Nga Tema
Situata e lirisë së medies në Shqipëri është përkeqësuar vitin e fundit dhe vendi ynë sërish është i fundit në rajon për sa i përket lirisë së medies. Organizata Reporterët pa Kufij publikoi dje raportin vjetor të lirisë së medies dhe indeksin e renditjes së shteteve. Shqipëria ndodhet në vendin e 88, e fundit në Evropë, ndërsa vitin e kaluar ndodhej në vendin e 79 nga 173 vende në indeksin mbarëbotëror.
Rasti i gazetës “TemA”, e cila u nxor me forcë nga ambientet e saj, është më ilustruesi që përdor organizata Reporterë pa Kufij për të treguar gjendjen e lirisë së medies në vend.
Liria e medies në një vend të NATO-s
Në mënyrë ironike, në pjesën e raportit për vendin tonë, theksohet fakti që tashmë jemi një vend i NATO-s dhe media duhet të ketë më shumë liri. Madje hyrja e raportit merr citimin e kryeministrit, Sali Berisha, përdorur në samitin kur Shqipëria u bë anëtare e NATO-s, se ky anëtarësim është një “mrekulli e lirisë”, dhe thotë se këtë liri duhet ta shijojë edhe media.
“18 vjet pas rënies së diktaturës komuniste, Shqipëria zyrtarisht ka ratifikuar anëtarësimin në Organizatën e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO), më 4 prill 2009.
Ky hap, i duartrokitur unanimisht nga media dhe klasa politike, veçanërisht nga Partia Demokratike e kryeministrit, Sali Berisha, duket si një “mrekulli e lirisë”, të cilën media e pavarur ishte entuziaste për ta shijuar”, – thuhet në raport.
Por duket se nuk është kështu, pasi liria e medies në vend është përkeqësuar.
“Vitaliteti dhe rritja e shpejtë në sektorin e medies nuk përmbush gjithmonë nevojën e një pluralizmi të vërtetë të lajmeve dhe informacionit. Gazetaria investigative vazhdon të jetë embrionike dhe po përpiqet të gjejë hapësirë në media që u përkasin grupeve industriale të vendosura për të mbrojtur sferat e tyre të interesit ose partive politike që shpesh përziejnë lajmin me propagandën. Korrupsioni në shërbimet publike dhe pasuritë e patundshme është një çështje mjaft e ndjeshme, ashtu si krimi i organizuar dhe trafiqet. Paqëndrueshmëria sociale dhe financiare, e lidhur me mungesën e një kuadri ligjor për ushtrimin e profesionit, i lë gazetarët në mëshirë të vendimeve arbitrare dhe shton korrupsionin”, – thuhet në raport.
Qeveria kontrollon çdo qelizë të medies publike
Kështu thekson raporti i Reporterëve pa Kufij për median publike që po vuan prej kohësh kontrollin e ekzagjeruar të qeverisë.
“Kontrolli qeveritar mbi median publike është prezent në çdo qelizë. Emërimet në pozicionet kyçe janë politike për të siguruar linjën e duhur editoriale”, – thuhet në raport.
Reporterët pa Kufij në këtë aspekt janë në të njëjtën linjë me progres-raportin e Komisionit Evropian, që thekson kontrollin e qeverisë mbi mediat dhe KKRT.
“Për sa i përket kapaciteteve administrative, nuk raportohet progres për aftësitë monitoruese të KKRT. KKRT ka favorizuar mediet që lidhen me qeverinë. Një gjobë e vendosur nga KKRT ndaj një transmetuesi privat televiziv solli reagimin e Avokatit të Popullit. Kjo ngre pikëpyetje në lidhje me pavarësinë e KKRT.
Reforma në transmetuesin publik është në vendnumëro. Ndikimi i vazhdueshëm i qeverisë po ndikon negativisht në pavarësinë e këtij institucioni. Niveli i ulët i mbledhjes së pagesës së licencës vazhdon të jetë një çështje shqetësuese”, – thuhet në raportin e KE.
Rasti “TemA” si shembull i regresit
Raporti vlerëson se situata është mjaft shqetësuese për sa u përket dhe medieve private. Sipas Reporterëve pa Kufij, qeveria ka gjetur mënyrat “ligjore” për të bërë presion e mbajtur nën kontroll median private.
“Edhe pse mediat në pronësi private kanë më shumë liri, ato nuk janë të mbrojtura nga një numër formash presioni.
Pagesat e ekzagjeruara për shërbimet publike, heqja e reklamave, ndryshimi i taksave dhe kaosi zyrtar janë “armët” zyrtare për të promovuar vetë-censurën, që është dukshëm e pranishme në një numër të madh mediesh”, – thuhet në raport.
Për të ilustruar situatën e vështirë të medieve, Reporterët pa Kufij sjellin rastin e gazetës “TemA” që u nxor me forcë nga ambientet e saj.
“Policia rrethoi më 9 janar 2009 zyrat e gazetës private “TemA” në kryeqytetin, Tiranë, dhe ndaloi me forcë hyrjen për gazetarët dhe stafin tjetër, pasi Ministria e Brendshme detyroi ndërprerjen e qerasë. Ajo po zbatonte një vendim të Ministrisë së Ekonomisë të 16 dhjetorit të një viti më parë, që përfundonte pa asnjë njoftim kontratën për zyrat e “TemA”-s, të marra me qira për 20 vite në një godinë shtetërore. Ky vendim megjithatë u hodh poshtë nga një apelim në gjykatë, që lejonte “TemA”-n të hynte në ambientet e saj”, – thotë raporti.
Ai përmend edhe rastin e gjobës ndaj televizionit News 24. “Këshilli Kombëtar i Radios dhe Televizionit luajti gjithashtu një rol efektiv në forcimin e “respektit për identitetin kombëtar” duke gjobitur televizionin News 24 me tetë milionë lekë gjobë për transmetimin e një spoti përqeshës, përgatitur nga organizata joqeveritare G99 për kryeministrin, Sali Berisha, që fliste me krenari për përpjekjet e qeverisë dhe sukseset në luftën kundër korrupsionit, duke u bërë thirrje qytetarëve që ta kontaktojnë atë në celular për të raportuar direkt tek ai rastet e korrupsionit”, – thuhet në raport.
Rajoni
Përkeqësim ka shënuar liria e medies edhe në Kosovë. Ajo radhitet në vendin e 75 në renditjen e Reporterëve pa Kufij, ndërsa vitin e kaluar zinte vendin e 58. Nota e dhënë më 2008 për shkeljet në lirinë e medies ishte 12.00, kurse këtë vit kjo notë është rritur 16.58. Sa më e lartë nota, aq më të mëdha janë shkeljet.
Shqipëria këtë vit është në vendin e 88, derisa vitin e kaluar ishte në vendin e 79. Maqedonia është radhitur në vendin e 34, Bosnja në vendin e 39, Mali i Zi në vendin e 77 dhe Serbia në të 65.