Nga Jan Puhl, DER SPIEGEL
Përpara ndërtesës së Komisionit të Zgjedhjeve në qendër të Tiranës, demonstruesit mbajnë pankarta të mëdha të bardha ku bëhet thirrje për ndihmë: “Ku është Europa?”
Janë mbështetësit e Edi Ramës dhe janë të zemëruar. Zgjedhjet lokale u zhvilluan katër javë më përpara, por ato sërish janë të pranishme mes shqiptarëve. Rama u rizgjodh kryebashkiak i Tiranës më 8 maj, por me vetëm 10 vota përpara. Më pas KQZ bëri një rinumërim dhe krejt papritur Rama ishte në disavantazh me 81 vota me kundërshtarin e tij, Lulzim Bashën e Partisë Demokratike në pushtet. Rama e çoi çështjen në gjykatë, por apeli i tij u rrëzua në fundjavë. Tashmë avokatët e tij po përgatisin një tjetër padi.
Edi Rama është një dymetrosh me një mjekër me hije. Është kreu i Partisë Socialiste, partisë më të madhe të opozitës. Zyra e kryebashkiakut nuk ka qenë e mjaftueshme për të për një kohë të gjatë, ai shpreson të bëhet kryeministri i vendit, një nga më të varfrit në Europë. Meqë humbja e fortesës së tij do të thotë fundi i ambicieve, ai është i bindur se armiku i tij kryesor, kryeministri Sali Berisha, ka manipuluar rezultatin.
Rama thotë se qëllimi i Berishës është që të asgjësojë ekuilibrat demokratikë në vend dhe parashikon një revoltë popullore që mund të paralizojë vendin.
Berisha duhet ta marrë seriozisht këtë kërcënim pasi Shqipëria është thellësisht e ndarë në kampe pro- Ramës e Berishës. Në zgjedhjet e fundit, simpatizantët e dy partive u përplasën. Një kandidat i PD u qëllua, jashtë shtëpisë së një kandidati të PS shpërtheu një eksploziv. Tensionet politike në Tiranë bënë që presidenti i BE, Jose Barroso, të anulonte një udhëtim të planifikuar në Tiranë.
Shqipëria është një vend anëtar i NATO-s dhe dëshiron të bashkohet me BE, por pikëpyetjet që rrethojnë zgjedhjet për kryebashkiak në Tiranë, kanë reduktuar shanset që kjo ëndërr të bëhet realitet në ndonjë të ardhme të afërt. Gjithandej në Ballkan, qeveritë po ndërmarrin hapa të dhimbshëm për tu marrë seriozisht si anëtarë potencialë të BE-së: Serbia po punon për pajtimin me Kosovën, Maqedonia kërkon të lërë mënjanë përplasjet e vjetra me Greqinë dhe Kroacia ka nxjerrë para gjyqit kriminelët e saj të luftës.
Më shumë se 20 vjet pas rënies së Perdes së Hekurt, vetëm Shqipëria është prapa. Shumë vëzhgues e konsiderojnë vendin një fortesë të trafikut të armëve, drogave dhe femrave, dhe shtëpinë e gjakmarrjes. Për më tepër, beteja mes Ramës e Berishës ka penguar çdo progres politik për dy vite.
Rama kërkon të flirtojë me idenë se ai nuk është një politikan. Ai e ka lyer zyrën e tij me të kuqe të zezë dhe në mur varet një pikturë në vaj e një bukurie të brishtë. Përpara se të zgjidhej për herë të parë në vitin 2000, ai jetonte në një ekzil bohemian në Paris. Ai ishte piktor i suksesshëm me ekspozita në Nju Jork, San Paolo e Frankfurt.
Më pas ai i hodhi sytë nga qyteti i tij i lindjes, i lënë pas dore, i rrezikshëm dhe i pluhurosur, dhe me kujdes e zbukuroi këtë xhungël post- komuniste. Ai dhe miqtë e tij lyen apartamentet e zymta me ngjyra të ndezura- portokalli, e kuqe, e verdhë dhe blu. “Ngjyrat ishin një sinjal se ne kërkonim të ndryshonim diçka,” thotë Rama.
