Requem, për votat e një demokrati nga 23 qershori në 22 korrik!

0
32

Nga Besi BEKTESHI

Është çuar në mëngjes demokrati që votoi në 23 qershor, dhe mbasi ka lexuar gazetat si përditë, ka shkuar të votojë për kryetarin e ri të tij. Ka qenë shumë mëdyshas demokrati, shumë mëdyshas, sidomos për shpejtësinë e realizimit të zgjedhjeve, ngutjes për garën midis dy personave dhe formën e saj, por ja që e çojnë këmbët drejt teatrit për të votuar njërin prej tyre. Nuk duhet lënë partia pa kryetar, edhe pse mund të shtynte prapë disa kohë sa të bëhej një garë reale, demokratike e elaburuar si e tillë pikërisht nga kryetari i madh. Por jo, duhet të zgjidhej një i ri shumë shpejt, shumë shpejt. Shkon demokrati ynë për të lexuar emrin në listë dhe nuk e gjen atë të afishuar në mure. Shikon se ka shumë të tjerë që nuk e gjejnë emrin në listë. I mbetet në dorë tesera e anëtarësisë me nr 930451.

Bëhet nervoz sa më nuk bëhet, dhe i bën një telefonatë dikujt lart, sepse nuk do të bëjë sherr i shkreti, nuk do të shpërthejë në akuza dhe në sharje siç e kanë zakon shqiptarët në përgjithësi. Nuk voton dot, as për kryetarin e ri të partisë së tij për të cilën ka votuar edhe në 23 qershor. Duhet të ishte bërë një regjistrim i ri i thonë, kartë e re (e bukur, blu dhe e dixhitalizuar), ndërsa tesera që ai ka, i ka shkuar për lesh. E ndjen veten fajtor edhe pse nuk ka qenë detyra e tij pajisja me kartë. Fyhet se “nga teserë është kthyer puna me kartë” dhe i duket sikur nuk ka kartën e bankës ku merr rrogën, biles i dhëmb akoma më shumë. Tamam punë kartash! Nuk ka pasur ndonjë mundësi demokrati të jetë kaq aktiv me strukturat që zakonisht bëjnë zhurmë e rrëmujë, por ai ka qenë vazhdimisht person publik dhe çfarë ka pasur për të thënë e ka thënë shumë herë më tepër, se sa minjtë e zyrave të partisë dhe aprofitatorët e stërshumtë që ka partia. Po, botërisht dhe të amplifikuar me një mijë apo dhjetëmijë!

Demokrati është bërë tepër, por tepër nervoz, por dikush e “qetëson” duke i thënë, hajde mor burrë mos u bëj kaq shumë me nerva, sepse vota jote ka shkuar për lesh edhe në 23 qershor! Dhe është e vërtetë! Sepse nga kryetari i madh ai mëson se “votat janë vjedhur nga krimi, droga dhe karteli i saj” dhe se dikur kanë thënë “hapni kutitë dhe tani thonë mos i hapni” dhe se “do të vazhdojmë luftën për votën e lirë, përpara”! Demokrati në fakt nuk ka qenë asnjëherë në krye të turmës që ka bërtitur dhe thërritur, asnjëherë, sepse nuk ka mundur të rreshtohet kështu, që pastaj të marrë urdhra për ashtu! Por po mendonte, se si ka mundësi që komisionerët e PD-së, të caktuar nga PD-ja, të stërvitur nga PD-ja, të besuarit e PD-së, t’ja kenë bërë këtë proçkë pikërisht PD-së dhe liderit të madh të saj!? Si ka mundësi të jenë joshur nga Partia Socialiste, në një rast apo edhe nga LSI-ja në ndonjë rast? Sepse pa vulat dhe firmat e komsionerëve të PD-së, si do të mund të falsifikohet rezultati?

