
Bledar H. Prifti, 19.10.2010
“Revolucioni i Bardhë” është një term që i referohet reformave drastike që ndërmori mbreti i Iranit, Muhamed Reza Shah Pahlavi, në vitin 1963, me qëllim për të zgjeruar mbështetjen e tij popullore.
Ky revolucion u konsiderua i bardhë për vetë faktin se ai nuk ishte si revolucionet e zakonshme, të atëhershme, që përfundonin me gjakderdhje. Ai ishte një revolucion që do të transformonte politikën dhe ekonominë e Iranit përmes reformave dhe jo përmes revolucioneve të përgjakshme që kishte përjetuar deri në atë kohë Irani dhe mbarë bota.
Por duhet sqaruar se termi “revolucion i bardhë” dhe zhvillimet që pasuan këtë revolucion në Iran nuk kanë asgjë të përbashkët me termin “revolucion i bardhë” dhe pasojat e këtij revolucioni të diskutuara në këtë shkrim.
Termi “revolucion i bardhë” përdoret në këtë shkrim si një term, i cili i referohet aktivitetit politik të Edi Ramës dhe opozitës socialiste, aktivitet i cili ka si qëllim jo thjesht pushtetin politik, por ndryshimin e kulturës politike, mënyrës së të bërit politik, dhe mënyrës së drejtimit të pushtetit.
Konsiderohet “revolucion i bardhë”, pasi ai zhvillohet konform rregullave dhe ligjeve të vendit (ndryshe nga revolucionet e zakonshme që dalin jashtë kornizave ligjore) dhe se ka një ideologji, kauzë, repertor protestash, strukturë organizative, dhe lidership të afirmuar.
Ky shkrim është një kronologji ngjarjesh politike me protagonist Edi Ramën. Qëllimi i tij është që t’ju bëj juve të kuptoni të vërtetat pas atyre ngjarjeve tani që mendja juaj është më e kthjellët për të gjykuar.
Ky është një shkrim për ju të gjykoni si dëshmitarë të së djeshmes dhe protagonist të së sotmes. Ky është një shkrim për ju të reflektoni mbi të djeshmen për të kuptuar të sotmen.
Për të gjithë ne, Edi Rama (që në fillimet e tij) përfaqëson një elitë politikanësh, filozofia politike e së cilës ka shumë pak të përbashkëta (për të mos thënë që nuk ka asgjë të përbashkët) me establishmentin politik të përfaqësuar nga Sali Berisha dhe Fatos Nano në këto njëzet vite postkomunizmi.
Në fillim, kundërshtarët politik të Ramës e sulmuan atë duke propaganduar me të madhe se Rama nuk është politikan. Në të vërtetë, koha tregoi se Rama ishte politikan, por jo politikan si Sali Berisha dhe Fatos Nano, dhe jo politikan si ata që Shqipëria ka parë këto njëzet vite postkomunizmi.
Nga ana tjetër, mbështetësit e Ramës ishin të ndarë në mbështetës që besonin tek ai si kryetar partie (instinkti i një personi partiak) dhe në mbështetës që besonin tek ai si kryetar dhe si politikan (instinkti i njeriut politik).
Grupi i parë i mbështetësve ra pre e propagandës së kundërshtarëve të Ramës, duke promovuar në vetvete një hije dyshimi rreth aftësive të Ramës si politikan për të “manipuluar” ose për të qenë “dobiç si Nanoja”. Kjo ndjenjë dyshimi ndikoi në rritje të pesimizmit dhe skepticizmit në radhët e socialistëve, gjë që krijoi hapësira për inaktivitet, madje dhe për braktisje e “shitje”.
Të mësuar me stilin Berisho-Nanoist të të bërit politik, shumë nga ne e konceptuam fenomenin Rama si një fenomen të çuditshëm (iksentrik) që u fut vrullshëm në politikë. Slogani parazgjedhor i Ramës ishte “përtej së majtës dhe të djathtës”. Ky ishte një slogan, i cili i kujtonte popullit dhe elektoratit se përtej interesave tona personale dhe partiake qëndrojnë interesat e Shqipërisë dhe shoqërisë shqiptare.
