REPORTAZH/ Përpjekjet mbinjerëzore për të mbajtur gjallë një grevë

0
37

Nga Anisa Xhani, 20 Tetor 2012

Është grevë politike, është grevë ekonomike, por mbi të gjitha është një mesazh social.

Në grevën që ka mbushur plot 30 ditë kanë mbetur vetëm shtatë vetë.

1. Afrim Biturku (Kavajë)
2. Agim Kollçaku (Kavajë)
3. Ramazan Spahiu (Mat)
4. Lavdosh Beço (Vlorë)
5. Vllasi Koçi (Vlorë)
6. Besim Valteri (Mat)
7. Guxim Kullolli (Elbasan)

Unë i rendita, por ata janë një nën një çati, në të njëjtat mure, në shtëpinë e grevës, në shtëpinë e përhumbjes. Në shtëpinë e plasmastë, të mobiluar me dyshekë e batanije.

Ato janë të heshtur, as kokën nuk e nxjerrin tek pragu. Një pamje e trishtuar po të fokusosh vështrimin vetëm në atë çadër, dhe vetëm reflektimi i rrezes së diellit të bën të zgjohesh.

Tek– tuk ndonjë person i autorizuar shkëmben dy fjalë me to. Dhe shpejt largohet nga ajo strofull, ku prej ditësh janë ngujuar dhe mendimet.

E ndërsa ti e ke lëshuar tërësisht veten ne mendime të mjeruara e të varfëruar, një rrokullisje e syrit të zgjon ndërgjegjen njerëzore. Atëherë pështjellohesh nga ndjenja e guximit, ironisë, fatit. Ky është shikimi mbi uniformat e policëve, që sa herë t’i numërosh, të dalin tepër. Dhe si dele ti vazhdon i numëron 1, 2, 3… Nuk e kanë ofendim të numërohen. Vetë e duan këtë. Na numëro, më thonë.

Policë që punojnë me tre turne, të shpërndarë në tre grupe me rreth 25 veta përballë një grushti njerëzish.

Por grevistët i kanë shpërfillur me mbulesën e tyre të plasmastë ato njerëz hijerëndë me uniformë.

Përtej atyre shiritave të zonës së rrethuar, pamja është akoma më denigruese.

Ca parulla të shpartalluara gjenden në mur. Dhe letra është lodhur dhe ka filluar të ulë kokën.

Po shkronjat mbeten aty: “Popull, ngri kokën, bashkohu”.

E kush është populli: dy- tre gazetarë e 5 a 6 njerëz.

Dhe akoma më mizori nënçmuese janë mbeturinat e hedhura përreth nga njerëzit që i kanë vizituar për t’iu bashkëngjitur dhimbjes së tyre. Ata ndoshta pa kuptuar kanë lënë prapa shumë dhimbje, me ato paketa e plastmasa e letra të hedhura përtokë.

Dhimbjen e një mbeturine.