Refreni berishian i hidrocentraleve

0
21

ResPublica.al, 22 gusht 2012

Në shfaqjen e tij të përjavshme para kamereva televizive, e cila zhvillohet para mbledhjes së qeverisë, Berisha sot kishte si kryefjalë koncensionet e hidrocentraleve. Ai tha se shfrytëzimi i burimeve hidro-energjetike është prioritet i prioriteteve të qeverisë së tij. (Çdo javë një çështje e caktuar e ka rradhën të quhet nga Berisha prioritet i prioriteteve të qeverisë së tij).

Sebep për lumin e gjatë të fjalëve të sotme të Berishës për hidrocentralet u bë nënshkrimi i një kontrate koncensioni për shfrytëzimin e lumenjëve nga një kompani private që do të ndërtojë 5 hidrocentrale. Në fakt Berisha i rikthehet herë pas here kësaj teme, sidomos para zgjedhjeve. (A ju kujtohet sesi, me dy eskavatorë në sfond, përuroi fillimin e punimeve të një “projekti gjigand” në lumin Devoll para zgjedhjeve të 2009-ës dhe më pas nuk u bë asnjë punim në të?)

Në fakt, qysh kur Berisha ka filluar këtë refrenin e hidrocentraleve, janë ndërtuar, siç e pohoi vetë sot, vetëm 71 hidrocentrale të veckël me kapacitet total 125 MW, ose sa rreth 1% e kapacitetit të hidrocentraleve ekzistuese. Sidoqoftë ai duket i vendosur që të gjithë lumenjtë t’ua japë për shfrytëzim firmave private.

Po eksperienca e vendeve të tjera ç’na tregon? Le të marrim një vend kapitalist si SHBA-ja, për shembull. Shumica dërrmuese e hidrocentraleve në SHBA janë ndërtuar nga qeveria federale në periudhën e depresionit ekonomik të viteve ’30 të shekullit të kaluar. Ndërtimi i tyre u financua me obligacione shteterore të dedikuara, të cilat u shlyen gradualisht me të ardhurat nga shitja e energjisë elektrike.

Ndërtimi i tyre u shërbeu tri objektivave kryesore: 1-punësimit masiv kur papunësia kishte arritur në 25%; 2-disiplinimit te ujrave të lumejve; 3-furnizimit me energji të lirë i zonave rurale. Edhe sot ato hidrocentrale janë pronë shtetërore dhe vazhdojnë t’u shërbejnë dy objektivave të fundit.

E. Zaloshnja