Por si reaguam ne? Më vjen turp kur i kujtoj reagimet sepse me duken vërtet si reagime të marrësh dhe injorantësh. Kundërshtarët e Ramës dhe të opozitës nuk vonuan të lëshonin me histeri propagandën kundër sloganit “përtej së majtës dhe të djathtës”.
Të marrosur dhe të nxirë deri në shpirt, kjo makinë e ndyrë propagandistike nga njëra anë sulmonte dhe tallte sloganin “përtej së majtës dhe së djathtës” të Edi Ramës që synonte bashkimin e popullit kurse nga ana tjetër me histeri dhe djallëzi propagandonte “miqësinë” Berisha-Nano si shpëtimin e vetëm për Shqiptarët.
Por kjo histeri dhe djallëzi do të promovohej edhe më vonë kur Sali Berisha do të “martohej” me Ilir Metën për të krijuar një qeveri “përtej së majtës dhe të djathtës”.
Për hafijet e pushtetit, slogani “përtej së majtës dhe të djathtës” ishte i mirë vetëm kur ai pritej të sillte në pushtet Sali Berishën, Fatos Nanon, dhe Ilir Metën, por jo kur ky slogan përdorej për të sjellë në pushtet vullnetin e popullit dhe të mbronte interesat e këtij të fundit. Qeveria Berisha-Meta-Nano u formua “përtej së majtës dhe së djathtës” për interesa të treshes dhe jo për interesat e popullit.
Pjesa më interesante e “revolucionit të bardhë” të Edi Ramës do të vinte menjëherë pas maskaradës zgjedhore të 28 qershorit. Ishte kjo pjesë kur grupimet politike do të ndaheshin përfundimisht në fronte të qarta dhe fenomeni Rama do të rimerrte rrugën e nisur para 28 qershorit.
Nga njëra anë u rreshtua Berisha, Nano dhe Meta, që kishin qeverisur vendin për plot 19 vite me radhë si president dhe kryeministra dhe nga ana tjetër qëndronte Edi Rama me një influencë tejet modeste në politikën Shqiptare. Fenomeni Rama e kishte shkundur aq fortë politikën Shqiptare sa kishte bërë të mundur ndarjen e shapit nga sheqeri, apo siç i thuhet ndryshe, “ndau krundet nga mielli”.
Pasi orkestroi maskaradën zgjedhore të 28 qershorit, pushteti “përtej së majtës dhe së djathtës” i Sali Berishës, Fatos Nanos, dhe Ilir Metës lëshoi me kuç e maç për të shkatërruar politikisht Edi Ramën.
E gjithë ajo “kryqëzatë anti-Rama” e ideuar në zyrat e pushtetit dhe e implementuar djallëzisht në mediat dhe nga hafijet e pushtetit kishte si qëllim jo thjesht shkatërrimin politik të Ramës, por shkatërrimin e vlerave, principeve dhe filozofisë politike që mbarte në vetvete fenomeni Rama.
Klasa e vjetër politike e kishte kuptuar tashmë që “revolucioni i bardhë” i Edi Ramës nuk ishte një revolucion individësh për pushtet, por një revolucion që synonte zëvendësimin e një tërësie vlerash dhe filozofish politike regresiste me një tërësi vlerash dhe filozofish politike të reja dhe progresiste.
“Revolucioni i bardhë” i Edi Ramës u afirmua dhe u legjitimua Brenda dhe jashtë vendit nga protesta mbarëpopullore e 20 nëntorit 2009. Kjo lëvizje gjithashtu vërtetoi se është e pandalshme pas sakrificës që mbështetësit e saj bënë përmes futjes në një grevë urie të paprecedentë në historinë e politikës Shqiptare.
