REPORTAZH/ Si po abuzohet me administratën publike

0
33

Ose paraqitu në mbledhje të shtabit të lagjes, ose bëj vend e futu se nga puna je i pushuar! Pa e zbukuruar shumë, ky është pak a shumë mesazhi që kanë nisur të marrin këto ditët e fundit punonjësit e administratës shtetërore. Ka afro dy javë që në çdo ministri e drejtori të saj, në çdo institucion e dikaster shtetëror, në çdo shkollë e ndërmarrje, në çdo organizëm e organizatë që varet nga qeveria janë përpiluar listat e rekrutëve, të cilat nga ana e tyre duhet të gatisin lista me rekrutë për votime. Një zinxhir që funksionon veç mbi bazën e kërcënimeve dhe frikës

Nga Gladiola Bendaj, JAVA 30 Maj 2013

Nëse nuk do kishte dëgjuar ca thashetheme lart e poshtë shkallëve të punës dhe ca çuçurima nën zë në mensë gjatë pushimit të drekës dy ditë më parë, D. H., do të kishte qeshur me vete e pastaj do t’i ishte përgjigjur ndryshe mesazhit që i erdhi në celular atë pasdite, kur sapo qe kthyer nga puna dhe po orvatej të pushonte disi. “…Siç edhe mund të jeni vënë në dijeni nga eprorët, në funksion të fushatës elektorale dhe kërkesave që ajo paraqet, ju lajmërojmë se sot pasdite, ora 18:00, duhet të paraqiteni pranë zyrave të Shtabit elektoral të njësisë tuaj zgjedhore Nr. … për të marrë pjesë në takimin që do të zhvillohet me z…. Në rast mospjesëmarrjeje do të mbahen shënimet e nevojshme…”.

– Shënimet e nevojshme?! E ç’domethënë kjo?! Epo pikë e zezë, nuk mjaftuan mitingjet, po edhe mbledhjet e shtabeve duheshin tani. Jo po zbor më mirë.

Në të tilla raste, robit s’i mbetet veç të shfryjë me vete. Kishte edhe një orë kohë për ta menduar. Prandaj kishte ardhur në fillim të muajit ajo e reja e sekretarisë dhe kishte mbajtur shënim të dhënat për secilin. Emër, mbiemër, nr. telefoni, adresë, njësia ku votoje…nënë e babë. “Po numrin këmbës e sa dhëmbë kam në gojë e do?” – i kishte thënë jo fare pa të keq, po pastaj e kishte mbledhur. Vajza kishte buzëqeshur duke i thënë që këtë detyrë i kishin caktuar dhe ishte larguar për tek tjetri.

Prej më shumë se dy javësh, në çdo ministri e drejtori të saj, në çdo institucion e dikaster shtetëror, në çdo shkollë e ndërmarrje, në çdo organizëm e organizatë që varet nga qeveria është caktuar nga një koordinator, i cili ka për detyrë të përpilojë listën me emrat dhe të dhënat personale për çdo punonjës. Emër, mbiemër, numër telefoni, adresë banimi, njësia ku voton, etj. I gjithë informacioni grumbullohet më pas në një bazë të përbashkët të dhënash e cila bën edhe sistemimin dhe ndarjen sipas zonave dhe njësive zgjedhore. Kështu, secilës qendër elektorale i dërgohet lista përkatëse me emrat e punonjësve të administratës që rezultojnë të jenë votues në atë zonë, si dhe të dhënat personale të secilit. Çdo gjë është e parakalkuluar. Përveç të dhënave dhe kontakteve për gjithsecilin. Lista paraqitet me ngjyra të ndryshme, për të evidentuar ata që janë pro apo kundër sistemit. Ngjyrë më vete kanë edhe të dyshimtët, pra ata që su ka dalë asnjë llaf në anojnë majtas apo djathtas. Pavarësisht ngjyrimeve, që iu kanë ardhur nga të dhënat e dërguara nga lart, përmes listave emërore të punonjësve të administratës, çdo qendër elektorale, në shtabin e krijuar, ka ngritur edhe një grup të posaçëm që merret veçanërisht me kontaktimin dhe thirrjen e secilit prej tyre. mesazhi ishte i qartë, po ashtu edhe pasoja e injorimit të tij. Pushim nga puna. Nënkuptuar thatë, bukur, fëlliqur. Se mos linte vend për dyshime kjo punë, fundja s’qe hera e parë. E gjithë administrata u mbyt në paralajmërime, vërejtje me shkrim e gojë, pezullime e shkarkime nga puna, jo më larg se në fushatën e zgjedhjeve lokale, atëherë kur kolegia e saj në ministri mori vërejtje nga lart dhe në listën e posaçme emrit të saj iu vu kryq, sepse në një miting të mbyllur nuk ishte çuar nga vendi të duartrokiste.

