TemA Online, 21 Korrik 2012
Një grup intelektualësh të qytetit të Shkodrës i kanë kërkuar autoriteteve të larta zyrtare në vend të përfshijnë në listën e personaliteteve të nderuara të pavarësisë së Shqipërisë Luigj Gurakuqin, ndihmësin kryesor të Ismail Bej Vlorës në qeverinë e Vlorës dhe një prej personaliteteve politike më me ndikim në fillimin të shekullit të 20-të. Ne letrën e tyre intelektualët shkodranë shprehin habinë dhe dyshimin përse në listën e përmendoreve në Tiranë është përfshirë Ahmet Zogu, i cili në të vërtetë është porositësi i vrasjes së Luigj Gurakuqit dhe jo ky i fundit.
“Në këtë vit jubilar të 100 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë, konstatojmë me keqardhje se nga institucionet shtetërore dhe madje edhe nga personalitete të politikës shqiptare, nuk përmendet fare patrioti i shquar, Luigj Gurakuqi, për rolin që ka luajtur në atë ngjarje madhore të kombit shqiptar.
Sot në programin shtetëror parashihet ndërtimi në Tiranë i Monumentit të Pavarësisë dhe monumentet e Ismail Qemalit, Hasan Prishtinës, Ahmet Zogut, por fatkeqësisht jo ai i Luigj Gurakuqit, si bëri edhe Enver Hoxha me Monumentin e Pavarësisë në Vlorë, në të cilin nuk gjendet atdhetari ynë i shquar.
Prandaj u lutemi autoriteteve më të larta të vendit tonë për një ndërhyrje energjike duke vlerësuar Luigj Gurakuqin për çka i përket: duke e përkujtuar një- për- një me Ismail Qemalin, duke i ngritur monument në qendër të Tiranës,” thuhet në peticionin e tyre.
Luigj Gurakuqi u vra në Bari të Italisë, ku ishte në emigracion, pas rikthimit të Zogut në pushtet me ndihmën e forcave jugosllave në dhjetor të vitit 1924.
Politizimi i historisë dhe përdorimi i saj për nevoja politike të ditës, duket se ka hedhur në erë seriozitetin e festimeve të 100 vjetorit të pavarësisë, i cili dita- ditës po ngjan si ditëlindje e Sali Berishës.