Për një moment dukej sikur po funksiononte. Vendet perëndimore e vlerësonin populistin ekscentrik si dikush që mund të realizonte plane të guximshme. Në internet disa fansa madje i dhanë edhe titullin “Kryebashkiak i Botës”. Dhe në Shqipëri Rama konsiderohej si një outsider që konfrontohej me korrupsionin e klasës politike.
Këto ditë, nuk mund thuash se Tirana është e bukur, por është e gjallë. Blloku, një lagje e mbyllur dikur për nomenklaturën, është një qendër e mbushur me restorante e bare. Parqet janë të pastra, rrugët kryesore janë të sapovijëzuara dhe Sheshi Skënderbej, më i madhi në Tiranë, po rinovohet me fonde nga Kuvajti. Edhe pse popullsia është rritur nga 220 mijë në 1.5 milion në 20 vite, sërish ai konsiderohet një qytet i sigurt.
Shumë nga kjo i atribuohet Ramës, por prej disa kohësh reputacioni i tij është dëmtuar. Rënia e tij nisi në zgjedhjet e qershorit 2009. Në atë kohë, Partia Demokratike e Berishës, në koalicion me parti të vogla, fitoi 70 nga 140 vende në parlament. BE nuk i kundërshtoi zgjedhjet dhe Rama u ndje i tradhtuar në fitoren e tij. Socialistët bojkotuan parlamentin për muaj të tërë. Çdo të premte, ai dërgonte protestuesit përpara zyrës së kreut të qeverisë.
Në janar 2011 shpërthyen krismat kur një protestë kundër një skandali korruptiv të zv/kryeministrit u nxeh shumë. Garda republikane e Shqipërisë hapi zjarr ndaj protestuesve jashtë zyrës së Berishës, duke vrarë katër mbështetës të Ramës. Kur prokurorja kërkoi të arrestonte gjashtë oficerë, Berisha e quajti atë “prostitutë rrugësh” dhe urdhër arrestet nuk u zbatuan për javë.
Rivaliteti mes dy burrave nxjerr në pah problemin e Shqipërisë. Elitat politike nuk janë të përgatitura për të pranuar humbjet në votime dhe organet demokratike të shtetit nuk kanë autoritetin e duhur.
“Është faji i Saliut” ishte i vetmi sllogan që kryebashkiaku përdori në fushatën e tij. Në fakt Rama nuk ka një platformë politike për të folur, gjithçka ka është vetja e tij dhe urrejtja për Berishën. Ai është kthyer në një lloj politikani që dikur e urrente. Siç thonë kritikët e tij, ai ka stampuar autoritetin në parti, ka zhdukur debatin dhe i sheh gjërat vetëm bardh e zi.
Fatos Lubonja nuk është i çuditur me kthimin e artistit në një demagog. “Ne ishim miq,” thotë ai. “Dhe që atëherë i kam thënë se ai është i rrezikshëm”.
Lubonja pi çaj në një lokal në Sheshin Skënderbej. Autori ishte disident gjatë diktaturës komuniste të Enver Hoxhës, që u lidh me Jugosllavinë, Bashkimin Sovjetik dhe më pas Kinën përpara se ta çonte Shqipërinë në izolim të plotë në vitin 1978.
13 vitet që ka kaluar në një kamp pune të Hoxhës, e kanë bërë Lubonjën më të prirur për tu sëmurur, por e kanë bërë edhe më të fortë. Ai kollitet shumë dhe bën shumë gjeste. “Rama e Berisha, që të dy janë të mbështetur nga klika oligarkësh,” thotë ai, duke i përshkruar ata si biznesmenë të korruptuar që kontrollojnë industrinë e ndërtimit dhe median. “Beteja e tyre është betejë për territore,” shton ai. “Në 20 vite të rënies së komunizmit ne kemi ndryshuar një lidership të degjeneruar për një tjetër, vetëm se ky i sotmi është i veshur më mirë.”
