Rënia e Republikës në qershor dhe ftesa e BE

0
45

Nga Mero Baze, 29 Shkurt 2012

Debati për dështimin e tretë radhazi të Shqipërisë për të marrë ftesën për vend kandidat për anëtar në Bashkimin Evropian, po fokusohet tek mosplotësimi i 12 kushteve të vendosura nga BE-ja, ndërkohë që vendi po rrëshqet në një formë të qeverisjes të panjohur më parë, pas muajit qershor. Zgjedhja e presidentit të Republikës nga Sali Berisha më 24 qershor të këtij viti i jep realisht fund Republikës së Shqipërisë si një shtet i qytetarëve siç sanksionohet në Kushtetutë dhe e kthen atë në një formë atipike të qeverisjes së vendit, në formën e një republike të emëruar nga Sali Berisha.

Pas qershorit, Presidenti i Republikës, Kryeministri, Kryetari i Kuvendit, Kryeprokurorja, kryetarët dhe anëtarët e gjykatave, SHISH, dhe pas kësaj gjithë superstruktura e shoqërisë, as nuk zgjidhet dhe as jep llogari para qytetarëve, por ka punë vetëm me një njeri, me Sali Berishën. Kjo është një ngjarje e sigurt dhe është një ngjarje, e cila nuk mund të ndalet as nga presionet e zbehta diplomatike mbi Berishën dhe as nga cicërima deputetësh brenda gardhit të tij. Rënia e Republikës së Shqipërisë dhe vendosja e Republikës së Berishës është një kusht i paparashikuar nga Brukseli në 12 kushtet e tij për të marrë statusin e vendi kandidat për anëtar të Bashkimit Evropian. 12 kushtet e famshme nuk është se s’plotësohen. Dy-tri prej tyre që kanë të bëjnë me ligje të përbashkëta mund të realizohen, por nuk kanë asnjë peshë.

Ajo që ka peshë në gjithë frymën e kushteve që ka vendosur Brukseli për Shqipërinë është fuqizimi i Republikës së Shqipërisë, që shprehet në kushtet që ekzistojnë për pavarësinë e gjyqësorit, pavarësinë e institucioneve, ndëshkueshmërinë e zyrtarëve të lartë, barazinë e tyre para ligjit, lirinë ekonomike dhe lirinë e shtypit, etj. Të gjithë këto që sapo citova dhe që janë pjesë thelbësore e 12 kushteve të Bashkimit Evropian, janë në të vërtetë ato çfarë do të viktimizohen përfundimisht dhe në mënyrë të pashpresë në qershor me rënien e Republikës së Shqipërisë. Rënia e kësaj republike, jo vetëm i bën të paqena këto kushte, që ende nuk janë plotësuar, por dhe sikur palët t’i plotësojnë formalisht këtë javë, ato rrëzohen dhe bëhen të paqena në qershor, kur Berisha të formojë republikën e tij.

Është kjo arsyeja që debati i sotëm mbi kushtet e Bashkimit Evropian dhe përgjegjësinë e qeverisë për mosrealizimin e tyre është i zbehtë. Bashkimi Evropian nuk është një mekanizëm robotik apo një lexues provimesh elektronik që lexon formularin e Shqipërisë me skaner vetëm nëse janë vënë kryqet në kuadratet e duhura. Ai lexon realisht gjendjen që është në Shqipëri përmes misioneve të tij faktmbledhëse, reporterëve dhe komisionit të përbashkët ndërparlamentar. Edhe kështu situata është shumë larg përmirësimit pasi brenda atyre kushteve, gjyqësori është një kafshatë që nuk kapërdihet lehtë prej tyre. Dy bashkëkryetarët e Komisionit për Evropën Juglindore, Kukan dhe Swoboda, e bënë të qartë në mënyrë të pazakontë se ishin të zhgënjyer nga vendimi i Gjykatës së Lartë për Ilir Metën, një deklaratë që ngushton rrethimin ndërkombëtar ndaj pushtetit të Tiranës mbi gjithë pushtetet e tjera në vend.

Por siç e theksova, dhe nëse mrekullia teknike ndodh dhe ne plotësojmë gjithë detyrimet teknike, republika e re që vjen pas qershorit do të përmbysë çdo shpresë tonën të pranohemi si vend me standarde demokratike. Zhurma që Berisha po përpiqet të ngrejë duke përsëritur akuzat bajate për opozitën, në të vërtetë synon që të zhurmojë kryearsyen përse Shqipëria do të humbasë përfundimisht shanset për Bashkimin Evropian pas rënies së republikës në qershor. Ajo që do të ndodhë në qershor me marrjen e gjithë institucioneve nga Berisha, është aq prapësuese për kushtet formale të Bashkimit Evropian, sa mund të korrigjohet pastaj vetëm me revolta popullore dhe paralizë të jetës shoqërore në vend, me të cilat Berisha njësoj si homologët e tij do përpiqet të terrorizojë shqiptarët dhe të shtojë frikën e tyre për kundërshti të regjimit.

Për të shmangur këtë kolaps, Bashkimi Evropian ka pak fuqi. Diplomatët e tjerë perëndimorë, përfshi dhe ata amerikanë, po ashtu kanë pak mundësi, me gjithë vullnetin që kanë për tu marrë përditë me këtë çështje. I vetmi kontribut i tyre është të flasin qartë dhe me një gjuhë njëkuptimshme se qeveria po lë Shqipërinë jashtë Evropës dhe të shprehin po ashtu qartë mospajtimin e tyre me zgjedhjen e një presidenti që do t’i japë fund kësaj republike. Biles këtu për ta bërë më sovrane garancinë për mosrënien e republikës, ata duhet të flasin qartë dhe për ndryshimin e formulës për zgjedhje të presidentit nga populli që as në të ardhmen republika të mos ngelet në dorë të dikujt tjetër.

Sot qytetarët shqiptarë janë të vetmit qytetarë në botë që zgjedhin vetëm një njeri, vetëm një pushtet dhe gjithë pushtetet e tjera burojnë nga ai. Sot qytetarët përdoren si zgjedhës vetëm për të rrëmbyer mandatin. Sali Berisha as atë nuk e fiton dhe pas kësaj ai prodhon gjithë pushtetet e tjera duke e përjashtuar popullin nga vendimmarrja. Kjo është republika që vendoset në qershor në Shqipëri. Me këtë republikë ta harrojmë Evropën, pasi ajo bie ndesh me thelbin e Evropës dhe sistemeve demokratike. Çdo humbje kohe me debate të tjera rreth kushteve të BE, thjesht i jep kohë Berishës të shkojë drejt republikës së tij, pa revolta dhe krizë reale në rrugët e Shqipërisë.