrugë. Hitchens e nis shkrimin duke treguar një histori:

“Biri i një diktatori të një shteti arab me shumicë myslimane pyeti një mikun tim se a është e vërtetë që edhe në Shqipëri po mbahen zgjedhje të lira. Miku im i pohoi të vërtetën relative të kësaj duke thënë se ka qenë vetë vëzhgues në zgjedhjet shqiptare, ku ka vënë re njëfarë niveli transparence e ndershmërie. “Në këtë rast, çfarë na ngelet që të jemi ne,” ulëriti trashëgimtari i diktatorit arab. “D.m.th ne jemi katundarë, fëmijë, çfarë?”. E gjithë biseda u bë e zymtë për shkak të faktit se vendet arabe ndodhen edhe pas Shqipërisë,” e përfundon historinë Hitchens.

Ky rast i shërben analistit britanik për të nisur një vëzhgim të mprehtë mbi arsyet që sollën trazirat në Tunizi e në Egjipt. “Njerëzit nuk duhet të trajtohen si budallenj,” shkruan Hitchens. “Ndonjëherë njerëzit protestojnë ashpër edhe për terma pak abstraktë si nderi e njohja, po aq sa mund të protestojnë për mungesën e bukës dhe për territorin”.

Shumë media e kanë “përkthyer” shkrimin e Hitchens si një arsyetim se bota arabe është lodhur duke u përqeshur e duke mbetur shumë pas botës moderne.

Sërish tek tallja

Si duhet të ndjehemi ne shqiptarët kur dëgjojmë një gjë të tillë? A jemi ne të lodhur duke qëndruar të fundit në Europë, të tallur e të përqeshur nga vendet e kontinentit ku bëjmë pjesë? Fundja, a nuk është krahasimi që bën Hitchens për zgjedhjet në Shqipëri një tallje? Ai flet për një të vërtetë relative për zgjedhje të lira e shton se ka njëfarë niveli transparence e ndershmërie. A nuk është edhe kjo tallje, kur më poshtë në shkrimin e tij ai u jep ca këshilla diktatorëve të tipit Mubarak e një prej tyre është që të mos bëjnë zgjedhje fare nëse kanë ndërmend të bëjnë zgjedhje të këqija…

Por prej kohësh vendi ynë është kthyer në një njësi matëse të së keqes.

A e dini se ndoshta kurrë nuk do e kishim marrë vesh që paska një studim në lidhje me vdekshmërinë e nënave gjatë lindjeve, po të mos ishte “shpërthimi” në mediat britanike, se Anglia qenka pas Shqipërisë në këtë drejtim.

Ndoshta kurrë nuk do kishim mësuar që gjermanët nuk kanë një sistem dixhital të komunikimit të zjarrfikësve, po të mos ishte zemërimi i mediave se Gjermania bashkë me Shqipërinë, janë të vetmet që nuk e kanë këtë sistem.

Ndoshta kurrë nuk do kishim mësuar që zgjedhjet në Togo kanë qenë më probleme, po të mos ishte protesta e aktivistëve francezë me moton “Të mos e bëjmë Togon si Shqipëria”.

Ndoshta kurrë nuk do kishim mësuar se Hondurasi ishte në prag të një konflikti, po të mos ishte presidenti i Kosta Rikës, që deklaronte se nuk duhet të tolerojmë “një Shqipëri të dytë” në rajon.

Ndoshta kurrë nuk do mësonim se të ardhurat për frymë në Kinë janë po aq sa në Shqipëri, po të mos ishte revolta e mediave amerikane, që ankohen se si një ekonomi aq e fuqishme, sjell për banorët e saj të ardhura për frymë njësoj si në Shqipëri.

Ndoshta kurrë nuk do mësonim se Shqipëria e ka jetëgjatësinë më të lartë se disa shtete të SHBA, po të mos ishte pezmatimi i mediave amerikane pse kanë rënë kaq poshtë.

Sot, njëzet vjet pas rënies së komunizmit, kohë e mjaftueshme për të ringritur çdo shtet nga hiri, ne jemi sërish atje ku kemi qenë, duke shërbyer si njësi matëse e mjerimit, varfërisë, totalitarizmit. Jemi thjesht një etalon i së keqes.

Tre vijat e kuqe

Mëngjesi i 21 janarit e gjeti Tiranën të qetë. Shumë pak njerëz lëviznin nëpër rrugë. Po të kaloje përpara kryeministrisë nja dy orë përpara protestës së përgjakshme, mund të vije re tre- katër kordonë policësh, pa asnjë mbrojtje, po thjesht me uniformë. Madje as uniformat e tyre nuk ishin njësoj.

