Revista ‘PENA’ dhe misioni i saj

0
49

Adnan Mehmeti

Intervistë me botuesin e revistës “PENA”, z. Adnan Mehmeti

Bisedoi: Raimonda Moisiu

Zoti Mehmeti, jeni botues i revistës “PENA”, organ i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë. Na tregoni për historikun e saj?

Së pari ju falenderoj për mundësinë që më ofroni për të bërë të njohur revistën “PENA”organ i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë.
Detyra ime si kryeraktor i saj është t’i shërbejmë promovimit të letrave shqipe, gjithmonë në parimin për të bërë më të mirën dhe konsoliduesen, jo vetëm për anëtarët e Shoqatës, por edhe për audiencën e lexuesve, në mënyrë të veçantë në Amerikë, për të kuptuar se evoluimi, vlerësimi i tyre, duhet të “provokojë” realitetin, në pohimin e ruajtjes së traditës, gjuhës e kulturës shqiptare.
Ajo u lind fill pas formimit të Shoqatës, duke botuar kryesisht krijimet e anëtarëve dhe në mënyrë besnike pasqyrohen aktivitetet e saj. Në faqet e revistës prezantohen krijimet më të mira të autorëve që përbëjnë komunitetin intelektual dhe letrar në Amerikë. Pra, nuk udhëhiqemi nga parimi se duhet të jesh anëtar i Shoqatës, por krijojmë hapësirë për penat e shquara të letrave shqipe në rubrika të ndryshme si në prozë, poezi, publicistikë, kritikë letrare, përkthime të letërsisë së huaj bashkëkohore, etj. Ne angazhohemi të përfaqësojmë sa më denjësisht letërsinë bashkëkohore shqiptare në tërësi, jo vetëm në SHBA, ku ne jetojmë, punojmë e krijojmë por edhe në trojet tona etnike. Shoqata jonë ka rregulla për të pranuar një anëtar, por nuk ka kushtëzime për të botuar ndonjë shkrim të cilitdo krijuesi. Me rëndësi që shkrimi të pranohet nga redaktorët e revistës. Gjej mundësinë t’ju informoj se çdo shkrim që përkon me tematikë letraro-artistike ka vend në numrat e ardhshëm të revistës “PENA”.

Kujt ia dedikoni vazhdimësinë e botimit të saj?

Fillimisht, ideja për botimin e saj është e poetit dhe përkthyesit Gjekë Marinaj. Kjo erdhi si nevojë dhe domosdoshmëri të ekspozimit të letërsisë bashkëkohore, të paraqitjes së krijimeve të anëtarëve të Shoqatë.
Ne vazhdojmë të bashkëpunojmë ngushtësisht me Gjekën, jo vetëm si dy miq e kolegë që jemi, bashkëpunim që i ka dhënë peshë komunikimit të drejtpërdrejtë në promovimin e letërsisë bashkëkohore, në një komunitet të krijuar nga shkrimtarë, poetë, publicistë bashkëkohës, si një pjesë përbërëse e artit letrar bashkëkohor, si një shembull i veçantë dhe në opozitë ndaj asimilimit, gjithmonë në ruajtjen e vlerave kombëtare, falë kontributit krijues të secilit, transmetimit ndër breza të bashkëjetesës të traditës, gjuhës e kulturës, si tradita më e veçantë kombëtare, për të zbuluar pozitiven dhe ecur drejt një nisme të re në formë e përmbajtje që po zhvillohet natyrshëm.
Dikur Z. Marinaj i sponsorizonte numrat e parë. Tani, falë shkallës të rritjes së lexuesve, anëtarëve të Shoqatës, dashamirësve të letërsisë dhe donatorëve fisnikë, arrijmë t’i përballojmë botimet.

Ndonjë të dhënë rreth aktivitetit në faqet e revistës?

