Regjimi i Tiranës dhe ambasada amerikane

0
35


Gary Q. Kokalari

Ambasador Arvizu, si sot tre vjet më parë, skandali “AEY” u ekspozua për herë të parë për publikun në një artikull në faqen e parë të gazetës “New York Times”. Ky artikull ndihmoi për të hedhur dritë mbi natyrën korruptive të qeverisë Berisha…… Efraim Diveroli, presidenti i “AEY”-së dhe bashkëpunëtorët e tij u ndihmuan dhe u mbështetën në skemën e tyre për t’i shitur Departamentit të Mbrojtjes municione kineze të tipit AK-47, nga disa shqiptarë. Tek këta përfshihet edhe ish-Ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, drejtori i “MEICO”, Ylli Pinari, dhe Mihal Delijorgji, një “biznesmen” shqiptar, i cili vepronte në strukturat e Gërdecit, vendi ku një shpërthim tragjik vrau së paku 26 njerëz. Dhe siç e dini, Delijorgji dhe Pinari u liruan së fundmi nga burgu pa ndonjë zgjidhje për sa i përket çështjes së fajësisë së tyre për shpërthimin shkatërrues të Gërdecit.

Katër amerikanë u ndoqën penalisht dhe u dënuan për rolet e tyre në mashtrimin e Qeverisë Amerikane me skemën e “AEY”-së, por nga qeveria Berisha nuk është lëvizur as gishti i vogël për të ndjekur penalisht shqiptarët që luajtën rol integral në ndihmën që i dhanë “AEY”-së për të kryer këtë mashtrim ndaj taksapaguesve amerikanë. Deklaratat e regjistruara të Efraim Diverolit thonë se Shkëlzen Berisha, djali i kryeministrit Sali Berisha, ka luajtur rol në marrëveshjen e “AEY”-së, ndaj nuk është për t’u habitur pse qeveria shqiptare dhe zyrtarët e saj kanë ndjekur rrugën e minimit për çdo hetim.

Megjithatë, për aq sa di unë, ambasada juaj nuk ka bërë asnjë përpjekje për të bërë presion mbi qeverinë Berisha për të hetuar këtë çështje. Pse? A s’keni ju obligim ndaj taksapaguesve amerikanë, obligim i cili duhet t’ju shtyjë për ta detyruar qeverinë shqiptare për hetim rreth këtij mashtrimi? Ndërkohë, ju heshtët kur këta “miq” dolën nga burgu. Pse? …..

….. Më 21 janar të këtij viti, gjatë një proteste masive kundër qeverisë së korruptuar Berisha, katër shqiptarë u vranë me gjakftohtësi. Ata u qëlluan nga distanca nga qitës të pozicionuar në ndërtesa qeveritare, përfshirë zyrat e kryeministrit. Bazuar në dëshmi – video, duket qartë se ata protestues nuk ishin kërcënues për forcat e qeverisë në asnjë rrethanë. Sipas burimeve të ndryshme (duke përfshirë edhe ato brenda qarqeve të medias shqiptare dhe nga zyra e prokurorisë shqiptare, si dhe nga filmime që mund ta gjeni në Youtube), protestuesit u qëlluan nga distanca, e jo nga afër (siç deklaroi Berisha pak minuta pas të shtënave).

Ka prova se kjo hapje zjarri është orkestruar nga një komandë qendrore dhe ka akuza se Sali Berisha dhe/ose Lulzim Basha mund të kenë dhënë urdhër për zjarr.

Unë kam marrë një raport shqetësues që tregon se një kompani sigurie private (një lloj Blackwater-i shqiptar) pajisi me roje të armatosura rëndë zyrën e Berishës më 21 janar, dhe ka dyshime se një numër i këtyre rojeve nuk kanë shtetësi shqiptare, por të huaj (ka gjasa me origjinë serbe). A keni dijeni për këto akuza? A keni ndonjë person të inteligjencës që mund të konfirmojë këto pohime?

Qeveria Berisha po ndjek vendosmërisht modelin e prishjes së hetimeve për shkeljet ligjore të kryera nga zyrtarë të qeverisë dhe anëtarë të familjes Berisha. Për shembull: gardistët e dyshuar se kanë qëlluar mbi protestuesit u liruan; Delijorgji dhe Pinari gjithashtu janë liruar; ndëshkimi ligjor në lidhje me tragjedinë e Gërdecit duket se është lënë mënjanë; patëm përfundim të nxituar për vdekjen e Kosta Trebickës si “aksident”.

Rasti më skandaloz është ai i Lulëzim Bashës dhe Fatmir Mediut, të cilëve përballë aktakuzave të Prokurores së Përgjithshme iu dha amnisti me emërimet ministrore nga Sali Berisha. A i aprovoni ju këto përpjekje të qarta të Berishës për të minuar sundimin e ligjit? Këto dëshmojnë se Shqipëria është me siguri një shembull jo i shndritshëm i demokracisë. Me Berishën, Shqipëria s’ka bërë më pak se një shtet gangster i maskuar si qeveri dhe ju ua keni borxh amerikanëve dhe shqiptarëve përmirësimin e kësaj situate. Si amerikan, unë marr me mend se përgjegjësia juaj kryesore është mbrojtja e interesave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Por me nivelin e respektit që shqiptarët kanë për SHBA-të, ju mund të bëni atë që është më e mira për amerikanët dhe shqiptarët. Për fat të keq, shumica e atyre që kanë shërbyer në pozicionin tuaj kanë zgjedhur rrugën e rezistencës së ulët dhe janë fokusuar në afate të shkurtra, në objektiva të njëanshëm.

Imagjinoj se ju keni fituar një pendë në kapelën tuaj në Washington me përpjekjet për të qetësuar tensionin që u ngrit nga të shtënat në 21 janar. Por duke bërë këtë, dhe duke injoruar problemet themelore, përfshirë shmangien e hetimit mbi faktet dhe rrethanat e të shtënave, ju keni përforcuar perceptimin në Shqipëri që sundimi i ligjit është diçka që mund të anashkalohet nga të fuqishmit sipas dëshirës. Me admirimin e tyre për Amerikën, populli i Shqipërisë meriton më të mirën. Ata meritojnë që ata që i kanë mashtruar e grabitur, si Sali Berisha – një diktator dhe bandit – duhet të largohen nga detyra dhe të ndiqen penalisht për krimet e tyre.

Sinqerisht, Gary Q. Kokalari

Marrë me shkurtime nga Shekulli