Ky revolucion vazhdon dhe do të vazhdojë edhe në të ardhmen, pasi ai nuk është një revolucion që ka për qëllim pushtetin, por vlerat dhe principet mbi dhe nga të cilat bazohet dhe drejtohet ai. Është e lehtë të ndryshosh pushtetin, por është e vështirë të ndryshosh vlerat, principet dhe besimet që mbajnë dhe vënë në lëvizje pushtetin.
Ndryshimi i kulturës politike dhe i mënyrës se si bëhet politik dhe si drejtohet shteti vjen si rezultat i promovimit të vlerave, principeve dhe besimeve të reja. Këto vlera, principe, dhe besime, sfidojnë hegjemoni e atyre komponentëve ekzistues që ka vendosur klasa e vjetër politike. Kjo përplasje do të bëjë të mundur rrëzimin e hegjemonisë të së vjetrës dhe triumfin e së resë.
“Revolucioni i bardhë” i Edi Ramës ka për të përfunduar me një ndryshim tërësor të kulturës politike dhe të mënyrës se si bëhet politik dhe si drejtohet shteti. Ndryshimet kanë filluar dhe evidentohen sot në çdo mëndje Shqiptari.
Edhe pse kanë kaluar njëzet vjet pas rënies së regjimit komunist, jam i bindur se shoqëria shqiptare tani ka filluar të hapë sytë për të parë demokracinë dhe për të kuptuar se si duhet të funksionojë ajo.
Politika shqiptare dhe pushteti ka qenë i menderosur për njëzet vjet me radhë por vetëm tani e kuptuam dhe po flasim të gjithë për nevojën për demokraci dhe transparencë të pushtetit.
Për njëzet vjet na vodhën, na varfëruan, na degjeneruan, dhe na masakruan, por vetëm këto muaj të fundit kemi kuptuar se në çfarë ferri na kanë futur të jetojmë.
Për njëzet vjet me radhë votat dhe paratë e popullit vidheshin haptazi dhe askush nuk kërkonte transparencë dhe drejtësi. Përse vallë? Arsyeja e vetme është se Berisha, Nano, Meta dhe soji i tyre e kanë konsideruar Shqipërinë si çiflig të tyre ky pushteti kalohej me rotacion nga njëri tek tjetri. Pak rëndësi kishte vota e popullit. Avazi i ansamblit babëzia vazhdonte: sot plaçkit njëri dhe nesër e ka radhën tjetri.
Do të duhej “revolucioni i bardhë” i Edi Ramës që të na bënte ne të kuptonim se çdo proces zgjedhor dhe çdo pushtet duhet të kaloj përmes një procesi transparent. Tashmë, në Shqipëri nuk mund të vijë askush në pushtet pa treguar para popullit votat e marra.
Edhe nëse dështon beteja për transparencën e procesit të 28 qershorit, nuk mund të bëjë vaki që nesër të na dalë ndonjë pehlivan dhe të na thotë që transparenca ndalohet nga kushtetuta apo nga Ristanët.
Me të vërtetë që zgjedhjet e parakohshme mund të evitojnë transparencën e zgjedhjeve të kaluara dhe ndëshkimin e hajdutërisë, por ato kurrsesi nuk do të pengojnë reformën zgjedhore për të garantuar transparencën e zgjedhjeve të ardhshme. Dhe ky ndryshim do të ndodhë kudo në çdo nyjë të pushtetit, politikës, dhe shoqërisë.
Nuk ka për të pasur më zgjedhje pa transparencë, ministra dhe kryeministra që të livadhisin, parti politike që të jetë indiferente përkundrejt elektoratit të saj, liderë pehlivan që të besojë se kanë në dorë historinë, dhe nuk ka për të pasur më shoqëri që të pranojë dhe të lejojë që sikur edhe një nga skenarët negativë të mëparshëm të ekzistojë.
Tashmë “revolucioni i bardhë” i Edi Ramës dhe dialektika që ai prodhoi sapo ka filluar së ndryshuari jo thjesht pushtetin, por vlerat, principet dhe besimet që sjellin në jetë dhe administrojnë pushtetin. Gjykojeni të sotmen nesër me mendjen e protagonistit të së sotmes.







