Fatbardha Demi, 23.10.2010
Duke dëgjuar emisionet e lajmeve në kanalet e ndryshme televizive, si dhe bisedat e shumta për “çështjet e ditës” në median shqiptare, vërehet qartë dukuria për të folur për gjithshka dhe për të heshtur për faktet më thelbësore, që përfshijnë jetën politiko-ekonomike dhe kombëtare të vendit tonë.
Analisti italian Marco Travaglio, e ka emërtuar këtë dukuri si: “Arti për të folur për gjëra të tjera”.
Do të ishte e padrejtë që këtë “mëkat” t’ia vishnim medias dhe të mos zbulonim autorin e vërtetë që ia dikton asaj.
“Politika, shprehej Pol Valery, është arti për të shmangur që njerëzit të interesohen për çështjet thelbësore që ju përkasin”.
A iu intereson lexuesve dhe shikuesve shqiptarë se,një ish-ministër, i prekur në interesat e tij të ngushta, ka marrë në sy të demaskojë në organet e Prokurorisë, mashtrimet me karburantin (ndoshta dhe afera të tjera më vonë), që i kanë rrënjët deri në instancat e larta shtetërore? Asgjë të re nuk ka këtu! Populli i ka sytë në ballë. Jo më kot edhe Kontrolli i Shtetit çdo vit paraqet dokumenta, që dëshmojnë përvetësimet marramendëse të fondeve nga ana e institucioneve shtetërore. Edhe kur rastësisht i janë çuar organeve për gjykim, sigurisht fajtorëve të rangut të dytë apo të tretë u janë dhënë “gjoba minimale” siç vëren nenkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu.
Por, ekzistojnë edhe “të paprekshmit”, të cilët çfarëdo që të bëjnë, nuk u hyn gjëmbi në këmbë.
A ju intereson shqiptarëve se zv.Kryeministri Meta paska ngrënë një drekë “ujdie” me emigrantin e PS-së, Fatos Nano? Asnjë nuk u çudit për pazarllëqet e politikanëve, që e kanë zhvlerësuar rrënjësisht kuptimin e të qënit “lider” i një popullsie dhe mbrojtjen e interesave të zgjedhësve, apo më thelbësisht, mbrojtjen e sovranitetit kombëtar, që përbën bazën e ekzistencës së një shteti.
Media e shkruar dhe ajo vizive është kthyer në një grup ndjekësish, që ashtu si “paparacët” mundohen t’iu shkëpusin politikanëve ndonjë “lajm” për lëvizjen e tyre taktike të ardhshme, apo “reagim” për ç’ka ka thënë apo bërë X-i apo Y-ni. Në asnjë media europiane, politikanët nuk reklamohen (deri në veleritje) si në vendin tonë.
Aty-këtu, intelektualët kurajozë dhe të ndergjegjshëm apo analistë profesionistë, mundohen të ndërgjegjësojnë shqiptarët se ç’ka po bëhet nën rrogoz apo dhe fare haptas, me pasoja të rënda për jetesën në vendin e tyre dhe veçmas për ardhmërinë e ekzistencës si komb, në kushtet e dukurive ekonomike dhe politike të shekullit të XXI.
Një nga këto probleme, ndoshta më i rëndësishmi për popullsinë shqiptare, brenda dhe jashtë kufijve shtetërore, është regjistrimi i popullsisë.
Nuk marr përsipër t’iu kundërvihem atyre që janë lodhur dhe djersitur në shkrimet e tyre dhe bisedat televizive, për t’i emërtuar si shprehje të “frikës virtuale”, “nacionalizmit romantik” apo “mosnjohjes së standardeve të BE-së” ata, që e kanë kundërshtuar regjistrimin e popullsisë me “vetëdeklarim” për përkatësinë etnike dhe fetare.
A i përmbush kriteret shkencore vetëdeklarimi i kombësisë (etnisë) në regjistrimin e popullsisë së një vendi?