I tillë ishte edhe mesazhi që i erdhi Dh.H. pasditen e para pak ditëve. Pasi kishte mbaruar punën në zyrat e shtetit, një tjetër zyrë e pushtetit e thërriste për të bërë “detyrën mbi detyrat”. Përpara se në zyrat e punës së saj të ishte caktuar një koordinatore për këto punët e partisë, vetë drejtori merrej me to. Po, po. Pa delegime të veçanta, ai vetë iu çonte sms punonjësve duke iu urdhëruar pjesëmarrjen në mitingjet e radhës, i fundit, jo më larg se dy javë më parë. Me kaq gjë, ajo dhe gjithë koleget e saj ishin mësuar tashmë. Fundja, kur vinin autobusët me nëpunës nga rrethet, për to nuk bëhej fjalë fare. Po kjo puna e mbledhjeve të Shtabit…

D.H. kishte gjashtë vjet që punonte në Degën qendrore të Tatim Taksave si specialiste dhe kishte filluar aty jo nga ndonjë militantizëm i thellë i saji apo i ndonjë të njohuri, por thjesht se dikush pati mirësinë t’i shtonte “një llaf të mirë” kurrikulumit të saj të kopsitur me gjithçka që kërkonte vendi i sapoçliruar i punës. Atë ditë e kishte konsideruar veten me fat dhe çdo ditë më pas, teksa shihte komshinjtë e derës përballë që teksa hanin bukën hanin dorën prej fukarallëkut, luste vetëm të kishte punën dhe kaq. Ishte bërë kaq keq për punë…

Me pak fjalë, kushdo që sot paguhet nga shteti ka për detyrë t’iu përgjigjet thirrjeve jo vetëm për mbushjen e sallave e shesheve të mitingjeve, por edhe angazhimet në zyrat elektorale të njësive ku votojnë. Çfarë angazhimesh? Nga më të ndryshmit. Le ta nisim me “listën 10-tëshe”. Kjo është një detyrë shtëpie për të gjithë. Cilido punonjës administrate që i dhimbset vendi i punës dhe buka e kalamajve duhet të sjellë një listë me dhjetë emra që janë gati të bëjnë be e rrufe se do të votojnë për partinë në pushtet. Ku t’i gjejnë? Ku të duan!

Po atë pasdite, I. Gj., një inxhinier i ri që s’kishte bërë as vitin që punonte si specialist IT në një prej ministrive, kishte marrë leje për tu larguar pak më parë nga puna dhe e kishte mbajtur frymën për në spital. Një prej të afërmeve të familjes sapo kishte hyrë në sallën e operacionit. Rrugës na i kishte dalë përpara një drejtor drejtorie që e kishte zyrën në të njëjtin kat me të. Një aktivist i flaktë që qëkur kishte nisur fushata sikur kishte rënë në peshë nga frenetizmi që i sillej rrotull. “Ku po shkon kështu, – e kishte pyetur. Në spital, kam një njeri timin që më operohet. Ehe, të shkuara…veç doja të të kujtoja se sot nga ora gjashtë duhet me qenë në Shtab, se kemi një si punë mbledhje të shkurtër, sa për prezantim…se vjen… Të erdhi mesazhi nga ata të zyrës besoj. Mos e neglizho po deshe. Hajd shnet. – Pffff… Ai s’i kishte nxjerr ende me rroga paratë që kishte paguar si ryshfet për të fituar atë vend pune që tani po i dilte nga hundët. Me siguri nuk do ta kishte më pas zgjedhjeve kur të bëheshin ndryshimet e radhës. Të shkonte apo të mos shkonte, kjo qe çështja. Më mirë po bëj sikur s’e mora mesazhin… Po nga më doli dhe ky m… në rrugë. Tani nuk bëj dot sikur s’e dija. Ec e merri vesh se ç’ngatërrojnë. Po hidhem një vrap nga spitali e pastaj po kaloj.