Po pse shqiptarët bien dakord më këtë? Një arsye mund të jetë se ish- vendi komunist nuk ka një imazh pozitiv për BE-në. “Fqinjët tanë janë italianët me kryeministrin e tyre të korruptuar e të pavlerë dhe nga ana tjetër ne kemi grekët e falimentuar,” thotë Lubonja. Ai gjithashtu mendon se shqiptarët kanë një kulturë demokratike pak të zhvilluar.
Në të vërtetë, shqiptarët kurrë nuk ia kanë dalë të identifikojnë veten me shtetin. Otomanët pushtuan Shqipërinë e sotme deri në Luftën e Parë Botërore. Vendi ishte dëshpërimisht i varfër, dhe 90 përqind e popullsisë ishte analfabete deri në shekullin e 20-të. Krenaria kombëtare ishte një luks që vetëm një grusht intelektualësh të klasit të mesëm në Tiranë e Shkodër mund ta përballonin.
Shumë shqiptarë akoma ndjejnë se lidhjet e tyre më të forta janë me familjet dhe fshatrat ku kanë lindur. Kjo shpjegon se përse ata në pushtet në radhë të parë mendojnë për miqtë dhe klanin e tyre. Në Luftën e Dytë Botërore, ushtritë e huaja në mënyrë të vazhdueshme marshuan në vend dhe një lëvizje e nëndheshme komuniste erdhi në pushtet në vitin 1944. Lideri i saj, Hoxha, vrau rreth 6 mijë njerëz në vendin e tij dhe dhjetëra mijëra u arrestuan. Ai vdiq në vitin 1985.
Pas vitit 1989, Shqipëria u zhyt në anarki. “Askund tjetër nuk e ka shkatërruar komunizmi kulturën politike siç ka bërë këtu,” thotë Lubonja. “Për shqiptarët, shteti nuk ka vlerë. Ose do e mbrosh veten kundër tij, ose do e shfrytëzosh”. Autori nuk është optimist për të ardhmen. “Kemi një mentalitet autoritar dhe nuk jemi në gjendje të pranojmë kompromisin,” thotë ai.
Ato pak investitorë që kanë ardhur në Shqipëri, nuk kanë alternativë veçse të përshtaten me ambientin. Një biznesmen gjerman, që foli për SPIEGEL në Tiranë, nuk pranoi të jepte emrin e tij për shkak se biznesi i tij mund të dëmtohej. “Ti ke një shans këtu vetëm nëse je me ata që janë në pushtet,” thotë ai. “Nuk ka rëndësi nëse quhet Berisha ose Rama. Ata marrin një copë në çdo marrëveshje të madhe. Shteti mund të blihet”.
Biznesmeni i është përgjigjur kësaj klime duke punësuar vetëm gra. Është një praktikë që përdoret shpesh nga investitorët në Afrikë. Eksperienca atje ka treguar se gratë janë më pak të korruptuara, punojnë më shumë dhe e trajtojnë më mirë paranë.
Ai ka pesë vite këtu dhe dëshiron të qëndrojë. “Vendi ka potencial,” thotë ai. Biznesmeni beson tek të rinjtë, që duan ato gjëra që i kanë të tjerët në Europë: prosperitet, një karrierë dhe demokraci. Shumë shqiptarë janë arratisur nga vendi në fillim të viteve ’90 për të punuar në Greqi, Itali e SHBA dhe shumë prej tyre nuk janë rikthyer.
“Ata kanë sjellë këtu standardet evropiane dhe janë të dëshpëruar për mënyrën se si prindërit e tyre bëjnë politikë,” thotë biznesmeni. “Ata po rebelohen.” Ata po protestojnë kundër lidhjeve të ngushta mes politikës, biznesit dhe krimit të organizuar dhe kundër një sistemi ekonomik ku lidhjet personale janë më të rëndësishme se kualifikimet në punë.
“Rama e Berisha nuk mund të luajnë lojërat e tyre të vogla përjetësisht,” thotë biznesmeni. “Ka shumë të rinj pa perspektivë në Shqipëri, të paktën po aq shumë sa ishin në Egjipt”.