Gjëja e parë që të vjen ndërmend tani që kujton “faktet” e kryeministrit për parapërgatitjet për të marrë pushtetin është se përse këta policë të shkretë, me duar në xhepa, ishin vendosur në radhë të parë për të pritur “zjarrin armik”. Siç tregojnë fotot e mëvonshme, ata nuk i rezistonin dot asaj furie njerëzish dhe madje një protestues i vetëm mund të vinte përpara dhjetë prej tyre. Përse ishin në radhë të parë këta policë gjynahqarë që marrin një pagë qesharake?

Në të gjithë botën demokratike, taksat tona shkojnë për të veshur policinë në mënyrën më të mirë të mundshme për t’u mbrojtur nga sulmet e demonstruesve. Ndaj në çdo raportim që bëhet për raste demonstratash në Perëndim, flitet për numër demonstruesish të plagosur, sepse supozohet që policët janë të mbrojtur nga armët që ka populli në një demokraci, gurë e shkopinj (dhe çadra).

Prandaj dallon një demokraci nga një diktaturë, sepse ka një vijë të kuqe, e cila nuk duhet të shkelet nga policia e forcat e rendit.

Ka një pamje që më është vërtitur në mendje deri vonë, ajo e një protestueseje iraniane, që goditet me plumb në kokë gjatë një proteste. Ajo u bë simbol i qëndresës ndaj një regjimi diktatorial e të dhunshëm. Po tani që kemi në vendin tonë pamje të jo një, por të tre protestuesve të vrarë me plumb në kokë e gjoks, sa gjatë do rrinë në kujtesën tonë këto pamje makabër që na kanë prishur gjakun?

Ndërsa ka shkelur me dy këmbë vijën e parë të kuqe që ndan një demokraci nga diktatura, atë të dhunës e terrorit policor, kryeministri po shkel çdo ditë një tjetër vijë të kuqe që ndan dy sistemet: atë të ndarjes së pushteteve.

Por më parë është shkelur edhe një vijë e tretë e kuqe, duke plotësuar kuadrin e një sistemi autokratik. Është nxjerrë jashtë loje opozita. Vështirësia e ndërtimit të një sistemi demokratik qëndron tek sjellja që ke ndaj opozitës. Kurse në rastin tonë opozita cilësohet si një humbëse e keqe, e cila duhet të mbyllë gojën e të aprovojë arritjet madhështore të qeverisë. Por a kemi ne një opozitë destruktive? Deri më tani kemi një opozitë që ka folur vetëm për kauza demokratike, për nevojën e zgjedhjeve të lira dhe për lirinë e fjalës. Një opozitë është destruktive kur bllokon parlamentin se kërkon të miratohet një ligj për legalizim vilash në bregdet, për ulje akcize, apo që do të ndryshojë ligje në favor të interesave të saj ekonomike. Ne nuk kemi një opozitë të tillë.

Godina e Berishës

Duhet të jetë rast i rrallë që një kryeministër të citojë kaq shpesh karrigen e tij në çdo dalje publike. “Do më merrnin karrigen, nuk e lëshoj karrigen, ai do karrigen,” për të pasuar më pas në nënndërgjegje me “do më marrin vulën, dokumentet, setin, pikturat etj”. Çfarë është ky pasion i kryeministrit për të identifikuar një institucion vetëm nga pikëpamja materiale? Për të kryeministria është godina. Ajo ka rëndësi. Ndërsa kudo në botën perëndimore nuk janë godinat që mbajnë gjallë institucionin. Por këtë gjë e di mirë kryeministri ynë aktual, që edhe pse e pati pushtuar godinën e qeverisë shumë vite më parë, nuk ia pa dot hairin. Sepse nuk është godina që bën institucionin. A e dëgjuat Eduard Halimin që i thoshte presidentit titullar institucioni? Ndërkohë që këshilltari i Topit i tha se presidenti është vetë institucioni. A u mjafton kjo logjikë? Po atëherë sërish të rilind pyetja, pse kjo joshje e kryeministrit pas materiales.

Kokëpalarët dhe babëzia

Ka një shpjegim ndoshta edhe për këtë. Shumë herë i ka emërtuar protestuesit e 21 janarit si kokëpalarë, morracakë, zhulsa, që donin të bënin pis Tiranën. Ndërsa dëgjon kryeministrin tek flet këto fjalë nuk ka si të mos kujtohet ajo periudhë kur protestuesit e tij i emërtonte “çeçenë”, “bathoraxhinj” e “katundarë” ajo pjesë e pushtetit të Fatos Nanos, të cilën Berisha e quante borxhezia e re që lahet në vaska ari. Madje kryeministri disa herë u betua që do hakmerrej ndaj kësaj borxhezie. Ç’ka ndodhur? Tani Berisha ka aristokracinë e tij, që bezdiset teksa sheh disa protestues të palarë para zyrave. Bile, kur sheh Berishën që shqipton këto fjalë, nuk të duket se flet ai, po zëri i njerëzve që e rrethojnë, i femrave të aristokracisë së re, që ndjehen të kërcënuara nga pabuksit. A nuk ju duket se sa herë flet Berisha me këto fyerje, në vend të tij të shfaqet një femër e rrethit të tij familjaro- pushtetar, me qafën gjithë pala (sigurisht do jetë bionde), që ankohet se “kokëpalarët” po i shkatërrojnë fundjavën e skive?