Botimi njëherë në gjashtë muaj i revistës “PENA”, iu ka dhënë mundësi dhe hapësirë të shprehen figura të dimensioneve të ndryshme, ashtu si ju ka dhënë liri edhe anëtarëve të saj për të paraqitur krijimet letrare. Anëtarët e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë me veprat e tyre japin panoramën e shoqërisë shqiptare, mjedisin dhe individin. Nuk mund të bëj përzgjedhje emrash, është një kolorit emrash intelektual dhe autorë të gjinive të ndryshme letrare që kontribuan dhe i japin një fizionomi të qartë revistës, tematikës dhe pjesëmarrjes të Shoqatës në aktivitete e veprimtari të ndryshme duke përfshirë të gjitha segmentet me taban letrar, kombëtar e historik. Këta janë anëtarët e Shoqatës që përbëjnë bërthamën e saj, japin energjitë intelektuale dhe letrare me koncepte, krijojnë idenë e respektimit të vullnetit për të krijuar dhe dëshirës për të ndryshuar, njohur dhe prekur mesazhin e të bukurës, të vëllazërimit dhe dashurisë njerëzore

Ju jeni poet dhe publicist. Krijoni, në të njëjtën kohë punoni, por edhe i përkushtoheni botimit të revistës “PENA”. Si arrini ta menaxhoni kohën: si domosdoshmëri, nevojë apo dëshirë?

Angazhimi im në krye të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë dhe botimit të revistës “PENA” vjen si rrjedhojë e pasionit dhe një adhurues i letrave shqipe. Është përgjegjësi intelektuale dhe qytetare, të krijojmë dhe të mbetemi shërbëtor besnikë të letërsisë, që sigurisht kërkon sakrificë, dashuri, njohuri profesionale. Të gjitha këto realizohen me mbështetjen e ndihmën e madhe që gjej qoftë nga stafi profesional redaktues, qoftë nga anëtarët e Shoqatës në tërësi dhe krijuesit shqiptaro-amerikanë jashtë saj në veçanti.

Si pritet në komunitet dalja e revistës dhe sa ju mbështesin krijuesit?

Revista “PENA” vjen para lexuesit në një kohë ku kërkesa është e madhe, numri i lexuesve është i kënaqëshëm, komunikimi me krijuesit është i vlerësueshëm.
Po u sjell diçka që ka lënë mbresë te unë, dhe besoj se plotësoj mendimin kuptimplotë të pyetjes tuaj.
Në takimin e fundvitit të Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, ishte i ftuar edhe Kryebashkiaku i qytetit të Stamfordit, Michael Pavia. Më bëri një pyetje, që jo vetëm u ndjeva krenar por edhe i kompletuar në identitetin tonë si shkrimtarë. Ja se çfarë më tha: “E dija se komuniteti shqiptar në Connecticut është i madh, por nuk e dija se ju shqiptarët keni kaq shumë shkrimtarë që shkruajnë libra.” Kjo për mua do të thotë shumë, se anëtarët e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë me aktivitetet letraro-artistike, me shkrimet e tyre, me librat e tyre angazhohen e sjellin një imazh të mirë të emrit tonë

Numri i fundit i revistës “PENA”

Mesazhi që ju iu drejtoheni lexuesit në mbështetje të revistës?

Falë klimës kolegjiale që krijon këshilli redaktues ofron bashkëpunëtorë të shumtë. Siç përmenda më herët, revista del dy herë në vit. Mesazhi im është të afrojmë sa më shumë pena krijuese, profesionale, edukative dhe frymëzuese, përfshi të gjithë brezat e autorëve, sepse ata do të mbeten në tërësinë e tyre të respektuar e të vlerësuar të letërsisë bashkëkohore, gjithmonë në nderim të ruajtjes dhe progresit të shoqërisë shqiptare në këtë tokë të huaj.Të angazhohemi e të arrimë që në të ardhmen të botojmë 12 numra në vit.

Ju faleminderit!