Nga Mero Baze, 25 Shtator 2013
Kam një emër, për të cilën dua t’i kërkoj “ndihmë” Sali Berishës dhe Bujar Nishanit. Më tej dhe Edi Ramës. Në zhurmën e madhe banale të atyre që do hiqen nga puna dhe atyre që do shkojnë, është një emër që nuk po e përmend askush. Ndryshe nga nëpunësit e tjerë të këtij vendi, e drejta e saj për vendin e punës garantohet nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, e cila detyron qartë Presidentin e Republikës ta emërojë në vendin ku ka qenë para emërimit. Bëhet fjalë për ish- Prokuroren e Përgjithshme të Shqipërisë, Ina Rama.
Bujar Nishani shkeli Kushtetutën dhe e hoqi atë afërsisht një vit para kohe. Në detyrimin kushtetues është, që pas mbarimit të mandatit, Prokurori i Përgjithshëm të sigurohet të punojë në vendin e punës që ka punuar më parë.
Për të kuptuar se kush thërret për shtet ligjor dhe zbatim të ligjit në Shqipëri, shikoni se si trajtojnë Prokuroren e Përgjithshme të vendit, të vetmen që ka guxuar së paku të çojë deri në derën e gjykatës disa emra ministrash dhe që ka detyruar ish- Kryeministrin ta shpallë puçiste vetëm se i shkoi shumë afër gjurmëve të gjakut të djalit të tij në Gërdec.
Presidenti i Republikës, duke demonstruar një mungesë të thellë personaliteti dhe raporti me ligjin, shkel Kushtetutën e vendit vetëm që të mos zemërojë Sali Berishën dhe nuk kryen detyrën e tij për t’i siguruar vendin punës që i takon ish- Prokurores së Përgjithshme.
Ish- Kryeministri i vendit, i cili në fillim e shpalli Silvia Konti, pastaj “shtriga Konti”, rri vigjilent se mos Presidenti zbaton ligjin dhe e kthen në detyrë.
Të dy së bashku, Presidenti në detyrë dhe ish- Kryeministri, e konsiderojnë atë një njeri që duhet linçuar dhe përdorin fuqinë që u ka mbetur në pushtetin gjyqësor për ta mbajtur atë larg sistemit. Regjimi vazhdon të hakmerret me atë grua, duke demonstruar realisht se sa shumë pushtet i ka mbetur.
Përpara se të kërkojnë mos u ikin hajdutët nga zyrat e shtetit, mos u ikin shërbëtorët që kanë përdorur në drejtësi, këta dy burrecë duhet t’i kërkojnë ndjesë asaj zonje, për të cilën po shkelin detyrimet kushtetuese duke e mbajtur të papunë, larg vendit që i takon me ligj. Këta dy burrecë që ecin me makina të blinduara dhe nuk heqin dot dorë nga rojet private dhe shtetërore, lënë rrugëve një grua që është përballur me krimin në këtë vend, vetëm se duan të hakmerren pse i ka detyruar të ballafaqohen me drejtësinë dhe të bëjnë betejë për ta kontrolluar atë.
Sot, kur të gjithë flasin për t’u bërë ministra, drejtorë, zëvendësministra, gjyqtarë apo prokurorë, ish- Prokurorja e Përgjithshme është një e papunë, për të cilën nuk kujtohet njeri. Është ajo që Sali Berisha e shpalli armike për Gërdecin, e shpalli puçiste për 21 Janarin dhe e shkarkoi para kohe vetëm se nuk duronte dot të kishte fatin e Familjes së tij në duart e saj.
Socialistët që erdhën në pushtet, natyrisht kanë komplekset e tyre ndaj ish- prokurores, sidomos nga akuzat e Berishës se ajo ishte pjesë e një puçi bashkë me ta. Dhe këta kanë hallet e tyre të fusin nëpër zyra njerëzit e tyre, por së paku në këtë zhurmë të pështirë të atyre që ikën nga pushteti, ata duhet ta fillojnë betejën duke detyruar Presidentin të rikthejë në vendin që i takon ish- kryeprokuroren. E di që kjo gjë Bujar Nishanit i duket fundi i botës, pasi i kujtohet fytyra e hakërruar e Sali Berishës në telefon, SMS e Zenit, ankesat e Lulit, etj, por ai nuk duhet lejuar as të marrë frymë nëse nuk zbaton i pari detyrimet kushtetuese që rrjedhin për emërimin e saj aty ku i takon.
Ajo nuk kërkon as poste politike, as të hyjë në politikë, por të shkojë në vendin që i takon me ligj. Këta që kanë ardhur në pushtet, e kanë detyrim moral dhe ligjor t’i kërkojnë Presidentit të zbatojë ligjin dhe pastaj të ankohet për gruan e tij se mos ia heqin nga puna si militante të Berishës.
Ina Rama nuk po merr pjesë në këtë kakofoni për ca karrige të rrezikuara apo të premtuara, por ata që guxojnë të hapin gojë për shtet ligjor, kanë një rast ta tregojnë se e duan atë. T’i japin vendin që i takon ish- kryeprokurores, për të cilën po shkelin Kushtetutën. Pastaj ka kohë për ankesat paradhënie të gruas së Nishanit.