Ndërsa kujtesa ta fshin këtë femrën me pala në qafë për një moment, në mendje të vjen Ana, vajza bukuroshe e “kokëpalarit” Ziver Veizi, loti i të cilës ka tronditur çdo zemër shqiptare.

Psikologjia e turmës

Ka me qindra studime për psikologjinë e turmës. Nuk ka fushë më joshëse studimi për filozofët, psikologët e historianët se turma. Nuk ka rëndësi se kush bëhet pjesë e saj, nuk ka rëndësi vendi ku ajo grumbullohet, nuk ka rëndësi formimi i njerëzve që i bashkëngjiten, turma është e frikshme dhe shumë e rrezikshme. Jo më kot shpesh përdoret edhe si fyerje. Ndërsa gjitha ligjësitë të sugjerojnë se turma nuk dihet si reagon ndaj duhet t’i ruhesh në çdo moment (qofsh në Francë, Angli, Zimbabve apo Tunizi), një tropojane me emrin Bekime është “kujtuar” të sfidojë këto ligjësi duke provokuar një turmë që po drejtohej drejt sheshit qendror më 21 janar. Që të kuptohemi, e dënoj sulmin mbi atë vajzë, sikundër e besoj se mund të jetë një reagim adoleshentesk i saj, por nuk është ajo simboli i dhunimit të mendimit ndryshe siç na e paraqet çdo sekondë një spot i qeverisë (të tjera para tonat për propagandën e Berishës). Përfytyroni për një moment sikur ajo turmë të ishte e mbushur me tifozë të Romës dhe kjo vajza bukuroshe të futej mes tyre e të bërtiste “Lacio, Lacio”.

Çështja e imazhit

Fotoja e një protestuesi egjiptian që mban një parullë ku shkruhet “Të lutem turistë, mos u largoni, nuk kemi gjë me ju”, po publikohet në mediat e mëdha në Perëndim. Prej kohësh Egjipti është një destinacion i rëndësishëm turistik. Po ashtu edhe Tunizia.

Ka shumë vende diktatoriale në botë që kanë një turizëm të zhvilluar. Disa mund të thonë se është diktatura që mban nën kontroll krimin dhe i mbron turistët. Mund të jetë edhe kjo. Por e vërteta është se një popull dashamirës, bujar e mikpritës nuk zhbën traditat e tij vetëm pse proteston ndaj qeverisë. Po ashtu nuk mund të kriminalizosh një popull. Por ajo që po bën kryeministri shqiptar është e frikshme për turistët. Ai po kriminalizon individin shqiptar. Asnjë turist nuk ka frikë nga një popull që revoltohet. Ka turistë janë bashkuar me egjiptianët në protestë. Por ajo që po bën kryeministri është e frikshme. Ai po flet për njerëz me armë të sofistikuara, për tritol që lëviz lirisht në rrugë, për thika me helm e për njerëz që për 200 euro mund të bëjnë kërdinë. Kush turist do guxonte të vinte në një vend ky qytetari është kaq i kriminalizuar? A mund të vijë një turist në një vend ku policia thotë se kreu i opozitës mund të vritet për një makinë? Po sikur ai turist të vijë me makinën e tij dhe të shkaktojë një aksident? Apo kur të shkojë në bregdet të hasë pa dashje në një kamp stërvitor me mercenarë…

Në mbyllje

“Përkthyesja” është një film me aktore kryesore Nicole Kidman, i pari film i xhiruar në ambientet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Kidman në këtë film është përkthyese për OKB, e cila dyshohet se do të vrasë liderin e një shteti afrikan, për shkak se ai i ka vrarë vëllanë. Por në realitet atentatin ndaj liderit afrikan po e përgatisin këshilltarët e tij. Synimi është që të ketë një atentat të dështuar, çka do i shërbente liderit afrikan për të asgjësuar opozitën e vendit të tij.

Në fund të filmit ka një fjalim mjaft prekës të Kidman, e cila ka mbështetur liderin afrikan të vijë në pushtet duke besuar fort se ai do të sjellë ndryshimin e shumëpritur. Por ai u bë më i keq së paraardhësi. Duke besuar se mesazhi i këtij filmi ishte shumë i fortë, OKB hapi dyert për të xhiruar në brendësi.

Prandaj duhet besuar vetëm tek një zgjidhje: tek zgjedhjet e lira e të ndershme. Prej kësaj kauze ne kemi mbërritur në këtë ditë ku jemi. Askush nuk duhet të ketë frikë nga zgjedhjet, edhe nëse bëhen të shpeshta. Është e vetmja mënyrë për t’i treguar çdo politikani se nuk e ka jetën e gjatë. Në pushtet sigurisht.