Jo pa qëllim, nga ana e hartuesve zyrtarë të mënyrës së regjistrimit, e drejta individuale e njeriut për të ushtruar një besim të caktuar fetar, i bashkangjitet edhe “e drejta” për tu vetëshpallur se kujt etnie i përket. Dihet se përkatësia kombëtare (etnike) diktohet nga faktorë, që nuk varen nga dëshira e njeriut, sepse ai nuk mund t’ia ndërrojë gjuhën nënës, babait, fisit dhe të gjithë brezave paraardhës, mbiemrin e të cilëve ai mbart. Po kështu nuk mund t’iu diktojë të ndërrojnë zakonet, traditën gojore, historinë shekullore dhe emërtimet e toponimeve të krahinës ku kanë lindur dhe janë rritur. Asnjëri nuk mund të ndërrojë materialet statistikore dhe historike të viteve dhe shekujve të mëparshëm, që dëshmojnë qartazi se i ç’kombësie i përket ai dhe gjithë paraardhësit e tij.
Ndërkohë besimi fetar mund të ndryshohet individualisht, për arsye nga më të ndryshmet, dhe nuk ka pasoja direkte në fushën ekonomike dhe politike të një shteti.
Historikisht arbërorët nuk kanë qenë fanatikë të asnjë lloj besimi dhe për kushtet dhe nevojat e kohës, për mbijetesë, kanë ndryshuar disa herë besimin e tyre.
Edhe pas viteve ’90, për një ndihmë ekonomike, vizë apo bursë shkollimi jashtë për fëmijët e tyre, janë konvertuar nga myslimanë në katolikë, ortodoksë apo jahovai dhe rryma të ndryshme fetare.
Thuhet, nga hartuesit e programit të regjistrimit të popullsisë, se vetëdeklarimi do të bëhet mbi baza vullnetare. Dua t’iu kujtoj, se edhe në rastet e zgjedhjeve, votuesit janë sjellë me autobuze “falas” për të hedhur votën “e fshehtë” nën presionin e ndonjë “fshese” apo vendi pune në Greqi. Po përpara syve të komisioneve, a do të ketë guxim emigranti apo familjari i tij të shprehet pa u trembur për pasojat?
Pra, “vetëdeklarimi” i kombësisë është një rrugë anti-shkencore në hartimin e materialeve, që do t’i shërbejnë shtetit shqiptar dhe të gjithë institucioneve të tjera, brenda dhe jashtë Shqipërisë, për ndërtimin e programeve politike-ekonomike-kulturore. Gjithashtu, ky mashtrim statistikor do t’iu afrohet si studiuesve tanë, ashtu edhe atyre të huaj, që do të merren me analizën e shoqërisë shqiptare të shekujve 20-21 në të gjitha aspektet e saj. Nuk duhet lejuar kurrsesi që regjistrimi i popullsisë, akti themelor për ardhmërinë e një shteti, të kryhet mbi baza amatoreske dhe jo- shkencore, i frymëzuar nga pasione politike të çastit dhe interesa të ngushta të një grupi të caktuar. Regjistrimi i popullsise, i hartuar mbi baza anti-shkencore, nuk i përmbush standartet e BE-së!
Të gjithë e kanë të qartë se “thembra e Akilit” në këtë regjistrim, janë shifrat përfundimtare për numrin e popullsisë me kombësi greke dhe besim ortodoks. Duke anashkaluar ngërçin e “vërtetësisë” me “të drejtën e vetëdeklarimit”, hapet rruga për kërkesat “e mohuara” dhe “padrejtesitë” që i bëhen këtij “minoriteti të madh grek” dhe do të kërkohet me këmbëngulje të shtrëngohet “nën presionin e sanksioneve” shteti shqiptar që të zbatojë konventat e BE-së mbi minoritetin.
A jemi kundër zbatimit të Konventave që marrin në mbrojtje minoritetet? Kurrsesi jo! Shqiptarët janë një popull, që më shumë se të gjithë popujt e tjerë europianë, kanë luftuar dhe janë interesuar për zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, në lidhje me mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve. Kjo për arsyen e thjeshtë se është i vetmi popull, që jo vetëm rrethohet nga bashkëkombasit e tij, por edhe se minoriteti shqiptar në shtetet fqinj është një popullsi e madhe numerike, pra minoritet shtet-formues dhe të drejtat që parashikohen nga konventat europiane, padrejtesisht iu janë mohuar. Gjithashtu, emigracioni shqiptar zë vendin e parë në Europë, për nga përqindja e popullsisë së vendit të origjinës.