Mirë ata që korruptojnë po ata që korruptohen!? Po si dreqin nuk i paska numëruar votat askush aty në salla, në afërsi të monitorëve? Si ka mundësi që KQZ-ja e madhe pranon letra fotokopje të atyre të firmosura nga socialistët dhe sidomos demokratët. Sa veta do të shkojnë në burg? Ose kush do të shkojë, pyet demokrati, ata që japin fotokopje apo ata që pranojnë fotokopje!? I ka shkuar vota “për lesh” demokratit dy herë, një herë në 23 qershor (jo se ai ishte i bindur se do të fitonte PD-ja, jo ai ishte i qartë se do të humbte), por se ishte i bindur se PD-ja do të mbronte votën dhe ishte ajo që kishte pushtetin. Çfarë apoteoze!? Por kur i shkoi për lesh vota (ose nuk e lanë të votonte) edhe në votimin në parti, atëhere në fakt e kuptoi se ka diçka më interesante në këtë mes. Ai edhe pse e dinte, por kësaj rradhe u sigurua, se votat e tij nuk i do Partia Demokratike. Nuk i do, sepse janë ndryshe.

Demokrati është për votën e lirë dhe jo vetëm me llafe, kurse teknokracia dhe burokracia, por edhe devijacioni partiak që bën “porno me demokracinë” votën e lirë, e kanë një zhargon për të mashtruar si dikur masat, ideologjia e para vitit 1990. Demokrati në fakt, nuk do luftë klasash dhe biografish në parti, kurse ideologjia e kamufluar e përdor pikërisht atë, për eliminime anëtarësh të tillë që nuk bëjnë kompromise me diktaturën, për ta pranuar edhe atë si “anëtare të re të PD-së”. Diktaturën pra!? Demokrati nuk mund të pranojë urdhra, dhe përralla dimri në parti, por në fakt ka vite që këto tregohen në PD. Demokrati do statut, dhe zbatim të tij pikë për pikë. Kurse në fakt, kjo është një herezi, një ëndërr në PD.
Demokrati kërkon një respekt në karrierë dhe kontribut, kurse në fakt “drejtimi” ka përkëdhelur gjatë gjithë kohërave, njerëz të cilët kaq shumë respektuan PD-në dhe liderin, sa janë dhanë votat partisë tjetër! Demokrati, nuk ka kërkuar asnjëherë asgjë të veçantë, as tendera, as financa, as përfitime, biles ka punuar falas dhe me shumicë, por për këtë nga partia është konsideruar “hajvan” dhe i pabesueshëm dhe nga kush; nga ruralë, injorantë, të paqytetëruar, pa bërë një ditë shkollë, (që vetëm t’ju verifikosh dëftesat e shkollës së mesme, mund ti largojë partia tjetër nga puna) por edhe të shkolluar ruralë, që jetojnë akoma me vitet 1970, që për inat të fyerjeve të dikurshme nga ana e PPSH-së, janë bërë antikomunistë.

Demokrati ka kërkuar gjithmonë që të jetë mik me SHBA-të dhe Bashkimin Europian, por lidershipet e mëdha nga pasurimi, mungesa e kulturës politike, devijacioni moral dhe politik, kanë bërë idiotizmin e vazhdueshëm të përkuljes deri në acarim së këtyre marrëdhënieve. Demokrati ka dashur gjithmonë që jo vetëm demokratët ti trajtojë si miq dhe kolegë, por edhe të majtët si kundërshtarë të qartë politikë, por edhe miq dhe të afërm, për të ngritur kulturën e politikës perëndimore! Kurse devijacioni politik demokratik, e ka njehsuar me “tradhtarin” dhe ka tërhequr zvarrë jo vetëm demokratin, por ka egërsuar fort, edhe atë të barrikadës, të cilën e ka trashëgim nga Revolucioni i Danton, Robespjer dhe Marat! Më kuptoni, aty ku në një anë pushkatoheshin pa gjyq dhe vriteshin pa mëshirë në të dy anët!!

Demokrati, nuk ka dashur kurrë të besojë se “nga një parti pa demokraci të brendshme, pa konkurrencë të lirë dhe pa program të biseduar dhe votuar nga të gjithë”, të qeveriset pastaj Shqipëria. Ai ka besuar, se po të mos ketë “demokraci të brendshme partia” nuk ka demokraci as shteti, as shoqëria dhe as Shqipëria!? Në fakt, ai i ka paralajmëruar shpesh e shpeshherë, por as që ju është bërë vonë, dhe kanë justifikuar çdo veprim të lartësive devijate (dervijate nga demokracia e kam fjalën) me pushtetin!! Demokrati nuk ka dashur kurrë që të përdoret gjuha e hekurt dhe akuzave propozime, që pastaj nuk mbahen si premtime. Por ka ndodhur që sot lidershipi thotë se “votat e demokratit i kanë vjedhur krimi, droga” dhe në fakt kush ka qenë në pushtet?