Në këto punë, ka gjithmonë vërdallë ligavecë jargaviten, servilosen e ndahen më dysh, sidomos kur afrojnë ditët. Të gjorët ata, pale sa e kanë listën që duhet të plotësojnë. Sa më pranë Shtabit, aq më shumë dele duhet të vësh përpara. Ndryshe të pret “gërshëra”. Me miklime apo me kërcënime, ç’rëndësi kishte.

U çmende gjë, – i kishte thënë e motra Aurelës, kur kjo i ishte përgjigjur se as që kish ndërmend të shkonte për të mbushur sallat e mbledhjeve të tyre në lagje e të rrinte si hu aty për tu bërë gaz i botës. Ato të dyja ishin mësuese, njëra në gjimnaz e tjetra në universitet shtetëror. Edhe të dy prindërit kishin qenë mësues. Të urtë e paqësor, e vetmja pasuri që iu kishin lënë ishte një bibliotekë gjigande. Thirrjes për në Shtab ajo i ishte përgjigjur me një të mbyllur të telefonit. – Ti bëj ç’të duash, po un them të vemi. Aman, gjysmë ore gjë është, sikur çdo bëjmë. Mezi i kemi punët. Harrove ç’hoqëm për të të rregulluar? Edhe për mua nuk është mirë, kam doktoraturën për të mbrojtur dhe kryetarin e degës aty e kam në komision. Të lutem, bëje për mua. – Jo, iu përgjigj shkurt më e vogla, kam programe më interesante për pasditen, do dal për qejf, e kam lënë me shoqet. Gjithmonë kishte qenë kokëfortë.

– Edhe një gjë, se mos harroj, se mos i thua tët shoqi të më shtoj te lista partisë, se edhe po më morën në telefon për të më pyetur a do votoj për pushtetin, do e mohoj. Sivjet as që kam ndërmend t’i ndyj këmbët, e bëni mirë të mos shkoni as ju. I kishte hipur kalit së prapthi.

Këta janë vetëm tre shembuj në pak metër katrorë të një lagjeje qendrore të Tiranës. Në njësinë e saj elektorale, që pasditen e para pak ditëve priste në takim një eksponent të rëndësishëm të partisë në pushtet, femër, nga ato me gojë të bukur e gjuhë të mprehtë. Personazhet tanë kishin marrë të tre thirrjen për paraqitje dhe zgjodhën të reagonin sipas mënyrave të tyre.

Armata e të punësuarve, këto kohë, duket se nuk i ka punët dhe aq fjollë dhe qetësia ka kohë që iu është shprishur. Nga ana tjetër, të papunët mbeten ende duke shpresuar, e mbase gjejnë ndonjë motiv më shumë për t’u gënjyer ende me premtime elektorale, andej-këtej, sipas preferencave. Deri atëherë, punonjësit e administratës kanë kohë “të sillen mirë”, dhe të paraqiten pasditeve në mbledhjet e Shtabeve të lagjeve ku jetojnë e votojnë.

Megjithëse, thënë midis nesh, drejtuesit e Shtabeve, nuk duken dhe aq optimistë për këtë punë. Pa dashur të dekonspirojmë askënd, – jo për gjë, po e marrim në qafë kot, – mësuam se, në përgjithësi, administrata shtetërore, nuk i është përgjigjur “thirrjes” ashtu siç pritej. Edhe pse nuk mungojnë ata që zgjedhin të paraqiten, shumica as që denjojnë të përgjigjen e jo më të paraqiten në mbledhje e takime. Pavarësisht kërcënimeve të qarta për pushim nga puna, duket se kupa nuk mban më të tilla. Ka nga ata që kanë muaj pa marrë rrogat… Më keq se kaq ku do shkojë, zëre se të papunë janë.