Nga ana tjetër, që në krijimin e shtetit shqiptar, një nga marrëveshjet e firmosura me Lidhjen e Kombeve (2.10.1921) dhe zbatuar deri në ditët tona, pavarsisht regjimeve që janë ndëruar, ka qenë ajo e respektimit të të drejtave të minoriteteve gjuhësore dhe kulturore që ndodheshin në vendin tonë.
Siç u shpreh gjatë vizitës me Kryeministrin Berisha në Greqi, në vitin 2006, ish- Ministri i Arsimit Genc Pollo (sot kryetar i Komisionit Qendror të Regjistrimit të Popullsisë. Një rastësi?): “Ne në Shqipëri kujdesemi që pakica greke të ketë arsimimin e duhur, madje edhe me anën e një diskriminimi pozitiv. Ne do bashkëpunojmë edhe në vazhdim me Greqinë në këtë drejtim”. Dhe e mbajti fjalën, me nje tjeter diskriminim pozitiv për greket dhe katastrofal për shqiptaret!
Duke analizuar standardet e BE-së mbi mbrojtjen e minoriteteve fetare, etnike dhe gjuhësore dhe metodikën e regjistrimit të popullsisë mbi bazën e vetëdeklarimit të përkatësisë etnike dhe fetare të hartuar nga shteti ynë, del qartazi se si cenohen interesat ekonomike, politike dhe kombëtare të të gjithë shqiptarëve, brenda dhe jashtë kufijve shtetërorë.
Sipas Kartës Europiane mbi minoritetet (Strasburg, 29.06.1992) kapitulli 8, mbas marrjes së rezultateve të regjistrimit të kombësisë me vetëdeklarim, Shqipëria duhet të sigurojë mësimin në gjuhën greke në të gjitha nivelet shkollore të fëmijëve të “minoritareve”, që për arsye ekonomike që i përmëndëm më lart, (mungesës së karakterit dhe njohurive për pasojat) kanë vetëshpallur veten me kombësi greke. Kjo nënkupton mbylljen apo reduktimin e shkollave dhe klasave ku do të mësojnë fëmijët shqiptarë në gjuhën e tyre dhe detyrimin për të mësuar gjuhën greke. Mësuesit do të detyrohen të japin mësim gjithashtu në greqisht, si dhe pajisjen e bibliotekave dhe botimi i teksteve shkollore, profesionale dhe artistike në këtë gjuhë.
Shteti shqiptar detyrohet të hap kurse të gjuhës greke edhe për pleqtë e “minoritarëve” të vetëdeklaruar, që të kenë mundësi të dëgjojnë dhe lexojnë median, e cila do të duhet ta përdorë këtë gjuhë, edhe pse historikisht një zonë si p.sh. Përmeti apo ndonjë tjetër, nuk ka patur kurrë grekofonë.
Deri më sot këtë punë e ka nxitur dhe realizuar privatisht shteti grek, në bashkëpunim me Kishën Ortodokse, shpesh duke shkelur edhe Kushtetutën e Shqipërisë. Mbas rezultateve të regjistrimit anti-shkencor, të gjithe këtë barrë financiare për greqizimin e vetvetes, do ta paguajnë taksapaguesit shqiptarë.
Brezi i ri i jugut të vendit tonë do të mësojë historinë e Shqipërisë dhe të botës, jo në gjuhën e tyre, por në greqisht. Sa për përmbajtjen e teksteve të historisë, i ka marrë masat ish- Ministri i Arsimit, Genc Pollo, kur i premtoi ministres së Arsimit të Greqisë, Marjeta Janaku (gjatë takimit Berisha-Karamanlis më 2006-ën) për të bërë që “tekstet shkollore të dy vendeve të kenë frymë miqësore, duke evituar çdo negativizëm”.
Por të drejtat e minoritarëve nuk përfshihen vetëm në procesin mësimor dhe kulturor. Mbas marrjes së rezultateve të regjistrimit të popullsisë me vetëdeklarim të kombësisë (etnisë), shtetit shqiptar do t’i duhet të sigurojë në gjykatat e zonave ku janë regjistruar me shumicë “minoritarët” shqiptarë, personel që të flasë gjuhën greke dhe të përdorë shkresa administrative po në këtë gjuhë. Vendimet gjyqësore do të shkruhen gjithashtu po greqisht.
