Republikanët amerikanë kundër shkencës

0
90

Paul Krugman*, 03.09.2011

Tani nuk e dimë se kush do t’i fitojë zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm. Por gjasat janë se një prej këtyre viteve kombi më i madh i botës do ta gjejë veten i sunduar nga një parti që është agresivisht antishkencë, dhe në të vërtetë antidijeni

Jon Huntsman Jr., ish-guvernatori i Utahut dhe ambasador në Kinë, nuk është garues serioz për nominimin presidencial republikan. Dhe kjo është shumë keq, sepse z. Huntsman ka qenë i vullnetshëm ta thoshte të pathënën rreth Partisë Republikane – që është, se ajo po bëhet një parti “antishkencë”. Ky është një zhvillim tej mase me rëndësi. Dhe, do të duhej të na tmerronte të gjithëve.

Për të parë se çka mendon z. Huntsman, analizojini deklaratat e kohëve të fundit të dy burrave, që në fakt janë garues seriozë për nominimin republikan: Rick Perry dhe Mitt Romney.

Z. Perry, guvernator i Teksasit, së voni i kapi kryetitujt duke e hedhur poshtë evolucionin si “vetëm një teori” që paska “disa boshllëqe brenda saj” – një vëzhgim ky që paraqet lajm për shumicën dërrmuese të bilogëve. Por, ajo që vërtet e tërhoqi vëmendjen e publikut ishte ajo që tha për ndryshimet klimatike: “Mendoj se ka një numër substancial shkencëtarësh që i kanë manipuluar shënimet në mënyrë që të kenë të hyra dollarësh në projektet e tyre. Dhe mendoj se po e shohim, pothuajse çdo javë apo edhe për çdo ditë, që shkencëtarët po dalin publikisht dhe po e vënë në pikëpyetje idenë origjinale se ngrohja globale e shkaktuar nga njeriu është ajo që e shkakton edhe ndryshimin e klimës”.

Kjo është një deklaratë e jashtëzakonshme – apo ndoshta cilësimi i duhur do të ishte, “djallëzore”.

Pjesa e dytë e deklaratës së z. Perry është, thjesht, e gabuar: konsensusi shkencor për ngrohjen globale të shkaktuar nga njeriu – që përfshin 97-98 për qind të hulumtuesve në terren, sipas Akademisë Kombëtare të Shkencës – po bëhet më i fortë, jo më i dobët, derisa dëshmitë për ndryshimet klimatike vazhdojnë të shtohen.

Në fakt, nëse e përcillni fare shkencën e klimës do ta dini se zhvillimi kryesor në disa vitet e fundit ka qenë ngritja e brengës se projektimet e klimës për të ardhmen po e nënvlerësojnë sasinë e besueshme të ngrohjes. Vërejtjes se mund të përballemi me ndryshime të temperaturave që kërcënojnë civilizimin deri në fund të shekullit, që dikur konsideroheshin jashtëtokësore, tani po bëhen nga grupe serioze hulumtimi.

Por, mos e çanin kokën me këtë, sugjeron z. Perry; këta shkencëtarë e bëjnë këtë vetëm për para, “manipulojnë shënimet” për të krijuar kërcënime të sajuara. Në librin e tij “I ngopur”, ai e hedh poshtë shkencën e klimës si një “pështjellim i rrejshëm që po zhbëhet”.

Do të mund të vëreja se z. Perry po i beson një teorie vërtet të marrë të konspiracionit, e cila supozon se mijëra shkencëtarë në mbarë botën janë bërë bashkë, dhe asnjëri prej tyre nuk është i vullnetshëm të thyejë kodin e heshtjes. Po ashtu, do të mund të theksoja se hulumtimet e shumëfishta në klauzolat për keqpërdorim intelektual nga ana e një pjese të shkencëtarëve të klimës kanë përfunduar me shfajësim të hulumtuesve të akuzuar nga të gjitha akuzat. Por, mos çani kokën: z. Perry dhe ata që mendojnë si ai, e dinë çfarë duan të besojnë, dhe përgjigjja e tyre ndaj secilit që i kundërshton ata është që të nisin një ndjekje shtrigash.

Si atëherë, u përgjigj z. Romney, garuesi tjetër udhëheqës për nominimin republikan, ndaj sfidës së z. Perry? Me një mënyrë të dalluar: duke ikur. Në të kaluarën, z. Romney, ish-guvernator i Massachusettsit, fuqishëm ka përqafuar nocionin se ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njeriu janë një brengë e vërtetë. Por, javën e kaluar ai e zbuti këtë në një deklaratë që thotë se mendon se bota po bëhet më e ngrohtë, por “nuk e di këtë” dhe “nuk e di nëse kjo shkaktohet kryesisht nga njerëzit”. Kurajë morale!

Natyrisht, e dimë çfarë e motivon mungesën e befasishme të besimit tek z. Romney. Sipas hulumtimeve, vetëm 21 për qind e votuesve republikanë në Iowa besojnë në ngrohjen globale (dhe vetëm rreth 35 për qind besojnë në evolucion). Brenda republikanëve, injorimi i vullnetshëm është bërë një test kryesor për kandidatët, një të cilin z. Romney është i vendosur ta kalojë me çdo çmim.

Prandaj, tani duket fort e besueshme se kandidat presidencial i njërës nga dy partitë e mëdha tonat do të jetë një njeri që beson atë që do të besojë, madje edhe përballë dëshmive të kundërta shkencore, apo një njeri që shtiret se beson çfarë do që ai mendon se baza partiake do që ai të besojë.

Dhe anti-intelektualizmi në thellim i të djathtës politike, edhe brenda edhe jashtë Partisë Republikane, shkon përtej çështjes së ndryshimeve klimatike.

Së voni, për shembull, faqja editoriale e “The Wall Street Journal” ka shkuar përtej termit të saj të kamotshëm preferencial për idetë ekonomike të “sharlatanëve dhe të të sëmurëve” – siç e tha famshëm këshilltari kryesor ekonomik i ish-presidentit George W. Bush – në denigrim të përgjithshëm të mendimit të thellë për çështjet ekonomike. Mos ia kushtoni vëmendjen “teorive ekstravagante” që janë në konflikt me “mendjen e shëndoshë”, na thotë kjo gazetë. Sepse, pse dikush duhet të mendojë se ke nevojë për diçka më tepër se një ndjenjë të brendshme për të analizuar gjërat siç janë krizat financiare apo recesioni?

Tani nuk e dimë se kush do t’i fitojë zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm. Por gjasat janë se një prej këtyre viteve kombi më i madh i botës do të gjejë veten i sunduar nga një parti që është agresivisht antishkencë, dhe në të vërtetë antidijeni. Dhe, në kohë të sfidave të rënda – ambientale, ekonomike, dhe të tjera – kjo është një perspektivë tmerruese.

(Fitues i çmimit “Nobel” për ekonomi më 2008, është kolumnist i gazetës “The New York Times”)