Res Privata

0
25

Albin Kurti, 5 korrik 2012

Kriza globale financiare e diskreditoi bindjen që sistemi financiar është vetërregullues. Mirëpo, edhe zgjidhja u bë sërish pjesë e problemit: investimi qeveritar për të shpëtuar bankat u ndërmor për ta rifituar besimin për të njëjtën bindje paraprake! Në vend që të bien në kolaps bankat, rrezikojnë të bien në kolaps shtetet dhe euroja është në krizë.

Pra, bankat po shpëtohen sepse mendohet qysh mund të humbim edhe më shumë nëse humbin bankat. Bankat japin kredi edhe aty ku pothuajse dihet që kthimi do të jetë i vështirë, pasi ato llogarisin gjithnjë që qeveria do t’iu ndihmojë teksa ato shmangin me sukses ligjet dhe rregullat duke mos i dhënë realisht llogari askujt. Kjo është arsyeja pse sektori financiar ndodhet në majat e hierarkisë së pushtetit.

Financat janë vendi ku përfaqësohet ekonomia reale. Kriza financiare që nisi në 2008-n në ShBA i rrëzoi përtokë lidhjet dogmatike mes lirisë së kapitalit, rritjes ekonomike dhe mirëqenies së shtuar. Pas tkurrjes së ekonomisë amerikane, pasuan edhe tkurrje të shumë ekonomive të tjera. Para tre muajsh, buxheti republikan i prezantuar nga drejtuesi i Komisionit të Buxhetit në Dhomën e Përfaqësuesve, Paul Ryan, u kritikua nga presidenti Obama, meqë i shkurton shpenzimet për 5.3 trilionë dollarë më shumë se sa planet e tij për dekadën e ardhshme, duke goditur kështu mirëqenien e të varfërve.

Ky buxhet i shkurton taksat për 2 trilionë dollarë, duke zvogëluar deficitin për 3.3 trilionë dollarë. Edhe pas fitores në betejën për Shërbimin Shëndetësor Kombëtar, edhe nëse rizgjidhet kollaj president i ShBA-ve, Obama sërish do ta ketë shumë vështirë. Nga viti 2007-2009, profitet e “Wall Street”-it janë rritur për 720%, kurse papunësia është rritur për 102%. Në 2009-n, paga mesatare e CEO-ve të korporatave ka qenë sa 185 herë paga mesatare e punëtorëve.

Gjasat që një amerikan të bëhet milioner janë 1:22, kurse gjasat që një kongresmen të bëhet milioner janë 1:2. Megjithatë, ShBA-të së paku e kanë një udhëheqje që po përpiqet në rrugën e drejtë kundër vështirësive e problemeve. Edhe shtetet e BE-së, me protesta, greva e zgjedhje elektorale, po i ndryshojnë qeveritë dhe elitat, drejtimet e modelet, për ta rimëkëmbur veten. Çfarë po bën qeveria e Kosovws, kur kriza po thellohet sepse po bien remitancat, po ngrihen çmimet dhe po rritet papunësia?

Qeveria e Kosovës po e shndërron republikën në Res Privata. Nga njëra anë bën privatizim të egër e abuziv, e në anën tjetër është fiksuar te infrastruktura si asfalt mbi tokë (për atë që është nëntokë, si ujësjellësit e kanalizimet, nuk e çan fort kokën). Për ta fituar durimin e popullit, qeveria atij i premton investime të huaja dhe i sugjeron orientim te ndërmarrjet e vogla e të mesme. Mirëpo, kur kemi investime të huaja pa i pasur njëherë as investimet e mërgatës sonë, atëherë ky është indikacion që ato investime të rralla janë të dyshimta.

Me gjasë, janë aso të korporatave matrapaze, të cilat investojnë si peshkaqenët që vijnë të shqyejnë një copë dhe ikin pastaj. E, ato korporata sigurisht që i duan kësi politikanësh të korruptuar siç janë këta të instaluar në qeverinë e Kosovës. Njëkohësisht, problemi me ndërmarrjet e vogla e të mesme është se ato mbesin të vogla. Dhe, kjo mandej quhet sukses. Ndërmarrjet e vogla gjenerojnë punësim më të pakët. Ndërmarrjeve të vogla u bie produktiviteti dhe janë gjithnjë e më pak konkurruese, sidomos kur ekonomia nuk shkon mirë. Prandaj, duhet shikuar rritja e bizneseve më parë sesa madhësia e tyre.

Ndërmarrjet e vogla janë interesante kur lindin, pra në krahasim me periudhën kur nuk ekzistonin, ama porsa të jenë të vogla e të vjetra, atyre iu rriten ndjeshëm gjasat që të zhduken plotësisht. Politika fiskale, më parë sesa ajo monetare, e mban punësimin. Siç argumentojnë Robert Skidelsky e Felix Martin, ekziston prirja për t’i kursyer madje edhe paratë shtesë atëherë kur nuk pritet që shtimi i tyre të jetë i vazhdueshëm e i përhershëm.

Për Kosovën është më mirë të dalë nga këta binarë për te modeli i Keynesit, duke dëshiruar kthimin te besimi e vetëbesimi, te optimizmi, meqenëse besimi e cyt investimin. E gjithë kjo në kontrast me atë që quhet neoliberalizëm, i cili predikon pesimizmin: shpëtimi dhe rritja vijnë nga jashtë, meqë s’është gjë puna e ne vendësve (sic.). Në Kosovë, ku punësimi është i lidhur direkt me qeverinë, nuk ka shpresa as për Kosovën e as për qeverinë. Përderisa punësimi nuk është i lidhur me prodhimin, do të prodhohet veçse papunësia.