Sipas kapitullit 10 të Kartës Europiane, shteti shqiptar duhet të sigurojë që nëpunësit e tij në këto zona (që sipas vorio-epiroteve përfshin të gjithë Jugun e Shqipërisë), që kanë lidhje me popullin, të përdorin gjuhën greke dhe dokumentacionin, si dhe formularët për përdorim për popullin të shtypen në këtë gjuhë.
Në rast se njerëzit do t’iu drejtohen në greqisht, këta nëpunës do të jenë të detyruar t’iu përgjigjen në këtë gjuhë. Kjo gjuhë do të përdoret edhe në debatet e ndryshme publike.
Është e kotë të përshkruaj detyrimin e shtetit shqiptar në fushën e medias vizive, sepse mjafton të pushosh një herë në Sarandë, që të shikosh se si kanalet greke kanë mbuluar pothuaj tërësisht hapësirën mediatike. Në shumë zona të jugut shqipfolësit janë të diskriminuar nga shteti i tyre për të drejtën e informimit në gjuhën kombëtare. Mbulimi i paligjshëm i hapësirës mediatike shqiptare, mbas regjistrimit me vetëdeklarim, do të ligjërohet duke krijuar një presion të rëndë psikologjik tek banorët autoktonë shqiptarë dhe do nëpërkëmbë të drejtat e tyre per t’u informuar në gjuhën shqipe. Këtë të drejtë në Sarandë mund ta përfitosh vetëm duke paguar një shumë të kripur firmave kabllore. Edhe për të dëgjuar programet në greqisht (që sot bëhet falas për shqiptarët), konventa europiane për minoritetet parashikon mbështetje financiare që do të vilet po nga taksapaguesit shqiptar.
Në kushtet e një krize të rëndë financiare, kur edhe “pensionet” greke po rrezikohen, regjistrimi i popullsise me vetëdeklarim mund t’i lërë pa gjë përfituesit e tyre dhe shkarkon financiarisht shtetin grek nga barra e investimeve dhe mbajtjes së një organike mësimore dhe të natyrave të tjera për të “mbajtur gjallë frymën helenike” dhe ia ngarkon këtë barrë shtetit tonë, pra taksapaguesve shqiptarë.
Një problem veçanërisht i rëndësishëm është edhe ai i regjistrimit të emigrantëve tanë, që përbëjnë afro 1/3 e popullsisë (dhe afro 5% të popullsisë së Greqisë). Duke e trajtuar këtë problem në “legjendat e tij urbane” (“Panorama”, 4.02.2010) zoti Pollo shprehet: “siç bëjmë zgjedhje parlamentare një herë në 4 vjet, pa pritur që të kthehen në vendlindje gati 1 milion shqiptarë, ashtu do të bëjmë edhe regjistrimin e popullsisë”. Kjo mënyrë gjykimi është aq absurde dhe krahasimi aq i pabazë, si për nga natyra, ashtu edhe qëllimi i kryerjes së tyre, sa nuk ia vlen të zgjatem në këtë pikë.
Faktikisht nuk na jepet asnjë sqarim nëse numri i qytetarëve shqiptarë, që janë emigrantë dhe që i sjellin të ardhura (me shumë se çdo emigrant i vendeve të tjera, që punon në Europë dhe që perbën një pjesë të rëndësishme të buxhetit të shtetit tonë) do të llogaritet në statistikat e popullsisë së vendit tonë? Në rast se jo, me ç’të drejte juridike dhe morale në statistikat përfundimtare do të zvogëlohet popullsia shqiptare me 1/3 e saj? Ose në të kundërt, të shpallet se po bëhet një regjistrim i pjesshëm i popullsisë.
Emigracioni i popullsisë nuk përfshin vetëm vendet e pazhvilluara, por është një e drejtë që e gëzojnë edhe qytetarët e shteteve të zhvilluara europiane. Z.Pollo do të kishte bërë mirë të na sillte përvojën e këtyre shteteve kur marrin përsipër të përllogarisin popullsinë e vendeve të tyre.