Pikërisht demokratët dhe lidershipi, që ka thënë me emra dhe mbiemra krimin drogën dhe të tjera si këto. Sa e sa herë është thënë se “do ti fusim në burg dhe do të luftojmë krimin dhe drogën, kartelet dhe klanet dikur të Zemunit”; si ka mundësi që në 2013-tën, kur vetëm përpara pak ditëve deklarohet se “janë bërë zgjedhje të lira” sërish klanet e drogës kanë fituar mbi Ministrinë e Brendshme të Partisë Demokratike, mbi Prokurorinë, mbi Gjykatat dhe mbi shtetin dhe Presidentin e PD-së, në krye të shtetit? Si ka mundësi mor zot, që opozita të fitojë zgjedhjet me klane dhe drogë, kur shtetin e ke në dorë ti që je kundër krimit dhe klaneve, por dhe kundër korrupsionit? Demokrati në fakt, duke qenë i djathtë, ka zakonin dhe formimin që kur thotë “luftë, bën luftë dhe nuk mashtron, kur thotë do ti fusim në burg, i fut pikërisht në burg ose kur e nxjerr fjalën prej goje, nuk e lëpin më dhe nuk ju jep dorën drogaxhinjve dhe atyre që ju ka thënë komunistë dhe kriminelë”! Prandaj, ai nuk bën hajër në partinë që sillet si të ishte një llasticë, tashmë që i kanë rënë dhe fuqitë, kofshët e bukura dikur, dhe është mbushur me puçrra e dhjamëra, ngaqë është vendosur “by… palë” e nuk do t’ja dijë, për ata poshtë.

Demokrati i ka paralajmëruar për arrogancën e lumpenëve në PD, por nuk ka dashur askush ta dëgjojë, askush! Ju ka thënë qëndroni djathtas, sepse po silleni jo si të majtë (sepse do të ishte nder), por si lumpen proletariat! Demokrati, nuk ka dashur kurrën e kurrës, që shteti të humbë peshën e vet specifike, që arsimtari të jetë një ximbel idiot, mjeku një grabitës xhepi, gjyqtari dhe prokurori sekserë, taksazhiu një gjobëvënës, doganieri një përdhunues i licensuar rregullash, zyrtari një frymëzim për film porno midis shtetit dhe individit kriminel, polici të mos ishte shoqëri e gangsterëve, politikani të mos ishte vetëm një mjelës lope vetëm për vete. Jo, nuk ka dashur këtë, por kështu donin ata të “setës satanike” ose devijacionit politik dhe gjenetik, në Shqipëri. Demokrati nuk ka dashur asnjëherë që të humbin kontributet e askujt dhe as lidershipit vetë, por jo vetëm janë humbur, por janë ngritur në piedestal kontribute të individëve majtas, me tesër partie të tillë! Demokrati edhe pse dy herë nuk ja kanë përfillur votën, i do të mirën PD-së! Ashtu sikundër të gjithë klasës politike aspak të barabartë me pasionin e popullit të saj për demokraci. I do të mirën, edhe pse duke qenë demokrat, nuk e duan, nuk e respektojnë, por po vjen dita që do ta kenë përballë dhe jo vetëm atë, por pothuaj të gjithë demokratët e vendit.

Tashmë nuk ka më rëndësi se çfarë bëhet me individët, tanimë dihet qartë se çfarë do të bëhet me PD-në. Ajo që dihet, është se nuk ka shanse të jetë më një parti që vetëm emrin ka demokratike, dhe pastaj sillet në saj të individëve që nuk dinë se ku bie demokracia me ADN, si një parti autokratike. Edhe po të duan nuk do të kenë më mundësi, sepse ai ka besuar gjithmonë se partia është si puna e digave, po u çanë, nuk mund të ngjiten më. Tani si me kanakar të kryetarit të madh, si jo, PD-ja o duhet kthyer nga demokracia, ose është e destinuar që me parulla dhe slogane, të rrudhet e rrudhet vazhdimisht. Mënyra të tjera nuk ka. Vetëm bashkimi i emrit të saj me veprimtarinë, e bën fituese kundrejt PS-së. Të gjithë rrugët e tjera janë kot, fare kot, dhe demokrati normalisht ëndërron që të vijë dita kur të krenohet se është vërtetë një anëtar i Partisë Demokratike.