Kjo ishte vetëm një panoramë e kufizuar e zbatimit të konventave të BE-së, në lidhje me mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve. Problemi nuk qëndron në drejtësinë e këtyre normave, por në “minoritetet” që do vetëshpallen nga regjistrimi i popullsisë, i realizuar sipas metodës anti-shkencore dhe anti-kombëtare, të hartuar nga shteti ynë. Një panoramë më konkrete se ç’do të ndodhë pas këtij regjistrimi, na e ka dhënë njëri prej vetëdeklaruesve, “minoritari” lab i veshur edhe me xhaketën e nënpunësit të shtetit tonë, V.Bollano.
Në kërkesën (dt. 25.11.2008), drejtuar Parlamentit dhe Ministrisë së Jashtme të Greqisë, në emër të Omonias, kërkohet: “dhënia e autonomisë Vorio-Epirit. Tirana zyrtare të njohë si zonë minoritare pothuajse gjithë Jugun e vendit, të banuar qysh para 3 mijë vjetësh nga grekët etnikë. Të njihen zyrtarisht si zona të minoritetit ato zona, të cilat pala shqiptare nuk i njeh të tilla, si për shembull Saranda, Gjirokastra, Himara, Delvina, Korça si edhe 99 fshatra përreth tyre. Të ndryshojë kuadri ligjor i Shqipërisë në një mënyrë të tillë që të lejojë bashkimin e gjithë kësaj zone në jug të Shqipërisë, që tradicionalisht banohet nga grekët, në një periferi të organizuar administrativisht në bazën e një organi që merr drejtpërdrejt vendimet nga vetë qytetarët, vendosja e gjuhës greke si gjuhë të parë zyrtare në Jug të vendit”.
Pra, është mëse e qartë se ky regjistrim i popullsisë me vetëdeklarim, është në fakt një nismë e hapur e shtetarëve tanë për greqizimin e popullsisë autoktone shqiptare dhe përbën një sulm të hapur kundër kombit shqiptar, dhe për nga pasojat është goditja më e rëndë që i bëhet shqiptarëve, pas Kongresit të Berlinit të vitit 1913!
**********
Rregjistrimi fetar, premtimi i Berishës për njeriun-kyç të ‘Vorio Epirit’
Arkivi i shtypit shqiptar ka nje date interesante lidhur me rregjistrimin e popullsise me baze etnike dhe fetare. Ne nje interviste me Nikolas Gejxh, njeriun simbol te perpjekjeve greke per Vorio Epirin, thuhet se regjistrimi me baze fene, i eshte premtuar atij (Gejxhit) nga Berisha.
Gejxh dhe Berisha u takuan pas 10 vitesh armiqesi reciproke, me ndermjetesine e ambasades amerikane. Gejxh ishte shpallur nga vete Berisha person non grata ne Shqiperi, por pas takimit Berisha deklaroi:
“Per hir te se vertetes, ceshtja eshte pak me ndryshe… Do respektohen dhe te garantohen plotesisht standartet nderkombetare te pakicave ne Shqiperi”, tha Berisha.
Kurse Gejxh deklaroi se “Berisha ka ndryshuar dhe se te gjithe ne jete bejme gabime..”
Me poshte intervista e Gejxh nxjerre nga arkiva:
Kryetari i lobit grek në SHBA pranon se “të gjithë në jetën e tyre bëjnë gabime” në lidhje me marrëdhëniet e tendosura që ka patur me qeverinë shqiptare tetë vjet më parë, kur u shpall dhe “persona non grata” në Shqipëri. Një mbrojtës i flaktë i “çlirimit të Vorio Epirit”, Gejxh u shpreh dje në një intervistë të shkurtër për gazetën se “kufijtë e Ballkanit do ndryshojë kur të gjitha vendet e rajonit do integrohen në Evropë”. Me konceptin e ndryshimit të kufijve ai thotë se ka parasysh lëvizjen e lirë të njerëzve.
Takimi juaj me Berishën ishte një surprizë. Çfare u tha në atë takim?
Ne diskutuam kryesisisht për të ardhmen e Shqipërisë, si ta përmirësojmë atë, përfshi dhe situatën e minoritetit grek. Ai tha se ishte i vendosur që minoriteti grek dhe minoritetet e tjera të kenë të drejtën për të deklaruar identitetin etnik dhe fetar në një regjistrim të pritshëm. Ne nuk disktuam për të kaluarën, sepse unë mendoj se ishte një keqkuptim prej të cilit të dy kemi nxjerrë mësime.
Ish-presidentin ju e keni sulmuar për një kohë të gjatë. A keni ndryshuar mendim?
Disa nga qëndrimet e tij në të kaluarën unë i kam kritikuar fort. Por të gjithë ne bëjmë gabime në jetë. Tani ka ndryshime qëndrimesh dhe mua më duhet të pranoj qëndrimet e reja që po thonë.
Me çfarë merreni tani në Shtetet e Bashkuara?
Shkruaj libra dhe bëj filma.
A vazhdoni të merreni me organizatat e diasporës greke?
Ajo që unë përpiqem të bëj është përmirësimi i të drejtave të minoriteteve në përgjithësi, duke punuar për disa organizata të cilat nuk kanë të bëjë vetëm me minoritetin grek, si për shëmbull në Afrikën e Jugut ose në Rusi gjatë periudhës së regjimit komunist. Detyra ime si shkrimtar është të flas në emër të atyre që nuk kanë mundësi të flasin në emrin e tyre.
A mendoni se duhet të ndryshojë harta e Ballkanit?
Unë mendoj se e ardhmja e Ballkanit është në Europë. Dhe me hyrjen në Europë gjithçka ndryshon. Ndryshojnë kufijtë. Ndryshon dhe nervoziteti që ka lidhje me kufijtë. Njerëzit do të kenë mundësi të lëvizin lirisht përmes kufijve. Ju jeni i ri, por unë e mbaj mend se para Luftës së Dytë Botërore kufiri mes Shqipërisë dhe Greqisë mund të kalohej pa pasur nevojë për pasaportë, vizë. Banorët e fshtatit tim shkonin në Shqipëri, shqiptarët vinin lirisht në zonën tonë. Nuk kishte asnjë problem. Dhe mendoj se integrimi në Europë do ta bëjë të mundur sërish atë realitet.
*******
Regjistrimi i fundit zyrtar në Shqipëri është bërë në vitin 1979. Të dhënat për këtë regjistrim mund të gjenden në botimet enciklopedike të vitit 1985.
Sipas këtij regjistrimi të 79-ës, në Shqipëri kishte 54.687 vetë me kombësi joshqiptare (që hyjnë tek pakicat kombëtare). Kjo shifër përbënte 2.1 për qind të popullsisë së përgjithshme të asaj kohe.
Ndër ta, 49.037 vetë ishin grekë që banonin kryesisht në krahinat kufitare jugore në Gjirokastër dhe Sarandë; 4.163 ishin sllavë (pjesa kryesore e tyre, ishin maqedonas që në kohën e regjistrimit të 79-ës banonin në zonën e Prespës).
Ish-Kushtetuta e Shqipërisë (ajo që njihet si Kushtetuta e Republikës Popullore Socialiste) në nenin 10 të saj thoshte:
“Pakicave kombëtare në Shqipëri u sigurohet mbrojtja dhe zhvillimi i kulturës dhe traditave popullore, përdorimi i gjuhës amtare dhe mësimi i saj në shkollë, zhvillimi i barabartë në të gjitha fushat e jetës shoqërore. Çdo privilegj e pabarazi kombëtare dhe çdo veprim që shkel të drejtat e pakicave kombëtare është antikushtetues dhe dënohet sipas ligjit”.
E kujt i hyne ne pune se çfare mendon !?
E paske dhe emrin Shqiptare! Fat-bardha.
Qe te gjithe ne Shqiperi kane te drejta,vetem shqiptaret ,Jo.
Ka Parti te grekeve,te vlleheve,te sllaveve,te jevgjeve:Por Parti te shqiptareve nuk ka.
Kur ne Shqiperi te formohet Partia e Shqipetareve ,athere nje artikull si i Juaji mund te kete vlere.
Comments are closed.